Kuptimi i emrave El-Ehadu, El-Uahidu

(الأحد, الواحد)

Sa i përket emrit El-Ehadu, qoftë i bekuar, ai është përmendur vetëm në një vend në Kuran dhe atë në suren El-Ihlas: “Thuaj: “Ai është Allahu, Ehadun (Një dhe i Vetëm)! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (El-Ihlas, 1 – 4). Është përcjellë në Sunnet nga Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) se kjo sure madhështore është ekuivalente me një të tretën e Kuranit, për faktin se ajo është përzgjedhur (në mesin e të gjitha sureve) për sqarimin e emrave të bukur të Zotit dhe cilësive të Tij madhështore dhe të larta. Ndërsa, sa i përket emrit El-Uahidu, përmendja e tij në Kuran është përsëritur në disa vende. Prej tyre janë Fjalët e të Lartësuarit: “I Adhuruari i juaj është një i Adhuruar Uahidun (i Vetëm)! S’ka të adhuruar tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” (El-Bekara, 163). “A janë më mirë një mori zotash të ndryshëm apo Allahu, El-Uahidu (i Vetmi), Ngadhënjimtari?” (Jusuf, 39). “Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut, El-Uahidu (të Vetmit), Ngadhënjimtarit.” (Sad, 65). “Thuaj: ‘Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është El-Uahidu (i Vetmi), Ngadhënjimtari’.” (Err-Rra’d, 16).

Këta dy emra tregojnë për ‘ehadijenë’ dhe ‘uahdanijenë’ e Allahut (që Allahu është Një dhe i Vetëm), domethënë që Ai, qoftë i Lartësuar, është veçuar dhe njësuar me cilësitë dhe atributet e Lavdisë, Dinjitetit, Madhështisë, Madhërisë dhe Bukurisë. Pra, Ai është Një (Unik) në Qenien e Tij askush/asgjë s’i shëmbëllen Atij, është Një (Unik) në Cilësitë e Tij askush/asgjë s’i përngjan Atij, është Një (Unik) në Veprat e Tij s’ka ortak dhe ndihmës (asistent) në këtë, është Një (Unik) në uluhijenë (adhurimin) e Tij, s’ka të barabartë në dashurinë, madhërimin, nënshtrimin dhe përuljen ndaj Tij, është Një (Uniku) cilësitë e të Cilit janë madhëruar/lartësuar aq shumë sa që Ai u veçua me përsosuri në çdo aspekt, dhe të gjitha krijesat u treguan të pafuqishëm të përvetësojnë diç nga cilësitë e Tij apo të perceptojnë diç nga atributet e Tij, e aq më pak të barazohen (t’i shëmbëllejnë) në ndonjërën prej tyre.

Emri i Allahut El-Uahidu është përmendur dhe përsëritur në Kuranin Fisnik në nivele/pozita të shumta dhe atë:

  • Në kontekstin e pohimit/vërtetimit të teuhidit dhe asgjësimit të shirkut dhe tendidit (barazimit të tjerëve me Allahun).

Allahu i Patëmeta duke e pohuar/vërtetuar uahdanijenë (njëshmërinë e Tij) dhe obligueshmërinë e të kushtuarit të fesë sinqerisht vetëm Atij, thotë: “I Adhuruari i juaj është një i Adhuruar Uahidun (i Vetëm)! S’ka të adhuruar tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” (El-Bekara, 163). “Thuaj (o Muhamed): “Në të vërtetë, unë jam vetëm paralajmërues. Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut, El-Uahidu (të Vetmit), Ngadhënjimtarit.” (Sad, 65). “Në të vërtetë, i Adhuruari i juaj është Uahidun (Një), Zot i qiejve dhe i Tokës dhe çfarë gjendet mes tyre dhe Zot i lindjeve (të diellit)!” (Saffat, 4 – 5).

  • Në sqarimin se kjo uahdanijje ishte thelbi i thirrjes së të Dërguarve dhe kuintesenca e mesazhit të tyre, i Lartësuari thotë: “Thuaj: “Mua më është shpallur që i Adhuruari i juaj është një i Adhuruar i Vetëm (Uahidun); pra, a jeni myslimanë?” (El-Enbija, 108). “Thuaj (o Muhamed!): “Në të vërtetë, unë jam vetëm një njeri si ju. Mua më është shpallur që i Adhuruari i juaj është një i Adhuruar i Vetëm (Uahidun), andaj ecni në rrugën e drejtë që të çon tek Ai dhe kërkoni falje prej Tij! Mjerë ata të cilët i shoqërojnë Atij zota (të adhuruar) të tjerë!” (Fussilet, 6).

  • Në kontekstin e thirrjes në Islamin (dorëzimin) për Allahun, nënshtrimin para Madhështisë së Tij dhe përuljen para Lartësisë së Tij, i Lartësuari thotë: “I Adhuruari i juaj është një i Adhuruar i Vetëm (Uahidun), prandaj vetëm Atij përuljuni. Dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur.” (El-Haxhxh, 34). “Thuaj: “Mua më është shpallur që i Adhuruari i juaj është një i Adhuruar i vetëm (Uahidun); pra, a jeni myslimanë?” (El-Enbija, 108). “I Adhuruari ynë dhe i Adhuruari i juaj është Një (Uahidun) – dhe ne Atij i nënshtrohemi si myslimanë.” (El-Ankebut, 46).

  • Kur tregon përsosurinë/lartësinë e Tij mbi atë që ia veshin Atij (pretendojnë për Të) prej përzgjedhjes së birit dhe se Ai është njëri prej Trinisë, qoftë i Lartësuar dhe i pastër nga të gjitha këto, i Lartësuari thotë: “Sikur të donte Allahu të merrte një bir, Ai do të zgjidhte kë të pëlqente prej krijesave të Veta. Qoftë i lartësuar Ai nga kjo gjë! Ai është Allahu, i Vetmi (El-Uahidu) dhe Ngadhënjimtari!” (Ez-Zumer, 4). “Dhe mos thoni: “Tre zota (të adhuruar)”! Hiqni dorë, se është më mirë për ju! Allahu është një i Adhuruar i Vetëm (Uahidun).” (En-Nisa, 171). “Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një të Adhuruar të Vetëm (Uahidun) të vërtetë!” (El-Maide, 73).

  • Rreth anulimit/zhvlerësimit të besimeve të paganëve, i Lartësuari thotë: “Thuaj: “Cila gjë është dëshmia më e madhe (që ti je profet)?” – dhe përgjigju: “Allahu është dëshmitar midis meje dhe jush”. Ky Kuran më është shpallur, në mënyrë që nëpërmjet tij t’ju tërheq vërejtjen juve dhe kujtdo që i përcillet. A mos vallë ju dëshmoni se, përveç Allahut ka edhe të adhuruar të tjerë? Thuaj: “Unë nuk dëshmoj”. Thuaj: “Vërtet, Ai është i Adhuruar i Vetëm (Uahidun) dhe unë jam larg nga ato që ju ia shoqëroni Allahut (në adhurim).” (El-En’am, 19). “Allahu ka thënë: “Mos adhuroni dy të adhuruar, sepse Ai është i Adhuruar i Vetëm (Uahidun), prandaj frikësohuni vetëm prej Meje!” (En-Nahl, 51). “A janë më mirë një mori zotash të ndryshëm apo Allahu, El-Uahidu (i Vetmi), Ngadhënjimtari?” (Jusuf, 39).

  • Në pozitën/nivelin e sqarimit të Madhështisë së Tij, të përsosurisë së sundimit/pushtetit të Tij, si dhe të përuljes së të gjitha krijesave ndaj Tij në Ditën e Kiametit, i Lartësuari thotë: “Atë Ditë, kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit (El-Uahidu), Ngadhënjimtarit!” (Gafir, 16). “Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit (El-Uahidu) dhe Ngadhënjyesit Allah.” (Ibrahim, 48).

Kështu këta dy emra (El-Uahidu dhe El-Ehadu) tregojnë për veçimin e Zotit të Patëmeta me të gjitha përsosmëritë, kështu që askush nuk i ndanë ato me Të, dhe se obligim mbi robërit është ta njësojnë Atë me besim, fjalë dhe vepra, duke e njohur (pranuar) përsosurinë e Tij absolute dhe veçimin e Tij me uahdanije (njëshmëri), si dhe duke e veçuar me të gjitha llojet e adhurimit.

Çështjet për të cilat aludojnë (tregojnë) këta dy emra mund t’i përmbledhim në pikat vijuese:

  1. Mohimi i një të barabarti, rivali dhe çifti me Të në të gjitha aspektet. Pra, Allahu, qoftë i Bekuar, është Një (Uniku) i Cili nuk ka të barabartë apo ngjashëm me Të. I Lartësuari thotë: “A njeh ti ndokënd që është i barabartë/i ngjashëm me Të?!” (Merjem, 65). “Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (El-Ihlas, 4). “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai është Shumëdëgjuesi (i dëgjon të gjitha) dhe Shumëshikuesi (i sheh të gjitha).” (Esh-Shura, 11).

  2. Kotësia e tekjifit. Kjo është kur njeriu me mendjen e tij të mangët mundohet ta dijë si janë cilësitë e Zotit të Lartësuar (ta njohë mënyrën/formën e tyre), ndërsa kjo është e pamundur të arrihet, ngase Zoti i Patëmeta është unik me cilësitë e përsosurisë dhe është i veçuar me atributet e madhështisë dhe dinjitetit, prandaj, askush nuk i ndanë ato me Të dhe askush nuk është i ngjashëm apo i barabartë me Të në këto cilësi. Atëherë, si ka mundësi që mendjet të arrijnë ta njohin realitetin e cilësive të të Lartësuarit?! Madje, Allahu është shumë më Madhështor dhe më i Lartë se çdo përsosuri që mund t’i shkojë njeriut në mendje (rreth cilësive të Tij).

  3. Pohimi i të gjitha cilësive të përsosurisë, kështu që të mos mungohet/harrohet asnjë cilësi dhe asnjë atribut që tregon për Madhështinë dhe Bukurinë e Tij, për arsye se Allahu i Plotfuqishëm është veçuar me përsosurinë absolute e cila nuk ka asnjë mangësi në të gjitha aspektet.

  4. Nga çdo cilësi prej këtyre cilësive Atij i takojnë më madhështoret, të plotat dhe përfundimtaret/absolutet: “Tek Zoti yt është përfundimi.”[1] (En-Nexhm, 42). Pra, prej shikimit i përket ai më i përkryeri, prej dëgjimit i përket ai më i përkryeri, dhe kështu prej çdo cilësie i përket ajo më e plota dhe më përkryera, siç thotë i Lartësuari: “Allahut i përket shembulli më i lartë (cilësitë më të larta).” (En-Nahl, 60).

  5. Lartësimi i Allahut nga të gjitha të metat (papërsosuria) dhe defektet (cenet), ngase këto gjëra shkojnë me cilësitë e krijesave, kurse El-Ehadu (Uniku) i Patëmeta është veçuar me përsosuri, madhështi dhe lavdi, pa pasur dikë që është i ngjashëm apo i barabartë me Të. Për këtë arsye, kur e lartëson Veten e Tij nga të pasurit fëmijë, i Lartësuari thotë: “Qoftë i lartësuar Ai nga kjo gjë! Ai është Allahu, i Vetmi (El-Ehadu) dhe Ngadhënjimtari!” (Ez-Zumer, 4).

  6. Obligueshmëria e pohimit/miratimit se Allahu i Patëmeta veçohet me përsosurinë absolute në Qenien, Cilësitë dhe Veprat e Tij, si dhe të besohet kjo bindshëm me zemër. Ky është teuhidi i dijenisë.

  7. Obligueshmëria e njësimit/veçimit të Allahut të Patëmeta dhe të Vetmit me adhurim dhe që e gjithë feja t’i kushtohet sinqerisht vetëm Atij. Dhe se, ta veçosh Atë, qoftë i Lartësuar, me krijim, furnizim, dhënie e privim, ulje e ngritje (të krijesave), dhënie jetë e vdekje, të obligon që ta veçosh, gjithashtu, të Vetmin me adhurim. E, ky është teuhidi i veprës[2].

  8. Kundërpërgjigjja ndaj paganëve dhe të gjitha kategorive të ithtarëve të së kotës të cilët nuk e çmuan Allahun me vlerën e Tij të vërtetë, nuk e pohuan të veçuarit dhe përsosurinë e Tij, prandaj morën krahas Tij ortakë (të adhuruar) të tjerë, krahasuan/përqasën dhe shëmbëllyen të tjerë me Të, patën për Të mendime të këqija (negative), e nënvlerësuan pozitën e lartë të rububijesë, si dhe e kundërshtuan qëllimin e krijimit, e që është njësimi i Allahut me nënshtrim, përulje dhe të gjitha llojet tjera të ubudijesë (adhurimit). Kështu që, zemrat e tyre ndiejnë neveri nga teuhidi, dhe shpirtrat e tyre zmbrapsen (me mospëlqim) nga e vërteta dhe udhëzimi. I Lartësuari thotë: “Kur përmendet vetëm Allahu, zemrat e atyre që nuk besojnë në jetën tjetër neveriten, ndërsa, kur përmenden të tjerët, përveç Allahut, ata menjëherë gëzohen.” (Ez-Zumer, 45). “Kur ti përmend në Kuran vetëm Zotin tënd, ata kthejnë shpinën, duke ikur.” (El-Isra, 46). “Atyre do t’u thuhet: “Ju keni pësuar këtë fat, sepse, kur thirrej Allahu i Vetëm, ju mohonit, por, kur i shoqërohej Atij diçka tjetër (në adhurim), ju besonit. Sot gjykimi i përket vetëm Allahut, të Lartit e të Madhërishmit.” (Gafir, 12).

Allahu na begatoftë me realizimin e teuhidit (njësimit) të Tij, dhe me imanin (besimin) në veçimin dhe uahdanijen (njëshmërinë) e Tij në mënyrën më të mirë; vërtetë Ai është Shumëdëgjuesi dhe Përgjigjësi (i lutjeve tona)!

Kjo temë është shkëputur nga libri “Fikh el-esmai el-husna” (Kuptimi i emrave të bukur të Allahut) i shejh Abdurrezak bin Abdulmuhsin El-Bedr, Allahu e ruajtë.

Përktheu: Lulzim Perçuku

 


[1] Komentuesit e Kuranit i kanë dhënë disa kuptime këtij ajeti:

1) Kthimi tek Allahu, domethënë kthimi tek gjykimi i Tij i pastër/absolut i cili nuk përzihet me ligje tjera, të cilat sipërfaqësisht janë prej veprave të krijesave, siç është gjendja me çështjet e kësaj jete.

2) Kjo është një metaforë që tregon për përfundimin e rrugëtimit, domethënë e ka për qëllimin ndalimin, ngase ndalimi është vet përfundimi i rrugëtimit të udhëtarit. Kështu që, ndalimi këtu është sjellë si shembull për gjendjen e njeriut i cili tregohet i bindur ndaj urdhrave të Allahut, dhe si krahasim me urdhrat e Allahut të cilat (sikur) janë të kufizuara me mure të larta (pranë të cilave duhet të ndalemi dhe të mos i kapërcejmë). Siç ka thënë Allahu, në këtë kuptim, kur na urdhëron të ndalemi pranë kufijve të Tij: Këta janë kufijtë e Allahut, andaj mos i shkelni ata! Ata që shkelin kufijtë e Allahut, pikërisht ata janë keqbërësit.”(El-Bekara, 229). Domethënë, keni kujdes nga kundërshtimi i urdhrave dhe ndalimeve të Allahut.

3) Aludimi i të gjitha gjërave që ekzistojnë ndalon/përfundon në ekzistimin e Allahut dhe njëshmërinë e Tij. Pra, Allahu është Ai tek i Cili përfundon deduksioni logjik. Pastaj, kur njeriut t’i përvijohet prova/dëshmia për ekzistimin e Krijuesit, patjetër që kjo do ta çojë në pohimin se Ai është Një. Sepse, po të ishin shumë krijues, atëherë çdonjëri prej tyre do të ishte i mangët në ilahijenë e tij; ngase, njëri do të vepronte ndryshe nga tjetri, dhe në këtë mënyrë secili prej tyre do të kishte nevojë që ta merrte pajtimin dhe miratimin e tjetrit për të krijuar dhe vepruar. Përndryshe, do të vendosej që t’i refuzohet ajo që ka vepruar. Në këtë mënyrë, logjika, pashmangshmërisht, përfundon/ndalon në një deduksion.

4) Tek Allahu është kthimi në Ditën e Kiametit.

5) Nuk mund të kesh ide (nocion/koncept) për Zotin.

Shih: “Et-tahrir ue et-tenuir” (Tefsirin) e Muhammed Et-Tahir Ibën Ashurit (vëllimi 28, faqe: 141 – 142), dhe Tefsirin e Ibën Kethirit (vëllimi 7, faqe: 466). Shën. i për.

[2] Domethënë që me veprat (adhurimet) e tua ta njësosh Allahun e Lartësuar. (sh.p.)

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit