Disa prej parimeve të Ehli Sunetit dhe Xhematit

Shejh Salih el Feuzan, Allahu e ruajt!

Është shumë me rëndësi për çdo musliman t’i njohë parimet e Ehli Sunetit dhe Xhematit, duke pasur parasysh gjendjen që po jeton umeti islam; në fitne, mospajtime, përçarje dhe grupime të ndryshme…, ku secili grup thërret dhe pretendon se është në hak (të vërtetën), saqë muslimani i cili nuk ka dije, është në huti kë të ndjek dhe ta pasojë? Kurse, jobesimtari i cili dëshiron të bëhet musliman nuk di se cili është Islami i vërtet në bazë të asaj që ka lexuar dhe dëgjuar për të. Islami në të cilin udhëzon Kur’ani dhe Suneti i të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) është Islami të cilin më së miri e përfaqësuan sahabet dhe pasuesit e tyre (gjeneratat e arta). Kurse sot në shumicën e rasteve shihet Islam vetëm me emër (jo edhe me vepër), ashtu siç thotë njëri prej orientalistëve: “Islami (i vërtetë) është mbuluar prej atyre që i përkasin atij”.

Nuk themi se Islami ka humbur i tëri, për arsye se Allahu (subhanehu ue teala) ka garantuar për qëndrueshmërinë e tij me qëndrueshmërinë e Librit të Tij, siç thotë Allahu në Kuran: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” (El-Hixhr, 9)

Kurse i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Në vazhdimësi një grup njerëzish prej umetit tim do të jenë të ndihmuar (ngadhënjimtarë) në të vërtetën, nuk mund t’i dëmtojnë ata që i braktisin, e as ata që i kundërshtojnë; ata janë në hak derisa të vijë urdhri i Allahut.”

Andaj, bazuar në këtë e kemi obligim ta njohim këtë xhemat të begatshëm i cili përfaqëson Islamin e vërtet.

Ehli Suneti dhe Xhemati (grupi i cili është në hak) ecë mbi parime të qëndrueshme dhe të qarta si në bindje, po ashtu edhe në vepra dhe në sjellje. Dhe, këto parime janë të bazuara në Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem), ashtu siç kanë qenë selefët e këtij umeti, prej sahabeve, tabiinëve dhe atyre që i pasuan në të mirë.

Ja disa prej këtyre parimeve:

Parimi i parë

Besimi në Allahun, në engjëjt e Tij, në librat e shenjta, në pejgamberët, në Ditën e Fundit dhe besimi në kaderin (paracaktimin ) e Allahut (subhanehu ue teala).

• Besimi në Allahun: d.m.th njësimi i Allahut në zotërim, njësimi i Allahut në adhurim dhe njësimi i Emrave dhe Cilësive të Tij (subhanehu ue teala). Me një fjalë, pohimi i njësimit të Allahut në tri llojet e teuhidit dhe realizimi i tij praktikisht-në vepër.

• Besimi në engjëjt e Tij: d.m.th. besimi në ekzistimin e tyre, besimi se ata janë krijesa prej krijesave të Allahut, të krijuar prej drite, dhe me qëllim që ta adhurojnë Allahun dhe t’iu binden urdhrave të Tij (subhanehu ue teala).

• Besimi në librat e Tij: d.m.th. besimi në to dhe në atë që ato përmbajnë prej udhëzimit dhe dritës. Këta libra Allahu ua zbriti të dërguarve, me qëllim që njerëzimi të udhëzohen. Prej librave të shenjta më të dalluarat janë: Teurati, Inxhili dhe Kurani. Kurse, më madhori nga këto tre libra është Kurani fisnik.

Ehli Suneti besojnë se Kurani është fjalë e Allahut e zbritur (si shkrimi ashtu edhe përmbajtja e tij) – jo i krijuar, kundër asaj që pretendojnë Xhehmit dhe Mu’tezilit, të cilët thonë se: Kurani i tëri është i krijuar – shkronjat dhe përmbajtja e tij – dhe kundër asaj që pretendojnë Esh’arit, të cilët thonë se: përmbajtja e Kuranit është fjalë e Allahut kurse shkronjat janë të krijuara. Të dy pretendimet janë të kota, ngase Allahu në Kuran thotë: “Nëse ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti (Muhamed), mbroje, në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut…” (Et-Teube, 6)

• Besimi në pejgamberët: d.m.th besimi në të gjithë të dërguarit, ata që i ka përmendur Allahu dhe ata që nuk i ka përmendur, prej të parit deri tek i fundi. I fundit dhe vula e të gjithë të dërguarve është Muhamedi (salallahu alejhi ue selem). Besimi në të dërguarit e Allahut duhet të jetë i përgjithshëm, ndërsa besimi në të Dërguarin e fundit (Muhamedin salallahu alejhi ue selam) duhet të jetë i hollësishëm (detajuar). Duhet besuar se ai ishte vulë e të gjithë të dërguarve, nuk ka të dërguar pas tij, dhe se ai i cili nuk e ka këtë bindje është jobesimtar.

Gjithashtu besimi në të dërguarit do të thotë: mos nënçmimi apo teprimi ndaj tyre. Jo ashtu siç vepruan hebrenjtë dhe të krishterët, të cilët kaluan në ekstremizëm duke e tepruar (në respektimin) ndaj të dërguarve të Allahut deri në atë masë, saqë i konsideruan ata bijë të Allahut. Allahu në Kuran thotë: “Hebrenjtë thonë: Uzejri është i biri i Allahut”, të krishterët thonë : “Mesihu është i biri i Allahut”. Këto janë fjalët e tyre, nga goja e tyre, i imitojnë fjalët e jobesimtarëve të mëparshëm. I vraftë Allahu! Si po shmangen (nga e vërteta )!” (Et-Teube, 30)

• Besimi në Ditën e Fundit: d.m.th bindja rreth asaj që do të ndodhë pas vdekjes, ashtu siç kanë paralajmëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Si bindja në ndëshkimin dhe shpërblimin (që do të ndodhë) në varr, në ringjallje, në llogari, në peshojën e veprave, në marrjen e librit nga ana e djathtë apo nga e majta, në Urën e Siratit dhe në Xhenet e Xhehenem.

• Besimi në kader (paracaktim): d.m.th bindja se Allahu është i ditur për çdo gjë që ka qenë dhe që do të jetë, pastaj besimi se këto gjëra i ka shkruar në Leuhi Mahfudh (Pllakën e ruajtur), dhe çdo gjë që ndodh, qoftë hair (e mirë) apo sherr (e keqe), kufër apo iman, bindje apo mosbindje, ndodh me dëshirën e Allahut dhe caktimin e Tij, si dhe, besimi në krijimin e Tij (çdo gjë është krijesë e Tij që Ai krijoi dhe krijon). Këtu hyn, po ashtu, besimi i prerë se Allahu e do bindjen ndaj Tij, dhe urren mosbindjen, dhe se njerëzve u ka dhënë mundësi të veprojnë dhe të përzgjedhin me dëshirën e tyre bindjen apo mosbindjen, mirëpo çdo gjë ndodh sipas dëshirës së Allahut (subhanehu ue teala). Dhe jo siç mendojnë Xhebrit, të cilët thonë se: Njeriu është i imponuar në veprat e tij, nuk ka mundësi përzgjedhjeje. E as siç mendojnë Kaderit se: Njeriu është i lirë plotësisht, vepron çka të dëshiron pa dëshirën e Allahut.

Allahu i Lartësuar i ka kundërshtuar të dy grupet ku thotë: “Por ju nuk mund të dëshironi, përveç me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve!” (Et-Tekuir, 29)

Parimi i dytë

Ehli Suneti dhe Xhemati besojnë se: Imani është bindje, shqiptim dhe punë (vepër praktike), shtohet me vepra të mira dhe pakësohet me gjynahe. Nuk është imani vetëm fjalë dhe vepër pa bindje, sepse ky është imani i hipokritëve. Gjithashtu, nuk është imani vetëm bindje, apo vetëm bindje dhe fjalë pa vepra, sepse ky është imani i Murxhia’ve, kurse Allahu (subhanehu ue teala) në shumë raste veprat i quan iman, siç thotë:

“Besimtarë të vërtet janë vetë ata, zemrat e të cilëve, kur përmendët Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështetën; janë ata që falin namazin dhe japin (zekat) prej asaj që Ne ua kemi dhënë . Njëmend, ata janë besimtarë të vërtetë.” (El-Enfal, 2 – 4)

“Dijeni se, Allahu nuk jua humb besimin tuaj (d.m.th. namazin që e keni falur nga Kudsi).” (El-Bekare, 143)

Parimi i tretë

Prej parimeve të Ehli Sunetit dhe Xhematit është mos nxjerrja e muslimanëve prej dinit (fesë), përderisa nuk bie në kontradikta që zhvlerësojnë islamin e njeriut tërësisht. Ndërsa, rënia në mëkate të mëdha, të cilat nuk janë shirk dhe për të cilat nuk ka argument që vepruesi i tyre ka rënë në kufër, siç është rasti me lënien e namazit nga përtacia[1], atëherë ata nuk gjykojnë se ato (d.m.th. mëkatet e mëdha) e nxjerrin myslimanin prej fesë, por gjykojnë sa ato janë fisk (tejkalim i kufijve) dhe e dobësojnë/pakësojnë imanin, dhe nëse nuk pendohet, mbetët nën Mëshirën e Allahut, nëse dëshiron e falë, e nëse dëshiron e ndëshkon, mirëpo nuk mbetët përgjithmonë në Zjarr. Allahu thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që t’i shoqërohet diç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia falë kujt të dojë.” (En-Nisa, 48)

Qëndrimi i Ehli Sunetit në këtë çështje është mesatarë, ndërmjet Hauarixhve, të cilët i bëjnë tekfir (i gjykojnë për jobesimtarë) ata që bëjnë mëkate të mëdha edhe nëse ato nuk janë shirk, dhe ndërmjet Murxhiave, të cilët thonë për atë që bënë mëkat të mëdha se është besimtar me iman të plot, ngase (sipas tyre) nuk dëmtohet imani për shkak të gjynaheve ashtu siç nuk i bënë dobi kufrit (jobesimit) vepra e mirë.

Parimi i katërt

Prej parimeve të Ehli Sunetit është obligueshmëria e bindjes ndaj udhëheqësit musliman, përderisa nuk urdhëron në mëkat.

Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.” (En-Nisa, 59).

Gjithashtu, porosia e të Dërguarit të Allahut ishte: “Ju porosis me devotshmëri, dëgjim dhe bindje ndaj udhëheqësit edhe po të ishte (më parë) rob…” Ehli Suneti e shohin se mosbindja ndaj udhëheqësit është mosbindje ndaj të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), bazuar në fjalët e tij (alejhi salatu ue selam): “Ai i cili i bindet emirit (udhëheqësit) më është bindur mua, kurse ai i cili nuk i bindet udhëheqësit më ka kundërshtuar mua”.

Parimi i pestë

Sipas parimeve të Ehli Sunetit dhe Xhematit është e ndaluar kryengritja ndaj udhëheqësit musliman përderisa nuk del qartë nga feja. Për kundra asaj që pretendojnë Mu’tezilit, të cilët e bëjnë obligim kryengritjen ndaj udhëheqësit në momentin kur ai bie në mëkate të mëdha, edhe nëse nuk bie në kufër (jobesim), dhe këtë e shohin si urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja. Realiteti qëndron se kjo pikëpamje e Mu’tezilive është prej gjërave më të urryera, për faktin se prej kësaj pikëpamjeje burojnë rreziqet, kaosi, shkatërrimet dhe mundësia që armiqtë të ngadhënjejnë ndaj muslimanëve.

Parimi i gjashtë

Parim i Ehli Sunetit dhe Xhematit është se ata nuk i njollosin zemrat dhe gjuhët e tyre duke nënçmuar apo ofenduar shokët e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem). Përkundrazi, i vlerësojnë dhe i çmojnë ata ashtu siç i ka ngritur Allahu dhe i Dërguari (salallahu alejhi ue selem).

Allahu në Kuran thotë: “Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “ O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti Ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë.” (El-Hashr, 10)

Kurse i Dërguari (salallahu alejhu ue selam) thotë: “Mos i ofendoni shokët e mi, sepse edhe po të dhuronte ndonjëri prej jush ari (sadaka) sa kodra e Uhudit, nuk do të arrinte vlerën e dy grushteve (drithë) që ndonjëri prej tyre ka dhënë, e as gjysmën e saj.”

Dhe jo siç bëjnë risimtarët prej Rafidave dhe Havarixhëve të cilët i ofendojnë sahabët dhe mohojnë vlerat dhe pozitën e tyre. Ehli Suneti i shohin si kalifë të drejtë pas të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhu ue selem) Ebu Bekrin, më pas Umerin, pastaj Uthmanin, pastaj Aliun (kënaqësia e Allahut qoftë mbi ta).

Parimi i shtatë

Prej parimeve të Ehli Sunetit është argumentimi, pasimi i asaj që ka ardhur në Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit tekstualisht dhe kuptimisht, si dhe pasimi i rrugës së sahabeve, muhaxhirëve dhe ensarëve në përgjithësi , dhe i kalifëve të drejtë në veçanti, ashtu siç porosit i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) ku thotë: “Ju këshilloj të pasoni rrugën time dhe rrugën e kalifëve të drejtë.”

Nuk i japin përparësi fjalëve/opinioneve të njerëzve para fjalëve të Allahut dhe fjalëve të të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem). Dhe pas dy burimeve, Kura’anit dhe Sunetit, bazohen në konsensus të dijetarëve (ixhma’), që është burimi i tretë pas Kur’anit dhe Sunetit.

Shkëputur nga Libri “ Muhadarat fil-akideti ued-daueh”

Përktheu: Hajrullah Musa

_____________________________________________

[1] Domethënë, ka argument se lënësi i tij nga përtacia bënë kufër. Sh.p.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit