Disa çështje rreth zekatit

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem vazhdon të thotë: “Nëse të binden në këtë (në faljen e pesë kohëve të namazit), atëherë njoftoji se Allahu ua ka bërë obligim lëmoshën, i cili merret prej të pasurve të tyre dhe u jepet të varfërve të tyre”, qëllimi është me zekatin.

Zekati në shumicën e rasteve përmendet me namazin në Kuran. Zekati është shtylla e tretë e Islamit. Këtu Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë se zekati merret prej të pasurve. Nga kjo kuptojmë se zekati nuk është obligim për të varfrit, por është obligim për të pasurin i cili e përmbush nisabin. Nisabi është shuma e cila e obligon dhënien e zekatit. Kur personi e përmbush/posedon atë apo më shumë se aq, e ka obligim dhënien e zekatit. Dhe thotë se ai u jepet të varfërve të tyre. Të varfrit janë një prej kategorive të cilave u jepet zekati. Mirëpo, këto kategori janë gjithsej tetë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem këtu është mjaftuar me vetëm një prej kategorive, që janë të varfrit. Pse i veçoi ata nga kategoritë e tjera? Dijetarët thonë se ai i ka veçuar të varfrit sepse janë ata të cilëve më së shumti u jepet zekati, ose se e drejta e të varfërve është më e konfirmuar (duke e merituar më shumë sesa të tjerët).

Dijetarët me këtë hadith kanë argumentuar se nuk lejohet për të pasurin ta marrë zekatin, i cili e ka obligim ta nxjerrë zekatin, sepse këtu Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka caktuar dy grupe: të pasurit, prej të cilëve merret zekati, të varfrit të cilëve u jepet. Ai që ka nisab ose më shumë se aq, e ka për obligim ta nxjerrë zekatin dhe u jepet të varfërve. I pasuri nuk e ka të lejuar ta marrë atë, përveç në rastet kur përjashtohet, që janë kategoritë e tjera të përmendura në ajetin kuranore, p.sh.: ata që luftojnë në rrugën e Allahut janë një kategori, andaj nëse ata janë të pasur e kanë të lejuar të marrin zekatin, apo ai të cilit i ka humbur pasuria gjatë udhëtimit, ky edhe nëse në shtëpinë/vendin e tij është i pasur e ka të lejuar të marrë zekatin, që së paku të kthehet në shtëpinë e tij etj. Dijetarët gjithashtu kanë argumentuar me këtë hadith se lejohet që pasurinë e zekatit që mblidhet prej muslimanëve t’i jepet vetëm një prej kategorive, në këtë rast vetëm të varfërve. Ky është medhhebi i imam Ahmedit dhe imam Malikut.

Dijetarët kanë argumentuar me këtë hadith se ai salAllahu alejhi ue selem është kufizuar vetëm tek të varfrit. Në arabisht janë dy shprehje apo dy grupe që janë përmendur në ajet. Allahu thotë: “Lëmosha e zeqatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët…” Teube 60. Në Kuran e sunet, kur përmenden dy shprehje të përafërta në kuptim dhe përmenden brenda një konteksti, atëherë ato dallojnë. Në këtë rast fekir është ai i cili nuk ka fare pasuri me të cilën e kalon ditën. Kurse miskini është ai që ka diçka, por që nuk i mjafton. Andaj, në këtë rast janë përmendur brenda një konteksti, ku qëllimi është se zekati u jepet edhe atyre që nuk kanë hiç, edhe atyre që kanë porse nuk u mjafton. E kur këto dy shprehje përmenden ndaras, atëherë secila e përfshin tjetrën, ky është rregull. Nëse përmendet veçmas fekiri, atëherë e përfshin edhe miskinin, nëse përmendet veçmas miskini, e përfshin edhe fekirin.[1]

Prej këtij hadithi, gjithashtu dijetarët thonë se nuk lejohet që zekati t’i jepet jobesimtarit, përveç atij jobesimtari që shpresohet se kthehet në Islam, është afër Islamit, pra nëse i jepet një pasuri nga zekati atëherë ai e pranon Islamin ose afrohet më shumë me të.

Po ashtu dijetarët kanë argumentuar me këtë hadith se zekati duhet të jepet vetëm në vendin ku ekzistojnë të pasurit dhe të varfrit, brenda vendit ku jetojnë ata. Mirëpo, nëse ekziston një vend ku të varfrit e atij vendi nuk janë nevojtarë për marrjen e zekatit, atëherë lejohet që zekati të jepet në vendin fqinjë.

Prej këtij hadithi përfitojmë se zekatin e merr përsipër ta mbledhë imami ose udhëheqësi i shtetit apo zëdhënësi i tij. Në bazë të haditheve të tjera kuptohet se ai i cili nuk do t’ia japë zekatin udhëheqësit apo zëvendësit të tij, atëherë i merret me forcë.

Po ashtu përfitohet se zekati është obligim edhe për pasurinë e fëmijës, pra të atij që nuk e ka arritur moshën madhore, apo për pasurinë e të çmendurit. Nëse fëmija ka pasuri të cilën ia ka lënë prindi, apo i çmenduri ka pasuri që ia ka lënë prindi, atëherë merret zekati nga pasuria e tyre sepse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka përgjithësuar duke thënë: “i cili merret prej të pasurve të tyre dhe u jepet të varfërve të tyre”.

[1] Raste të tilla ka shumë. Shembull: kur përmendet Islami dhe imani, bashkë ose ndaras.

Hoxhë Lulzim Perçuku. Derset “Kitabu teuhid”.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit