Gjërat që e prishin agjërimin -2. Ejakulimi i spermës me dëshirë (jashtë marrëdhënieve, 3. Ngrënia dhe pirja

2. Ejakulimi i spermës me dëshirë (jashtë marrëdhënieve)

Edhe ejakulimi i spermës e prish agjërimin nëse kjo gjë bëhet me dëshirën e personit, p.sh.: e prek apo e puthë gruan e tij, apo masturbon (në këtë rast ka dy gjynahe: të masturbimit dhe të prishjes së agjërimit). Ejakulimi i spermës është përmbushje e epshit, gjë kjo prej së cilës agjëruesi e ka obligim të largohet. Allahu në hadith kudsij thotë: “Agjëruesi e lë ushqimin, pijen dhe epshin e tij për hir Timin.” Buhariu. Duhet braktisur çdo gjë që ka të bëjë me epsh, d.m.th. me ejakulim të spermës.

Nëse personi do që ta puthë e prekë gruan e tij, kjo nuk ndalohet përderisa nuk ka ejakulim të spermës[1], kjo nuk e prishë agjërimin. Aisha radijAllahu anha ka thënë: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka puthur gratë e tij duke qenë agjërueshëm, gjithashtu ka lozur me to (i ka prekur). Por, ai ka qenë më i fuqishmi prej jush në përmbajtjen e vetes së tij (për të mos kaluar në atë që është e ndaluar).” Buhariu dhe Muslimi. Umer ibn Ebi Selemeh e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “A i lejohet agjëruesit ta puthë gruan e tij?” Ai salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Pyete atë!” – d.m.th. Ummu Selemeh.[2] Atëherë ajo e ka njoftuar se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem e bën këtë gjë me të. I ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, porse ty Allahu t’i ka falur mëkatet, të kaluarat dhe të ardhmet.” Ai i ka thënë: “Porse, pasha Allahun, unë jam ai i cili më së shumti ka frikë Allahun dhe jam më i devotshmi në mesin tuaj.” Buhariu.

Mirëpo, nëse agjëruesi ka frikë se nuk mund ta mbajë vetveten, në kuptimin se nëse e puth gruan e tij apo luan me të, atëherë mund të vije deri tek ejakulimi i spermës, apo të bie në atë që është edhe më e madhe, d.m.th. të bëjë marrëdhënie intime me të për shkak të epshit të madh, atëherë në këtë rast nuk i lejohet ta puthë gruan e tij e as të luajë me të. Kjo ngase këtu vlen parimi islam që është “سَداً للذَّريعةِ – mbyllja rrugë të keqes, të ndaluarës”. Kështu që, në mënyrë që të ruhet agjërimi i personit nga prishja, atëherë të mos e bëjë këtë gjë, ngase e di se nuk mund ta ndalë veten (duke e mbajtur në kufijtë e lejuar), kjo është e ndaluar për të. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka urdhëruar që të teprohet në shpëlarjen e gojës gjatë abdesit, ka thënë: “Teproje në shpëlarjen e hundës gjatë abdesit…[3]”, në arabisht ky veprim quhet “مبالغة”, porse jo të bëhet kur personi është agjërueshëm, “…përveç nëse je agjërueshëm. Në këtë rast agjëruesi nuk bën ta lajë gojën në këtë mënyrë gjatë abdesit, ngase ekziston frika të depërtojë uji brenda. Dhe kështu, edhe për rastin e parë themi se, nëse ekziston frika a dyshimi se nuk mund ta ndalë veten, atëherë për të është e ndaluar ta puthë gruan e tij.

Në rastin kur ejakulimi i spermës ndodh kur personi është në gjumë, apo kur është duke menduar, pa vepruar asgjë, atëherë në këto raste nuk prishet agjërimi. Ejakulimi në gjumë nga ëndrrat e lagështa (intime)[4] ndodh pa vullnetin dhe dëshirën e tij, kurse mendimet e njeriut Allahu i ka falur. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu ia ka falur umetit tim atë që ia flet vetja (mendja) e tij, përderisa nuk i thotë dhe nuk i vepron.” Buhariu dhe Muslimi. Andaj, edhe nëse ndodh që njeriu të ejakulojë për shkak të mendimeve të brendshme, Allahu ia ka falur.

3. Ngrënia dhe pirja

Atëherë kur ushqimi e pija depërton në brendësi, përmes gojës apo hundës, çfarëdo ushqimi a pije që është. Allahu thotë: “Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” Bekare 187. Këtu përfshihen edhe barërat apo ilaçet që merren përmes hundës, këto janë të njëjta sikur ushqimi dhe pija. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Teproje në shpëlarjen e hundës gjatë abdesit, përveç kur je agjërueshëm.” Tirmidhiu, Nesaiu dhe të tjerë. Ndërsa, nuhatja e aromave të mira a të këqija, kjo nuk e prish agjërimin ngase nuk ka këtu copëza (trup, diçka të ngurtë) që depërton brenda në lukth.

[1] Ndërsa, sa i përket sekrecionit medhij, mendimi më i saktë është se dalja e tij (lëng i hollë, pa ngjyrë, që ngjitet) pas puthjes së gruas, nuk e prish agjërimin ngase nuk ka argument për këtë.

[2] Nëna e Umer Ibn Ebi Selemeh, njëkohësisht gruaja e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem.

[3] Ta lajë shumë, të ngrejë thellë ujin, kur e lanë atë.

[4] Nëse personi gjatë agjërimit sheh ëndrra me ç’rast pasi zgjohet sheh se ka ejakuluar spermë, kjo nuk ia prishë agjërimin sepse është bërë pa vetëdijen e tij. Andaj vetëm merr gusël dhe e falë namazin.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit