Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Cilësitë e shejtanit

Hytbe e mbajtur nga shejh AbdulMuhsin El-Kasim (Allahu e ruajt)

Imam dhe hatib në xhaminë e Profetit në Medine

Lavdërimi dhe falënderimi i përket Allahut, Zotit të botëve. Salati dhe selami qofshin për profetin tonë Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij, si dhe për gjithë ata që ecin shtegut të tyre, deri në Ditën e Gjykimit.

Më tej:

Robër të Allahut! Kijeni frikë Allahun me një frikë të denjë, ngaqë frika ndaj Tij është nyja më e fortë (e besimit), ndërsa verbëria më e madhe është lajthitja pas udhëzimit.

O ju myslimanë! Allahu i Madhërishëm është veçuar me drejtimin e universit dhe me ndërrimin (ndryshimin) e gjendjeve dhe ditëve në të. Ai s’ka asnjë ortak në sundimin e Tij; është Ai i Cili i largon të këqijat dhe belatë e ndryshme. Disa njerëz, për të arritur synimin e tyre dhe për të pyetur për gjërat që u kanë humbur, u kthehen magjistarëve, fallxhorëve dhe mashtruesve, duke menduar se ata posedojnë dëm apo dobi, apo posedojnë rregullimin dhe drejtimin e çështjeve.

Allahu thotë:

“E, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet”. (Ta Ha, 69).

Magjistarët e mashtruesit lidhen me miqtë e tyre të ngushtë: xhinët e shejtanët, mirëpo kushdo që këqyr në realitetin e atyre miqve, do t’i shfaqet mjaftë qartë ligështia dhe pamundësia e tyre.

Xhinët janë një botë e gjallë që jetojnë së bashku me ne. Mes nesh dhe atyre ka një pengesë: ne nuk i shohim, por ata na shohin. Shpikja e tyre i parapriu krijimit të njeriut. Allahu i krijoi nga zjarri pa tym dhe atë për të njëjtën urtësi, për shkak të së cilës i krijoi edhe njerëzit.

Allahu thotë:

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Edh-Dharijjat, 56).

Janë të urdhëruar me bazat e fesë dhe degët e saj, varësisht prej gjendjes së tyre, dhe janë pjesëmarrës me njerëzit në llojin e ngarkimit me detyra fetare. Cilido prej tyre që i bindet Allahut, do ta ketë Xhenetin, ndërsa atë që tregohet kryeneç, e pret zjarri. Fuqitë (aftësitë) e tyre janë të kufizuara; të parët e tyre së bashku me të mbramët s’kanë mundësi të hartojnë të ngjashmen e Kuranit dhe nuk munden të bëjnë diçka në univers pa lejen e Allahut.

Çdo njeri e ka shokun e pandashëm prej xhinëve. Xhinët janë në nivele të ndryshme sa i përket mirësisë dhe prishjes. Ndër ta ka të tillë që janë të paluhatshëm në fe, dhe po ashtu në mesin e tyre ka pasues të devijimit. Janë të ndryshëm në udhëzim dhe në humbje.

Hoxha i Islamit (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Në mesin e xhinëve ka injorancë dhe padrejtësi, kështu që ata e lëndojnë njeriun me më shumë sesa që ai e meriton atë (lëndimin) apo ndodh që këtë e bëjnë si lojë dhe dashakeqësi nga ana e tyre.”

Thirrësi i tyre erdhi tek Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), dhe ai shkoi me të, ua lexoi Kuranin, u foli dhe ua mësoi fenë e Zotit të tyre. I vënë veshin Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) gjersa ishte duke u falur së bashku me shokët e tij.

Në ditën e Kiametit, ata do të dëshmojnë për çdo myezin, zërin e të cilit e kanë dëgjuar. Në mesin e tyre ka edhe thirrës drejt Allahut.

Allahu i Lartësuar thotë:

“(Ata thanë): “O populli ynë, përgjigjjuni thirrësit të Allahut dhe besojini Atij!” (El-Ahkaf, 31).

E, nëse prej tyre ka thirrës, atëherë çfarë arsye ka njeriu për braktisjen e thirrjes drejt Allahut?

Vërtet se, të kapurit fort pas fesë dhe krenaria me të është mirësi dhe nder. Tregohet në Kuran se xhinët u mburrën për faktin se në mesin e tyre ka myslimanë dhe të mirë, andaj edhe njerëzit duhet të jenë të tillë, ngaqë vetëm përmes fesë arrihet ngritja dhe epërsia. Allahu i ka ngritur njerëzit mbi ta, kështu që çdo asht që njerëzit e hedhin tutje, me urdhrin e Allahut, u kthehet në mish, ndërsa çdo bajgë është ushqim për kafshët e tyre.

O ju myslimanë! Iblisi është origjina e xhinëve. Ai ka pasardhës dhe është i gjallë e i afatizuar deri në ditën e Kiametit. Froni i tij është mbi det; ai ulet në të dhe prej aty i dërgon ushtritë e tij për të futur të këqija dhe ngatërresa midis njerëzve. Shejtani ka formë të shëmtuar dhe pamje të neveritshme; kur gomari e sheh atë pëllet.

Thotë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sle-lem):

“Kur të dëgjoni pëllitjen e gomarit, kërkoni që Allahu t’ju ruajë nga shejtani, sepse ai ka parë shejtan.” (Buhariu dhe Muslimi).

Shejtani ka zemër, sy, vesh, zë, jargë, dhe gishta. Dielli lind midis dy brirëve të tij dhe ai ha e pi me dorën e majtë. Shejtanët banojnë në këtë tokë, në të cilën jetojmë edhe ne. Ata tubohen shumë nëpër gërmadha (rrënoja), vende të shkreta e të pista dhe e pëlqejnë uljen midis hijes dhe rrezeve të Diellit.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na ndaloi që të ulemi midis hijes e dritës dhe tha:

“Ato janë vendet ku ulen shejtanët.” (Ebu Daudi).

Ata, në numër të madh, gjenden edhe nëpër tregje.

Thotë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sele-lem):

“Ato janë vendet ku shejtani i hedh dhe i çel vezët (vendi ku pjellë, apo mund të kuptohet se tregjet janë vendqëndrimet e tij ku ai i devijon njerëzit dhe u shtinë vesvese. Muslimi si fjalë të Selmanit – radijAllahu anhu – , ndërsa El-Burkanij e përcjellë si hadith, sh.p).

Kur femra të del në rrugë, ai e zbukuron atë në sytë e meshkujve.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Femra është auret, andaj kur të del (në rrugë), shejtani e hijeshon atë në sytë e meshkujve.” (Tirmidhiu).

Andaj femra duhet të ketë kujdes nga dalja prej shtëpisë së saj, veçse për ndonjë nevojë të domosdoshme. E nëse del, atëherë duhet të jetë ashtu siç i ka hije (femrës myslimane), duke bartur rrobat e dëlirësisë dhe turpit.

Shejtanët shpërndahen nëpër tokë në momentin kur zbret errësira dhe çdo bir i Ademit e ka një shejtan që nuk i ndahet kurrë dhe i cili lëviz nëpër gjakun e tij. Mirëpo megjithëkëtë, ai s’di asgjë nga çështjet që i përkasin gajb-it (të padukshmes).

O myslimanë! Shejtani qesh kur njeriu e hap gojën dhe lëshon zë (nga përgjumja), ndërsa qanë kur njeriu e lexon ajetin e sexhdes dhe pastaj bën sexhde. Ai shurron në veshin e njeriut kur atij nuk i del gjumi për namazin e sabahut deri sa të lind Dielli. Kur të thirret ezani, ai ikë duke lëshuar zë (apo lëshon gaz barku të zhurmshëm/pordh), në mënyrë që të mos e dëgjojë atë. Kur njeriu nuk e përmend emrin e Allahut gjatë hyrjes në shtëpi, shejtani e kalon natën me të. Gjithashtu, ai e kalon natën në brendësinë e vrimave të hundës së njeriut.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Kur ndonjëri prej jush të zgjohet nga gjumi, atëherë le të merr abdes dhe le ta shpërlajë hundën tri herë, sepse shejtani e kalon natën brenda hundës së tij.” (Buhariu dhe Muslimi).

Kush fillon të hajë pa bismilah, pastaj e thotë atë, shejtani e vjellë nga barku atë që kishte ngrënë. Ai bërtet dhe piskat; në betejën e Uhudit piskati se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është vrarë, ndërsa bërtiti në natën e Akabesë. Mjeti muzikal i tij është kambana/zilja.

O myslimanë! Shejtani urdhëron për çdo të keqe dhe ndalon nga çdo e mirë. Të pasurit i frikëson me varfri dhe i urdhëron që të jenë dorështrënguar e lakmitarë. Premtimet e tij janë të rrejshme dhe shpresat e tij janë të kota. Ai e tradhton njeriun (e lë në baltë në çastet më vendimtare), pastaj distancohet prej tij. Në fushëbetejë është i paqëndrueshëm dhe frikacakë; ia mbath nga besimtarët. Kur Omer bin Hattabi (radijAllahu anhu) merrte një rrugë, ai nuk kishte guxim t’i dilte përpara dhe e ndërronte rrugën.

Shejtani rren në fjalët e tij dhe e thërret njeriun drejt mëkateve, duke pretenduar se po e këshillon.

Allahu thotë:

“Dhe iu betua atyre (Ademit e Hauasë duke thënë): “Vërtet, unë jam për ju këshillues i sinqertë!” (El-A’raf, 21).

Është kryeneçë, dinak dhe tejet hileqar. I futi në kurth prindërit tanë nëpërmjet betimeve dhe shpresave të rrejshme, dhe i nxori nga Xheneti. E solli shirkun në Tokë përmes hijeshimit të lidhjes pas njerëzve të mirë në vend të Allahut. Ai bën që njeriu të harrojë; Jusufi (alejhisselam) nuk mbeti gjatë në burg, veçse për shkak të tij.

Allahu thotë:

“Por djalli bëri që ai të harronte ta përmendte (Jusufin) te pronari i vet dhe kështu, Jusufi mbeti edhe disa vjet në burg.” (Jusuf, 42).

Ngrihet në Qiell për të shkaktuar trazira në Tokë, andaj Allahu e ruajti dhe mbrojti atë (Qiellin) nga çdo djall i mallkuar. Është tejet mohues ndaj Zotit të vet dhe ndaj begative të Tij; mëkatues ndaj të Gjithëmëshirshmit dhe tradhtar i madh ndaj njeriut (gjithmonë e braktis në çastin e nevojës). (Me çdo metodë) nxiton që ta adhurojnë njerëzit dhe ne mesin e tyre fut ndarje e kundërshti.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Vërtet, shejtani ka humbur çdo shpresë se do ta adhurojnë atë namazlitë e Siujdhesës Arabike. Mirëpo, ai do të mundohet të fusë ngatërresa (luftëra) midis tyre.” (Muslimi).

I tundon e i joshë jobesimtarët dhe dalëngadalë i çon drejt mëkateve. Është mendjemadh dhe përçmues i të tjerëve. Zotit të vet i tha:

“Si?! Unë t’i bëj sexhde atij që Ti e ke krijuar nga balta?!” (El-Isra, 61).

Ka arritur kulmin e zilisë dhe urrejtjes. Ajo çfarë tregon për urrejtjen e tij (të madhe) është se armiqësinë e vet nuk e kufizoi vetëm tek babai ynë, Ademi (alejhis-selam), por në të i futi edhe pasardhësit e tij. Ndërsa ajo që tregon për zilinë e tij është betimi që e bëri se do të jetë i përkushtuar në devijimin e atyre që Allahu i ngriti mbi të (njerëzit).

Këngët (muzika) janë kurani i tij dhe yshtjet (rukjet) e tij drejt mëkateve. Është afër çdo gjëje të shthurur. Kështu që, nuk vetmohet njeriu me ndonjë femër, e që shejtani të mos jetë i treti i tyre. Ai ha nga ushqimi i njerëzve pa lejen e tyre dhe nëse ata nuk e përmendin Allahun, ai kalon natën në shtëpitë e tyre, pa qenë ata në dijeni për një gjë të tillë. Gjithashtu përpiqet të grabisë kafshatat e tyre.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Kur ndonjërit prej jush t’i bie kafshata në tokë, le t’ia heqë ato që i janë ngjitur dhe le ta hajë atë, e të mos ia lë shejtanit.” (Muslimi).

Shejtani i lëndon krijesat e Allahut; nuk respekton pejgamber dhe nuk nderon të dërguar. Erdhi tek Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që ta godas në fytyrë me shtizë të zjarrtë (mirëpo Allahu e ndihmoi Profetin dhe ai e kapi për fyti, gjersa i hetoi jargët e tij të ftohta në dorën e tij, sh.p).

Shejtani nuk i lë të qeta as foshnjat. Çdo fëmijë të porsalindur e godet me gisht mes dy krahëve derisa të fillojë të qajë, përveç Merjemes dhe djalit të saj (Isait alejhis-selam), të cilët Allahu i ruajti. Nuk ka keqardhje as ndaj të fjeturit; kalon natën brenda vrimave të hundës së tij dhe tek koka ia lidhë tri nyje, të cilat nuk zgjidhen veçse me përmendjen e Allahut pas zgjimit, pastaj marrjes së abdesit dhe faljes së namazit. Gjatë gjumit i shfaq atij ëndrra të frikshme. Andaj kur dikush sheh ëndërr të keqe, le ta dijë se ajo është nga shejtani. Kështu që le të kërkoj mbrojtjen e Allahut nga e keqja e saj dhe të mos ia tregoj askujt, dhe s’do t’i bëj dëm. Ai nuk i lë rehat as fëmijët.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Kur të vijë nata, ndaloni fëmijët tuaj, sepse në atë kohë shejtanët shpërndahen. E kur të kalojë një pjesë e natës, atëherë lini të lirë ata.” (Buhariu). Ndërsa në një version tjetër qëndron: “Sepse në atë kohë ata shpërndahen dhe rrëmbejnë”. (Tirmidhiu).

Nuk e mëshiron as atë që është në gjendjen më të vështirë: në agoninë e vdekjes.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sellem) lutej:

“Kërkoj mbrojtjen Tënde që shejtani të mos më mashtrojë në çastin e vdekjes!” (Nesaiu).

Në jetën e pastajme do t’i tradhtojë e braktisë pasuesit e tij, të cilët i lajthiti dhe do t’ju thotë:

“Prandaj, mos më qortoni (fajësoni) mua, por qortoni veten!” (Ibrahim, 22).

U sprovua me mëkat, mirëpo vazhdoi në të, e kundërshtoi urdhrin, e akuzoi urtësinë (e Allahut) dhe nuk u pendua për atë që bëri. Ia dha besën vetes se do t’i devijojë bijtë e Ademit.

Allahu tregon për të:

“Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë”. (El-A’raf, 16).

Ai është burim i të gjitha të këqijave dhe mëkateve. Qëllimi final drejt të cilit nxiton është hedhja e njeriut në zjarrin përvëlues.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Ai (shejtani) vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur.” (Fatir, 6).

Është sherr për njerëzimin, nxiton drejt futjes së tyre në kurth dhe komploton me dinakëri. Është i kënaqur me kufër për veten e tij, kështu që si rezultat i brendësisë së fëlliqur që e ka, ai e do të keqën, e kërkon dhe thërret drejt saj, si dhe është i përkushtuar në të.

Allahu thotë:

“O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë miq të atyre që nuk besojnë.” (El-A’raf, 27).

O myslimanë! S’ka ikje nga luftimi i këtij armiku që gjendet tek ndjenjat e shpirtit dhe mendimet e zemrës. Ai nuk posedon fuqi mbi robërit e mirë të Allahut. Është skajshmërisht i dobët, kështu që s’mundet të hap derën e mbyllur apo të zbulojë enët. Në qoftë se thuhet bismilah, ai as nuk ha dhe as nuk pi. Nuk i afrohet njeriut të fjetur nëse ai e ka kënduar ajetul-kursijin dhe ikë nga shtëpia në të cilën këndohet surja El-Bekare. Kur Omer bin Hattabi (radijAllahu anhu) merrte një rrugë, ai nuk kishte guxim t’i dilte përpara dhe e ndërronte rrugën, duke ikur prej tij. Ndërsa në Ramazan lidhet me zinxhir dhe prangoset.

Të vërtetën e ka thënë Allahu:

“S’ka dyshim se, kurthi i djallit është i dobët!” (En-Nisa, 76).

Metoda më madhështore për t’u mbrojtur prej tij është strehimi (kthimi) tek Allahu, të mbrojturit me Të dhe shpeshtimi i përmendjes së Tij. Muxhahidi (Allahu e mëshiroftë) kishte thënë: “S’ka gjë që ia thyen më shumë kurrizin Iblisit sesa thënia la ilahe il-lAllah”. Andaj, pastroje shtëpinë tënde nga prapësitë, muzika dhe haramet. Ki kujdes që shtëpia jote të mos kthehet në strehë për të (shejtanin).

Mbushe shtëpinë me bindje ndaj Allahut dhe me leximin e Kuranit, në mënyrë që asaj t’i afrohen engjëjt, ta mbulojë mëshira dhe të zbret mbi të qetësia. Është për t’u habitur me ata njerëz që ia dhanë dorën shejtanit dhe u bënë robër të urdhrave të tij duke u lidhur pas magjistarëve dhe sharlatanëve, sesi pranuan që ai t’ua prishte fenë dhe t’ua shkatërronte jetën?

Përsiat mbi gjurmët e mëkatit; për shkak të një mëkati të vetëm, u shëmtua forma dhe morali i Iblisit. Ruaju nga të papriturat dhe sherret e tij dhe mbroju me Allahun nga cytjet (mashtrimet), nga të fryrit dhe pështymja e tij.

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva