Disa fjalë për ata që thonë “Ne e pasojmë vetëm Kuranin (e sunetin jo)”

Disa fjalë për ata që thonë “Ne e pasojmë vetëm Kuranin (e sunetin jo)”

Kur Allahu na urdhëron ta pasojmë të Dërguarin salAllahu alejhi ue selem, kjo do të thotë “të punohet me sunetin e tij”. Allahu thotë: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, për të shpresuar mëshirën (e Allahut)!” Ali Imran 132. Dhe thotë: “E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë…” Nur 54. Këtu Allahu ka kushtëzuar “nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë (të udhëzuar)”. Dhe thotë: “Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit…” Nisa 59. Dhe thotë: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” Hashr 7. Pra, në Kuran ka dispozita të përgjithshme që nuk janë sqaruar dhe shtjelluar mirë. E komentimi dhe sqarimi i tyre ka ardhur përmes të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, në sunetin e tij. Shembull: në Kuran përmendet obligueshmëria e faljes së namazit, mirëpo nuk gjendet sqarimi se sa rekate ka namazi e as forma e tij. Këto i ka sqaruar suneti profetik. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur.” Po ashtu, njëjtë dhe me zekatin. Allahu në Kuran e obligon dhënien e zekatit, mirëpo nuk gjendet në të sasia/përqindja që e obligon dhënien e zekatit, apo llojet e pasurisë prej të cilave nxirret zekati.

Suneti i të Dërguarit është sqarues i Kuranit. Prandaj, ai që nuk punon me sunetin profetik, nuk ka punuar as me Kuran. Ata që thonë “dispozitat i marrim vetëm prej Kuranit, e jo prej sunetit”, e kanë përgënjeshtruar dhe kundërshtuar Kuranin. Ka shumë gjëra që nuk janë përmendur në Kuran, mirëpo kanë ardhur në sunet; në të kanë ardhur dispozita shtesë që fare nuk janë përmendur në Kuran. Allahu thotë: “Ju ndalohet martesa me gratë e bijve tuaj dhe t’i bashkoni dy motra, përveç rasteve që tashmë kanë kaluar.” Nisa 23. Pra, nuk lejohet martesa me dy motra së bashku. Kurse në sunet vjen dispozita shtesë: ndalohet martesa e një femre dhe e tezës së saj ose e hallës së saj së bashku (në një martesë). Andaj është obligim të punuarit me sunet ashtu siç është obligim të punuarit me Kuran. Allahu thotë: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” Hashr 7.

Për grupin e kuranijunëve ka paralajmëruar i Dërguari salAllahu alejhi ue selem, e çdo gjë që ai e ka thënë për fe ka qenë shpallje prej Allahut; dhe paralajmërimet për të ardhmen kanë qenë shpallje prej Tij. Transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe ibn Maxhe se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Është afruar koha e daljes së një njeriu të ulur në kolltukun e tij, i ngopur…” me këtë tregon se ky person është pasues i epshit/dunjasë, qëllimi i tij është dynjaja, ngopja e barkut, “…dhe thotë: “mes nesh dhe jush është Libri i Allahut…” Pra, sipas tij: nëse duam të gjykojmë, gjykojmë veç me Kuran, e jo me sunet, “…atë që e ka ndaluar Kurani, e ndalojmë edhe ne.” Dhe vazhdon duke thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Mua më është dhënë Kurani dhe diçka e ngjashme me të”, që është suneti. Nga kjo kuptojmë se si Kurani ashtu dhe suneti janë shpallje prej Allahut.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Dersi Asgjësueset e Islamit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit