Gjykimi mbi përshëndetjen me dorë mes femrës myslimane dhe burrave që janë të huaj për të

(Hukmu musafehatil-mer’etil-muslimeti li-rr-rrixhalil-exhanib)
Shejh: Dr. Muhamed Tekij-jud-din El-Hilalij (Allahu e mëshiroftë)
Përktheu: Petrit Perçuku

Të gjitha lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, i Cili bëri ato që i lakmon shpirti i njeriut të jenë hallall apo haram; dhe kështu e lejoi hallallin dhe e ndaloi haramin, dhe e bëri të patjetërsueshme ndalesën për të, e tha:

“Prandaj, mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: “Kjo është e lejueshme e kjo e ndaluar”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë. Ata do të kenë kënaqësi të shkurtër (në këtë jetë), por i pret një dënim i dhembshëm (në jetën tjetër)” (16/116-117).

O Allahu im, dërgo salate dhe selame mbi robin dhe të Dërguarin Tënd, Muhamedin – përmes të cilit i nxore robërit e Tu besimtarë prej errësirave në dritë, dhe i urdhërove që të mjaftohen me hallall dhe ua qartësove se çfarë shpërblimi do të kenë (nëse ata mjaftohen me hallall, sh.p) – dhe mbi familjen e mbi shokët e tij, të cilët janë yrnek në të gjitha çështjet.

Më pastaj:
Thotë robi i varfër, i cili ka nevojë për Zotin e vet, të Madhin e të Lartin, Muhamed Tekij-jud-din El-Husejnij El-Hilalij:

“Më ka pyetur njëri ndër vëllezërit e vërtetë e pasues të Profetit besnik (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) rreth gjykimit mbi përshëndetjen me dorë midis femrës myslimane dhe burrave që janë të huaj për të, të cilëve nuk u ndalohet martesa me atë femër me një ndalim të pakufizuar. Dhe unë them ndërkohë që suksesi është prej Allahut:

Të gjithë myslimanët, selefët dhe halefët (të parët dhe të fundit sh.p.) janë unanim se prekja e femrës së huaj1 në çfarëdo pjese të trupit të saj është haram dhe mëkatim ndaj Allahut. Mua personalisht më ka ndodhur një gjë interesante rreth kësaj në anët e Indisë. Kisha një nxënës, emri i të cilit është shejh AbdulBari Ez-Zeuauij, i cili ishte nga banorët e Meskatit në Oman. Asokohe isha kryetar i profesorëve të kulturës arabe në simpoziumin e dijetarëve në Indi, dhe ai më tha:

“Vëllai im banon në qytetin e Karaçit dhe është prej tregtarëve të mëdhenj. Kështu, të lutem, nëse të shpie rruga drejt Karaçit, shko tek ai e mos u vendos në asnjërin prej hoteleve”. Ma dha adresën e tij dhe unë e kërkova ca dhe e gjeta. U gëzova, sepse ai kryente namazet rregullisht dhe në kohët e tyre. Pastaj, i hipëm veturës dhe shkuam në shtëpinë e tij, e cila ishte një pallat madhështor, të cilin e rrethonte një kopsht. U ula në atë kopsht, në njërën prej karrigeve, dhe fillova të lexoja gazetën. Papritmas, ndjeva që diçka qëndronte para meje. E ngrita shikimin dhe pash para meje pronarin e shtëpisë së bashku me një grua, e cila e kishte të zhveshur gjoksin, qafën, kokën, kofshët dhe kërcit e saj. Ajo zgjati dorën e saj që të më përshëndeste ndërsa unë e mbështolla dorën me një cep të Tajlesanit (ajo që vihet mbi kokë dhe supe, sh.p.) tim dhe e zgjata drejt saj. Ajo e hidhëruar e tërhoqi dorën e saj dhe u largua. Më tha bashkëshorti i saj:

– Përse po e nënçmon bashkëshorten time?

– Nëse kemi të bëjmë këtu me nënçmim, atëherë pikërisht ti je ai që e ke nënçmuar – ia ktheva.

– Përse nuk ia jepe dorën? Mos ka në dorën e saj zgjebe?!

– Mos dil nga tema. Nuk lejohet prekja e asnjë pjese të trupit të femrës nga mashkulli i cili është i huaj për të, dhe (trupi i saj) është në tërësi i ndaluar.

Atëherë, filloi të polemizonte me mua, derisa e ndërpreu.

Ndërsa tani, mua më duhet të përmend argumentin për fetuan time, në mënyrë që ai i cili mposhtet, të mposhtet me prova të qarta; ai që fiton, të fitojë, po ashtu, me prova të qarta:

“Thotë Hafidh ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në komentimin e tij të pjesës së fundit të kaptinës Mumtehinetu, tek Fjala e Allahut të Lartësuar:

“O Profet, nëse vijnë tek ty besimtaret e të betohen se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të kurvërojnë, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje të sajuar nga ato vetë2 dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë ti pranoje betimin e tyre dhe lutju Allahut t’i falë. Vërtet, Allahu është Falës Mëshirëplotë” (60/12).

“Transmeton Buhariu nga Ur’ueh se Aisha, bashkëshortja e Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), i ka treguar atij se i Dërguari i testonte besimtaret që migronin tek ai me këtë varg të Kuranit:
“O Profet, nëse vijnë tek ty besimtaret e të betohen… Deri te Fjala e Allahut: … vërtet, Allahu është Falës Mëshirëplotë

Thotë Ur’ueh: Aisha tha:“E, kushdo prej besimtareve që i pranonte këto kushte, Profeti (sal-lAll- llahu alejhi ue sel-lem) i thoshte asaj:“E pranoj betimin tënd” (vetëm) me fjalë. Jo, pasha Allahun, dora e tij kurrë nuk ka prekur dorën e ndonjë femre gjatë betimit. Ai nuk pranonte betimin e tyre veçse me fjalën e tij: “E pranoj betimin tënd”.

Ky është versioni i Buhariut.
Transmeton Imam Ahmed, nga Umej-jeh bint Rekikah të ketë thënë:

“Shkova tek i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), së bashku me një grup femrash, që të betoheshim para tij. Atëherë, ai mori besë prej nesh me ato që janë në Kuran:

… të betohen se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim)…

Dhe tha:
“(Betohuni) për ato (gjëra) që mundeni dhe janë në kompetencën tuaj”.

Ne thamë:“Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më të mëshirshëm për ne sesa ne për vetët tona”. Pastaj thamë: “O i Dërguar i Allahut, a nuk po na jep dorën?” Tha:

“Unë nuk i përshëndes gratë me dorë. Fjala ime për një grua të vetme është po ajo fjalë, edhe nëse janë njëqind gra”.

Gjithashtu, transmetohet nga Selma bint Kajs, e cila ishte njëra ndër tezet e Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe ishte falur së bashku me të (Profetin) drejt dyja kibleve, të ketë thënë:

“Shkova tek i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) së bashku me një grup grash prej Ensarëve që të betoheshim para tij. Pasi që na kushtëzoi që mos t’i shoqërojmë Allahut asgjë (në adhurim), të mos vjedhim, të mos bëjmë kurvëri, të mos i vrasim fëmijët tanë, të mos sjellim ndonjë shpifje të sajuar nga ne vetë dhe të mos e kundërshtojmë në atë që është e drejtë dhe e arsyeshme, tha:

“Gjithashtu, (betohuni) se nuk do t’i mashtroni burrat tuaj”

Thotë Selma: “Ia dhamë besën, pastaj u larguam. I thashë njërës prej tyre: “Kthehu dhe pyete Profetin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) se çka është mashtrimi i burrave?” Ajo e pyeti, ndërsa ai tha:
“Kur t’ia marrësh pasurinë dhe, përmes saj, favorizon dikë tjetër pos tij”.

Dhe thotë Imam Ahmedi: “Transmetohet nga Aisha bint Kudameh bin Madh’un të ketë thënë: “Isha së bashku me nënën time Raitah bint Sufjan El-Huza’ij-jeh, kur Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kërkonte betimin nga gratë dhe u thoshte:

“Kërkoj besën nga ju se nuk do t’i shoqëroni Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vidhni, nuk do të kryeni kurvëri, nuk do t’i vritni fëmijët tuaj, nuk do të sillni ndonjë shpifje të sajuar nga ju vetë dhe nuk do të më kundërshtoni në atë që është e drejtë dhe e arsyeshme!”

Ato thanë: “Po, ta japim besën, për ato që mundemi”. Ato thoshin kështu e edhe unë së bashku me to. Nëna më thoshte: “Vogëlushja ime, thuaj: “Po”, dhe unë thosha njëjtë si ato”.

Gjithashtu, transmeton Buhariu nga Ummu ‘Atij-jeh se ka thënë: “Ia dhamë besën Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), ndërsa ai na lexoi:

“… të betohen se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim)…”

Dhe, gjithashtu, na ndaloi nga vajtimi. Njëra prej të pranishmeve tërhoqi dorën dhe tha:

“Filan gruaja ka vajtuar për mua (për të vdekurin tim, sh.p.) dhe kam dëshirë ta shpërblejë”. Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) nuk i tha asgjë. Pastaj, ajo u largua dhe erdhi prapë, dhe Profeti ia pranoi betimin…” Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vazhdimisht i përkujtonte gratë me këtë premtim ditën e Bajramit. Siç transmeton Buhariu, nga Ibën Abbasi, i cili ka thënë:

“Isha prezent në namazin e fitër Bajramit, së bashku me të Dërguarin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), Ebu Bekrin, Umerin dhe Uthmanin, dhe të gjithë këta e falnin para hutbes e pastaj mbanin hutben. Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) zbriti nga minberi, dhe sikur e shoh tani duke i ulur burrat me dorën e tij. Pastaj, filloi të ecte midis tyre derisa arrit tek gratë, së bashku me Bilalin, dhe ua lexoi vargun:

“O Profet, nëse vijnë tek ty besimtaret e të betohen se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të kurvërojnë, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje të sajuar nga ato vetë dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme…” derisa e përfundoi vargun në tërësi, pastaj tha:

“A jeni (ende) në këtë (betim)?
Atëherë, një grua e vetme iu përgjigj dhe asnjë tjetër pos saj (Haseni –transmetuesi- nuk e di se kush ishte ajo): “Po, o i Dërguar i Allahut”. Ai tha:

“Atëherë, pra, jepni lëmoshë!”
Ndërkaq, Bilali e shtroi teshën e tij e ato filluan të hidhnin në të unazat që kishin, të mëdha apo të vogla.

Gjithashtu, transmetohet nga ‘Ubadeh bin Samit se ka thënë: “Ishim tek i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në një prej mexhliseve dhe ai na tha: “Ma jepni besën se nuk do t’i shoqëroni Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vidhni, nuk do të kryeni kurvëri, nuk do të vritni fëmijët tuaj”, dhe na e lexoi vargun me të cilin e mori besën nga gratë:

“O Profet, nëse vijnë tek ty besimtaret…”

Pastaj na tha:
“Kushdo prej jush që e përmbush këtë premtim, shpërblimi i tij do të jetë te Allahu. E, kush prej jush vepron diçka prej këtyre dhe dënohet për shkak të tij (me dënimet sheriatike të parapara në këtë botë sh.p.), kjo do të jetë shlyerje për të. Ndërsa, kush vepron diç prej këtyre dhe Allahu ia mbulon (atë mëkat), çështja e tij do të jetë për Allahun; nëse do, e falë, e nëse do, e dënon”.

Dhe transmeton ibën Xheriri prej ibën Abbasit se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e urdhëroi Umerin (radijAll-llahu anhu) dhe i tha:

“Thuaju atyre (grave) se vërtet Profeti ua kërkon besën se nuk do t’i shoqëroni Allahut asgjë (në adhurim)”

Ndërkaq, në mesin e grave rrinte e fshehur Hind bint ‘Utbeh bin Rebi’ah. Ishte ajo e cila kishte çarë stomakun e Hamzës (në betejën e Uhudit, dhe kishte ngrënë mëlçinë e tij, sh.p.). Pastaj tha, duke qenë e fshehur:

– Si kërkon të marrësh prej grave atë që (ende) nuk e ke marrë nga burrat? (d.m.th. besën, sh.p).
Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) shikoi nga ajo e pastaj i tha Umerit:
– Thuaju: ‘Dhe nuk do të vjedhin!’
– Pasha Allahun, unë marr nga Ebu Sufjani sasi të mëdha (të hollash, pa dijen e tij, sh.p.),
dhe nuk e di se a mi lejon (bën hallall) ai, apo jo? – tha Hindi.
– Çfarëdo që ke marr prej të kaluarave apo prej atyre që kanë mbetur, i ke të lejuara (t’i bëjë hallall) – i tha Ebu Sufjani.

Atëherë, Profeti (sal-lAllahu Alejhi ue sel-lem) qeshi dhe e njohu se kush ishte, dhe tha:
– Dhe nuk do të kryejnë kurvëri”
– O Dërguar i Allahut, a kryen kurvëri gruaja e lirë (jo robëreshë, sh.p.)?! – pyeti Hindi.
– Jo, pasha Allahun, nuk kryen kurvëri gruaja e lirë – u përgjigj Profeti. Pastaj tha:
– Dhe nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre.
– Ti i vrave ata (fëmijët tanë, sh.p.) ditën e Bedrit… – ia ktheu ajo.
– Dhe nuk do të sillni ndonjë shpifje të sajuar nga ju vetë – vazhdoi ai. Dhe:
– Dhe nuk do të më kundërshtoni në atë që është e drejtë dhe e arsyeshme!

Thotë (transmetuesi):

“I ndaloi nga vajtimi, sepse gratë e kohës së injorancës pagane i shqyenin rrobat, i grithnin fytyrat, i shkulnin flokët dhe thërritnin kundër vetes mjerim e shkatërrim”.

Thotë autori i këtyre vargjeve:
“Prej çështjeve që dihen është se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ishte i ruajtur nga gjynahet, dhe se, gjatë betimit (marrjes së besës), burrat ia shtrëngonin dorën e tij, ndërsa grave nuk ua jepte dorën, në mënyrë që të qartësohej se përshëndetja me dorë mes burrave dhe grave është haram dhe (në mënyrë) që të mos e marrin shembull kalifët që vijnë pas tij.

Pastaj, (dihet se) përshëndetja me dorë mes burrave dhe grave të huaja për ta është marrë nga evropianët e krishterë, dhe ne jemi urdhëruar që të mos u ngjasojmë atyre. Ndërsa, ata nuk janë mjaftuar vetëm me këtë; bile burri dhe gruaja vallëzojnë duke i bashkuar barqet mes vete. E, kush u ngjanë atyre, është prej tyre, siç thotë Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

Është obligim mbi femrën myslimane që mos të lejojë burrin e huaj të prekë ndonjë pjesë të trupit të saj; as duart, as ndonjë pjesë tjetër, përveç nëse është e sëmurë dhe nuk gjen femër që ta shërojë. Atëherë, i lejohet mjekut (mashkull) ta shërojë, edhe nëse është i detyruar të prekë trupin e saj. Askush (tjetër) nuk bën përjashtim në këtë; as bashkëshorti i motrës, as vëllai i bashkëshortit të saj (kunati, sh.p.), as djali i axhës (as djali i hallës, sh.p.) dhe as djali i tezes (as djali i dajës, sh.p.), sepse të gjithë këta fetarisht konsiderohen exhanib (të huaj) për të.

E lusim Allahun që të na japë sukses të gjithëve në kryerjen e obligimeve dhe në braktisjen e ndalimeve, qofshin nga Ai apo nga i Dërguarit i Tij.

Dhe (në fund) të gjitha lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e botëve.

(Thotë autori) e përfundova pas namazit të ikindisë, ditën e enjte, më 7 Dhul-Hixhxheh,
1400 sipas hixhretit.

 

1 D.m.th. me të cilën është e lejuar lidhja e aktit martesor (sh.p.)

2 D.m.th. lidhur me atësinë (sh.p.)

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit