Dobitë e dhikrit- Hoxhë Lulzim Perçuku (Ligjëratë e transkriptuar)

Dobitë e dhikrit

1. Dhikri e dëbon shejtanin
Allahu thotë: “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’ia caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” Zukhruf, 36. Ky ajet na tregon se sa më shumë që e përmendim Allahun, aq më larg qëndron shejtani; sa më pak që e përmendim Atë, aq më afër është ai (shejtani).

Dhikri bëhet shkak që njeriu të shpëtojë prej shejtanit. Shejtani është gjithmonë në luftë me të, deri në frymëmarrjen e fundit (të njeriut). E nuk ka mundësi ta mbrojë veten ndryshe përveçse me dhikër. Ibn Abbasi radijAllahu anhu thotë: “Shejtani qëndron mbi zemrën e birit të Ademit (e ka mposhtur zemrën e tij). Nëse ai tregohet i shkujdesur në përmendjen e Allahut, ai i bën cytje atij. E nëse e përmend Allahun, ai largohet.”

2. Dhikri është jetë për zemrën
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend Allahun dhe i atij që nuk e përmend Atë, është sikurse dallimi/shembulli mes të gjallit dhe të vdekurit.”

Në një tjetër transmetim të këtij hadithi thotë: “Shembulli i shtëpisë në të cilën përmendet Allahu dhe shtëpisë në të cilën nuk përmendet Ai, është sikurse dallimi/shembulli mes të gjallit dhe të vdekurit.” Pra, personi që e përmend Allahun është i gjallë, shtëpitë në të cilat përmendet Ai janë shtëpi të të gjallëve.

Nëse njeriu nuk e përmend Allahun, zemra e tij dobësohet e dikur vdes. Ibn Tejmije thotë: “Dhikri për zemrën është sikurse uji për peshkun. Si është gjendja e tij kur largohet prej ujit?” Nuk ka mundësi që njeriu të ketë jetë në zemrën dhe shpirtin e tij përveçse me përmendjen e Allahut. Në të kundërt, zemra e tij ngurtësohet, errësohet, mbushet me të këqija. E kur e përmend atë, zemra e tij ngjallet, përmirësohet dhe i shtohet e mira, me ç’rast bereqeti dhe dobia prej saj janë gjithëpërfshirëse pastaj.

3. Dhikri është qetësi/prehje për zemrën
Allahu thotë: “…zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad, 28. Zemra qetësohet, rehatohet dhe mbushet me lumturi e dashuri, largohen ankthet, brengat, pikëllimet e shqetësimet, atëherë kur njeriu e shton dhikrin. Andaj gjejmë se ata që e përmendin Allahun shumë (dhe vazhdimisht), kanë zemra të qeta e të lumtura, qofshin në mirëqenie apo në vështirësi, në shëndet apo sëmundje, në varfëri apo pasuri; nuk ka mundësi që në to të depërtojnë brengat, dëshpërimet, ankthet dhe shqetësimet.

Në një tjetër ajet Allahu tregon se kush janë ata që arrijnë të kenë zemra të qeta. E këta janë ata të cilët e përmendin Allahun në çdo gjendje. Allahu thotë: “…për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë.” Ali Imran 191. Kur besimtari vepron kështu, zemra e tij do të jetë e qetë (siç përmendet në ajetin e sipërpërmendur nga surja Rad), qetësi të cilën i gjithë njerëzimi e kërkon. Mirëpo, vetëm një kategori e njerëzve e arrijnë qetësinë e zemrës, e ata janë besimtarët të cilët e përmendin shumë Allahun.

4. Dhikri e largon ngurtësinë e zemrës
Dhikri i largon sëmundjet e zemrës, është shërim për të dhe mjekim për sëmundjet e saj. Mekhul ibn Abdilah rahimehullah ka thënë: “Përmendja e Allahut është shërim për zemrën, kurse përmendja e njerëzve është sëmundje.” Prej sëmundjeve të zemrës është ngurtësia e saj, gjë kjo që e ka goditur secilin prej njerëzve sot që janë shtuar shkaqet e bërjes së mëkateve. Mëkatet dhe neglizhenca në përmendjen e Allahut prej njeriut janë dy shkaqet kryesore që e ngurtësojnë zemrën e tij. Të pendohemi për mëkatet e bëra e të kërkojmë falje për to dhe ta përmendim Allahun, kështu do të zbuten zemrat tona.

Nuk ka gjë që e zbutë zemrën më shumë sesa përmendja e Allahut dhe nuk ka gjë që e ngurtëson atë më shumë sesa shkujdesja në këtë. Allahu thotë: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur…” Hadid 16. Abdullah ibn Mesudi tregon se kanë qenë pak (7-8) persona që e kanë pranuar Islamin kur ka zbritur ky ajet. Pra, Allahu, qysh në fillim të shpalljes së Islamit i ka qortuar sahabët me këtë gjë.
Shkaku i ngurtësimit të zemrës është kur njeriu për një kohë të gjatë nuk e përmend Allahun, nuk e përkujton, nuk e kujton takimin me Të, nuk i kryen urdhrat e Tij dhe nuk u largohet ndalesave të Tij etj. Sa më larg Allahut, zemra është më e ngurtësuar. Gjallëria e saj vjen me kthimin tek Allahu.

Thotë Allahu: “Dijeni, se Allahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj! Ne ju sqarojmë shpalljet, në mënyrë që ju të kuptoni!” Hadid, 17. Ashtu siç Allahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj duke lëshuar shi, ashtu dhe i ngjall zemrat e vdekura kur ato mbushen me përmendjen e Tij.

Një person iu ankua Hasan el Basriut për ngurtësimin e zemrës dhe ai e këshilloi: “Zbute (shkrije) atë me përmendjen e Allahut!”

5. Kur njeriu e përmend Allahun, Ai e përmend atë
Shpërblimi është sipas llojit të veprës. E ai që e përmend Allahun, edhe Ai e përmend atë. E ai që e harron Allahun, edhe Ai e harron atë- qëllimi është se nuk e përmend atë; shpërblim përkatës.

Në hadith Kudsij thotë Allahu: “Nëse njeriu më përmend në veten e tij (kur është i vetmuar), Unë e përmendi në Veten Time. Nëse më përmend në prezencë të të tjerëve*, edhe Unë e përmend te disa (te engjëjt) që janë shumë më të mirë sesa ata.” Mbretërinë dhe sundimin e Allahun nuk e shton dhikri i atyre që e përmendin Atë, e as nuk e pakëson shkujdesja e tyre në këtë. Mirëpo, Ai prej butësisë, mëshirës dhe bamirësisë së Tij e përmend përmendësinë e Tij.

A ka pozitë më të lartë për besimtarin sesa të arrijë që Allahu ta përmendë atë te shoqëria e lartë e qiellit (tek engjëjt)?! Pra, Allahu e përmend atë edhe pse nuk ka nevojë për të. Kurse ti je shumë i varfër dhe nevojtar për Të.

*Nuk është qëllimi për bërjen e dhikrit në formë grupore, e cila nuk ka bazë në sunetin e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem.

6. Allahu dhe engjëjt dërgojnë salavate për atë që e përmend Atë
Allahu thotë: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” Ahzab 41-42. Cili është shpërblimi për këtë? Pason ajeti: “Është Ai që ju bekon, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë.”

Qëllimi me dërgimin e salavateve prej Allahut është: Allahu e përmend dhe e lavdëron përmendësin e Tij te banorët e qiellit (te engjëjt). Qëllimi i dërgimit të salavateve prej engjëjve është: lutja e tyre për të tek Allahu.

Kur njeriut i rritet besimi, i shtohet përmendja e Allahut, e me këtë i shtohet dhe më shumë lutja e engjëjve për të.

7. Dhikri është shkak për ruajtjen e gjuhës
Njeriu patjetër se do të flasë. Nëse ai nuk flet mirë, do të flasë keq. Gjuha e atij të cilit i është tharë nga përmendja e Allahut, do të flasë fjalë të këqija (përgojim, bartje të fjalëve, gënjeshtra, fyerje, përqeshje etj.).
Kur gjuha angazhohet me përmendjen e Allahut, atëherë këto mangësi e mëkate të gjuhës do të largohen gradualisht. Nuk ka mundësi që të ruhet gjuha me diçka më të mirë sesa me kujdesin ndaj përmendjes së Allahut, në vazhdimësi.

8. Përmendja e Allahut është shenjë e dashurisë ndaj Tij
Secili që e do shumë një gjë do ta përmendë shpesh atë. Nëse do ta dish se a e do Allahun apo jo, kthehu tek vetvetja dhe shih sa e përmend Atë. Nëse e përmend shpesh Allahun (dhe gjërat që dërgojnë tek Kënaqësia e Tij), kjo tregon se e do Atë. E kush e do jetën e kësaj bote, e përmend shumë atë.

9. Dhikri është shkak i fshirjes së mëkateve dhe shpëtimit prej dënimit të Allahut
Transmeton imam Ahmedi në “Musned” nga Muadh ibn Xhebeli radijAllahu anhu i thotë se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu nuk ka bërë ndonjë vepër që e shpëton më shumë prej Dënimit të Allahut sesa dhikri (përmendja e Allahut).”

10. Dhikri sjell shpërblime e nderime të shumta prej Allahut
Shpërblimet e nderimet e Allahut që vijnë prej dhikrit nuk i gjejmë në asnjë prej veprave të tjera të mira me të cilat e adhurojmë Atë, me gjithë faktin se dhikri është adhurimi më i lehtë. Për ta përmendur Allahun duhet vetëm ta lëvizim gjuhën, e nuk ka lëvizje më të lehtë sesa lëvizja e saj (prej lëvizjeve të organeve dhe gjymtyrëve të tjera). Nëse ndonjë organ apo gjymtyrë e trupit tonë do të lëvizte si gjuha gjatë ditës e natës, do të lodhej shumë.

I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush thotë “La ilahe ilAllahu wahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamdu, ue huwe ale kul-li shejin kadir” 100 herë gjatë ditës, ka shpërblim sikur t’i lirojë 10 robër, i shkruhen 100 shpërblime (punë të mira), i fshihen 100 mëkate dhe do të jetë i mbrojtur prej shejtanit, deri në mbrëmje. Askush nuk ka bërë vepër më të mirë sesa ky përveç atij që ka vepruar njëjtë apo që ka thënë më shumë se kaq.” Buhariu dhe Muslimi. Një vepër kaq e thjeshtë me shpërblime të shumta!

Transmetohet në dy sahihat se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem thotë: “Kush thotë “subhanAllahi ue bihamdihi” gjatë ditës 100 herë, i shlyhen mëkatet edhe nëse janë sa shkuma e detit.” E ne e dimë se sa e shumtë është shkuma e detit.

I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Të them “SubhanAllah, elhamdulilah, la ilahe ilAllah dhe Allahu ekber”, është më e dashur për mua sesa e gjithë bota (dhe jeta e kësaj bote).” Muslimi.

11. Me dhikër i mbjell pemët e xhenetit në të cilin do të hysh
Siç ka ardhur në hadithe të sakta, toka e xhenetit është sipërfaqe e rrafshët, dheu i saj është dhe i mirë, uji i saj është shumë i shijshëm. Për ta mbjellë tokën e xhenetit duhet bërë dhikër (në këtë botë). I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Natën e Israsë dhe Miraxhit (kur është ngritur në qiell) e takova Ibrahimin. Më tha: “O Muhamed, përcillja selamin prej meje ummetit tim dhe tregoju se xheneti e ka dheun e mirë (në disa hadithe të tjera ka ardhur se është prej miskut dhe zaferanit), uji i tij është i ëmbël, toka e tij është e rrafshët (që s’ka mbi të asgjë) dhe pemët e tij mbillen me dhikër, kur njeriu thotë: subhanAllah, elhamdulilah, la ilahe ilAllah dhe Allahu ekber. Sa më shumë që i shton, aq më shumë mbillen pemët të tij në xhenet.” Tirmidhiu.

Në një tjetër hadith tregohet se Ibrahimi i thotë të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem: “Urdhëroje ummetin tënd që sa më shumë të shtojë mbjelljen e pemëve në xhenet, ngase dheu i tij është shumë i mirë dhe toka është e gjerë.” I Dërguari salAllahu alejhi ue selem e ka pyetur: “Çfarë e shton mbjelljen e pemëve në xhenet?” Ai i thotë: “Thënia e fjalës “La hawle ue la kuw-wete ila bilah!” Transmeton imam Ahmedi.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Kush thotë “SubhanAllahi ue bihamdihi” një herë, do t’i mbillet një palmë në xhenet.” Tirmidhiu.

12. Atij i cili e përmend Allahun shpesh, i jepet dritë në këtë botë, në varr dhe Ditën e Ringjalljes
Allahu thotë: “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” Enam 122. I pari të cilin e përshkruan Allahu është besimtari të cilin Ai e ka ndriçuar me besim, dashuri ndaj Tij, me njohjen e Tij dhe me përmendjen e Tij. Ndërsa i dyti është ai i shkujdesuri ndaj Allahut, i cili ia ka kthyer shpinën Atij, përmendjes së Tij dhe dashurisë ndaj Tij. I gjithë shpëtimi është kur njeriut i jepet kjo dritë dhe mjerimi është kur i merret ajo.

Dhikri është dritë për besimtarin, për zemrën e tij, fytyrën e tij, gjymtyrët dhe pjesët e trupit të tij; është dritë në këtë botë që e rrethon nga të gjitha anët; është dritë kur vendoset në varr; e pa dyshim do të jetë dritë dhe në Ditën e Gjykimit.

13. Kur besimtari e përmend Allahun kjo është shkak që Ai t’i vërtetojë fjalët e tij
Kur njeriu e përmend Allahun përmes Cilësive që tregojnë për Madhështinë dhe Përsosmëri për Të, atëherë patjetër se Ai do t’ia vërtetojë ato fjalë. E kur Ai i vërteton fjalët e tij, kjo tregon se nuk do të ringjallet në Ditën e Gjykimit me gënjeshtarët, por me ata që e kanë thënë të vërtetën.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Kur njeriu të thotë “La ilahe ilAllah, Allahu akber”, Allahu i Lartësuar të thotë: “Të vërtetën e thotë robi Im. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje dhe Unë jam më i Madhi.”

Kur njeriu thotë: “La ilahe ilAllahu wahdehu”, Allahu thotë: “Të vërtetën e thotë robi Im. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje dhe Unë jam i Vetmi.”

Kur njeriu thotë: “La ilahe ilAllahu wahdehu la sherike leh”, Allahu thotë: “Të vërtetën e thotë robi Im. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje dhe Unë nuk kam ortak/rival.”

Kur njeriu thotë: “La ilahe ilAllahu lehul Mulku we lehul hamdu”, Allahu thotë: “Të vërtetën e thotë robi Im. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje, Mua më takon i gjithë Sundimi dhe i gjithë Lavdi.”

Kur njeriu thotë: “La ilahe ilAllah, la hawle we la kuwwete ila bilah”, Allahu thotë: “Të vërtetën thotë robi Im. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje dhe nuk ka ndryshim dhe forcë veçse përmes Meje.” Ibn Maxheh, Tirmidhiu.

14. Dhikri i shumtë është siguri prej hipokrizisë
Allahu i ka përshkruar hipokritët se ata e përmendin Allahun pak, siç thotë: “…dhe Allahun e përmendin fare pak.” Nisa 142. Kabi rahimehullah ka thënë: “Ai që e shton përmendjen e Allahut, pastrohet/distancohet prej hipokrizisë (nifakut).”
Allahu në suren Munafikun thotë: “O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.” Ajeti 9. Me këtë Allahu na tërheq vërejtjen dhe na paralajmëron prej fitnes së mynafikëve për të mos u bërë si ta, të cilët janë të shkujdesur ndaj përmendjes së Allahut. Kjo ka qenë një prej arsyeve që ata kanë rënë në hipokrizi.
Prej simboleve të hipokrizisë është përmendja e paktë e Allahut. Kurse e kundërta, përmendja e shpeshtë dhe e shumtë e Allahut, është një lloj sigurie se personi nuk ka hipokrizi në zemrën e tij. Allahu është shumë më Fisnikë sesa ta sprovojë me hipokrizi një zemër që e përmend Atë shpesh; kjo nuk i shkon bujarisë dhe fisnikërisë së Tij. Por kjo gjë (hipokrizia) i godet vetëm të shkujdesurit ndaj përmendjes së Allahut dhe që e përmendin Atë pak.

15. Allahu është afër atij që e përmend Atë dhe është me të
Allahu është afër të gjitha krijesave me dijen, shikimin dhe dëgjimin e Tij. Dhe me disa prej krijesave ka një “afërsi” të veçantë: pra që Allahu i do ata, u ndihmon, u jep sukses, i bën të dashur të Tij, i përkrahë etj. Allahu thotë: “Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” Nahl 128. Dhe: “Allahu është me të durueshmit.” Bekare 249. Dhe: “Vërtet, Allahu është me punëmirët!” Ankebut 69.

E atij që e përmend Allahun i takon hisja më e plotë në këtë. Allahu thotë në hadith kudsij: “Unë do të jem me robin Tim për aq sa më përmend Mua dhe buzët e tij lëvizin me përmendjen Time.” Buhariu, Ahmeti, Ibn Maxheh.
16. Dhikri sjell shumë mirësi dhe largon fatkeqësitë me të cilat personi do të goditej
Nuk ka gjë që i sjell mirësitë dhe dhuntitë e Allahut, si dhe e largon dënimin dhe ndëshkimin e Tij, sesa dhikri. Allahu thotë: “Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët.” Haxh 38. Dijetarët kanë thënë se mbrojtja e Allahut ndaj besimtarit është në varësi të besimit të tij. Sa më i plotë që është besimi, aq më e madhe do të jetë mbrojtja e Allahut ndaj tij. E ajo gjë që e forcon besimin është dhikri. Sa më i plotë besimi, aq më i shumtë do të jetë dhe dhikri.

Sa më shumë që njeriu e beson Allahun, aq më shumë do ta përmendë Atë. E sa më shumë që e përmend Atë, aq më e madhe do të jetë mbrojtja ndaj tij. E kur njeriu mangëson në njërën prej këtyre, pakësohet edhe mbrojtja e Allahut ndaj Tij.

Ligjërata “Fikhu i lutjeve dhe dhikreve”, hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit