Gjykimi për namazin e natës

Gjykimi për namazin e natës

Allahu ka ligjësuar adhurime të shumta për njerëzit. Ato i ka bërë të shumëllojshme, në mënyrë që njeriun të mos e kryejë vetëm një lloj prej tyre e pastaj ta kaplojë lodhja e zhgënjimi dhe ta braktisë atë, por i ka bërë të tilla që ai të ketë hise në secilin lloj. Kjo është urtësia pse Allahu ka ligjësuar adhurime të shumëllojshme. Prej tyre, ka bërë që disa të jenë obligime (farze), që nuk lejohet të mos veprohen assesi e as të mangësohen. E disa ka bërë të jenë adhurime vullnetare (nafile), përmes të cilave plotësohen obligimet (farzet) dhe gjithashtu shtohet afrimi tek Allahu. Prej adhurimeve është namazi. Allahu ua ka bërë obligim njerëzve faljen e pesë kohëve të namazit, gjatë ditës e natës, të cilat janë pesë në numër, por në shpërblim e vlerë janë sa pesëdhjetë. Allahu ka ligjësuar dhe pëlqyer për njerëzit që të shtojnë sa më shumë prej namazeve vullnetare, që të plotësojnë namazet farz[1] dhe që të afrohen sa më shumë tek Allahu (përmes veprimit të tyre).

Prej namazeve nafile janë:

Sunetet e rregullta.

Këto falen para apo pas namazeve farz. Këto sunete të rregullta janë: dy rekate para farzit të sabahut, katër rekate para farzit të drekës, dy rekate pas farzit të drekës, dy rekate pas farzit të akshamit dhe dy rekate pas farzit të jacisë. Quhen “namaze të rregullta – رواتب (rawaatib)” sepse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kurrë nuk i ka lënë pa falur (i ka falur rregullisht), përveç rasteve kur ka qenë udhëtar.

Namazi i natës.

Kur Allahu i lavdëron robërit e Tij të devotshëm, të mirë, të cilët ia atribuon Vetes së Tij duke thënë: “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata…” Furkan 63, madje, ata ia atribuon njërit prej Emrave të Tij që është “الرَّحْمَٰنِ – Err Rrahman – I Gjithëmëshirshmi”, kjo për të treguar se i ka përfshirë me Mëshirën e Tij, prej cilësive të këtyre robërve të Allahut që përmend, është edhe falja e namazit të natës, siç gjejmë në Kuran (në ajetin vijues): “…e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë…” Furkan 64. Dhe thotë: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten[2] Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” Surja Sexhde 16-17. Askush nuk mund ta imagjinojë se si është shpërblimi që Allahu e ka përgatitur për këta robër të Tij të mirë e të devotshëm, të cilët nuk mjaftohen me namazet farze, porse ngritën edhe natën për namaz dhe lutje tek Allahu, me frikë dhe shpresë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Namazi më i vlefshëm pas namazit farz, është namazi i natës.” Muslimi. Nuk ka namaz nafile më të vlefshëm sesa ai i natës. Dhe thotë: “O ju njerëz, përhapeni selamin, jepni ushqim, mbani lidhjet farefisnore dhe faluni natën duke qenë të tjerët në gjumë, do të hyni në xhenet me selam![3] Tirmidhiu dhe të tjerë.

[1] Ebu Hurejra pëcjellë se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën do të merret njeriu në llogari në ditën e Gjykimiy, është namazi i tij. Nëse namazin e ka të saktë (të plotë), ai do të fitojë (shpërblime të shumta) dhe do t’ia arrijë qëllimit. Nëse namazin nuk e ka të saktë (të pranuar), ai do të privohet (nga shpërblimi) dhe do të humbasë shumë (duke u ndëshkuar). E nëse namazet farz (obligative) i ka të mangëta, Zoti do të thotë (engjëjve) – edhe pse Ai e di më mirë: “Shikoni se a ka (falë) robi Im namaze nafile (vullnetare),  që t’i plotësohen namazet e mangëta (obligative)!” Pastaj, kështu veprohet me të gjitha veprat tjera të tij.”  Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu. Hadithi është autentik.

Prej namazit të natës është edhe vitri dhe namazi i teravive (në Ramazan).

[2] Falin namaz dhe luten tek Allahu.

[3] Pa u ndëshkuar në Zjarr.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.
? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit