Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Disa dispozita rreth zekatul fitrit

Lavdërimet dhe falënderimet i takojnë Allahut të madhërishëm, i Cili ligjësoi fenë e Tij të pastër, me të cilën i mëshiroi robërit e Tij. Salavatet dhe selamet tona qofshin për Pejgamberin tonë (salallahu alejhi ve selem) për familjen dhe shokët e tij.

Është kjo një përpjekje modeste që me ndihmën e Allahut dhe me suksesin e Tij të mundohem t’i sqaroj disa dispozita rreth zekatul fitrit, të cilat kanë nevojë t’i dinë shumë njerëz. Andaj lus Allahun të na jap nga dituria e Tij dhe të na jap sukses ta qëllojmë të vërtetën.

Zekatul fitri është obligim (farz)

Zekatul fitri është obligim për çdo musliman, dhe braktisja e tij është mëkat dhe largim nga urdhëri i Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem), sepse Abdullah ibën Umeri thotë: “Pejgamberi e ka bërë obligim për të gjithë muslimanët… ta japin sadakatul fitrin…”.

Kurse është quajtur zekatul fitri sepse lidhet me kohën kur përfundon agjërimi. Sepse fjala fitr dmth të përfundosh agjërimin dhe të ushqehesh.

Personat që obligohen ta japin zekatul fitrin

Obligohet çdo musliman mashkull apo femër, i rritur apo fëmij, pa marrë parasyshë të ketë agjëruar apo jo, siq është rasti me personin që është në udhëtim apo është i sëmurë.

Për këtë tregon hadithi i Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) që e transmeton Ibën Umeri, ku thotë: “Pejgamberi e ka bërë obligim për të gjithë muslimanët, të mëdhnjtë dhe të vegjlit, meshkujt dhe femrat, skllevërit apo të lirët që ta japin sadakatul fitrin një sa’ [1] të mbushur me hurma apo drith”. [2]

Kurse është mustehab që zekatul fitri të ipet edhe për foshnjen e palindur akoma, por nuk është obligim, ku është transmetuar se disa sahabe (radij Allahu anhun) e kanë japur zekatul fitrin edhe për fëmijën e palindur akoma.

Destinimi i zekatul fitrit

Zekatul fitri u destinohet vetëm të varfërve, sikur që është transmetuar nga Ibën Abasi, i cili thotë: “Pejgamberi e ka bërë obligim zekatul fitrin një sa’ me ushqim si pastrim për agjëruesin nga fjalët dhe veprat e kota dhe si ushqim për të varfërit” [3].

Sasia që duhet të ipet zekatul fitri

Sasia e zekatul fitrit duhet të jetë një sa’ (katër palë grushta të mbushur) me ushqim i cili përdoret në vendin që ipet, siq është transmetuar nga Ebu Seid el hudrij të ketë thënë: “Në kohën e Pejgamberit e jepnim zekatul fitrin një sa’ me ushqim, kurse ushqimi ynë në atë kohë ishte drithi, rrushi i terur, el ekitu (lloj djathi) dhe hurmat” [4].

Me qenëse tek ne ushqimi kryesor është mielli, është më e arsyeshme që zekatul fitri të ipet në miell. Më herët e përmendëm se një sa’ me grurë peshon afërsisht 2 kilogram e dyqind gram, atëherë i bie se zekatul fitri që duhet të jep një person është 2 kilogram e dyqind gram miell. Gjithashtu tek ne mund të ipet fasule, oriz, patate, dhe gjithehrë duke e matur me një sa’ (katër palë grushta të mbushur).

Nëse dëshiron të shtojë më tepër se një sa’, atëherë ajo shtesë duhet të ipet me nijet të sadakasë. Pra sasinë e caktuar me sa’ e jep si fitër kurse shtesën tjetër sadaka.

Koha kur ipet zekatul fitri

Është mirë që shpërndarja e zekatul fitrit të filloj një ditë apo dy para bajramit, duke u bazuar në transmetimin e Nafi ibën Abdullahut se Abdullah ibën Umeri dhe sahabet tjerë e shpërndanin atë para bajramit një dit a po dy. Kurse përfundon në kohën e faljes së namazit të bajramit. Pëndryshe nuk lelohet të ipet para kësaj kohe e as pas saj, dhe ai i cili pa ndonjë arsye e ka vonuar dhënien e zekatul fitrit deri sa është falë namazi i bajramit ka bërë mëkat, duhet të pendohet tek Allahu, sepse është transmetuar nga Abdullah ibën Umeri të ketë thënë: “Pejgamberi ka urdhëruar që zekatul fitri të ipet para se të dalin njerëzit për të falur namazin e bajramit” [5]. Kurse Abdullah ibën Abasi ka thënë: “Kush e jep para namazit të bajramit ajo është e pranuar, kurse ai i cili e jepë pas namazit, ajo konsiderohet një sadakë zakonshme (nuk konsiderohet zekatul fitr)” [6].

A lejohet që zekatul fitri të ipet në të holla?

Shumica e dijetarëve nga të tri medhhebet Maliki, Shafi’i dhe Hanbeli janë të mendimit se zekatul fitri duhet të ipet vetëm në ushqim, duke u bazuar në hadithin paraprak të transmetuar nga Abdullah ibën Abasi ku thotë: “Pejgamberi e ka bërë obligim zekatul fitrin një sa’ me ushqim si pastrim për agjëruesin nga fjalët dhe veprat e kota dhe si ushqim për të varfërit”.

Pra në hadith është përmendur se zekatul fitri është ushqim për të varfërit. Kështu kanë vepruar edhe sahabet (radij Allahu anhum), siq tregon hadithi paraprak i Ebu Seid el Hudriut (radij Allahu anhu): “Në kohën e Pejgamberit e jepnim zekatul fitrin një sa’ me ushqim, kurse ushqimi ynë në atë kohë ishte drithi, rrushi i terur, el ektu (lloj djathi) dhe hurmat”. Përderisa Pejgamberi ynë (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Kapuni për sunetin tim dhe sunetin e halifeve të drejt që vinë pas meje”.

Prandaj dhënia e zekatul fitrit në të holla është në kundërshtim me veprimin e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) dhe me veprimin e sahabeve. Kurse disa nga dijetarët konsiderojnë se nuk pranohet dhënia e fitrit në të holla.

A bën të ipet për të gjithë anëtarët e familjes, apo çdo njëri duhet ta jap për vete?

Në parim, është obligim që çdo individ veç e veç ta japë fitrin, por nëse pajtohen që njëri anëtarë i familjes ta jep për të tjerët, kjo lejohet. Kurse prindi e ka obligimi që ta jep për fëmijët e tij, sepse ata nuk mund t’i dinë këto dispozita dhe nuk kanë pasuri, kështu që prindi i tyre i jep për ta.

Gjithashtu, është e lejuar që të autorizohet dikush që fitrin ta jap për dikend tjetër, psh nëse është duke qëndruar jashtë vendit dhe dëshiron që fitrat t’i jep në vendin e tij, atëherë lejohet që ta autorizoj dikend që t’i jep për të.

A lejohet që fitrat t’u ipen të afërmëve?

Prindërve dhe fëmijëve nuk lejohet t’u ipen fitrat, sepse pë këta është obligim që njeriu të shpenzoj nga pasuria e tij e jo nga fitrat. Kurse të tjerëve, siq është vëllau, motra, xhaxhai, daja, halla, tezja, lejohet t’u ipen fitrat nëse janë të varfër.

Allahu e di më së miri dhe vetëm Ai jep sukses.

Përgatiti: Jeton Bozhlani

———————————————————-

[1] Sa’ është një masë e cila peshon afërsisht 2,200 kg (dy kilogram e dyqind gram) grurë. Por kjo ndryshon sipas llojit të drithit që matet. Apo ndryshe kjo matet me katër palë grushta të mbushur.

[2] Transmeton Buhariu: (1511), Muslimi: (9830).

[3] Transmeton Ebu davudi: (1609), Ibën Maxhe: (1827).

[4] Buhariu: (1506), Muslimi: (985).

[5] Buhariu: (1509), Muslimi: (9860).

[6] Buhariu: (597), Muslimi: (683).

  • Shpërndaje

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni artikujt e rinj me email duke u abonuar

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva
Kategori