Dashuria dhe xhelozia

Dashuria dhe xhelozia

Do flasim për një cilësi të lavdërueshme e të mirë, me të cilën çdo besimtar duhet të cilësohet, të vishet dhe të stoliset me të. Ajo, në realitet, ditët pas dite po zbehet te njerëzit. Ajo është dhe cilësi e Allahut dhe e të gjithë burrave dhe grave fisnike. Ajo është xhelozia.

Ajo është një cilësi e mirë, me të cilën edhe Allahu e ka cilësuar Vetveten. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Nuk është askush më xheloz sesa Allahu. Dhe për këtë, Ai e ka ndaluar imoralitetin dhe llojet e tij. Besimtari xhelozon, por Allahu është edhe më xheloz.”

Besimtari i mirë dhe i vërtetë xhelozon, o vëllezër. Ai ka xhelozi për Allahun dhe fenë e Tij. Por gjithashtu ka xhelozi për nderin dhe familjen e tij. Nëse xhelozia humbet në zemrën e njeriut, kjo do të thotë se edhe feja ka humbur nga ajo zemër. Ibn Kajjim thotë: “Kur nga një zemër ik xhelozia, nga ajo ik dhe dashuria, madje e gjithë feja.” Të ndalemi e të mendojmë! Si pretendon dikush se e do dikë, ndërsa nuk xhelozon për të?!

Dashuria dhe xhelozia janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Për çdo gjë që e do, duhet të kesh xhelozi për të, qoftë njeri apo gjësend, ngase kjo nuk ndahet (dashuria dhe xhelozia).

Shohim njerëz të cilët nuk tregojnë xhelozi për nderin e tyre dhe  familjen e tyre. Kjo gjë tregon se ata nuk kanë dashuri të plotë dhe nuk i duan sa duhet familjet e tyre. Nëse i duan, do tregojnë xhelozi. Ashtu dhe në fe, dashuria, xhelozia e krenaria që të gjitha lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Besimtari që e do Allahun dhe fenë e Tij, e dashuria është koka e adhurimit siç thonë dijetarët, ai dhe do jetë xheloz për fenë e Tij. Dhe po ashtu i tilli do krenohet me fenë e Tij.

Pse sot njerëzit kanë turp të thonë “unë jam mysliman”? Ngase mungon dashuria dhe xhelozia ndaj fesë. Nëse do ishin ato, nuk do mungonte as mburrja ndaj kësaj feje.

Allahu përmend se si besimtarët kanë dashuri më të madhe për Allahun sesa jobesimtarët për zotat e tyre: “E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre).” Bekare, 165.

Besimtarët e duan Allahun dhe fenë e Tij më shumë sesa jobesimtarët i duan zotat e tyre. Ata janë më xhelozë, dhe duhet të jenë më xhelozë, për fenë e Allahut sesa jobesimtarët për zotat  e tyre. Ata mburren me fenë e Allahut më shumë sesa ata.

Po sjellim një shembull: në kohën e Umerit radijAllahu anhu, një person me emrin Abdullah ibn Hudhafe es Sehmi, kapet rob prej bizantinëve. Perandori romak ia afron krishterimin. Mirëpo ai nuk pranon. Një njeri që e do Allahun dhe fenë e Tij, krenohet dhe është xheloz për të, nuk pranon një gjë të tillë.

Ai fillon ta ndëshkojë dhe malltretojë këtë besimtar në mënyrë që ta braktisë Islamin dhe ta pranojë krishterimin. Fillimisht e lidhin pas një trungu dhe e gjuajnë me shigjeta rreth duarve e këmbëve me qëllim që ta frikësojnë, por jo për ta goditur. Por një besimtar nuk frikësohet. E burgosin dhe e mbyllin me ditë të tëra, derisa lodhet nga uria dhe etja e madhe. Në fund i afrojnë mish të derrit dhe alkool. Edhe pse kjo gjë është e lejuar në këtë situatë për besimtarin, ai shpreh krenarinë që ka ndaj fesë së tij dhe nuk e pranon atë.

Para tij sillet një enë e madhe me vaj, të cilin e ndezin. Kur fillon të vlojë, e hedhin një rob mysliman, duke iu shkrirë trupi nga ajo temperaturë. Kur i vije radha ibn Hudhafes që ta hedhin, ai fillon të qajë. Në këtë rast ngjallet shpresa te Perandori, se mos ai po pendohet dhe po e braktisë Islamin e po bëhet i krishterë. Ai i ndalon që ta hedhin dhe i afron të bëhet i krishterë, por Hudhafe nuk pranon. Perandori thotë: “Atëherë pse qan?!” Ibn Khudafe thotë: Qava për Allahun dhe dëshirova t’i kem edhe njëqind jetë të tjera që t’i jap njëra pas tjetrës për Allahun e Madhëruar.”

Ky veprim i këtij besimtari e nxitë Perandorin që të thotë: “Nëse ma puth ballin vetëm një herë, do të liroj.” Perandori e sheh si nderë për veten që t’ia puthë ballin një njeri i cili dëshiron që njëqind jetë t’i jepte për fenë dhe Zotin e tij. Ai i thotë: “Pranoj me një kusht: jo vetëm mua të më lirosh, por edhe të gjithë shokët e mi të zënë.” Perandori pranon dhe lirohen të gjithë, vetëm e vetëm që ky njeri një herë t’ia puthë ballin atij.

Ai kthehet në Medine tek Umeri radijaAllahu anhu me kokë të ulur e i pikëlluar. Umeri e pyet: “Pse kjo mërzi?” Ai i thotë: “Jam i mërzitur sepse kam puthur kokën e një jobesimtari.”

Kështu ai erdhi i përulur dhe duke e ndier vetën të nënçmuar, dhe nuk thotë se ka puthur kokën e një perandori, por thotë kokën e një jobesimtari. Umeri radijAllahu anhu thotë: “Çdo besimtar që të sheh, e ka obligim të ta puthë kokën tënde dhe unë jam i pari prej tyre.” Udhëheqësi i Muslimanëve e puth kokën e këtij njeriu i cili është shembull për krenarinë e dashurinë ndaj Allahut dhe xhelozinë që besimtari duhet ta ketë për fenë e Tij.

Feja e Allahut ka ardhur që të na ruajë pesë gjëra kryesore. Të gjitha mësimet fetare, këshillat, porositë dhe urdhrat sillen rreth pesë gjërave, që ta ruajmë: fenë tonë, nderin tonë, mendjen tonë, jetën tonë dhe pasurinë tonë. Këto dy të fundit janë pjesë e fesë dhe jepen nëse çështja është për tri të parat që u përmenden.

Vëlla i dashur dhe besimtar i Allahut, nëse është çështja për fenë dhe nderin tënd, të lejohet dhënia e pasurisë tënde për këtë. Madje jepet edhe jeta për fenë e Allahut dhe për vlerën e moralit.

Shembulli më lartë është shembull i dhënies së jetës për Allahun dhe dhënies së jetës dhe pasurisë për nderin e moralin. E kundërta është me ata njerëz që Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i quan “dejuth”. Dejuth është ai njeri i cili nuk shfaq xhelozi për familjen e tij, është ai i cili ia lehtëson rrugën atyre për të rënë në ndalesa dhe amoralitet.

Këtu është dallimi mes atyre të cilët e japin jetën dhe pasurinë për ruajtjen e nderit dhe atyre që japin pasurinë për t’ua mësuar fëmijëve të tyre rrugët e amoralitetit.

Të tillët, me pasurinë e tyre ua mundësojnë grave, nënave, vajzave të tyre që të vishen keq. Harxhojnë për tubime e gosti gëzimesh, duke u përzier gra dhe burra, duke pirë alkool, duke dëgjuar muzikë, por kjo do jetë hidhërim në Ditën e Gjykimit.

Shpenzojnë duke ua mundësuar fëmijëve të tyre shëtitjen nëpër shtete jashtë vendit duke u përzier vajza e djem të rinj. Ata nuk e dinë se ku u shkon vajza e me kënd rrinë, sidomos sot kur dhe në shtëpi dhe brenda vendit është problem kjo gjë.

Ndaj mos të ketë çudi për tërë ato tradhti bashkëshortore që ndodhin sot. Nëse në këtë nivel ka rënë xhelozia, atëherë të mos çuditemi pse ndodhin tërë këto ndarje te çifteve të reja martesore.

Kjo është dashuri e pavërtetë. Nëse e do dikë, duhet të jesh xheloz për të. Nëse e do bashkëshorten, duhet të tregohesh xheloz për të dhe ajo për ty. Nëse e do familjen, duhet të jesh xheloz ndaj tyre, për motrën e vajzën dhe të gjithë, dhe ata për ty. Por ku është sot xhelozia? Është zbehur xhelozia ngase është zbehur dashuria. Raportet po zbehen, ngase është zbehur besimi, dhe kështu zbehet dashuria e xhelozia, duke ardhur të këqijat me rend.

Kur pejgamberi salAllahu alejhi ue selem tregon se çdo njeri është kujdestar dhe secili prej nesh do japë përgjegjësi për atë që i është dhënë nën përkujdesje, njeriun e parë që e përmend në hadith është kujdestari i familjes, dhe do pyetet për të se sa është kujdesur ndaj saj, sa e ka ruajtur nga të këqijat.

Besimtarët e mirë janë shembull. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është shembull se si e ka ruajtur familjen e tij, se si vazhdimisht i ka nxitur për punë të mira. Në Kuran përmenden shembuj të tjerë nga Pejgamberët e tjerë, si: Ismaili alejhi ue selem.

Duhet urdhëruar familjen për punë të mira. Nëse ka ndonjë lëshim, menjëherë duhet këshilluar dhe përmirësuar. Njerëzit duhet ndihmuar bashkërisht në adhurime ndaj Allahut.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë se burri e ngrit natën gruan e tij për namaz dy rekatësh, nëse i falin bashkë shkruhen në mesin e atyre që e përmendin Allahun shumë.  Bereqeti i këtyre dy rekateve është se ky çift e ndihmon njëri-tjetrin në punë të mira dhe adhurime, gjithnjë, duke u kujdesur për njëri tjetrin.

Mos të mendojë ndokush se xhelozia është padrejtësi dhe zullum. Të jesh xheloz ndaj familjes, nuk nënkupton që të jesh i padrejtë dhe zullumqar ndaj tyre. Ndokush mendon se burrëri është të bësh zullum e ta shkelësh familjen.

Njeriu duhet të jetë xheloz dhe ti ndërmarrë hapat e edukimit: me fjalë e këshilla të mira, nëse në këtë mënyrë nuk përmirësohen, atëherë vjen diç tjetër, e nëse as kështu, atëherë e dimë se i miri është për të mirën dhe e mira është për të mirin, dhe jo e keqja për të mirin, por e keqja është për të keqin.

Të kemi kujdes o vëllezër, t’i ruajmë familjet tona!

Xhelozia nuk është ajo siç shprehet sot në media dhe nga njerëzit, si diçka negative dhe si cilësi e keqe.

Të kemi parasysh gjithnjë se para vetës e kemi një derë nga e cila të gjithë do kalojmë. Dhe e dimë se pas çdo dere është një pallat ose vendbanim. E kjo derë është vdekja. Por jo vetëm vdekje dhe kaq. Por pas çdo dere ka një shtëpi, dhe secili do vendoset në shtëpinë që e ka ndërtuar. Nëse e ke ndërtuar një vend në xhenet, aty do jetë shtëpia jote. Por nëse jo, vend tjetër është vetëm zjarri i xhehenemit.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur përmend tre njerëz që nuk do hynë në xhenet, të cilët pra nuk i kanë ndërtuar shtëpitë për xhenet, ose së paku gjithsesi e kanë bërë një vend në xhehenem, prej tyre përmend: “Eddejuthu”, ai për të cilën folëm, ai i cili nuk tregon xhelozi ndaj familjes së tij, por përkundrazi, ai i hap rrugë së keqes në familjen e  tij. Ky është prej tre personave të cilët Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka kërcënuar me zjarr të xhehenemit.

T’i ruajmë familjet tona, të kemi kujdes për gjërat që i prishin ato, të kujdesemi se me kënd shoqërohen, çfarë shikojnë dhe çfarë veprojnë.

Sot gjendja është më e vështirë sesa në të kaluarën për shkak të mundësive që u janë dhënë të këqijave.

Me ndihmën e Allahut nuk mungon suksesi, atëherë kërkoni prej Tij ndihmë dhe punoni dhe mundohuni në këtë aspekt. Askujt nuk do i humbet mundi tek Allahu.

Hoxhë Bajram Sefedini – Hytbe – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit