Disa sunete dhe rregulla në Ditën e Bajramit

  • Është vepër e pëlqyer që besimtari të pastrohet në Ditën e Bajramit, të parfumohet (burri), t’i veshë rrobat më të bukura që ka, pa teprim e mendjemadhësi (ndaj të tjerëve), e të dalë për falje të namazit me modesti e me zemër të kthyer tek Allahu.
  • Nuk i lejohet besimtarit të veshë rroba të mëndafshit në Ditën e Bajramit (e as ditëve të tjera), apo rroba nën nyjen e këmbës, apo të ngushta, apo të tejdukshme, apo të atilla që janë karekteristikë e jobesimtarëve. Po ashtu, nuk i lejohet ta rrujë mjekrën sepse disa mendojnë se rruajtja e saj është zbukurim për Bajram.
  • Grave u lejohet dalja për faljen e Bajramit. Mirëpo, ajo nuk duhet të parfumohet, as të zbukurohet, as të veshë rroba tërheqëse e të bukura. Duhet ta dijë se është duke shkuar për të kryer një adhurim ndaj Allahut. Andaj, si të shkojë të kryejë një adhurim ndaj Tij, e nga ana tjetër i bën mëkat Atij duke dal e zbuluar, apo e mbuluar mirëpo me rroba të bukura (tërheqëse)?
  • Është sunet ngrënia e hurmave para se të dalësh për faljen e Bajramit.
  • Është sunet që nëse shkon në një rrugë për të falë namazin e Bajramit, të marrësh një tjetër rrugë kur kthehesh për shtëpi.
  • Është sunet falja e Bajramit në shesh, duke u mbledhur të gjithë muslimanët e qyetit apo të vendit.
  • Nuk ka namaz para apo pas namazit të Bajramit (përveç rastit kur namazi i Bajramit falet në xhami, atëherë është sunet që kur të hyjë në xhami të falë dy rekate).

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit