Disa fetva rreth agjërimit në muajin Sheual

Komisioni i përhershëm për studime dhe fetva

Pyetje: A duhet të agjërohen gjashtë ditët e muajit Sheual menjëherë pas ditës së Bajramit apo lejohet agjërimi i njëpasnjëshëm i tyre pasi të kalojnë disa ditë pas Bajramit?

Përgjigje: Nuk është e detyruar agjërimi i tyre menjëherë pas Fitër Bajramit, mirëpo lejohet të fillohet me agjërimin e tyre një ditë apo disa ditë pas ditës së Bajramit.

Gjithashtu lejohet, sipas mundësive, agjërimi i njëpasnjëshëm i tyre apo ndaras brenda muajit Sheual, ti je i lirë të zgjedhësh në këtë çështje. Dhe agjërimi i tyre është sunnet (i pëlqyeshëm) dhe jo vaxhib (i detyruar).

Allahu është Ai që jep sukses. Salatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi të Pejgamerin tonë Muhammed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.

Fetvaja me nr. 3475.

Komisioni në përbërje të: AbdulAziz bin Baz, AbduRrezak Afifi, Abdull-llah bin Gudejan, Abdull-llah bin Kuud.

Pyetje: Agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit konsiderohet agjërim vullnetar, mirëpo nëse gruaja i agjëron këto gjashtë ditë të Sheualit, atëherë a i mjaftojnë ose a i pranohen si kompensim i ditëve të pa agjëruara të Ramazanit, apo obligim për të është t’i agjëroj 12 ditë, prej tyre 6 kaza (kompensim) dhe 6 agjërim vullnetar? Allahu iu shpërbleftë!

Përgjigje: Nuk mjafton për atë i cili ka kaza (kompensim) prej muajit të Ramazanit, t’i agjëroj gjashtë ditë e Sheualit si zëvendësim i kazasë, mirëpo obligim për të është që së pari t’i agjëroj ditët e mbetura (kaza), pastaj, nëse dëshiron, t’i agjëroj gjashtë ditë të muajit Sheual para se të përfundoj ky muaj.

Allahu e jep suksesin. Salatet dhe selamet e Allahu qofshin mbi Pejgamerin tonë Muhammed, dhe mbi familjen dhe shokët tij.

Fetvaja me nr. 11663, vëllimi: 10, faqe: 354.

Komisioni në përbërje të: AbdulAziz bin Baz, AbduRrezak Afifi, Abdull-llah bin Gudejan.

Pyetje: Nëse dikush agjëron gjashtë ditë të muajit Sheual pas muajit Ramazan mirëpo pa e plotësuar agjërimin e Ramazanit, pasi që i ka lënë pa agjëruar dhjetë me arsye sheriatike (të ligjësuar), a shpërblehet ky person që është cekur në hadith se ai i cili e plotëson agjërimin e Ramazanit pastaj e pason me agjërimin e gjashtë ditëve të Sheualit shpërblehet sikur të ketë agjëruar tërë kohën? Na sillni dobi Allahu iu shpërbleftë!

Përgjigje: Caktimi i shpërblimit për veprat të cilat robërit e Allahu i punojnë është prej specifikave të Allahut (Xhel-le ue Ala), kurse robi nëse e kërkon shpërblimin prej Allahut (Xhel-le ue Ala) dhe e jep mundin në bindjen ndaj Tij atëherë Ai nuk ia humb shpërblimin, siç Allahu thotë: “Vërtetë Ne nuk ia humbin shpërblimin atij që bën vepra të mira”. Mirëpo atij të cilit i ka mbetur diçka pa agjëruar prej ditëve të Ramazanit duhet që së pari t’i agjëroj këto ditë, pastaj t’i agjëroj gjashtë ditë prej Sheualit, sepse ai me agjërimin e gjashtë ditëve të Sheualit nuk mund ta realizoj pasimin e agjërimit të Ramazanit, vetëm nëse e ka plotësuar komplet agjërimin e tij (Ramazanit).

Vetëm prej Allahut është suksesi. Salatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi Pejgamerin tonë Muhammed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.

Fetvaja me nr. 2264, vëllimi: 10, faqe: 393.

Komisioni në përbërje të: AbdulAziz bin Baz, AbduRrezak Afifi, Abdull-llah bin Gudejan, Abdull-llah bin Kuud.

Pyetje: Kam dëgjuar që nuk lejohet agjërimit kaza t’i bashkëngjitet agjërimi nafile (vullnetar), d.m.th. nëse dikujt i kanë mbetur ca ditë të Ramazanit pa agjëruara me arsyet sheriatike (fetare), pastaj i bën ato kaza (i kompenson) në muajin Sheual dhe dëshiron t’i agjëroj gjashtë ditë të këtij muaji (Sheualit), atëherë nuk i lejohet t’i bashkëngjis këto (të Sheualit) me ato (të kompensimit), mirëpo duhet të mos agjëroj një ditë mes tyre. A është kjo e saktë? Shpresojmë të na sillni dobi.

Përgjigje: Nuk di të ketë bazë (në Kuran dhe Sunnet) ajo që cekët. Duke u bazuar në argumentet e përgjithshme kuptohet se e vërteta është që nuk ka kurrfarë të keqe të veprohet asisoj. Allahu është i Vetmi që jep sukses.

Vëllimi: 15, faqe: 396.

Pëktheu: Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit