Disa gjendje në të cilat lutjet marrin përgjigje

  1. Namazi. Kur besimtari është në namaz ai qëndron para Zotit të tij, i përulur, i kthyer me zemër, me mendje e me qenie kah Ai. Pjesë e namazit është sexhdja. Kur ai është në sexhde, kjo është gjendja kur është më së afërmi me Allahun. Andaj është mirë që në sexhde të shtojë lutjet e kërkesat. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Robi (njeriu) më së afërmi me Zotin e tij është kur është në sexhde. Andaj shtoni lutjet në të.” Muslimi. Dhe: “Kur jeni në sexhde shtoni sa më shumë lutjet, ngase kur jeni në këtë gjendje, është më parësore që lutjet të pranohen, sesa në gjendje të tjera.” Muslimi. Gjithashtu duhet të shtojë lutjet në fund të namazit para dhënies së selamit (pas etehijatit dhe salavateve).

 

  1. Gjatë agjërimit, qoftë agjërim farz (obligim) apo nafile (vullnetar). Kjo vlen gjatë tërë ditës kur besimtari është agjërueshëm (e jo vetëm para iftarit siç mendojnë njerëzit ngase hadithi i cili flet që të shtohen lutjet para iftarit është i dobët). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë tri lutje të cilat Allahu nuk i refuzon: lutja e prindit për fëmijën e tij, lutja e agjëruesit dhe lutja e udhëtarit.” Bejhekiu.

 

  1. Gjatë ihramit, qoftë për haxh apo umre. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që luft-on në rrugën e Allahut, ai që bën haxh dhe umre, janë delegacioni i Allahut (qëllimi: i pret Allahu me nderime të larta). Allahu i ka thirrë këta të tre e ata i janë përgjigjur thirrjes së Tij. Kur ata luten e kërkojnë prej Tij, Ai u jep atyre.” Ibn Maxheh. Koha më e vlefshme për haxhiun për të shtuar lutjet është dita e Arafatit. Kjo është dita kur lutjet marrin përgjigje dhe kur Allahu shlyen e i fal mëkatet e muslimanëve dhe ua mbulon të metat e lëshimet, ua largon brengat e shqetësimet dhe i ndihmon nevojtarët. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Lutja më e mirë është ajo në ditën e Arafatit. Fjala më e mirë që kam thënë unë dhe Pejgamberët para meje është: La ilahe ilAllahu wahdehu la sherike leh, lehul mulku we lehul hamdu, we huwe ale kuli shejin kadir.” Kjo ditë është e bekuar, e bereqetshme. Në këtë ditë njerëzit, sidomos kur ndodhen në malin e Arafatit, i mbulon qetësia, u shtohet besimi, nënshtrimi e përulja ndaj Allahut. Andaj të gjitha këto janë shkaqe që lutjet e tyre të marrin përgjigje prej Tij.Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Disa gjendje në të cilat lutjet marrin përgjigje”.
Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit