Fikh i fitneve (sprovave) – pjesa e katërt

Ligjëratë e mbajtur nga shejh Sulejman Er-Ruhajlij (Allahu e ruajt)

Parimi i dytë: Dëgjimi dhe bindja ndaj udhëheqësit, si dhe qëndrimi pas imamit të myslimanëve dhe xhematit të tyre

Sepse Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Ju porosis për frikë ndaj Allahut, për dëgjim e bindje, edhe nëse udhëhiqeni nga një rob. Sepse, ai që do të jetojë më gjatë prej jush, do të shohë kundërshti të shumta. Mirëpo, ju ndiqeni sunetin tim dhe sunetin e kalifëve të drejtë e të udhëzuar; kapuni fort për të dhe kafshojeni atë me dhëmballë.”

Për këtë shkak, dijetarët thanë: “Prej bazave që e shpëtojnë njeriun nga fitnet është që ai t’i bindet atij që Allahu i ka dhënë pushtet mbi të, sido që të jetë gjendja e tij, mirëpo jo në mëkate. Përderisa ai nuk urdhëron për mëkate, duhet të ketë bindje ndaj tij. Përse? Sepse Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Muslimani e ka për detyrë të bindet dhe të dëgjojë, si në atë që i pëlqen, ashtu edhe në atë që e urren, përderisa nuk urdhërohet për ndonjë mëkat. E, nëse urdhërohet për të, atëherë s’ka dëgjime dhe as bindje.”

Është saktësuar në Sahih se një burrë e pyeti Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “O i Dërguar i Allahut, për çfarë na urdhëron, nëse udhëhiqemi nga njerëz që kërkojnë nga ne të drejtën e tyre dha na mohojnë të drejtën tonë?” Shikojeni sesi ai e formuloi pyetjen: “Për çfarë na urdhëron, nëse udhëhiqemi nga njerëz që kërkojnë nga ne të drejtën e tyre”, domethënë, dëgjimin dhe bindjen ndaj tyre, “dhe na mohojnë të drejtën tonë?” Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk iu përgjigj me asgjë. Njeriu e përsëriti pyetjen për të dytën herë, mirëpo prapë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk iu përgjigj me asgjë. Kur pyeti për herën e tretë, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha: “Kini frikë Allahun dhe dëgjoni e bindjuni atyre!” Pastaj (në këtë hadith) erdhi rregulli, të cilit myslimani nuk i ndahet kurrë, në mënyrë që të shpëtojë nga rënia në fitne: “Sepse ata janë përgjegjës për atë që janë ngarkuar, ndërsa ju për atë që jeni ngarkuar.” Pra, secili njeri angazhohet me atë që Allahu e ka ngarkuar.

Shtysë e disa njerëzve për rënie në fitne është angazhimi i tyre me gjërat me të cilat nuk janë ngarkuar. Kështu, ata angazhohen me politikë, angazhohen me diçka që Allahu e ka ngarkuar udhëheqësin e shtetit. Allahu nuk të ka ngarkuar ty me këtë. Për këtë arsye, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: Sepse ata janë përgjegjës për atë që janë ngarkuar, ndërsa ju për atë që jeni ngarkuar.”

Dëgjoje edhe këtë! Është saktësuar në Sahih se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Në gjirin tuaj do të ketë udhëheqës që nuk udhëzohen me udhëzimin tim dhe nuk e ndjekin Sunetin tim. Këshilltarët e afërt të tyre kanë zemra djajsh në trup njeriu.” O vëllezër, a po e shihni këtë përshkrim? Kush po i përshkruan kështu? I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Udhëheqës që nuk udhëzohen me udhëzimin tim dhe nuk e ndjekin Sunetin tim.” Kush janë këshilltarët e tyre të afërt? “Këshilltarët e afërt të tyre kanë zemra djajsh në trup njeriu.” Në atë moment, u ngrit Hudhjefe-ja (radijAllahu anhu) dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, për çfarë më urdhëron, nëse e arrij atë kohë?” Si ishte përgjigja e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)? Ai tha: “Dëgjo dhe bindu, edhe nëse të goditet shpina dhe të merret pasuria!” O vëllezër, çfarë udhëheqësi është ky, të cilin Profeti e përshkroi se nuk udhëzohet me udhëzimin e tij dhe nuk e ndjek Sunetin e tij, dhe se këshilltarët e tij të afërt janë të këqij? Natyrisht, kjo kufizohet me hadithin që e përmendëm më herët, ku thuhet se: duhet t’i bindemi atij, përderisa nuk urdhëron me mëkat. E, nëse e bën një gjë të tillë, atëherë s’duhet të ketë ndaj tij as dëgjim, as bindje në këtë mëkat.

Qëndrimi pas xhematit të myslimanëve dhe imamit të tyre është koka e të gjitha të mirave për njeriun. Dhe nuk ka xhemat veçse me ekzistimin e imamit. Kurse, përçarja është koka e së keqes.

Nga Hudhejfe bin El-Jemani (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “Njerëzit e pyetnin Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) për të mirën, ndërsa unë e pyetja për të keqen, nga frika se mos më zinte.” Një ditë, unë i thash atij: “O i Dërguar i Allahut! Ne ishim në injorancë dhe në sherr, pastaj Allahu na e solli këtë të mirë (Islamin). A do të ketë ndonjë të keqe pas kësaj të mire?” Ai tha: “Po”. Unë i thash: “E a do të ketë ndonjë të mirë pas asaj të keqeje?” “Po” – tha ai, “mirëpo në të ka dehan (turbullirë).” “Kush do e turbullojë atë?” Ai tha: “Njerëz që ndjekin sunet tjetër nga ai i imi dhe që nuk udhëzohen me udhëzimin tim; disa vepra të tyre do t’i miratosh e disa jo.” Unë pyeta: “A do të ketë ndonjë të keqe pas kësaj të mire?” Ai u përgjigj: “Po, thirrës në dyert e Xhehenemit. Atë që u përgjigjet atyre, e hedhin në të.” “Na i përshkruaj ata, o i Dërguar i Allahut!” “Po” – tha ai. “Ata janë të veshur me lëkura tona (janë prej nesh) dhe flasin me gjuhën tonë.” Unë thash: “O i Dërguar i Allahut, për çfarë më urdhëron, nëse më arrin kjo?” Domethënë: cili është shpëtimi? Ai tha: “Qëndro me xhematin e myslimanëve dhe imamin e tyre.” Domethënë, përderisa ka xhemat të myslimanëve, qoftë edhe në ndonjë vis të largët, dhe ata kanë imam, atëherë ti duhet të qëndrosh me ta dhe me imamin e tyre. “E, çfarë nëse ata nuk as xhemat e as imam?” – pyeta unë. Domethënë, ata nuk kanë hiç xhemat e as imam; ç’duhet bërë në këtë rast? I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Atëherë, braktisi të gjitha ato grupe, edhe nëse detyrohesh të kafshosh ndonjë rrënjë druri, derisa të vdesësh në atë gjendje.”

Pikërisht këtë e vunë në praktikë Selefët e mirë (riduanullahi alejhim). Për shkak se nuk na ka mbetur edhe shumë kohë, unë po jua sjell një shembull të vetëm. Ibën Umeri (radijAllahu anhuma) tregon: “Muavije (radijAllahu anhu) mbajti hutbe dhe tha: “Kush do që të flasë rreth kësaj çështjeje (kalifatit), atëherë le të flasë tani, mirëpo le ta dijë se unë jam më meritor për të sesa ai dhe babai i tij.” Kështu tha Muavije (radijAllahu anhu). Habib bin Mesleme i tha ibën Umerit: “Sikur t’i përgjigjeshe?” Ibën Umeri ia ktheu (Habibit): “E hoqa rrobën me të cilën isha mbështjellë dhe u bëra gati t’i them: “Më meritor se ti për këtë çështje (kalifatin) është ai që të ka luftuar ty dhe babanë tënd për të hyrë në Islam”. Domethënë, ai mund t’i përgjigjej me këto fjalë, mirëpo çfarë e pengoi? Ai tha: “Mirëpo, u frikova të thosha ndonjë fjalë e cila do të përçante xhematin dhe do të bëhej shkak për derdhjen e gjakut, si dhe të më vishej më vonë ndonjë gjë që nuk e kam thënë. Po ashtu, e solla ndërmend atë që Allahu ka përgatitur në Xhenete.” Habibi ia ktheu: “Qenke ruajtur dhe mbrojtur (nga Allahu).”

Çfarë e pengoi ibën Umerin (radijAllahu anhuma) t’i kundërpërgjigjej Muavijes? Ajo ishte frika nga përçarja, andaj edhe duroi dhe nuk tha gjë, vetëm e vetëm për të ruajtur bashkimin e myslimanëve rreth imamit dhe prijësit të tyre. Selefët kanë folur gjatë rreth kësaj meseleje.

Për këtë arsye, o vëllezër, prej bazave të ruajtjes nga fitneja është se, kur ajo të ndodhë, njeriu duhet të qëndrojë me imamin e myslimanëve dhe me xhematin e tyre.

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit