Desha ta di përgjigjjen rreth fjalës Ja Muhamed , a është e vërtetë se nuk lejohet të thërrasim Ja Muhammed ..Shkaku që në shumë ilahia këndohet “Ja” Muhammed ,kur e kam publiku një ilahi ma kanë terhequr vërejtjen se nuk lejohet thirrja me “Ja” ! Allahu ju shpërbleftë

Përgjigje:  Së pari: Gjatë jetës së të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, ka qenë e ndaluar që të tjerët t’i drejtohen me: O Muhamed! Allahu i Lartësuar thotë: “Mos ia drejtoni thirrjen të Dërguarit, njësoj si thirrjen që ia bëni njëri-tjetrit” (En-Nur, 63). Dahaku përcjellë se Ibën Abasi, radijallahu anhuma, ka thënë: “Ata thoshin: O Muhamed! O Ebul Kasim! Prandaj, Allahu i Madhërishëm ua ndaloi këtë gjë, si respekt për të Dërguarin e Tij, salallahu alejhi ue selem. Kështu që njerëzit filluan ta thirrnin: O i Dërguari i Allahut! O Pejgamberi i Allahut!” Ngjashëm me këtë kanë thënë edhe Muxhahidi dhe Seid bin Xhubejri. Katadeja thotë: “(Në këtë ajet) Allahu po urdhëron që i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, të konsiderohet, respekohet,madhërohet dhe përnderohet.” Mukatil bin Hajjan thotë: “Kur t’i drejtoheni mos e thërrisni: O Muhamed! O biri i Abdullahit! Por,nderojeni atë duke iu drejtuar me: O i Dërguari i Allahut! O Pejgamberi i Allahut!” Malik përcjellë se Zejd bin Eslem ka thënë:“Allahu i urdhëroi që ta respektonin / nderonin atë.” Prandaj, nuk lejohet që i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, të thirret vetëm me emrin e tij. Por, duhet të thuhet: O i Dërguari i Allahut! O Pejgamberi i Allahut!

 

E dyta: Nuk duhet që i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, të lutet pas vdekjes së tij, sepse lutja është adhurim që duhet t’i kushtohet /drejtohet vetëm Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë:“Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt,krahas Allahut!” (El-Xhinn, 18); “Kush është më i humbur se ai, i cili, në vend Allahut, u lutet atyre që nuk mund t’u përgjigjen deri në Ditën e Kiametit e që janë krejt të pavetëdijshëm ndaj lutjes së tyre?!” (El-Ahkaf, 5). I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur të lutesh, lutju vetëm Allahut, dhe kur të kërkosh ndihmë,kërko vetëm prej Allahut.” E transmeton Tirmidhiu, nr. 2516, dhe shejh Albani e vlerëson të saktë (sahih) në “Sahih Sunen Et-Tirmidhi”.

 

Duaja / lutja është të kërkuarit e sjelljes së dobive apo largimit të këqijave (prej dikujt tjetër), dhe nuk është thjeshtë thirrja e dikujt tjetër me: O…! Por, tek njerëzit është bërë e njohur që kjo thirrje“O…!” të përdoret për dua / lutje, sidomos gjatë vështirësive dhe fatkeqësive. Kështu, e shohim se ata thonë: O Allah! Domethënë, o Allah na shpëto, na ndihmo…etj. Kuptohet, kështu veprojnë ithtarët e teuhidit, ata të cilët nuk e lusin askënd tjetër përveç / krahas Allahut të Lartësuar.

 

Kurse, të tjerët prej adhuruesve të varreve dhe të tyrbeve, (gjatë vështirësive) kërkojnë strehë tek ata të cilët i madhërojnë dhe i marrin për mbrojtës (krahas Allahut). I shohim se si në këto raste ata thonë: O Bedeui! O Rifai! O Xhejlani! Qëllimi i tyre është: O Bedeui na shpëto, na ndihmo…etj. Ka prej tyre që gjithashtu në këtë kuptim thonë: “O i Dërguari i Allahut! O Muhamed! Pra, me qëllim që ta lusin atë, të kërkojnë strehë dhe ndihmë / shpëtim prej tij. Është e ditur se ky është kundërshtimi më i madh ndaj asaj me të cilën ka ardhur Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, dhe të gjithë të dërguarit tjerë, dhe për të cilën janë zbritur të gjithë Librat, e që është thirrja për në teuhidin (njëshmërinë) e Allahut, veçimin /njësimin e Tij me adhurim, dhe braktisjen e adhurimit të dikujt përveç/ krahas Tij. Pra, në fenë Islame të cilën Allahu e ka zgjedhur për robërit e Tij, nuk lejohet të lutet dikush tjetër përveç Tij,pavarësisht a është i pejgamber i dërguar, apo melek i afërm (te Allahu). Lutja / duaja i përket vetëm Allahut të Vetmit. Për këtë arsye i Lartësuari thotë: “A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut të adhuruar tjetër?! Sa pak që reflektoni!” (En-Neml, 62).

 

Prej kësaj që u tha më lartë u kuptua se në dikush thotë: “O Muhamed!”apo “O i Dërguari i Allahut!”, nëse nuk e ka për qëllim lutjen dhe të kërkuarit, nuk përbën ndonjë mëkat. Siç është rasti kur dëshiron që në mendjen e tij ta parafytyrojë pamjen e tij, apo e kujton atë (gjatë leximit të ndonjë hadithi) dhe thotë: “Allahu qoftë salauate mbi ty o i Dërguari i Allahut!” Apo: “Sa madhështore apo sa të bukura janë fjalët e tua o i Dërguari i Allahut!”. Mirëpo, nëse në këto raste thotë: “O Muhamed!”, atëherë kjo e kundërshton edukatën që muslimani duhet ta ketë karshi tij, siç u sqarua më lartë.

 

Shejh Bin Bazi, Allahu e mëshiroftë, është pyetur: “A është prej shirkut nëse dikush në çfarëdo cepi të botës thotë: “O Muhamed! O i Dërguari i Allahut!”, duke e thirrur atë”?

 

Ai u përgjigj: Allahu i Patëmeta e ka sqaruar në Librin e Tij Fisnik,si dhe përmes gjuhës së të Dërguarit të tij besnik, salallahu alejhiue selem, se adhurimi është e drejtë e veçantë e Allahut dhe askush tjetër nuk ka hise në këtë të drejtë. Gjithashtu, e kanë sqaruar se lutja / duaja është pjesë e adhurimit. Prandaj, kushdo që thotë (në ndonjë cep / vend të botës): “O i Dërguari i Allahut!”, apo: “O Pejgamber i Allahut!”, apo: “O Muhamed!”, më shpëto, apo më ndihmo,apo më shëro, apo ndihmoje umetin tënd, apo shëroj të sëmurit e muslimanëve, apo udhëzoj ata që e kanë humbur rrugën, etj, ai veçse e ka bërë atë ortak me Allahun në adhurim. Njëjtë është edhe nëse dikush vepron në këtë mënyrë me dikë tjetër prej pejgamberëve, apo melekëve,apo xhinëve, apo idhujve, apo këdo qoftë tjetër prej krijesave. Për arsye se Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Edh-Dharijat, 56); “O njerëz!Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat)” (El-Bekarah, 21). (Shih:“Mexhmu’ Fetaua Ibën Baz”, 2/453).

 

Gjithashtu, shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, është pyetur: “Disa njerëz gjatë vështirësive thonë: “O Muhamed!”, apo: “O Ali!”, apo: “O Xhejlani!” Cili është vendimi për këtë?

 

Ai u përgjigj: “Nëse me këtë thirrje e ka për qëllim lutjen e tyre dhe kërkimin e ndihmës / shpëtimit prej tyre, atëherë ai ka rënë në shirk të madh që personin e përjashton prej fesë. Ai e ka obligim që të pendohet te Allahu i Madhërishëm, dhe ta lus Atë të Vetmin. Siç ka thënë i Lartësuari: “A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut të adhuruar tjetër?! Sa pak që reflektoni!” (En-Neml, 62). Ky person përveç faktit që është bërë mushrik, njëkohësisht ka treguar mendjelehtësi duke e humbur veten e tij. Allahu i Lartësuar thotë:“Fesë së Ibrahimit i shmanget vetëm ai që është mendjelehtë (e nënçmon/ humb vetveten).” (El-Bekarah, 130); “Kush është më i humbur se ai,i cili, në vend Allahut, u lutet atyre që nuk mund t’u përgjigjen deri në Ditën e Kiametit e që janë krejt të pavetëdijshëm ndaj lutjes së tyre?!” (El-Ahkaf, 5).” (Shih: “Fetaua esh-Shejh Ibën Uthejmin”2/133).

 

Allahu e di më mirë!

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit