Cilat janë argumentet e ehli sunetit që e ndalojnë  leximin e Kuranit për të vdekurit dhe të atyre që e lejojnë këtë?

Cilat janë argumentet e ehli sunetit që e ndalojnë  leximin e Kuranit për të vdekurit dhe të atyre që e lejojnë këtë?

Së pari duhet ditur se këto janë dy mendime të ehli sunetit. Dijetarët e ehli sunetit dallojnë në atë se a lejohet të lexohet Kuran për të vdekurit apo nuk lejohet. Ka dijetarë të mëdhenj që e mbështesin njërin apo tjetrin mendim.

Çështja bazë është: A lejohet që veprat tona t’ua dhurojmë të vdekurve, qoftë namaz, lexim Kurani, agjërim, lutje, sakada, dhikër?

-Një mendim i dijetarëve është se këto të gjitha lejohen duke thënë se të gjitha veprat e mira lejohet t’u dhurohen të vdekurve, pa përjashtim. Argumentet që sjellin ata janë ato që kanë ardhur që të jepet sakada për të vdekurin, ose të bëhet lutje për të, të bëhet haxh për të, agjërim etj. Përderisa kanë ardhur këto, atëherë i bëjnë analogji edhe veprat e tjera. Çdo vepër e mirë lejohet t’i dhurohet të vdekurve, e këtu përfshihet edhe leximi i Kuranit.

-Mendimi tjetër është: nuk lejohet të dhurohen për të vdekurin prej veprave të mira përveç atyre veprave që kanë ardhur në hadithe. Me pajtueshmërinë e të gjithë dijetarëve, në hadithe kanë ardhur dy vepra si më kryesoret: lutja dhe sakadaja. Për këto ka argumente të forta që i mbështesin të gjithë dijetarët. Sa i përket haxhit dhe agjërimit këtu ka mospajtime mes dijetarëve, por mendimi më i saktë është se lejohet të bëhet haxh për të vdekurin apo të agjërohet për të nëse i ka mbetur ndonjë ditë e Ramazanit pa agjëruar (këtu pastaj ka detaje të tjera se kur agjërohet e kur lejohet të jepet ushqim në vend të agjërimit).

Mirëpo, a lejohet të zgjerohet përtej kësaj? Mendimi më i saktë i dijetarëve, të cilin e përkrahi unë, është se nuk lejohet, ngase kurrë nuk është transmetuar një herë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka lexuar Kuran për vajzat e tij të vdekura, apo për Hadixhen, apo për shokët e tij dëshmorë. Po ashtu kurrë nuk është transmetuar se shokët e tij kanë lexuar Kuran për të afërmit e tyre të vdekur, nuk transmetohet se kanë falur namaz për ta etj. Sikur të ishte kjo gjë e lejuar, ata do të na kishin paraprirë në këtë vepër; sikur të lejohej së paku një argument do të ishte transmetuar prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem apo shokëve të tij se kanë lexuar Kuran për të vdekurit dhe shpërblimin e leximit ua kanë dhuruar atyre.  Ata dijetarë që e ndalojnë këtë kanë edhe argumente të tjera, porse kjo temë është shumë e gjerë.

Ata të cilët kanë mendimin se lejohet leximi i Kuranit për të vdekurit, nuk i qortojmë ashpër pse po veprojnë ashtu, mirëpo nuk e mbështesim mendim që kanë.

Agumentet më të forta janë me mendimin se nuk lejohet sepse sikur të ishte e lejuar do ta vepronte Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij. Ne ndalemi aty ku janë ndalur ata, këtu është shpëtimi.

Hoxhë Lulzim Perçuku. Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit