Fshehtësitë e adhurimit në Islam (Hytbe)

Fshehtësitë e adhurimit në Islam

Hoxhë Petrit Perçuku

(Hytbe)

Vëllezër mysliman, e krijoi Allahu njeriun për një qëllim lartë dhe një detyrë madhore. Ajo është adhurimi dhe bindja ndaj Tij. Ashtu siç edhe na e qartëson këtë në librin e Tij ku thotë: “Unë nuk i kam krijuar xhindet dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim, e as nuk dëshiroj që të më ushqejnë ata. Vërtet, Allahu është Gjithëfurnizuesi , Zotëruesi i Fuqisë, i Përhershmi më i Fortë” (Edh-Dharijat 56-58).

Pastaj, Ai këtë detyrë e bëri arenë sprovimi e përpjekjeje. Pastaj, e bëri atë sprovim, të vazhdueshëm dhe të pandashëm nga njerëzit, dhe tha: “Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë: “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!”. Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë” (El-Ankebut 2-3).

E, nëse adhurimi është qëllimi i parë dhe i fundit për krijimin e njeriut dhe ai është detyra e tij më madhore gjatë ekzistencës, atëherë ç’është ky adhurim që jemi duke e përmendur? A është vetëm këto farze, nafile dhe rite që i kryejmë përditë, apo domethënia tij është më e gjerë dhe më përfshirëse? Cili është qëllimi i tij final? Cilat janë urtësitë dhe fshehtësitë e tij?

Vëllezër mysliman, adhurimi është: bindja dhe robëria ndaj Allahut së bashku me nënshtrim, përulje dhe dashuri për Të. Kurani Famëlartë tregon haptas për domosdoshmërinë e kësaj dashurie dhe se ajo nuk lejohet të barazohet me asnjë tjetër. Thotë Allahu: “Disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (të adhuruar) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur ashtu siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre)…(El-Bekareh 165).

Gjithashtu Kurani na tregon se kjo dashuri për Allahun është e kushtëzuar me dashurinë ndaj Pejgamberit dhe ndaj asaj me të cilën ka ardhur ai. Dhe këtë e vërteton fjala e Pejgamberit, siç transmeton Buhari dhe Muslimi: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk beson askush prej jush, derisa të jem më i dashur për të sesa fëmija i tij, prindi i tij dhe të gjithë njerëzit.”

Gjithashtu transmetohet se Umeri tha: “O i dërguar i Allahut, vërtet se ti je më i dashur për mua se çdo gjë tjetër, përveç vetes sime.” Pejgamberi i tha: “Jo o Umer, derisa të jem më i dashur për ty se vetja jote.” Umeri tha: Pasha Allahun, vërtet tash je më i dashur për mua se vetja ime.” Pejgamberi i tha: “E tani po, o Umer.”

Robër të Allahut, pasi që e mësuam se Allahu na ka krijuar që ta adhurojmë dhe t’i bindemi me një bindje të cilës duhet t’i bashkëngjitet përulja dhe dashuria e plotë, atëherë ku duhet të jetë kjo bindje – bindje e përuljes dhe dashurisë – ? Në ç’farë sfere të jetës duhet të jetë? Vërtet, përgjigjja për këtë pyetje na vë përpara një realiteti të rëndësishëm i cili është përfshirja e domethënies së adhurimit dhe gjerësia e sferave që ai i mbulon.

Prej përkufizimeve më të mira, përmes së cilave kuptohet se adhurimi përfshin tërë fenë, është thënia e Ibën Tejmije, i cili kur u pyet rreth Fjalës së Allahut: “O ju njerëz! Adhuroni Zotin tuaj…” (El-Bekareh 21), u pyet se ç’është adhurimi dhe cilat janë degët e tija, se a hynë në të feja si tërësi apo jo. Atëherë ai iu përgjigj kësaj pyetje, përmes një libri të cilin e shkroi me emrin “El-Ubudij-jeh” dhe tha në fillimin e tij:

العبادة اسم جامع لكل ما يحبه الله ويرضاه من الأقوال والأعمال الظاهرة والباطنة، فالصلاة، والزكاة، والصيام، والحج، وصدق الحديث، وأداء الأمانة، وبر الوالدين، وصلة الأرحام، والوفاء بالعهود، والأمر بالمعروف، والنهي عن المنكر،والجهاد للكفار والمنافقين، والإحسان للجار، واليتيم، والمساكين، وابن السبيل، والمملوك من الآدميين  والبهائم, والدعاء، والذكر، والقراءة، وأمثال ذلك من العبادة….”.

“Adhurimi është emër, i cili në vete përmbledhë çdo gjë që e do Allahu dhe është i kënaqur me të, qoftë ajo prej fjalëve apo veprave të hapëta apo të fshehta, si: namazi, zekati, agjërimi, haxhi, fjala e vërtetë, përmbushja e premtimit, mirësjellja ndaj prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore, mbajtja e fjalës, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi i së keqes, sjellja e mirë me komshiun, me jetimin, me të ngratin, me të mbeturin në rrugë, me atë që e ke në pronësi, qoftë njeri apo kafshë, lutja, përmendja e Allahut, leximi i Kuranit dhe adhurime tjera…”

Vëllezër besimtarë, prej këtu kuptojmë se adhurimi ndaj Allahut përfshinë tërë jetën dhe sferat e saj, prej rregullave të ushqimit dhe kryerjes së nevojave trupore, e deri tek ndërtimi i shtetit dhe rregullimi i tij, gjithashtu përfshin ekonominë dhe raportet me të tjerët.

Vërtet se njeriu është krijuar me botëkuptime dhe dëshira të ndryshme dhe ai nga njëra anë është një copë dheu, kurse nga ana tjetër është i pajisur me shpirt. Dhe këtë krijim të veçantë s’ka kush që mund ta përmirësojë apo që mund të kujdeset për nevojat dhe lehtësimin e gjendjeve të tij, përveç Atij i Cili e krijoi atë.

Thotë Allahu: “E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Mirinformuari?!” (El-Mulk 14).

Dhe Allahu deshi që këtij njeriu të ja bëjë obligim disa adhurime, të cilat janë në të mirën e njeriut, si në këtë po ashtu edhe në botën tjetër. Adhurime këto që e lidhin me Allahun dhe lirojnë nga robërimi i materies. E ngritin ambicien e tij skajshmërisht dhe vazhdimisht e përkujtojnë që mos të rrijë duarkryq dhe që të mos mashtrohet me jetën e kësaj bote. E , sikur mos të vërenim prej fshehtësive të adhurimeve vetëm këtë ndikim real dhe aktiv që e cekëm, do të mjaftonte. Mirëpo, ne e dimë se ato janë përplot me fshehtësi dhe urtësi tjera të përkryera, të cilat i zbulon secili prej nesh aq sa Allahu i ka dhënë dije dhe të kuptuar të teksteve të Kuranit e sunetit.

Vëllezër mysliman, le të ndalemi e të mendojmë për fshehtësitë e dy adhurimeve, të cilat konsiderohen prej adhurimeve më të mëdha, bile janë edhe prej shtyllave të Islamit: namazi dhe zekati.

Fillojmë me namazin i cili është baza e fesë dhe shtylla e dytë prej shtyllave të Islamit. Nëse  shikojmë në disa prej fshehtësive dhe qëllimeve të tij, hasim se namazi është pastërti dhe zbukurim. Allahu e ka kushtëzuar vlefshmërinë e tij me pastërtinë e rrobave, trupit dhe vendit nga çdo gjë e fëlliqur dhe e pistë, dhe e ka bërë obligim pastrimin e trupit kur jemi të papastër dhe abdesin. Kështu, çelësi i xhenetit është namazi, ndërsa çelësi i namazit është abdesi dhe pastërtia. Thotë Allahu: “O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje. Nëse jeni të papastër, pastrohuni…” (El-Maideh 6).

Namazi është fuqi shpirtërore dhe trupore që e ndihmon besimtarin në përballimin me lodhjet dhe sprovat e kësaj jete. Për këtë arsye thotë Allahu: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë prej Allahut me durim e me namaz. Vërtet, Allahu është me durimtarët” (El-Bekareh 153).

Thotë Ibën Kajjimi: “Prej gjërave që më së shumti i ndihmojnë njeriut në çështjet e dynjasë dhe të fesë, janë durimi dhe namazi. Namazi duke qenë fuqi morale, e cila besimtarit i jep forcë të madhe, përmes së cilës arrin të largohet nga shthurja dhe çdo gjë e keqe, dhe arrin të ndalojë shfaqjen e pakënaqësisë gjatë fatkeqësive dhe mosdhënies gjatë mirëqenies, gjithashtu mbjellë në zemra Mbikëqyrjen e Allahut, respektimin e kufijve të Tij, kujdesin e shtuar ndaj kohës dhe ndaj orareve e takimeve, mundjen e përtacisë, epshit dhe dobësive njerëzore. Lidhur me këtë thotë Allahu: “Vërtet që njeriu është krijuar i paqëndrueshëm: kur atë e godet e keqja, ai ligështohet fort, por, kur i bie e mira, ai bëhet koprrac. Përjashtim bëjnë ata që falen, e që janë të vazhdueshëm në faljet e tyre.” (El-Me’arixh 19-23).

Gjithashtu namazi është edukatë trupore, për shkak të nënshtrimit dhe rregullit që përmban. E, ku ka më bukur, e më plotë se rreshtat e xhematit, duke qëndruar drejt pa asnjë lakim, të afruar me njëri-tjetrin, krahu me krah, këmba me këmbë, duke ju treguar imami i tyre se drejtimi i rreshtave është prej plotësimit të namazit! Dhe duke ju drejtuar atyre, ashtu siç u drejtohej Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shokëve të tij:

أن سدوا الفرج وسووا الصفوف ولا تختلفوا فتخلف قلوبكم، فإذا كبر الإمام كبروا وإذا قرأ أنصتوا وإذا ركع ركعوا وإذا سجد اسجدوا

“Plotësoni zbrazëtirat, drejtoni safet dhe mos jini të ndryshëm, se pastaj edhe zemrat tuaja do të ndryshojnë. E, kur imami të merr tekbir, ju merrni pas tij. E, kur të recitojë Kuranin, heshtni. Kur të bie në ruku’, edhe ju bini pas tij, dhe kur të bie në sexhde, edhe ju bini pas tij.”

Dhe thotë Pejgamberi siç transmeton Buhariu dhe Muslimi: “A nuk frikohet ndonjëri prej jush, që kur ta ngrejë kokën para kokës së imamit, Allahu të ja shndërrojë në kokë gomari?”

Robër të Allahut, pastaj vijmë tek zekati i cili po ashtu është plotë urtësi dhe fshehtësi. Ai është pastrim për shpirtin e të pasurit nga lakmia e urryer. Lakmia është sëmundje e rrezikshme shpirtërore, e cila shtynë në çdo të keqe. Kurrë nuk do të shpëtojë individi apo shoqëria të cilën e ka kapluar dhe e udhëheq lakmia. Allahu thotë: “…kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues” (El-Hashr 9).

Zekati po ashtu është pastrim për shpirtin e të varfrit nga zilia dhe urrejtja ndaj njeriut të  pasur, të cilit Allahu ja ka dhuruar atë pasuri. Ai gjithashtu është pastërti për gjithë shoqërinë –te pasur e të varfër- nga shkatërrimi, përçarja dhe sprovat e ndryshme. Në gjithë këtë aludon Fjala e Allahut: “Merr sadaka (e Zekat) nga pasuria e tyre me qëllim që t’i pastrosh dhe t’i bësh të dëlirë me anë të saj…” (Et-Teubeh 103).

Pastaj, zekati gjithashtu është shkak për shtimin e pasurisë dhe bereqet në të. Allahu thotë: “… dhe çfarëdo që të shpenzoni ju nga ndonjë gjë (për hir të Allahut), Ai do t’jua zëvendësojë atë. Dhe ai është më i miri Furnizues” (Es-Sebe’ 39).

Gjithashtu, zekati e forcon personalitetin e të pasurit duke e bërë më dorëlirë dhe më zemërhapur, ashtu siç e forcon personalitetin e të varfrit, sepse nuk e ndjenë veten si të humbur në shoqëri e as të lënë pas dore, për shkak të dobësisë dhe varfërisë së tij.

Hytbeja e dytë

U këshilloj me frikë ndaj Allahut dhe bindje ndaj Tij dhe me largim nga gjynahet dhe nga çdo gjë që e kundërshton Atë.

Myslimanë të nderuar, folëm për fshehtësitë e adhurimeve në Islam dhe u munduam t’i shfaqim disa prej tyre. Mirëpo kjo nuk do të thotë se i kemi përfshirë të gjithat. Madje, nuk do të thotë se gjithsesi duhet të thellohemi në nxjerrjen e tyre, sepse parimi bazë është se adhurimet duhet të kryhen si zbatim i urdhëresave të Allahut, si përmbushje e hakut të Tij mbi krijesa dhe si mirënjohje e falënderim për të mirat e Tij, të cilat nuk duhet të mohohen. Dhe jo doemos, ato duhet të kenë urtësi të cilat i kupton mendja e kufizuar e njeriut, por parimi bazë sa u përket adhurimeve është se ato janë për ta vënë në provë robërinë e njeriut ndaj Zotit të tij. Dhe i mjafton që ta dijë përgjithësisht se Allahu nuk ka nevojë për askënd prej robërve të Tij dhe nuk ka nevojë për adhurimin dhe bindjen e tyre.

Allahu thotë: “…kush është falënderues, e bën për të mirën e vet dhe, kush mohon, ta dijë se vërtet Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për lavdërim” (Lukman 12). Dhe thotë: “…dhe Haxhi është detyrë që njerëzit i detyrohen Allahut për ta kryer, ata të cilët munden të përballojnë shpenzimet. Dhe kushdo që nuk beson, atëherë Allahu është më i Pasuri, nuk ka nevojë për askënd në Alemiin” (Al-Imran 97).

Allahu nuk ka nevojë për askënd dhe kur kërkon prej robërve të Tij kryerjen e ndonjë adhurimi, atëherë atë e bën për të mirën e tyre dhe për shkak se ai u kthehet me të mira në jetën e tyre shpirtërore dhe materiale, individuale dhe shoqërore, në këtë dhe botën tjetër. Mirëpo, ka mundësi që mendjes së kufizuar të njeriut t’i fshihet Urtësia e Allahut.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit