Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Durimi: Zgjidhje për brengat e jetës

[1]Durimi : Zgjidhje për brengat e jetës

Nga Imam Abdurrahman ibën Hasen Alu Esh-Shejh (v.1285H)

Al Ibanaah Issue no.2 / Marrë nga: Fet’hul-Mexhid li Sherh Kitabit-Teuhid (2/603-615);

 

 

 

Virtytet e durimit

 

Imam Ahmedi (v.241 H) ka thënë: “Allahu e ka përmendur sabrin (këmbënguljen me durim) në më shumë se 90 vende në librin e Tij.” [2]

Dhe thuhet në një hadith të saktë: “Sabri (durimi) është dritë.[3]

Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) gjithashtu ka thënë : “Nuk i është dhënë ndokujt ndonjë gjë më e mrekullueshme (më e mirë) dhe më gjithë-përmbledhëse sesa sabri.”[4]

Umeri (radijAllahu anhu) ka thënë: “Ne e konsideronim si pjesën më të mirë të jetës sonë atë në të cilën kishte sabër (durim).[5]

Aliu (radijAllahu anhu) ka thënë: “Vërtetë që sabri është prej imanit (besimit). Pozita e tij është si koka në raport me pjesën tjetër të trupit.” Pastaj ai e ngriti zërin dhe tha: “Me të vërtetë, nuk ka iman (besim) për atë që nuk ka sabër (durim).”[6]

Kuptimi i durimit

 

Fjala sabër (në gjuhën arabe) vjen nga ‘sabera’ – të jesh i durueshëm dhe të jesh këmbëngulës, do të thotë ta frenohesh dhe përmbash veten. (Në kuptimin sheriatik) nënkupton: të përmbajturit e shpirtit nga të qenit i shqetësuar; të përmbajturit e gjuhës nga ankimi dhe të përmbajturit e duarve nga goditja e faqeve, grisja e rrobave dhe të bërit e veprimeve të tjera të ngjashme me këto. Kjo është përmendur nga Ibnul Kajimi (v.750H).[7]

Dhe dije se sabri (durimi) është tri lloje:

[1] durimi në (përmbushjen) e urdhrave të Allahut,

[2] durimi (në braktisjen dhe largimin) nga ndalesat e Allahut dhe

[3] durimi në caktimin e Allahut sa i përket vuajtjeve dhe vështirësive.

Udhëzim për zemra

 

Allahu, më i Larti, thotë: “Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë” [8]

Ky ajet fillon me: “Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut.” Për këtë ajet Ibën Abasi ka thënë: “Me vullnetin e Allahut – që nënkupton: ‘me vullnetin dhe Fuqinë e Tij.”[9]

Pra, kuptimi i këtij ajeti është: Asnjë e keqe nuk ndodh veçse me Meshijenë (vullnetin), Iradenë (dëshirën) dhe Hikmenë e Tij (urtësinë), siç thotë Allahu: S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfudh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!” [10]

Dhe thotë Allahu: “Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre, ata janë në rrugën e drejtë!” [11]

Dhe thënia e Allahut: “Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij” nënkupton: “Kushdo që goditet me ndonjë të keqe, e di se është me vendimin (caktimin) e Allahut dhe Fuqinë e Tij, dhe ata të cilët me durim i dorëzohen (nënshtrohen) asaj (caktimit të Allahut), atëherë Allahu personat e tillë i shpërblen duke ua udhëzuar zemrat e tyre në të drejtën. Po ashtu, ky është shkaku kryesor i të gjitha lumturive, dhe bazë (themel)­ i përsosmërisë në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu një personi të tillë i premton (shpërblim) për atë që Ai e ka marrë prej tyre.” [12] Dhe thënia e Allahut: Allahu di mirë çdo gjë.” është një përkujtues se ngjarjet e tilla (ndodhitë e tilla) janë nga Dija e Tij të cilën e kërkon Urtësia e Tij, e që e obligon sabrin dhe të qenit i kënaqur me caktimin e Tij.

Ebu Dhibjani ka thënë: ‘Ishim me Alkamen [13] kur ky ajet iu recitua atij :“Dhe kushdo që beson në Allahun, Ai ia udhëzon zemrën e tij (në të) drejtë.” E ai tha: ”Është njeriu i cili, kur goditet me ndonjë të keqe, e di se ajo është nga Allahu, kështu që ai është i kënaqur me atë dhe i nënshtrohet asaj.” [14]

Transmetimi i lartpërmendur është argument që veprat janë pjesë e Imanit (besimit).

Se’id ibën Xhubejri (v.104H) ka thënë për: “Dhe kushdo që beson në Allahun, Ai ia udhëzon zemrën e tij (në të) drejtë.” Ai ka thënë: ”Kur (në kohën e ndonjë sprove) njeriu thotë: Vërtetë të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi.”

Në ajetin e lartpërmendur ka një shpjegim se të kesh sabër (durim) është shkak për udhëzimin e zemrës; duke qenë kjo shpërblim për durimtarin.

Të ankuarit në caktimin e Allahut

 

Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë : “Dy cilësi të njerëzve janë nga mosbesimi: sulmi mbi atësinë e ndokujt dhe vajtimi i të vdekurit.” [15]

Nënkupton: që këto dy cilësi janë veprime të kufrit (mosbesimit), meqë janë veprime të xhahilijjetit (injorancës së hershme para Islamike) që vazhdojnë të jenë të pranishme ende tek njerëzit. Askush nuk do të ngelet i siguruar nga ato, përveç atij që Allahu i jep siguri, dhe atij që Allahu i jep dituri dhe iman (besim).

Megjithatë, duhet të dihet se kushdo që ka në veten e tij një degë kufri (mosbesimi), atëherë kjo nuk e bën personin kafir (jobesimtar) me kufër absolut, sikurse edhe personi i cili në veten e tij ka degë nga imani (besimi), ai nuk mund të thirret mu’min (besimtar) me iman absolut. Në të vërtetë, qëndron një dallim në mes fjalës kufër që e ka nyjen shquese (d.m.th el-kufr) dhe fjalës kufër pa nyjen shquese, siç ngjan në thënien e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Në mes të robit dhe el kufr-it dhe esh-shirk-ut, është lënia e namazit.” [16]

Thënia e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Sulm në atësinë e dikujt, ” do të thotë: gjetja e gabimeve dhe e të metave të tjetrit. Në këtë hyn edhe mohimi i rremë i atësisë së një njeriu tjetër duke thënë: “Ky nuk është djali i filan filanit” duke e ditur se ky mohim është i rremë (jo i vërtetë).

Dhe thënia e tij, “të vajturit e të vdekurit” do të thotë: të ngrihet zëri vajtues gjatë vajtimit, duke numëruar cilësitë e të vdekurit. E gjithë kjo është një formë ankese ndaj caktimit të Allahut dhe është kundër sabrit, si p.sh. thënia e atij që vajton: “Ai ishte shoku im i ngushtë”, “ai ishte ndihmësi dhe përkrahësi im”.

Pra, në hadithin e lartpërmendur ka argument për obligimin e të pajisurit me durim, dhe argument për llojin e kufrit i cili nuk e bën personin kafir.

Zemra të ndjeshme dhe lot mëshire

 

Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai i cili e godet fytyrën (faqet), i gris rrobat dhe thërret me thirrjen e xhahilijjetit.” [17] Kjo është njëra nga ato tekstet kërcënuese që është përcjellë në Shpallje. Tregohet nga Sufjan eth-Theuri dhe Imam Ahmedi që atyre nuk u pëlqente shpjegimi i domethënies së kërcënimeve të tilla, në mënyrë që njerëzit të kishin frikë të kryenin vepra të tilla dhe të qëndronin larg nga to. Ky transmetim është argument që veprat e lartpërmendura janë kundër imanit (besimit) të plotë.

Hafidh Ibën Haxheri (v.852H) duke e shpjeguar thënien: “Kush godet faqet” ” ka thënë: “Faqet janë specifikuar meqë janë pjesa më e zakonshme që goditet. Mirëpo, të goditurit e ndonjë pjese tjetër të fytyrës është e njëjta gjë” [18]

Thënia e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): ”Grisja (shkulja) e rrobave, ” do të thotë: shkuljen e rrobave nga gjoksi. Kjo ishte traditë e njerëzve të xhahilijjetit si shprehje e vajtimit të të vdekurit.

Ibën Tejmije (v.728H) ka thënë për: “dhe thërrasin me thirrjen e xhahilijjetit”. ”Nënkupton të vajtuarit (ulërimën) për të vdekurin.”[19]

Ibnul Kajimi (rahimehullah) ka thënë:

“Të përfshira në thirrjen e xhahilijjetit janë edhe thirrjet në fise, thirrjet partiake ‘me shpirt’ (sh.p: t’i qëndrosh besnik një partie, të jesh i devotshëm ndaj saj); të qenit xheloz dhe fanatik ndaj medh’hebit (mendimeve) të ndokujt, të ndonjë partie apo shejhu (dijetari); t’i japësh ndokujt përparësi ndaj ndokujt tjetër dhe të thërrasësh në këtë; të formosh bashkim dhe armiqësi duke u bazuar në këtë. E gjitha kjo është nga thirrjet e xhahilijjetit.”

Ebu Umameh transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka mallkuar gruan që e godet fytyrën, gris (shkul) rrobat e saj dhe vajton (ulërinë) për të vdekurin.[20]

Kështu, kjo është dëshmi se këto veprime janë prej mëkateve të mëdha. Ndërsa, kush vajton lehtë, pa u bërë i padurueshëm në caktimin e Allahut, pa u ankuar ndaj tij dhe thotë vetëm atë që është e vërtetë, atëherë një vuajtje e tillë është e pranuar. Sikurse vuajtja e Ebu Bekrit[21] dhe Fatimas[22] (radiAllahu anhuma) kur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) vdiq. Në lidhje me këtë është edhe një tekst nga imam Ahmedi (rahimehullah).[23]

Kjo nuk është dëshmi për ndalimin e të qarit, sepse kjo ndodh në një transmetim autentik: Kur i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) erdhi për t’u njoftuar për vdekjen e djalit të tij Ibrahimit, ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha : “Sytë derdhin lot, zemra brengoset, por ne nuk themi asgjë përveç asaj me të cilën është i kënaqur Zoti ynë. O Ibrahim! Për shkak të ndarjes nga ti ne po pikëllohemi.” [24]

Në të dy Sahihët, Usameh bin Zejdi transmeton: Se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) shkoi te njëra nga vajzat e tij e cila kishte me vete fëmijën e saj të vogël që ishte duke vdekur. Kështu, ai e ngriti fëmijën dhe e vendosi në prehrin e tij, e gulçonte (mbante gojën hapur) për ajër. Me të parë këtë, lotët rrodhën poshtë syve të Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Sa’di tha: O i Dërguar i Allahut! Ç’është kjo? Ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ia ktheu: “Kjo është mëshirë të cilën Allahu e fut në zemrën e robit të Tij. Dhe Allahu është i mëshirshëm për ata robër të Tij që tregojnë mëshirë për të tjerët.”[25]

Sprovat ballafaqohen nga besimtarët

 

I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur Allahu don t’i bëjë mirë një robi, Ai shpejton ta dënojë atë në këtë botë. Dhe kur Allahu don t’i bëjë keq një robi, Ai ia shtyn dënimin deri në Ditën e Gjykimit.[26]

Thënia e Tij: “Kur Allahu don t’i bëjë mirë një robi, Ai shpejton ta dënojë atë në këtë botë” nënkupton që ai (robi) dënohet duke u sprovuar me mundime dhe vështirësi për shkak të mëkateve që i ka bërë, dhe kështu ai pastrohet nga të gjitha ato, dhe në botën tjetër nuk ka mëkate për të cilat duhet dhënë llogari.

Shejhul Islam Ibën Tejmije ka thënë:

Dukuria e sprovave në të vërtetë është një formë bekimi, meqenëse ato janë pastrim për mëkatet që janë kryer dhe ato e thërrasin njeriun që të ketë sabër – për të cilin ai shpërblehet mjaftueshëm. Gjithashtu, ato e bëjnë njeriun që të kthehet te Allahu me pendim, duke qenë i përulur dhe i nënshtruar para Tij, në të njëjtën kohë duke u larguar nga çdo shpresë ndaj ndonjë krijese.

Prapa këtyre ka dobi tjera të mëdha.

Sprovat që e godasin njeriun janë në të vërtetë shkak që Allahu t’ia fshijë mëkatet e tij, dhe kjo është njëra nga bekimet më të mëdha. Kështu që kur ndodhin fatkeqësi (sprova), kjo është burim i mëshirës dhe bujarisë, me kusht që personi të mos hyjë në atë që do ta dërgonte edhe në mosbindje më të madhe se më parë. Ndodh që kjo sprovë të bëhet shkak për një të keqe më të madhe në Dinin (fenë) e njeriut. Vërtetë, ka njerëz të cilët kur goditen me ndonjë sprovë apo fatkeqësi siç është vobektësia, sëmundja apo mungesa e ushqimit, kjo shkakton që në ta të mbijë hipokrizi, ose shkakton sëmundje në zemrat e tyre, ose shkakton që ata të bien në mosbesim dhe mosmirënjohje, ose të heqin dorë nga obligimet e caktuara ose kryejnë veprime të ndaluara, e këto të gjitha janë skajshmërisht të dëmshme për Dinin (fenë) e njeriut. Kështu që, të qëndrosh i siguruar dhe të jesh i mbrojtur kundrejt sprovave dhe fatkeqësive të tilla, është më e mirë për një njeri, pasi që vuajtjet dhe sprovat, në vend që të jenë burim i bekimeve, mund të bëhen burim i dëmeve të mëdha. Kështu, nëse njeriu bën sabër (durim) dhe vazhdon të jetë i bindur (i dëgjueshëm ndaj Krijuesit të tij), atëherë mundimet dhe vuajtjet e tilla kanë qenë mëshirë dhe bekim nga Allahu, i Lartësuar dhe i Madhëruar, gjë që e bën të nevojshëm falënderimin ndaj Tij.

Andaj, kushdo që është goditur me një fatkeqësi dhe është pajisur me sabër (durim), atëherë ky durim është bekim për personin dhe mëshirë për të, pasi që mëkatet e tij fshihen për shkak të kësaj fatkeqësie. Gjithashtu, Zoti i tij e fal dhe mburret me të, siç thotë edhe Allahu, i Lartësuar qoftë: “Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!.[27] Personi i tillë është i falur nga mëkatet prej Zotit të Tij, dhe gjithashtu është i ngritur në shkallë të larta – të gjitha këto janë për atë i cili bën sabër (durim). [28]

Thënia e të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Kur Allahu don t’i bëjë keq një robi, Ai ia shtyn dënimin deri në Ditën e Gjykimit” nënkupton: dënimi i një personi të tillë është shtyrë deri në Botën tjetër, ku ai do të marrë dënimin e ashpër.

Aziziu (v.1070H) ka thënë :

“Njeriu i tillë nuk dënohet në këtë botë, në mënyrë që në botën tjetër të dënohet për mëkatet e tij në mënyrën që ai plotësisht e meriton.” [29]

Në hadithin e mësipërm është një mësim dhe përkujtim që secili duhet të ketë besim (bindje) në Allahun dhe mendim të mirë për Të në lidhje me atë që Ai ka caktuar për njeriun, siç thotë Allahu, më i Larti: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.”[30]

Shpërblimet janë në varësi të fatkeqësisë

 

Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Shpërblimi është në proporcion me sprovën. Nëse Allahu e do një popull, Ai i sprovon ata. Kush e pranon atë, Allahu është i kënaqur me ta, dhe kush nuk e duron atë, Allahu është i pakënaqur me ta.[31]

Gjithashtu, Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur Allahu e do një popull, Ai i sprovon ata. Kush duron, është nga të durueshmit, dhe kush nuk duron, është nga të padurueshmit”.[32]

Domethënia e hadithit të parë është që: sa më e madhe të jetë sprova, aq më i madh është shpërblimi. Dhe thuhet: Vërtetë, sprovat sjellin shpërblim, si dhe pastrim nga mëkatet. Kjo ishte thënia e preferuar e Ibnul Kajimit, që i sprovuari jo vetëm që shpërblehet për sprovën, por edhe i fshihen mëkatet. Gjithashtu, nëse si pasojë e kësaj sprove, personi i bën disa vepra të mira siç janë: sabri, të kënaqurit me caktimin e Allahut, pendimi, kërkimi i faljes, atëherë shpërblimi do të vijë edhe për këto vepra të mira. Për këto arsye, thuhet që kuptimi i hadithit është se shpërblimi është proporcional me sprovën, me kusht që të ketë sabër, dhe të pritet shpërblimi.

Ngjashëm, në hadithin e Sa’d-it: Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ishte pyetur : “Kush nga njerëzit sprovohet më së shumti?” Ai u përgjigj: ”Pejgamberët, pastaj ata që janë më së shumti si ata, pastaj ata që janë më së shumti si ata. Njeriu sprovohet në varësi të Dinit (fesë) së tij, dhe nëse ai është i qëndrueshëm në Dinin e tij, atëherë edhe sprovat e tij janë të forta (të rënda) dhe nëse ai është i dobët në Dinin e tij, atëherë edhe sprovat e tij janë më të lehta. Njeriu sprovohet me fatkeqësi derisa të ecë në fytyrën e tokës pa asnjë mëkat.[33]

Ky hadith dhe të tjerë të ngjashëm me të janë dëshmi për Teuhidin. Kur nëse një person e din që Pejgamberët dhe Eulijatë (miqtë e Allahut) janë vetë të sprovuar me fatkeqësi dhe askush nuk mund t’ua largojë këto sprova përveç Allahut, atëherë do të bëhet e dijshme që ata as nuk mund t’i sjellin dobi e as t’ia largojnë dëmin vetvetes – e si mund ta shmangin dëmin nga të tjerët! Kështu që në vend se t’u kthehen Pejgamberëve dhe njerëzve të mirë për largimin e dëmit, lehtësimin e pikëllimit dhe telasheve, duhet t’i kthehen direkt Allahut të vetëm – i Vetmi që është i aftë ta kryejë (përmbushë) këtë.

 

Arritja e qetësisë

 

Err-Rrida (Kënaqësia e Allahut) – e përmendur në thënien e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ”Kushdo që është i kënaqur, atëherë edhe Allahu është i kënaqur me të.”– është njëra nga cilësitë me të cilat Allahu e ka përshkruar Veten e Tij në disa vende në Librin e Tij, siç është thënia e Tij:

“Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata, por edhe ata janë të kënaqur me Atë.”[34]

Rruga e Selefëve (të parëve të devotshëm) dhe e atyre të cilët i pasojnë ata nga Ehlu Sunneti (pasuesit e Sunetit) është t’i pohojnë këto cilësi të cilat Allahu ia ka pohuar Vetes së Tij, ose të cilat janë pohuar nga i Dërguari i Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) – në atë mënyrë që i përshtatet Madhërisë dhe Madhështisë së Tij, pa temthil (përngjasim i Allahut me ndonjërën nga krijesat e Tij), dhe pa ta’til (shtrembërim apo heqje e cilësive të Allahut). Prandaj, kur Allahu, më i Larti, është i kënaqur me dikë, atëherë një person i tillë i ka siguruar të gjitha të mirat dhe epërsitë dhe është siguruar nga çdo e keqe.

Err-Rrida është t’i dorëzohen çështjet Allahut, duke pasur mendim të mirë për Të dhe duke pritur shpërblimin e Tij. Ai që e bën këtë do të ndjejë qetësi dhe lumturi, dashuri për Allahun dhe mbështetje në Të.

Ibën Mesudi (radijAllahu anhu) ka thënë: “Vërtetë Allahu – nga Drejtësia dhe Paanësia e Tij – e ka bërë kënaqësinë dhe qetësinë pjesë të Jekinit (bindjes) dhe ridasë (kënaqësisë). Dhe Ai i ka bërë pikëllimin, shqetësimin dhe telashet rezultat të dyshimit dhe pakënaqësisë.” [35]

Kuptimi i të qenit i pakënaqur është: “Mos-dëshirimi i diçkaje, në mungesë të kënaqësisë.[36] Kështu, kushdo që është i pakënaqur me atë që Allahu ka caktuar (vendosur), atëherë Allahu është i pakënaqur me të; kjo mjafton si dënim prej Allahut. Gjithashtu, nga hadithi i mësipërm, disa dijetarë kanë arritur në përfundim që ridaja (kënaqësia dhe pëlqimi) me caktimin e Allahut është obligim – ky është mendimi i Ibën Akilit. Megjithatë, el-Kadi Ebu Ja’la nuk e ka konsideruar obligim (por të pëlqyeshme), dhe ky ishte edhe mendimi i preferuar i Shejhul Islam Ibën Tejmijes dhe Ibnul Kajimit.[37]

Shejhul Islam Ibën Tejmijeh (Hoxha i Islamit) ka thënë (daif xhidden / shumë e dobët, shih fusnotën):

“Ashtu siç ekziston një urdhër specifik për të pasur sabër (durim), nuk ka urdhër të tillë për Ridanë (kënaqësinë dhe pëlqimin). Më saktë, ka lavdërim dhe epërsi për ata që janë të kënaqur me caktimin e Allahut. Ai më tej thotë: “ Thënia:”Kushdo që nuk bën durim në fatkeqësitë e Mia (vuajtjet, brengat etj), apo nuk është i kënaqur me caktimin Tim, ka marrë për Zot dikë tjetër përveç Meje.”[38] Kjo thënie është njëra prej thënieve Israelite dhe nuk është transmetuar me autenticitet nga Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem)”.[39]

Shejhul Islam Ibën Tejmije gjithashtu ka thënë:

Vërtetë, është një gradë më e lartë sesa [t’i kesh të dyja bashkë, durimin (sabrin) dhe kënaqësinë (ridanë)], dhe ajo është ta falënderosh Allahun për sprovën, pasi që ajo është shkak që të marrësh epërsi dhe begati.” [40]

Kontrolloi: Lulzim Perçuku


[1] Redaktuar dhe përshtatur nga Fet’hul-Mexhid li Sherh Kitabit-Teuhid (2/603-615); Kapitulli: Nga imani (besimi) në Allahun është të kesh sabër (durim) në caktimin e Allahut.

[2] Përcillet nga Ibnul Kajimi në Medarixhus-Salikin (2/152).

[3] Transmetohet nga Muslimi (nr.223) dhe Ahmedi (5/343), nga Ebu Malik el-Esh’ariu radijAllahu anhu.

[4] Transmetohet nga Buhariu (nr.1469) dhe Muslimi (nr.1053), nga Ebu Seid el-Hudriu radijAllahu anhu.

[5] Transmetohet nga Buhariu (11/303) në formën ta’lik, dhe është transmetuar në zinxhir lidhës nga Imam Ahmed në ez-Zuhd me sened (zinxhir transmetuesish) Sahih – siç e përmend edhe Hafidh Ibën Haxheri në Fet’hul Bari (11/303).

[6] Transmetohet nga el-Lalika’i në Sherh Usul I’tikad Ehlus-Sunneh uel-Xhema’ah (nr.1659), Bejhekiu në Shuabul-Iman dhe Ebu Shejbani në Kitabul-Iman (nr.130), me formulim pak më ndryshe.

[7] Medarixhus Salikin (2/156) nga Ibnul Kajimi.

[8] Surja Et-Tegabun 64:11

[9] Tefsiri i Kuranit të Lartë (6/164) të Ibën Kethirit.

[10] Surja El-Hadid 57:22

[11] Surja El-Bekare 2:155-157

[12] Tefsiri i Kuranit të Lartë (8/163)

[13] Transmetohet nga Ibën Xherir et-Taberiu në Xhami’ul-Bejan an Te’uilil-Kuran (28/123), Abdurrezaku në Tefsirin e tij (3/95) dhe gjithashtu edhe Sujutiu në ed-Durul-Menthur (8/183), siç është transmetuar gjithashtu edhe nga Buhariu në formën ta’lik (8/652) nga Ibën Mesudi.

[14] Teh’dhibut-Tehdhib (7/276) e Ibën Haxher el-Eskalanit.

[15] Transmetohet nga Muslimi (nr.67) dhe Ahmedi (2/377), nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu.

[16] Transmetohet nga Muslimi (nr.82), Ebu Davudi (nr.4679) dhe Tirmidhiu (nr.2621), nga Xhabir ibën Abdullahi radijAllahu anhu.

[17] Transmetohet nga Buhariu (nr.1294) dhe Muslimi (nr.103) nga Ibën Mesudi radijAllahu anhu.

[18] Fet’hul Bari (3/164) e Ibën Haxherit.

[19] Iktida’us-Siratil-Mustekim (1/204) e Shejhul Islam Ibën Tejmijes.

[20] Sahih : Transmetohet nga Ibën Maxhe (nr.1584) dhe gjithashtu nga Ibën Hibani (nr.737). El-Beusiri e ka saktësuar në Mesabihuz-Zexhaxheh (1/521).

[21] Transmetohet nga Ahmedi (6/31) nga Aishja radijAllahu anha.

[22] Transmetohet nga Buhariu (nr.4462) dhe Ibën Maxhe (nr.1629-1630), nga Enesi radijAllahu anhu.

[23] Siç e përmend Zerkashiu në Sherh-Muhtesarul-Harki (2/356).

[24] Transmetohet nga Buhariu (nr.1303) dhe Muslimi (nr.2315), nga Enesi dhe Esma bint Jezidi radiAllahu anhuma.

[25] Transmetohet nga Buhariu (nr.1283) dhe Muslimi (nr.923).

[26] Sahih : Transmetohet nga Tirmidhiu (nr.2398) dhe Hakimi në El-Mustadrak (1/340­), nga Enesi radiAllahu anhu. Është saktësuar nga Shejh Albani në es-Sahihah (nr.1220).

[27] Surja El-Bekare 2:155-157

[28] Përmbledhur nga Mexhmu’ul-Fetaua (10/48) e Ibën Tejmijes.

[29] Es-Siraxhul-Munir (1/88) e Azizit.

[30] Surja El-Bekare 2:216

[31] Hasen : Transmetohet nga Tirmidhiu (nr.2398) dhe Ibën Maxhe (nr.4021), nga Enesi radijAllahu ‘anhu. Është saktësuar nga Shejh Albani në es-Sahihah (nr.146).

[32] Sahih : Transmetohet nga Ahmedi (5/427), nga Mahmud Ibën Lubejdi radijAllahu anhu. Është saktësuar nga el-Mundhari në et-Targhib uet-Terhib (4/283), Hejthemi Mexhme’uz-Zeua’id (2/291) dhe Ibën Haxheri në Fet’hul Bari (10/108).

[33] Sahih : Transmetohet nga Ahmedi (1/172), Tirmidhiu (nr.2398) dhe Ibën Maxhe (nr.4023). Është saktësuar nga Albani në es-Sahihah (nr.143).

[34] Surja El-Bejjine 98:8

[35] Transmetohet nga Ibën Ebi Dunja në Kitabur-Rida (nr.94) dhe gjithashtu Bejhekiu në Shu’ëbul-Iman (nr.205).

[36] En-Nihajeh fi Garibil-Hadith (2/350) e Ibnul Ethirit.

[37] Medarixhus-Salikin (2/171,184) e Ibnul Kajimit.

[38] Da’if Xhidden.Transmetohet nga Taberani në Kebir (22/320), Ibën Hibani në el-Mexhruhin.(1/324) dhe Hatibi në et-Telhis (39/2) të gjitha në rrugë të Sa’d ibën Zijadit. Hejthemiu ka thënë në el-Mexhma’ (7/207) : “Në të është Se’id ibën Zijadi i cili është metruk (i braktisur).”Dhe Hafidh el-Iraki ka thënë në Tahrixhul-Ihja (3/296): “Senedi i tij është i dobët.” Dhe Manauiu ka thënë : Da’if Xhidden (shumë i dobët)” siç paraqitet në Da’ifeh (nr.505)

[39] Ibnul Kajimi e transmeton këtë në Medarixhus-Salikin (2/171).

[40] Mexhmu’ul-Fetaua (11/260) e Ibën Tejmijes.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on skype
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni artikujt e rinj me email duke u abonuar

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva
Kategori