~~Dita e Arafatit dhe adhurimet në këtë ditë~~

~~Dita e Arafatit dhe adhurimet në këtë ditë~~

?Nga Abdullah ibn Amr (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Lutja më e mirë është ajo në ditën e Arafatit dhe fjalët më të mira që i kam thënë unë dhe Profetët para meje janë: “La ilahe il-lAllahu wahdehu la sherike leh, lehul-mulku we lehul-hamdu, we huwe a’la kul-li shej’in kadir.” (Sahih El-Xhami’, 3274) (S’ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut, i Cili është i vetëm dhe i pashoq. Atij i përket sundimi e lavdia dhe Ai është i fuqishëm të bëjë çdo gjë!).

?I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Shpresoj tek Allahu që agjërimi i ditës së Arafatit t’i shlyejë mëkatet e vitit para saj dhe të vitit pas saj.” Muslimi.

⚘Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Letaif El-Me’arif” përmend se lirimi nga zjarri i Xhehenemit në ditën e Arafatit i përfshinë të gjithë muslimanët. Andaj, në këtë ditë të madhe, njeriu duhet të jetë i përkushtuar në kryerjen e veprave të mira; si: përmendja e Allahut, lutjet drejtuar Atij, leximi i Kuranit, namazi vullnetar, agjërimi, lëmosha etj., me shpresë që të fitojë faljen e Allahut të Lartësuar dhe lirimin nga zjarri.”

?Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kjo ditë (e Arafatit) është dita më e mirë e vitit për t’u lutur. Andaj, njeriu duhet të angazhohet tërësisht në përmendje të Allahut, lutje, lexim të Kuranit dhe të lutet me lloje të ndryshme të lutjeve e të përdorë lloje të ndryshme të dhikrit. Lutu për veten, prindërit, të afërmit, hoxhallarët, kolegët, shokët, të dashurit, për këdo që të ka bërë mirë dhe për muslimanët në përgjithësi! Ki kujdes të madh dhe mos u trego neglizhues në tërë këtë, sepse ajo nuk mund të zëvendësohet!” Kitab El-Edhka’r, 333.

☘I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Nuk ka ditë në të cilën Allahu i liron robërit e Tij nga zjarri i Xhehenemit më shumë sesa në ditën e Arafatit. Ai zbret (në qiellin e dynjasë), pastaj mburret me ta para engjëjve dhe thotë: “Çfarë dëshirojnë këta?” Muslimi, 1348.

?Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Në ditën e Arafatit është mirë që njeriu të zgjedhë lutjet e përcjella nga i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), siç është lutja që ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e thoshte shpesh: “O Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit të Xhehenemit!” Ndërsa, prej dhikrit është fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Lutja më e mirë është ajo në ditën e Arafatit dhe fjalët më të mira që i kam thënë unë dhe profetët para meje janë: “La ilahe il-lAllahu wahdehu la sherike leh, lehul-mulku we lehul-hamdu, we huwe a’la kul-li shej’in kadir.”
(Esh-Sherh El-Mumti’, 7/295).

?Aisha (radijAllahu anha) thotë: “Nuk ka ditë të vitit më të dashur tek unë për ta agjëruar (vullnetarisht) sesa agjërimi i ditës së Arafatit.” (Musned ibn El-Xha’d, 512).

Përktheu Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit