Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Cila është mënyra më e mirë për të falenderuar Allahun,prej fjalëve apo veprave?

6997265913_03c21bf92b_b

Përgjigje:

➡ Së pari: Falënderim (shukr) do të thotë shpërblim ndaj tjetrit për bamirësinë e tij, si dhe thurja e lavdatave të bukura për atë që të jep të mira dhe begati. Së këtejmi, Ai që më shumti e meriton falënderimin dhe lavdërimin (detyrimisht) prej robërve të Tij është Allahu i Madhërishëm.

⚪ Kjo, për shkak të mirësive, begative dhe dhuntive të shumta që Ai u ka dhënë robërve të Tij në fe dhe dunja.
Allahu i Lartësuar na urdhëron që ta falendërojmë Atë për shkak të këtyre mirësive të shumta, dhe mos t’i mohojmë ato.

➖Ai, qoftë i Lartësuar, thotë: “Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falenderomëni Mua (duke M’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!” (El Bekarah, 152).

➡ Së dyti: Ata të cilët më së shumti e zbatuan këtë falënderim ndaj Zotit të tyre, saqë e merituan të cilësohen si “Shakir (falënderues)”apo “shekur (shumëfalënderues)” janë të Dërguarit e Allahut,alejhimus salatu wesselam.

➖Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë,Ibrahimi ka qenë prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët, (por ka qenë) mirënjohës (shakir) ndaj dhuntive të Tij. Ai e zgjodhi atë dhe e udhëzoi në rrugë të drejtë.” (En Nahl, 120 – 121);”

➖Ju jeni pasardhës të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun! Ai ka qenë vërtet një rob mirënjohës (shekur).” (El Isra,3).

➡ Së treti: Allahu i Lartësuar i ka përmendur disa prej mirësive të cilat ua ka dhënë robërve të Tij, dhe urdhëron që Ai të falënderohet për to. Po ashtu, na njofton se pak janë ata (prej robërve të Tij) që e falënderojnë Atë.

Allahu i Lartësuar thotë:

1⃣. “O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe,nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë!” (El Bekarah, 172).

2⃣. “Ne ju kemi vendosur në tokë dhe aty ju kemi dhënë çfarë ju nevojitet për jetesë. Eh, sa pak mirënjohës që jeni!” (El A’raf, 10).

3⃣. “Dhe, një prej shenjave të Tij, është dërgimi i erërave mbartëse të lajmeve të mira (shiut), që t’ju bëjë të shijoni nga mëshira e Tij, që anija të lundrojë me urdhrin e Tij, që të kërkoni nga dhuntia e Tij dhe që të jeni mirënjohës.” (Err-Rrum, 46).

4⃣. Prej të mirave fetare ndaj nesh që Allahu i Lartësuar i përmend është ajeti: “O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje. Nëse jeni të papastër (si pasojë e marrëdhënieve bashkëshortore apo e derdhjes së farës), pastrohuni(duke u larë krejtësisht)! Por, në qoftë se jeni të sëmurë (që mund t’ju dëmtojë uji) ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të. Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.” (El Maide, 6).

⚫ Dhe ajete të shumta (këtu i përmendëm vetëm disa prej tyre). Ndërsa,sa i përket numërimit të këtyre mirësive, kjo është një gjë e pamundur.

➖Allahu i Lartësuar thotë: “Ai ju jep gjithçka që i kërkoni.Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.”(Ibrahim, 34).

? Pastaj, Allahu na ka dhënë mirësi tjetër shumë të madhe, e që është se na e ka falur këtë neglizhencë tonën në falënderimin ndaj Tij për këto mirësi.

➖Ai, qoftë i Lartësuar, thotë:”Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” (EnNahl, 18).

✏ Muslimani duhet në çdo kohë ta lus Zotin e Tij që ta ndihmojë në falënderimin ndaj Tij. Sepse, mos të ishte suksesi dhe ndihma që Allahu i jep robit të Tij, ai nuk do të arrinte ta falënderojë Atë.

➡Për këtë arsye, është ligjësuar në sunet (hadith) të saktë kërkimi i ndihmës prej Allahut të Lartësuar për falënderimin ndaj Tij.

✏Muadh bin Xhebeli, radijallahu anhu, tregon se një ditë i Dërguari, salallahu alejhi we selem, e kapi për dore dhe i tha: “O Muadh! Për Allahun, unë të dua ty! Për Allahun unë të dua ty!” Pastaj i tha: “Të porosis që kurrë të mos i braktisësh në fund të çdo namazi këto fjalë (lutje): OAllah! më ndihmo që të të përmend Ty, të të falënderoj Ty, dhe të të adhuroj në mënyrën më të mirë!” E transmetojnë Ebu Dawudi, nr. 1533,dhe Nesaiu, nr. 1303. Shejh Albani e vlerëson si sahih (autentik) në”Sahih Ebi Dawud”.

➡ Pastaj, falënderimi për mirësitë është shkak që ato të shtohen edhe më shumë.

➖ Allahu i Lartësuar thotë: “(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi:“Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”. (Ibrahim, 7).

✏ Së katërti: Si duhet të robi ta falënderojë Zotin për mirësitë e Tij të shumta?

✒ Kjo arrihet duke i realizuar shtyllat e falënderimit, e që janë falënderimi me zemër, me gjuhë dhe me gjymtyrë. Ibnul Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Falënderimi bëhet me zemër: duke treguar përulje dhe nënshtrim ndaj Allahut; me gjuhë: duke i pranuar (si mirësi prej Allahut) dhe duke e lavdëruar Atë; dhe me gjymtyrë: duke iu bindur dhe nënshtruar Atij.” (Medarixhus-Salikin, 2/246).

Kjo shtjellohet në këtë mënyrë:

1⃣. Sa i përket falënderimit me zemër, kuptimi i kësaj është që njeriu ta ndjejë me zemrën e tij vlerën e këtyre mirësive që Allahu i ka dhënë atij. Të besojë bindshëm me zemrën e tij duke e pranuar se Dhuruesi i këtyre mirësive është Allahu i Vetëm dhe i Pashoq.

➖Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo mirësi që keni, është nga Allahu.” (En Nahl,53).

?Ky pranim me zemër nuk është vetëm i preferuar, për më tepër ai është obligativ. Prandaj, kushdo që këto mirësi ia atribuon dikujt tjetër, i tilli bën kufr.

?Dijetari Abdurrahman Es Si’di, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Njerëzit e kanë obligim që mirësitë t’ia atribuojnë Allahut, me gjuhë dhe duke e pranuar këtë (me zemër). Me këtë plotësohet tewhidi. Prandaj, cilido që me zemrën dhe gjuhën e tij i mohon mirësitë e Allahut, ai veçse është bërë mohues. I tilli nuk ka në vetën e tij asgjë prej fesë.

?Ndërsa, ai që e pranon me zemrën e tij se të gjitha mirësitë janë vetëm prej Allahut, por me gjuhën e tij nganjëherë ia atribuon Allahut, e nganjëherë vetes, punës apo përpjekjeve të tij, etj – siç e hasim këtë në fjalët e shumë prej njerëzve – në këtë rast ai e ka obligim të pendohet tek Allahu, dhe mirësitë t’ia atribuojë vetëm Dhuruesit të vërtetë të tyre. Ai duhet ta luftojë veten e tij që ta arrijë këtë, ngase nuk plotësohet imani(besimi) dhe tewhidi, veçse me atribuimin e mirësive te Allahu, me gjuhën dhe zemrën (pranimin) tonë.

? Vërtetë, falënderimi – i cili është koka e imanit – bazohet në tri shtylla:

? duke e pranuar me zemër se të gjitha mirësitë që i ka ai apo dikush tjetër janë prej Allahut.

?Pastaj, të flasë (t’i shpallë) ato mirësi tek të tjerët si dhe ta lavdërojë Allahun për to.

?Dhe, në fund duhet që përmes atyre mirësive ta ndihmojë veten në bindje dhe adhurim ndaj Dhuruesit.” (El Kawl Es-Sedid fi Mekasidit – Tewhid, fq. 140).

➖Allahu i Lartësuar kur e sqaron gjendjen e atyre që i mohojnë mirësitë e Allahut (duke mos ia atribuuar Atij), thotë: “Ata e dinë dhuntinë e Allahut, por pastaj e mohojnë, se shumica e tyre janë jobesimtarë.” (EnNahl, 83).

?Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentimit të këtij ajeti thotë: “E dinë se Allahu i Lartësuar është Ai që ua ka dhuruar dhe i ka begatuar me këto mirësi; por megjithëkëtë, ata e mohojnë një gjë të tillë dhe adhurojnë dikënd tjetër krahas Tij, duke ia adresuar ndihmën / triumfin dhe furnizimin dikujt tjetër.” (Tefsir Ibën Kethir, 4/592).

2⃣. Sa i përket falënderimi me gjuhë, kjo do të thotë që – pasi ta besosh bindshëm me zemrën tënde – ta pranosh me gjuhën tënde se Dhuruesi i vërtetë i këtyre mirësive është Allahu i Lartësuar, pastaj ta angazhosh gjuhën tënde me lavdërime të shumta kushtuar Atij.

➖ Allahu i Lartësuar kur i sqaron mirësitë e shumta të cilat ia ka dhuruar të Dërguarit, salallahu alejhi we selem, thotë: “A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt?” (Ed Duha, 8);

pastaj në fund të sures e urdhëroi se si të veprojë karshi kësaj mirësie, me fjalët:”dhe shpalli dhuntitë e Zotit tënd!” (Ed Duha, 11).

? Ibën Kethiri,Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ashtu siç ishe i varfër dhe nevojtar, e pastaj Allahu të bëri që të mos ia kesh nevojën askujt, po ashtu shpalli dhuntitë e Tij ndaj teje (duke i përmendur dhe duke e lavdëruar atë).” (Tefsir Ibën Kethir, 8/427).

?Enes bin Maliku,radijallahu tregon se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi we selem,ka thënë: “Vërtetë, Allahu kënaqet me robin kur ai e ha një kafshatë dhe e bën hamd (lavdëron) Atë, apo kur e pi një pikë ujë dhe e bën hamd (lavdëron) Atë.” Transmeton Muslimi, 2734.

?Ebul Abbas El Kurtubij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hamdi në këtë hadith e ka kuptimin e shukrit (falënderimit). Më herët e kemi përmendur se lejohet që hamdi të përdoret në vend të falënderimit,kurse falënderimi nuk bën të vendoset në vend të hamdit. Gjithashtu,në këtë hadith ka dëshmi se falënderimi ndaj mirësisë – sado e vogël që është ajo – është prej shkaqeve përmes së cilave arrihet kënaqësia e Allahut të Lartësuar. Dhe, kjo është gjendja më e lartë të cilën e arrijnë banorët e Xhenetit.

➡ Më poshtë do ta kometojnë hadithin ku përmenden fjalët e Allahut të Madhërishëm drejtuar banorëve të Xhenetit – kur ata i thonë Atij: Na ke dhënë atë që askujt prej krijesave Tua nuk ua ke dhënë – atëherë ua kthen: “A dëshironi t’u jap diçka më të vlefshme se kjo?” Ata thonë: E çfarë ka më të vlefshme se kjo? A nuk i zbardhe fytyrat tona? A nuk na fute në Xhenet dhe na vendose larg Zjarrit? Ai do t’u përgjigjet: “Do ta lëshojë mbi ju kënaqësinë Time, dhe kurrë nuk do zemërohem, pas kësaj dite, me ju.”Falënderimi ishte shkaku që ata (banorët e Xhenetit) ta arrijnë këtë nderim kaq madhështor prej Allahut.

? Sepse falënderimi përfshin njohjen e Dhuruesit dhe veçimin e Tij me krijimin e këtyre mirësive, duke besuar se vetëm Ai i ka sjellë ato te krijesat e Tij, si mirësi,begati dhe dhunti prej Tij. Si dhe duke besuar që krijesat janë të varfëra dhe nevojtarë për këto mirësi; ata në asnjë çast nuk janë të pavarur (vetëmjaftueshëm).

✏Pra, krejt kjo përshin se ata e kanë njohur të drejtën dhe dhuntitë e Allahut, si dhe të drejtën dhe nevojën e varfërinë e robit. Prandaj, Allahu i Lartësuar si shpërblim për këtë njohje, do t’ua jap këtë nderim kaq të lartë (në Xhenet).” (El Mufhimlima eshkele min telhis kitabi Muslim, 7/60 – 61).

?Në këtë kuptim, disa prej selefëve thoshin: Kush e fsheh mirësinë /dhuntinë (e Allahut), ai veçse e ka mohuar atë. Ndërsa, kush e shfaqë dhe përhap (në mesin e njerëzve), ai veçse e ka falënderuar Allahun për të.”

✒Ibnul Kaijimi, Allahu e mëshiroftë, në lidhje me këto fjalë,shënon: “Kjo është përfituar nga fjalët e të Dërguarit, sallahu alejhi we selem: “Vërtetë, kur Allahu ia dhuron robit një mirësi, dëshiron që t’i shoh gjurmët e saj tek ai.” (Medarixhus Salikin, 2/246).

?Po ashtu,transmetohet se Umer bin Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, thoshte:”Kujtoni mes jush mirësitë e Allahut, sepse përmendja e tyre është falënderim.”

3⃣. Ndërsa, sa i përket falënderimit me gjymtyrë, kjo do të thotë që njeriu gjymtyrët (organet) e tij t’i përdorë në bindje dhe adhurim ndaj Allahut, si dhe t’i largojë ato prej mëkatimit ndaj Allahut.

➖ Allahu i Lartësuar thotë: “O familje e Daudit! Veproni / punoni si falënderim (për Allahun)!” (Sebe, 13).

?Kurse, Aishja, radijallahu anha, tregon se I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi we selem, falej natën aq shumë derisa këmbët e tij plasariteshin. Unë i tash: O i Dërguari i Allahut, po vepron kështu, kurse Allahu t’i ka falur mëkatet e para dhe të fundit? Ai u përgjigj: “O Aishe! Pse të mos jem rob falënderues (për Allahun)?” E transmetojnë Buhariu, nr. 4557, dhe Muslimi, nr. 2820.

✏Ibën Bettali, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Taberiu ka thënë: E sakta rreth kësaj është që falënderimi prej robit është pranimi i tij se ajo/ ato (mirësi) janë prej Allahut të Vetmit. Dhe, realiteti i pranimit është veprimi, pra që atë (falënderim) ta vërtetojë puna. Ndërsa,pranimi i personit të cilin e përgënjeshtron puna e tij, i tilli absolutisht nuk e meriton që të quhet falënderues, mirëpo për të thuhet që vetëm ka bërë falënderim me gjuhë.

➖Dëshmi për saktësinë e kësaj që sapo e thamë janë fjalët e të Lartësuarit: “O familje eDaudit! Veproni / punoni si falënderim (për Allahun)!” (Sebe, 13).

?Është e ditur se kur Allahu ua tha këtë, nuk i urdhëroi që t’i pranojnë këto mirësi (me zemër dhe gjuhë), sepse ata nuk e mohonin që ato ishin prej mirësisë dhe begatimit të Tij ndaj tyre. Por, Ai i urdhëroi që ta falënderojnë për këto mirësi duke vepruar (me to) në bindje ndaj Tij.

?Ngjashëm tha edhe i Dërguari, salallahu alejhi we selem, kur këmbët e tij u plasariten prej namazit të gjatë të natës:”O Aishe! Pse të mos jem rob falënderues (për Allahun)?” (Sherh Sahih El Buharij, 10/183 – 184).

?Ebu Haruni tregon së një ditë hyri te Ebu Hazimi dhe e pyeti: Cili është falënderimi i syve (të pamurit)? Ai u përgjigj: “Nëse me ata sheh ndonjë të mirë, ta përmendësh atë. E, nëse sheh ndonjë gjë të keqe ta fshehësh atë.”

➡Pastaj, e pyeta: Cili është falënderimi i veshëve (të dëgjuarit)? Ai u përgjigj: “Nëse dëgjon diçka të mirë, ta mësosh përmendësh. E, nëse dëgjon diçka të keqe, ta harrosh atë.”

?Ndërsa, Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Falënderimi është dy nivele:

?I pari: Falënderimi obligativ, e ky është që njeriu t’i kryejë obligimet dhe të largohet prej ndalesave. Muslimani patjetër duhet ta kryejë këtë lloj falënderimi. Dhe, kjo i mjafton atij si falënderim për këto mirësi të shumta (të Allahut).

?Në këtë kontekst,disa prej selefëve thoshin: “Falënderim është braktisja e mëkateve.”Disa të tjerë thoshin:

? “Falënderim është që njeriu të mos e ndihmojë veten e tij që përmes mirësive t’i bëjë mëkat Allahut.”

?Ndërsa, EbuHazimi, zahidi i njohur, thoshte se falënderimi për të gjitha gjymtyrët / organet është: “Që t’i ndalësh ato prej mëkateve, dhe t’i përdorësh në bindje / adhurim ndaj Allahut.”

➡Pastaj, shton: “Ndërsa,sa i përket atij që falënderon vetëm me gjuhë dhe jo me të gjitha organet tij, shembulli i tij është si shembulli i atij që e ka kapur një rrobë për cepin e saj dhe nuk e ka mbuluar trupin me të. Atij nuk i bën dobi asgjë ajo (rrobë); nuk e mbron prej të ftohtit, të nxehtit,borës dhe shiut.”

?Niveli i dytë i falënderimit është falënderimi mustehab (i preferuar). Kjo është kur njeriu pas kryerjes së obligimeve dhe braktisjes së mëkateve, i shton veprat vullnetare(nafilet). Ky është niveli / shkalla të cilin e arrijnë ata që prijnë në veprat të mira dhe që janë afër Allahut.” (Xhamiul Ulum wel Hikem,fq. 245 – 246).

✅Përmbledhtas: Që të jesh falënderues ndaj Zotit tënd për mirësitë e shumta që t’i ka dhuruar, e ke për detyrë që me zemrën tënde ta pranosh se Dhuruesi i këtyre mirësive është Allahu i Lartësuar, i Vetmi. Prandaj, e madhëron / lavdëron Atë, duke ia atribuuar mirësitë Atij dhe duke e pranuar këtë me gjuhën tënde.

☀ Kështu, kur të zgjohesh prej gjumit, e falënderon Allahun që të ka dhënë jetën (ta ka kthyer shpirtin); pas ushqimit dhe pijes, e falënderon Allahun që të ka furnizuar dhe të ka begatuar me këto të mira. E kështu me radhë vepron për çdo mirësi të cilën e sheh në veten tënde.

➡ Po ashtu, falënderon Allahun me gjymtyrët / organet e tua, për shembull duke mos shikuar apo dëgjuar gjëra të ndaluara, siç janë muzika apo gibeti (përgojimi i tjerëve), etj. Me këmbët e tua mos të shkosh në vendet e ndaluara. Mos t’i përdorësh duart e tua në mëkate, siç është shkëmbimi i fjalëve duke mbajtë lidhje me gra / burra të huaja, apo shkrimi i kontratave të ndaluara, apo kryerja e një zanati (profesioni) të ndaluar, etj.

➡ Poashtu, prej falënderimit të Allahut me gjymtyrët e tua është që t’i përdorësh ato në bindje / adhurim ndaj Allahut, siç është leximi i Kuranit, të shkruarit e dijes (fetare), dëgjimi i ligjëratave të dobishme; e kështu me radhë vepron edhe gjymtyrët apo organet e tjera të trupit, duke i përdorur në adhurime të ndryshme. Pastaj, duhet ditur se vetë mundësia e falënderimit të mirësive është mirësi prej Allahut, që kërkon falënderim tjetër.

?Kështu, robi duhet ta dijë se ai vazhdimisht është duke u rrotulluar në mirësitë e Zotit tëTij. Prandaj, ai vazhdimisht duhet të jetë falënderues për to. E falënderon Allahun që i ka dhënë sukses dhe e ka inspiruar të jetë prej falënderuesve.

☁Në fund e lusim Allahun e Lartësuar që të na jap sukses për ato (fjalë dhe vepra) të cilat Ai i do dhe është i kënaqur me to!
Allahu e di më mirë!

 

Hoxhë Lulzim Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva