Detyrat e muajit të ramazanit (pjesa e dytë)

Mexhlisi i dytë

Vlera e bujarisë dhe e leximit të Kuranit në ramazan

Te dy Sahīh-ët përcillet nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) të ketë thënë: “I Dërguari i Zotit (salallahu alejhi ue selem!) ishte njeriu më bujar. Bujaria e tij arrinte kulmin gjatë ramazanit, kur takohej me Xhibrilin dhe e përsërisnin së bashku Kuranin. Xhibrili e takonte atë për çdo natë të ramazanit dhe i lexonte Kuran. Kur takohej me Xhibrilin ishte më zemërgjerë në mirësi se një erë e lehtë (të cilën e sjell Allahu si lajmëtare të shiut).” [1]

Allahu i Lartësuar është më bujari ndër bujarë. Bujaria e Tij shumëfishohet në kohë të veçanta, si në muajin e ramazanit. Në këtë muaj zbritën Fjalët e Tij: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit kur ai më lutet.” (El-Bekare, 186)
Te hadithi të cilin e shënon Tirmidhiu dhe të tjerë, lexojmë: “Gjatë këtij muaji një thirrës thërret: ‘O ti që synon të mirën (shpërblimin), angazhohu në punë të mira! Ndërsa ti që ke ndërmend të bësh mëkate, tërhiqu!’ Për çdo natë Allahu liron (shumë njerëz) nga Zjarri.” [2]

Llojet e bujarisë së Profetit (salallahu alejhi ue selem!)

Bujaria e tij ishte e gjithanshme: duke përhapur dijen, duke shpenzuar pasurinë, duke vënë në shërbim veten për hir të Allahut në lidhje me përhapjen e fesë dhe udhëzimit të njerëzve; duke u sjellë dobi përmes çdo rruge të mundshme, si: ushqimi i skamnorëve, këshillimi i të paditurve, kryerja e nevojave të ndryshme të tyre; kujdesi për t’ua lehtësuar vështirësitë etj.

Këto virtyte të çmuara e kanë shoqëruar qysh në fëmijëri. Mu për këtë, gruaja e tij, Hadixhja, në fillimet e Shpalljes i tha: “Betohem për Allahun!, se Allahu nuk do të poshtërojë kurrë; sepse t’i mban lidhjet me farefisin, i mirëpret mysafirët, ndihmon të varfrit e jetimët dhe i mbështet të braktisurit, si dhe u gjendesh njerëzve në fatkeqësitë që u bien.” [3]

Më pas këto virtyte u shtuan e u shumëfishuan pas i erdhi Shpallja.

Te dy Sahīh-ët përcillet nga Enesi të ketë thënë: “I Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ishte njeriu më i mirë, më i guximshmi dhe më bujari.” [4] Po nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), te Sahīh-u i Muslimit shënohet kjo thënie: “Nuk ka ndodhur ndonjëherë që t’i kërkohet Profetit diçka (e madhe ose e vogël qoftë) e që të mos e ketë dhënë për hir të fesë. Në një rast i erdhi një njeri, të cilit i dha aq shumë dhen, sa mund të mbushnin një hapësirë midis dy malesh. Ky njeri u kthye te populli i vet dhe u tha: – O populli im, pranojeni Islamin, se përnjëmend që Muhamedi jep aq shumë, sa nuk i frikësohet varfërisë.” [5]

Prapë te dy Sahīh-ët shënohet kjo thënie e Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Nuk ka ndodhur asnjëherë që t’i kërkohet diçka Profetit (salallahu alejhi ue selem!) e ai të thotë jo.” [6]

Ai i jepte përparësi ndihmesës së të tjerëve para vetes, familjes dhe fëmijëve të tij. Ai jepte aq shumë, sa këtë nuk mund ta bënin as mbretër si Kisrai e Cezari. Për veten mjaftohej me një jetesë prej të varfëri. Ndodhte të kalonte një muaj ose dy dhe në shtëpinë e tij nuk ndizej zjarr. Bujaria e tij shumëfishohej në muajin e ramazanit më shumë se në muajt e tjerë; ashtu sikurse edhe bujaria e Zotit të tij shumëfishohet në këtë muaj. Allahu i Lartësuar e pajisi atë me një moral fisnik, moral të cilin e gëzonte edhe para Shpalljes.

Te shumëfishimi i bujarisë së tij, në veçanti gjatë ramazanit, kemi disa dobi:

• Vlera e kësaj kohe dhe shumëfishimi i shpërblimit në të. Te Tirmidhiu përcillet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Sadakaja më e mirë është ajo që jepet në ramazan.”[7]

• Mbështetjen për agjëruesin në adhurimet që kryen: për ata që qëndrojnë zgjuar natën për t’u falur dhe për ata që e përmendin shumë Allahun. Mbështetësi i tyre arrin po aq shpërblim sa vetë ata; njësoj si ai që përgatit një luftëtar, që konsiderohet sikur ka luftuar. Po kështu, edhe ai që e zëvendëson në shtëpinë e tij konsiderohet si luftëtar. Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) përcjell se Profeti (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Cilido që i jep iftar një agjëruesi ka të njëjtin shpërblim si vetë agjëruesi, duke mos u pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.” [8]

• Muaji i ramazanit është muaji kur Allahu e shton bujarinë ndaj robërve të Tij; dhe me këtë nënkuptojmë mëshirë, falje dhe lirim nga Zjarri, sidomos gjatë Natës së Kadrit. Allahu i Lartësuar mëshiron robërit e tij të mëshirshëm, siç thotë dhe i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!): “Allahu i mëshiron robërit e Tij të mëshirshëm.” [9] Pra, ai që tregohet bujar ndaj robërve të Allahut, Allahu do tregohet bujar me të duke i dhuruar mirësi; dhe shpërblimi është në përpjesëtim me veprën e kryer.

• Kombinimi ndërmjet agjërimit dhe sadakasë bëhet shkak për hyrjen e njeriut në Xhenet, sikurse është përcjellë në hadithin e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se Profeti (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Në Xhenet ka dhoma të tejpashme: pamja e tyre e jashtme duket nga brenda dhe brendësia e tyre duket nga jashtë.” E pyetën: “Për kë janë ato, o i Dërguar i Allahut?” Tha: “Për atë që flet fjalë të mira, që jep ushqim, që agjëron vazhdimisht dhe falet natën kur njerëzit flenë.”

Të gjitha këto janë të mundshme në ramazan. Pra, në këtë muaj, besimtari ushtron adhurimin e agjërimit, namazin e natës, sadakanë, fjalët e mira etj.

• Kombinimi midis agjërimit dhe sadakasë bëhet shkak për më shumë falje gjynahesh dhe për ruajtjen e njeriut nga Xhehenemi; sidomos kur shoqërohen me namazin e natës. Është vërtetuar se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Agjërimi është mburojë.” Në një version tjetër: “Është mburoja juaj nga Zjarri, ashtu si mburoja në luftë.” [10] Ndërsa në hadithin që përcjell Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i Dërguari i Allahut thotë: “Sadakaja i shuan gjynahet ashtu siç shuan uji zjarrin. Po ashtu edhe namazi në thellësinë e natës.” [11] Pra, gjithashtu edhe namazi i natës i shuan mëkatet.

• Agjërimi, që gjithsesi shoqërohet me të meta e mangësi, që të jetë shkak për shlyerjen e mëkateve duhet të plotësohen disa kushte, dhe këtë mund ta përmbledhim me një fjali: ruajtja prej atyre gjëra që kërkohet të ruhemi. Te agjërimi i shumicës së njerëzve nuk përmbushet ruajtja ashtu siç kërkohet; kështu që, sadakaja ndreq të metat dhe mangësitë e tij. Për këtë arsye, në fund të ramazanit obligohemi me dhënien e sadakasë së fitrit, për të pastruar agjërimin nga fjalët e kota e të pista.

• Agjëruesi e lë ushqimin dhe pijen për hir të Allahut; dhe kur ai e ndihmon agjëruesin ta përballojnë ushqimin dhe pijen, konsiderohet në një rang me dikë që lë një kënaqësi për hir të Allahut dhe i jep përparësi dikujt tjetër në atë kënaqësi, apo së paku e ndanë së bashku me të. Për këtë arsye, kur çel iftarin, preferohet që të ftojë edhe agjëruesit e tjerë për të ngrënë së bashku; meqë ushqimi i bëhet më i dashur në këtë rast dhe e ndan me të tjerët, deri kur të konsiderohet prej atyre që japin ushqim me gjithë zemër. Kjo konsiderohet falënderim ndaj Allahut, për faktin që ia bëri të lejuar ushqimin dhe pijen, dhe ia bëri sërish të lejuara pasi ia kishte ndaluar (gjatë ditës). Vlera dhe madhështia e kësaj begatie kuptohet kur ndalohemi prej saj.

• Disa nga të parët tanë janë pyetur se përse është ligjësuar agjërimi? Dhe ata u përgjigjën: Që i pasuri ta shijojë shijen e urisë dhe të mos e harrojë të uriturin. Sa herë që agjëronte Ibn Umeri, iftarin e bënte me të varfër; dhe nëse të varfrit nuk lejoheshin nga familjarët e tyre, ai nuk hante asaj mbrëmjeje.

Në një rast, imam Ahmedit i erdhi njëri që donte t’i bënte pyetje, të cilit i dha dy kuleç me të cilët kishte ndërmend të bënte iftar. Kështu, atë natë fjeti pa darkë (i uritur) dhe të nesërmen u zgjua agjërueshëm.

Imam Shafiu thotë: “Në shenjë pasimi të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem!) do të desha që njeriu ta shtonte bujarinë gjatë muajit të ramazanit, për shkak të nevojës që kanë njerëzit për mirëqenien e tyre; sepse angazhimi i shumicës së tyre me agjërim dhe namaz i pengon nga kërkimi i riskut.”

Në hadithin e Fatimes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), që e përcjell nga babai i saj, i cili e njoftoi se “Xhibrili (salallahu alejhi ue selem!) ia lexonte çdo vit Kuranin. Ndërsa në vitin që vdiq, ia lexoi dy herë.” [12] Te hadithi i Ibn Abasit përmendet se mësimi i Kuranit ndërmjet tij dhe Xhibrilit zhvillohej natën. Kjo tregon se është e pëlqyeshme të lexohet sa më shumë Kuran gjatë netëve të ramazanit; ngaqë natën mblidhet energjia dhe shtohet vullneti; zemra dhe gjuha harmonizohen për meditim, sikurse e shpreh këtë edhe Allahu i Lartësuar: “Natyrisht, adhurimi natën vepron më fuqishëm dhe fjala është më shprehëse.” (El-Muzzemmil, 6) Në muajin e ramazanit Kurani ka veçantinë e vet. Zoti i Madhërishëm thotë: “Muaji i ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani…” (El-Bekare, 185) Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “I gjithë Kurani ka zbritur nga Lewhi Mahfūdh-i (Pllaka e Ruajtur) në Bejtul ʿIzzeh (Shtëpia e Lavdisë[13]) në Natën e Kadrit. Këtë e provon fjala e Allahut: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (El-Kadr, 1) “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar (në Natën e Kadrit).” (Ed-Duhān, 3)

Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e urdhëroi Ubej ibn Kabin dhe Temim Ed-Darin që t’u prinin njerëzve në namazin e taravisë gjatë muajit të ramazanit. Imami mund të lexonte deri në dyqind ajete në një rekat, derisa vinte puna që ndonjë të mbahej për shkopin e tij për shkak të qëndrimit të gjatë në këmbë. Dhe e gjithë kjo përfundonte në prag të agut.

Fjalët e imam Ahmedit (për këtë temë) na lënë të kuptojmë se, për sa i takon zgjatjes duke kënduar Kuran duhet të merret në konsideratë gjendja e muslimanëve, dhe nuk duhet të rëndohen. Këtë e kanë thënë edhe dijetarë të tjerë, ndër ta edhe ndjekës të Ebu Hanifes. Është përcjellë nga Ebu Dherri, se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) u fal me njerëzit në natën e njëzet e tretë, deri në një të tretën e natës; dhe në natën e njëzet e pestë deri në gjysmën e saj. Të pranishmit i thanë: “Sikur ta vazhdoje me ne edhe pjesën e mbetur të kësaj nate?” Ai u tha: “Kur njeriu falet me imamin derisa imami të përfundojë, i shkruhet (sikur të jetë falur) edhe pjesa e mbetur e natës.” [14]

Kjo tregon se duke e kaluar me namaz një të tretën e natës ose gjysmën e saj, shkruhet si të jemi falur përgjatë gjithë natës; por vetëm atëherë kur falemi me imam. Imam Ahmedi vepronte sipas këtij hadithi; prandaj, ai falej deri në çastin që përfundonte imami. Domethënë, ai nuk dilte prej namazit pa përfunduar imami.

Ai që do të zgjasë leximin dhe namazin dhe ka mundësi të falet i vetëm, mund ta zgjasë sa të dojë, siç është shprehur i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!). Kjo vlen edhe për atë që i prin një xhemati, me kushtin që ata të jenë të kënaqur me namazin e tij.

Të parët tanë dhe këndimi i Kuranit gjatë ramazanit

Disa prej selefëve e lexonin të gjithë Kuranin në çdo tri net në namazin e natës; disa të tjerë në çdo shtatë net, si, për shembull, Katade. Disa të tjerë e lexonin në çdo dhjetë net, si, fjala vjen, Ebu Rexha El-Utaridiji.

Të parët tanë lexonin Kuran gjatë ramazanit në namaz dhe jashtë tij. Esuedi e lexonte të gjithë Kuranin gjatë ramazanit në krye të dy netëve. Kësisoj vepronte edhe Nehaiu, sidomos në dhjetë ditët e fundit; ndërsa në pjesën tjetër e lexonte në krye të çdo tre netëve. Katade e lexonte gjithnjë të gjithë Kuranin në çdo shtatë ditë; në ramazan në çdo tre net; ndërsa në dhjetë ditët e fundit për çdo natë.

Kur hynte muaji i ramazanit Zuhriu thoshte: “Ky është muaji i leximit të Kuranit dhe i dhënies së ushqimit.”

Abdurrezaku thotë: “Kur hynte ramazani, Sufjan Eth-Theuriu i linte të gjitha adhurimet dhe i përkushtohej leximit të Kuranit. Ndërsa Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) lexonte Kuran në fillim të ditës, dhe kur lindte dielli flinte.”

Xhihadi i besimtarëve në ramazan

Duhet ta dish se besimtari zhvillon dy luftëra me veten në muajin e ramazanit: një gjatë ditës me agjërimin dhe tjetrën gjatë natës përmes namazit të natës. Çdokush që i zhvillon këto dy luftëra, përmbush detyrimet ndaj tyre dhe bën durim, do marrë shpërblim të pallogaritshëm për to.

Ndërsa ai që e humbet agjërimin e tij duke mos u frenuar nga ndalesat e Allahut, një i tillë meriton të rrihet me anë të agjërimit në fytyrë; dhe t’i thotë [15]: Të ka humbur Allahu ashtu siç më humbe mua!

Po kështu edhe Kurani do të ndërmjetësojë për atë që është privuar nga gjumi; ngaqë ai që lexon Kuran dhe falet natën ka përmbushur detyrimin dhe merr si shpërblim ndërmjetësimin.

Ibn Mesudi thotë: “Lexuesi i Kuranit duhet të dallohet me natën (namazin e natës) e tij në kohën kur njerëzit flenë; duhet të dallohet me ditën e tij kur njerëzit hanë (nuk agjërojnë); duhet të dallohet me të qarën e tij kur njerëzit qeshin; me druajtjen kur njerëzit hallakaten (poshtë e përpjetë me gjithkënd); me heshtjen kur njerëzit llomotisin; me përulësinë kur njerëzit tregohen kryelartë dhe me pikëllimin kur njerëzit gëzohen.”

Ndërsa për sa i takon atij që e mëson Kuranin dhe ka dije rreth tij, që nuk e lexon (ose nuk falet me të) natën, por fle, dhe ditën nuk punon sipas tij, Kurani do të jetë hasmi i tij; do t’ia kërkojë të drejtat e tij që ia ka neglizhuar. Imam Ahmedi shënon hadithin e Semures, se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem!) pa në ëndërr një njeri të shtrirë përtokë dhe një tjetër që po i rrinte mbi kokë me një gurë (sa grushti), ose me një shkëmb duke ia çarë kokën atij që rrinte shtrirë. Sa herë që e godiste me atë gurë, guri rrokullisej mënjanë; dhe ndërkohë që shkonte për të marrë gurin, koka i kthehej në gjendjen e mëparshme, ku më pas e qëllonte përsëri. Për këtë e pyeti njeri, dhe përgjigjja qe kjo: “Fjala është për një njeri të cilit Allahu ia mësoi Kuranin, por ai fjeti natën duke mos e lexuar dhe ditën duke mos punuar sipas tij. Kështu veprohet me të [16] deri në Ditën e Kiametit.” [17]

O ti që e ke çuar jetë në mosbindje ndaj Allahut! O ti që ke bërë lëshime dhe je treguar përtac gjatë muajit (ramazanit), madje gjatë gjithë kohës dhe e ke humbur atë! O ti që për plaçkë ke vetëm zvarritjen (jo sot, po nesër) dhe lëshimin, sa plaçkë (pasuri) e keqe është kjo! O ti që Kuranin dhe ramazanin i ke bërë armiq, si mund të shpresosh që armiku yt do ndërmjetësojë për ty?!

Përktheu: Blerim Krasniqi

____________________________________________________________

[1] Buhariu, nr. 6; Muslimi, nr. 2308.

[2] Tirmidhiu, nr. 682. Imam Albani e ka klasifikuar si të saktë (sahih) te libri Sahih Et-Tirmidhi (682).

[3] Buhariu, nr. 3; Muslimi, nr. 2307.

[4] Buhariu, nr. 2820; Muslimi, nr. 2307.

[5] Muslimi, nr. 2312.

[6] Buhariu, nr. 2034; Muslimi, nr. 2311.

[7] Tirmidhiu, nr. 663.

[8] Tirmidhiu (807), Ahmedi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe.

[9] Buhariu, nr 1284; Muslimi, nr. 923.

[10] Tirmidhiu, nr. 1984.

[11] Tirmidhiu, nr. 2616.

[12] Buhariu (6285) dhe Muslimi (2450).

[13] E cila ndodhet në qiellin e kësaj bote.

[14] E shënojnë përpiluesit e Sunen-eve. Tirmidhiu e vlerëson për hasen. Ebu Davudi (1375) dhe Tirmidhiu (806).

[15] Agjërimi.

[16] D.m.th., qëllohet në vazhdimësi.

[17] Buhariu, nr. 1386.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit