Forma e namazit prej abdesit e deri në dhënien e selamit – pjesa e pestë

Shejh AbdulAzīz bin Bāz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/8473

Sexhdeja e parë:

Në vijim, pas ngritjes nga rukuja, (pas) falënderimit, lavdërimit (të Allahut), drejtimit dhe qetësimit, ai bie në sexhde duke thënë: “All-llāhu ekber” pa i ngritur duart, sepse ajo çfarë saktësohet nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) për këtë gjendje është mosngritja e tyre. Kështu ai bën sexhde në shtatë gjymtyrë: ballin me hundë, kjo konsiderohet si një gjymtyrë, shuplakat e duarve, gjunjët dhe gishtërinjtë e këmbëve. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Jam urdhëruar të bëj sexhde me shtatë eshtra: me ballë – dhe tregoi duke lëvizur dorën drejt hundës së tij, me duar, me gjunjë dhe me gishtërinj të këmbëve.” (Buhāriu nr. 770 dhe Muslimi, nr. 752) Kjo është ajo që ligjësohet dhe obligohet si për burrat ashtu edhe për gratë. Pra, të gjithë ata duhet të bëjnë sexhde mbi këto shtatë gjymtyrë: ballin me hundë, që llogaritet si një gjymtyrë, duart (shuplakat), duke i bashkuar gishtërinjtë dhe duke i drejtuar majat e tyre drejt Kibles, mbi gjunjët dhe gishtërinjtë e këmbëve, duke i vendosur (mirë) në tokë e duke u mbështetur në to, ndërkohë që i kthen (shpinën e tyre) nga Kibla. Kështu vepronte i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Është më mirë që gjatë rënies në sexhde t’i vendosë në tokë gjunjët para duarve. Disa dijetarë kanë thënë se i vendosë duart para gjunjëve. Mirëpo mendimi më i peshuar me argumente është që njëherë t’i vendos gjunjët e pastaj duart, sepse kjo saktësohet në hadithin e Uāil bin Huxhrit, ku përmendet se kur Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) binte në sexhde i vendoste në tokë gjunjët e tij para duarve. Ndërsa në një hadith tjetër që përcillet nga Ebū Hurejre (radijAllahu anhu), Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kur të bëjë ndokush nga ju sexhde, të mos gjunjëzohet si deveja, por le t’i vendosë duart e tij para gjunjëve.” (Ahmedi, nr. 8598 dhe Ebū Dāvūdi, nr. 714) Kështu, ky hadith u shkaktoi problem një pjese të madhe të dijetarëve, andaj disa thanë se i vendos duart para gjunjëve, kurse disa të tjerë thanë: jo, porse i vendosë gjunjët para duarve. Kjo mënyrë e fundit është që e kundërshton gjunjëzimin e devesë, sepse deveja së pari gjunjëzohet me duart e saj. Së këtejmi, kur besimtari të bie me gjunjët e tij, atëherë e ka kundërshtuar devenë. Kjo është në përputhje me hadithin e Uāil bin Huxhrit dhe njëkohësisht është mënyra e saktë; pra, që së pari të bjerë në sexhde me gjunjë, e pastaj t’i vendosë duart, e më tej ballin. Kjo është mënyra e ligjësuar. E, kur të ngrihet, së pari e ngrit fytyrën, pastaj duart dhe pastaj çohet. Kjo është mënyra e ligjësuar që përmendet në sunetin dhe njëkohësisht është mënyra e bashkimit mes dy haditheve. Në hadithin e Ebū Hurejres: por le t’i vendosë duart e tij para gjunjëve” Allahu e di më së miri, mirëpo duket se ka inkilāb, siç e ka përmendur një gjë të tillë edhe ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë). Pra, e sakta është që t’i vendosë gjunjët para duarve, në mënyrë që fundi i hadithit të jetë në përputhje me fillimin e tij dhe gjithashtu që ky hadith të jetë në përputhje me atë të Uāil bin Huxhrit, si dhe me hadithet tjera që janë në kuptimin e tij.

Derisa sa është në këtë sexhde thotë:

سبحان ربي الأعلى

“Subhāne rab-bijel-a’lā”

(I pastër nga çdo e metë është Zoti im, më i Larti)

dhe këtë e përsëritë tri, pesë, apo më shumë herë. Mirëpo, nëse është imam, atëherë duhet t’i kushtojë vëmendje gjendjes së atyre që falen pas tij, në mënyrë që të mos i rëndojë. Ndërsa, për atë që falet vetëm s’ka gjë nëse e zgjatë sexhden. Ai që falet pas imamit është pasues i tij, kështu që kur është në sexhde, bën tesbīh dhe e lut Zotin, derisa të ngrihet imami i tij. Është sunet si për imamin, si për atë që falet pas tij, apo që falet vet, të bëjnë dua në sexhde, për shkak të fjalëve të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Në ruku madhërojeni Zotin e Gjithëfuqishëm dhe Sublim; ndërsa në sexhde përpiquni me dua, sepse ka shumë gjasa që do t’ju përgjigjet.” (Muslimi, nr. 738 dhe Ebū Dāvūdi, nr. 742) Ndërkaq në një hadith tjetër lexojmë: “Me të vërtetë, më është ndaluar të lexoj Kuran në ruku apo në sexhde.” (Muslimi, nr. 738) Pra, Kurani nuk lexohet as në ruku, e as në sexhde, por gjatë qëndrimit në këmbë, për atë që mundet të qëndrojë, dhe ulur për atë që s’ka mundësi të rrijë në këmbë. Pra, ai e lexon atë duke qenë ulur. Ndërsa, në ruku dhe sexhde nuk ka lexim të Kuranit, por lartësim e madhërim të Allahut. Ndërsa në sexhde, kësaj i shtohet edhe bërja e lutjeve. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) lutej në sexhdet e tij dhe thoshte:

اللهم اغفر لي ذنبي كله دقه وجله وأوله وآخره وعلانيته وسره

“All-llāhum-magfirlī dhenbī kul-lehū, dik-kahū we xhil-lehū, we ew-welehū we āhirehū, we ‘alānijetehū we sirr-rrehū!”

(O Allah! Më fal të gjitha mëkatet: të paktat dhe të shumtat; të parat dhe të fundit; të hapëtat dhe të fshehtat!) (Muslimi, nr. 745 dhe Ebū Dāvūdi, nr. 744)

Kësisoj, ai e bën këtë lutje, ngaqë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) lutej me të, siç transmeton Muslimi në Sahīh-un e tij.

Gjithashtu në Sahīh-un e Muslimit është saktësuar hadithi që e përcjell Ebū Hurejre (radijAllahu anhu) nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Robi është më së afërti me Zotin e tij gjatë sexhdes, andaj shpeshtojini lutjet!” (Muslimi, nr. 744 dhe Ahmedi nr. 9083) Kjo na tregon për ligjshmërinë e shpeshtimit të lutjeve gjatë sexhdes, si nga imami, po ashtu edhe nga ai që falet pas tij, apo vetë. Pra, secili nga ta lutet në sexhde së bashku me tesbīh-un, domethënë me fjalët: سبحان ربي الأعلى “Subhāne rab-bijel-a’lā”, apo: سبحانك اللهم ربنا وبحمدك اللهم اغفر لي “SubhānekAll-llāhum-me rab-benā we bihamdike. All-llāhumm-magfirlī.” Për shkak të fjalëve të Āishes (radijAllahu anha) që përcillen tek Buhāriu dhe Muslimi: “Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur ishte në ruku dhe sexhde i shpeshtonte këto fjalë: سبحانك اللهم ربنا وبحمدك اللهم اغفر لي “SubhānekAll-llāhum-me rab-benā we bihamdike. All-llāhumm-magfirlī.” (Buhāriu, nr. 752 dhe 775 dhe Muslimi nr. 746)

Është e ligjshme që gjatë sexhdes t’i kushtohet vëmendje lutjeve që përfshijnë gjërat e rëndësishme të dynjasë dhe të ahiretit. S’ka gjë nëse lutet vetëm për gjërat e dynjasë, si për shembull të thotë: “O Allah! Më furnizo me një bashkëshorte të mirë!”, apo që gruaja të thotë: “O Allah! Më furnizo me një bashkëshort të mirë!”, apo: “me pasardhës të mirë!”, apo: “me pasuri hallall!”, e gjëra të kësaj natyre që janë prej kërkesave të dynjasë. Po ashtu lutet për gjëra që ndërlidhen me botën tjetër dhe këto lutje duhet të jenë më të shpeshta dhe janë më të rëndësishme; si për shembull: “All-llāhum-magfirlī dhenbī kul-lehū, dik-kahū we xhil-lehū, we ew-welehū we āhirehū, we ‘alānijetehū we sirr-rrehū!” (O Allah! Më fal të gjitha mëkatet: të voglat e të mëdhatë; të parat dhe të fundit; të hapëtat dhe të fshehtat!), apo: “O Allah! Ma përmirëso zemrën dhe veprat dhe më jep kuptim të fesë Sate!”, “O Allah! Unë kërkoj nga Ti udhëzimin dhe qëndrueshmërinë (saktësinë në vepra dhe fjalë)!”, “O Allah! Unë kërkoj nga Ti udhëzimin, devotshmërinë, dëlirësinë dhe pavarësinë nga të tjerët!”, “O Allah! Më fal mua, prindërit e mi dhe gjithë myslimanët!”, “O Allah, me shpjerë në Xhenet dhe më shpëto nga zjarri!”, si dhe lutje tjera të ngjashme me këto. Pra, i shpeshton lutjet gjatë sexhdes, mirëpo pa e zgjatur aq sa t’i rëndojë ata që falen pas tij. Pra, nëse është imam, tregon kujdes ndaj xhematit. Kështu, së bashku me këto lutje, gjatë sexhdes thotë dy apo tri herë, siç u përmend më lartë: “SubhānekAll-llāhum-me rab-benā we bihamdike. All-llāhumm-magfirlī.”, ashtu siç vepronte Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Ulja mes dy sexhdeve:

Në vijim ngrihet nga sexhdeja duke thënë “All-llāhu ekber” dhe ulet mbi këmbën e majtë të shtrirë, ndërsa këmbën e djathtë e mbanë drejtë (me gishtat e kthyer drejt Kibles); dorën e djathtë e vendos në kofshën e djathtë, apo në gju, duke i shtrirë gishtat mbi gjurin e tij. Dorën e majtë e vendos në kofshën e majtë, apo në gju, duke i shtrirë gishtat mbi gjurin e tij. Kështu është suneti. Në këtë pozitë thotë:

رب اغفر لي ، رب اغفر لي ، رب اغفر لي

“Rab-bigfirlī, rab-bigfirlī, rab-bigfirlī”

(O Zoti im më fal! O Zoti im më fal! O Zoti im më fal!)

ashtu siç thoshte i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Është e pëlqyeshme që kësaj t’ia bashkëngjis edhe:

اللهم اغفر لي وارحمني واهدني واجبرني وارزقني وعافني

“All-llāhum-magfirlī werhamnī wehdinī wexhburnī werzuknī we ‘āfinī”

(O Allah! Më fal; më mëshiro; më udhëzo; më forco; më furnizo; më jep shëndet!)

për shkak se kjo saktësohet nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). S’ka gjë nëse kësaj ia shton edhe: “O Allah! Ma përmirëso zemrën dhe veprat!”, “O Allah! Më fal mua dhe prindërit e mi!”, “O Allah, me shpjerë në Xhenet dhe më shpëto nga zjarri!”. Mirëpo, mes dy sexhdeve i shpeshton lutjet në të cilat ka kërkim të faljes, siç është transmetuar një gjë e tillë nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Sexhdeja e dytë:

Në vazhdim e bën sexhden e dytë duke thënë “All-llāhu ekber”. Sexhden e bën mbi ballë dhe hundë, mbi shuplaka të duarve, mbi gjunjë dhe mbi majat e gishtërinjve, ashtu siç veproi më herët në sexhden e parë. Barkun e ndanë nga kofshët; kofshët i ndanë nga kërcinjtë; pjesët e epërme të duarve i mbanë ndaras nga anët e trupit dhe drejtohet në sexhden e tij. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Drejtohuni në sexhde dhe mos i shtrini parakrahët ashtu siç i shtrinë qeni ato!” (Buhāriu, nr. 779 dhe Muslimi nr. 762) Dhe thotë: “Kur të biesh në sexhde vendosi shuplakat e duarve (në tokë) dhe ngriti bërrylat!” (Muslimi, nr. 494, Ahmedi, nr. 18022 dhe ibën Hibbāni 5/1916) Pra, është sunet që njeriu të drejtohet në sexhde duke i vendosur shuplakat në tokë dhe duke i ngritur parakrahët prej saj dhe të mos i shtrijë ato ashtu siç i shtrinë qeni, ujku etj. Përkundrazi, ai i ngritë parakrahët, barkun e ndanë nga kofshët dhe kofshët i ndanë nga kërcinjtë, në mënyrë që të jetë i drejtuar në sexhden e tij dhe në mënyrë që pjesët e trupit t’i ketë të ndara nga njëra-tjetra, me duar në tokë dhe me parakrahë të ngritur prej saj, ashtu siç urdhëroi dhe veproi Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Pastaj në sexhden (e dytë) thotë:

سبحان ربي الأعلى

“Subhāne rab-bijel-a’lā”

dhe këtë e përsëritë tri apo më shumë herë dhe pastaj lutet, ashtu siç e përmendëm më lartë në sexhden e parë.

Xhelsetul-istirāha (ulja e pushimit):

Në vazhdim thotë “All-llāhu ekber” dhe ngrihet e çohet për në rekatin e dytë. Është më mirë për namazfalësin që pas sexhdes së dytë të ulet me një ulje të shkurtë/lehtë. Disa fukahā këtë ulje e quajnë xhelsetul-istirāha (ulja e pushimit). Ai ulet mbi këmbën e majtë të shtrirë, ndërsa këmbën e djathtë e mbanë drejtë (me gishtat e kthyer drejt Kibles), ashtu siç veproi mes dy sexhdeve. Mirëpo, kjo është një ulje e lehtë/shkurtë, në të cilën nuk ka dhikr (përmendje të Allahut) dhe as lutje. Nëse ngrihet menjëherë pa u ulur, s’ka gjë, mirëpo më mirë është të ulet, siç e veproi një gjë të tillë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Disa dijetarë thanë se kjo ulje praktikohet gjatë pleqërisë dhe sëmundjes, mirëpo e vërteta është se ajo është sunet prej suneteve të namazit pa asnjë kufizim, si për imamin, ashtu edhe për atë që falet pas tij, apo që falet vetë. Kjo për shkak të përgjithësimit të ardhur në fjalët e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur!” (Buhāriu, nr. 595, 5549 dhe 6705) Edhe nëse namazfalësi është i ri apo i shëndoshë, ajo është e pëlqyeshme, sipas mendimit më të saktë. Mirëpo, nuk është e detyrueshme, sepse është përcjellë që Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nganjëherë e linte atë. Po ashtu sepse disa prej sahabëve nuk e përmendën atë në përshkrimin e namazit të Profetit (sal-lAllahua lejhi ue sel-lem), andaj, kjo aludon se nuk është e detyrueshme.

Më tej, ngrihet për në rekatin e dytë dhe thotë “All-llāhu ekber” kur të ngrihet nga sexhdeja për t’u ulur në xhelsetul-istirāha, apo pasi të përfundojë xhelsetul-istirāha-në ngrihet dhe thotë “All-llāhu ekber”. Nëse fillimisht e thotë tekbīrin e pastaj ulet, i tregon xhematit në mënyrë që të mos ia kalojnë dhe të ulen edhe ata e ta praktikojnë këtë sunet. E nëse ulet para tekbīrit, pastaj ngrihet duke e thënë atë, s’ka gjë dhe nuk ka nevojë t’i lajmërojë xhematin, përveç nëse do t’ua mësojë sunetin. Si do që të jetë, kjo ulje është sunet dhe jo e obligueshme.

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit