Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Detyrat e muajit të ramazanit (pjesa e tretë)

Mexhlisi i tretë

Dhjetë ditët në mes të muajit dhe gjysma e fundit e tij

Te dy Sahīh-ët përcillet nga Seid El-Hudurij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem!) e bënte ʿitikāf-in gjatë dhjetë ditëve të mesit të ramazanit. Kështu, një vit bëri ʿitikāf, dhe kur erdhi e njëzetenjëta natë, që është nata në mëngjesin e së cilës dilte nga ʿitikāf-i, tha: “Ata që ishin në ʿitikāf me mua, tani e tutje ta bëjnë në dhjetëditëshin e fundit. Atë natë e mora vesh se në cilën natë bie, por mu harrua (nga Allahu). Pashë veten duke bërë sexhde në ujë dhe baltë mëngjesin e asaj nate. Kështu që, kërkojeni atë në dhjetëditëshin e fundit. Kërkojeni në çdo natë teke.” Atë natë ra shi dhe, duke qenë se xhamia ishte e mbuluar me degë palme (pa gjethe), pikoi çatia dhe xhamia u lag. Në mëngjesin e ditës së njëzetenjëtë, me dy sytë e mi pashë mbi ballin e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem!) gjurmët e ujit dhe të baltës.” [1]

Ky hadith na tregon se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!), për të kërkuar Natën e Kadrit, ʿitikāf-in e bënte në dhjetë ditët e mesit të muajit ramazan. Konteksti na jep të kuptojmë se këtë e kishte bërë disa herë.

Ndërsa në një transmetim tjetër të këtij hadith te dy Sahīh-ët lexojmë: “Ai kishte bërë ʿitikāf në dhjetëditëshin e parë; pastaj gjatë dhjetëditëshit në mes të muajit. Më pas tha: “Ajo m’u dhurua. M’u tha: ‘Ajo është në dhjetë netët e fundit.’ Kështu që, kush do të bëjë ʿitikāf, le të bëjë.” Kësisoj njerëzit e vazhduan ʿitikāf-in bashkë me të.” [2]

Nga kjo kuptojmë se këtë e kishte bërë përpara se të kuptonte se ajo ishte në dhjetë netët e fundit, dhe porsa e kuptoi, filloi ta bënte në dhjetëditëshin e fundit derisa vdiq, siç na e rrëfejnë këtë Aishja, Ebu Hurejra etj.

Është përcjellë se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) kishte mbledhur një grup nga sahabët dhe i kishte pyetur për Natën e Kadrit. Disa i thanë: “Mendonim se ishte në dhjetë netët e mesit, pastaj na u komunikua se ajo është në dhjetë netët e fundit.” Dashtë Zoti, hadithi i plotë do të citohet në një vend tjetër.

Roli i Iblisit në përhapjen e fitnes

Iblisi, armiku i Allahut shpenzon gjithë mundin e tij për të fikur dritën e Allahut, por, kur nuk ia doli për shkak të mbështetjes që Allahu i dha të Dërguarit të Tij dhe dominimit të fesë së tij mbi të gjitha fetë, ai u angazhua me përhapjen e fitneh-s (përçarjes/trazirave) midis muslimanëve dhe, gjithashtu, u mjaftua me nxitjen e tyre drejt mëkateve të vogla, meqë nuk arriti t’i nxirrte nga feja, sikurse thotë i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!): “Iblisi ka humbur çdo shpresë për t’u adhuruar nga namazfalësit në Gadishullin Arabik, mirëpo kërkon të nxisë provokime midis tyre.” [3]

Iblisi vazhdon të ndiejë dëshpërim në sezonet e faljes dhe lirimit nga Zjarri. Për shembull, në Ditën e Arafatit nuk sheh dikë më të vogël, më të përbuzur, më të thyer e më të dëbuar sesa atë, pikërisht për shkakun se sheh mëshirën që zbret dhe faljen e mëkateve nga Allahu i Madhërishëm; madje në ditën e Bedrit u ndie edhe më i poshtëruar.

Në Natën e Kadrit engjëjt shpërndahen nëpër tokë dhe froni/pushteti i shejtanit prishet. Allahu i Lartësuar thotë: “Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre zbresin në këtë natë me të gjitha vendimet. Ajo është paqe deri në agim.” (El-Kadr, 4-5) Për fjalinë e fundit të kësaj sureje Muxhahidi thotë: “Për shkak të paqes që mbretëron atë natë është shpëtim nga shfaqja e ndonjë sëmundjeje; ose, atë natë shejtani nuk mund të veprojë.”

Robër të Allahut! Ja, gjysma e ramazanit erdhi… Cili prej jush është treguar i arsyeshëm dhe ka marrë në llogari veten për hir të Allahut? Cili prej jush i ka çuar në vend të drejtat e ramazanit të cilat ka arritur t’i njohë? Cili prej jush ka ambicie e dëshirë që, përpara se të mbyllen dyert e Xhenetit, t’i ndërtohen aty dhoma njëra mbi tjetrën?

Vërtet që muaji juaj ka kaluar gjysmën dhe po pakësohet, prandaj, shtoni veprat tuaja si të jetë duke përfunduar. Çdo muaj shpresohet të ketë zëvendësues, por a është e mundur vallë të zëvendësohet ramazani?!

Përktheu: Blerim Krasniqi

___________________________________________

[1] Buhariu (2027) dhe Muslimi (1167).

[2] Buhariu (2027) dhe Muslimi (1167), me tekstin e këtij të fundit.

[3] E shënon Muslimi (2812) nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva