Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Detyrat e muajit të ramazanit (pjesa e katërt)

Mexhlisi i katërt

Dhjetë ditët e fundit të ramazanit

Te dy Sahīh-ët përcillet nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të ketë thënë: “Me të nisur dhjetë ditët e fundit të ramazanit, i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) shtrëngonte rripin (largohej prej grave dhe i përvishej adhurimit), gjallëronte natën (me adhurim: namaz, Kuran, dhikr) dhe zgjonte familjen e tij (për adhurim).”[1]

Ky është versioni i Buhariut, ndërsa te versioni i Muslimit lexojmë: “Gjallëronte natën (me adhurim: namaz, Kuran, dhikr), mbante zgjuar familjen e tij (për adhurim), punonte shumë (adhurime) dhe shtrëngonte rripin (largohej prej grave për t’iu përveshur adhurimit).”[2] Te Muslimi, në një përcjellje tjetër nga Aishja lexojmë: “I Dërguari i Allahut përpiqej në dhjetë netët e fundit aq sa nuk përpiqej në netët e tjera.”[3]

Veprat me të cilat veçonte dhjetënetëshin e fundit

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem!) i veçonte dhjetë netët e fundit me disa vepra, të cilat nuk i bënte në pjesën tjetër të muajit. Ndër të tjera po përmendim:

• Gjallërimi i natës me adhurim – gjë me të cilën mund të jetë për qëllim kalimi i gjithë natës me adhurim; por, ka mundësi, gjithashtu, të bëhet fjalë për pjesën dërrmuese të saj. Këtë të fundit e mbështet transmetimi te Sahīh-u i Muslimit nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila thotë: “Nuk di që i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) të jetë falur ndonjëherë gjithë natën deri në agim.”[4]

• I Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) e zgjonte familjen e tij për namaz në dhjetë netët e fundit, çka nuk e bënte në netët e tjera. Sufjan Eth-Theuri thotë: “Ajo që dëshiroj më shumë në dhjetë netët e fundit është namazi i natës, përpjekja për adhurim, zgjimi i gruas dhe i fëmijëve për namaz nëse e përballojnë.” Është saktësuar se Profeti (salallahu alejhi ue selem!) i trokiste Fatimes dhe Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) natën dhe u thoshte: “A nuk do ngriheni për t’u falë?”[5] Po ashtu, është përcjellë inkurajimi për zgjimin për namaz që mund t’i bëjë bashkëshorti bashkëshortes ose anasjelltas duke e spërkatur lehtë me ujë. Te “Muwetta” është përcjellë se Umeri ibn Hatabi falej natën aq sa ia kish caktuar Zoti, dhe kur arrinte në gjysmën e natës zgjonte familjen për namaz. Ai u thoshte: “Namazi, namazi” dhe u lexonte këtë ajet: “Urdhëroje familjen tënde që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë!” (Tā Hā, 132)

• I Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) në këto dhjetë ditë shtrëngonte rripin. E vërteta është se kjo nënkupton largimin prej grave (për t’iu përkushtuar adhurimit). Kështu e kanë interpretuar selefët dhe imamët e hershëm, si Sufjan Eth-Theuriu. Po ashtu, kjo është përcjellë qartë në hadithin e Aishes dhe Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!).

• Vonimi i iftarit deri në kohën e syfyrit. Në hadithin e Aishes dhe Enesit është përcjellë se gjatë këtyre dhjetë ditëve Profeti (salallahu alejhi ue selem!) iftarin e bënte në syfyr.

Asim ibn Kulejbi përcjell nga babai i tij, dhe ky i fundit nga Ebu Hurejra, i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut nuk agjëronte pandërprerë (uisal)[6] ashtu siç bëni ju; përveçse në ato raste kur e shtyente iftarin deri në syfyr.”[7]

Te Sahīh-u i Buhariut përcillet nga Ebu Seid El-Huduriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Mos agjëroni pandërprerë. Nëse ndonjë dëshiron ta zgjasë kohën e agjërimit, atëherë ta vazhdojë agjërimin deri në syfyr.” Dikush i tha: “Por ti o i Dërguari i Allahut, po mban agjërim të pandërprerë?” Ai (salallahu alejhi ue selem!) u tha: “Unë nuk jam si ju; sepse gjatë natës kam Atë që më jep të ha e të pi.”[8] Kjo tregon se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) agjëronte gjithë natën. Ka të ngjarë ta ketë bërë këtë, pasi kjo e ka bërë të ndihet më aktiv në adhurim gjatë dhjetë netëve të fundit dhe nuk e ka dobësuar nga puna, ngaqë atë e ushqente Allahu. Ka disa mospajtime në lidhje me domethënien e “më jep të ha…” E vërteta është se kjo tregon se si Allahu i Lartësuar i jepte sukses në agjërim; në veçimin me Zotin e Tij për t’i bërë thirrje dhe për ta përkujtuar Atë dhe, si pasojë, kjo i jepte kënaqësi dhe ishte një bekim për të. Kjo i sillte në zemër njohuri më të thella për domosdoshmërinë e adhurimit të Tij dhe ishte një mirësi nga Zoti i tij, çka e ushqente dhe ia hiqte varësinë nga ushqimi.

• ʿItikāf-i. Te dy Sahīh-ët përcillet se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) bënte gjithnjëʿitikāf në dhjetë netët e fundit derisa vdiq.”[9] Ndërsa te Sahīh-u i Buhariut përcillet se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) bënteʿitikāf në çdo ramazan dhjetë ditë radhazi. Ndërsa vitin që vdiq bëriʿitikāf për njëzet ditë.”[10] Profeti (salallahu alejhi ue selem!) bënteʿitikāf në ditët që kërkohet Nata e Kadrit, për t’u shkëputur prej angazhimeve dhe për ta liruar mendjen për adhurim, për përkujtimin, thirrjen dhe lutjen e Zotit të tij. Ai shtronte një hasër (rrogoz) ku ndahej prej njerëzve, nuk përzihej dhe nuk angazhohej me ta. Për këtë arsye, imam Ahmedi kishte mendimin se për personin që bënʿitikāf nuk pëlqehet të përzihet me njerëzit, madje as për mësimin e dijes dhe për leximin e Kuranit; por, më e mira për të është t’i përkushtohet adhurimit, dhikrit dhe lutjes.

Kyʿitikāf konsiderohet si ndarje (veçim) e ligjshme (nga njerëzit) dhe kjo bëhet nëpër xhami, në mënyrë që të mos humbasë namazi i xhumasë dhe namazi me xhemat – meqë një ndarje që të pengon nga namazi i xhumasë apo nga namazi me xhematë është e ndaluar.

Një herë Ibn Abasi u pyet për një njeri që agjëron ditën dhe falet natën, por nuk merr pjesë në namazin e xhumasë dhe as në namazin me xhemat. Ai tha: “Ai është në Zjarr.”

Atëherë cili ështëʿitikāf-i i vërtetë? Le të themi se është ndërprerja e lidhjeve me krijesat për t’iu përkushtuar Krijuesit. Gjithaq, sa më e lartë të jetë dija për Allahun dhe dëshira e malli për Të, po aq i theksuar do jetë veçimi dhe përkushtimi i njeriut për t’iu dhënë tërësisht Allahut në cilëndo gjendje.

O ti që e ke shkuar jetën në hiçgjë! Arrije atë që të ka ikur në Natën e Kadrit; meqë ajo të llogaritet sa e gjithë jeta! Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.” (El-Kadr, 1-3)

Te dy Sahīh-ët përcillet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Ai që fal namazin e natës në Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblimin (nga Allahu), i falen të gjitha gjynahet që ka bërë.”[11]

Vëllezërit e mi! Ajo te e cila duhet të mbështetemi është pranimi me zemër e jo te përpjekjet e shumta. Ajo që merret në konsideratë është devotshmëria/mirësia e zemrave e jo punët e shumta të gjymtyrëve tona. Megjithatë njeriu është i urdhëruar të përpiqet të fitojë sa më shumë të mira dhe të kryejë sa më shumë vepra të dobishme. Çdokujt do i lehtësohet ajo për të cilën është krijuar. Të lumturve (shpëtuarve) do t’u lehtësohet kryerja e veprave të njerëzve të lumtur; ndërsa të mjerëve do u lehtësohen veprat e mjeranëve. “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit.” (El-Lejl, 5-10)

Të nxitojmë sa më parë për të shfrytëzuar kohën e mbetur të këtij muaji për punë të mira, duke shpresuar te kompensimi i kohës së humbur përgjatë jetës sonë.

Përktheu: Blerim Krasniqi

____________________________________________________

[1] Buhariu (2024) dhe Muslimi (1174).

[2] Muslimi, nr. 1174.

[3] Muslimi, nr. 1175.

[4] Muslimi, nr. 746.

[5] Buhariu (1127) dhe Muslimi (775).

[6] Agjërimi i pandërprerë gjatë natës dhe ditës për një, apo dy, apo më shumë ditë.

[7] Sened-i i këtij transmetimi është i pranueshëm.

[8] Buhariu, nr. 1963.

[9] Buhariu (2026) dhe Muslimi (1172).

[10]Buhariu, nr. 4998.

[11] Buhariu (1901) dhe Muslimi (760).

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva