“Hallalli dhe harami janë të qartë”

Nga Ebu Abdullah En-Nu’man bin Beshir (radijAllahu anhuma) përcillet të ketë thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Hallalli është i qartë e po ashtu edhe harami është i qartë, ndërkohë që mes tyre ka gjëra të paqarta, të cilat nuk i dinë shumica e njerëzve. Andaj kush ruhet nga gjërat e dyshimta e ka ruajtur fenë dhe nderin e vet. Ndërsa kush bie në to, ka rënë në haram. (Kjo është) ngjashëm me çobanin që e kullot bagëtinë përreth tokës së ruajtur (të dikujt tjetër); nga çasti në çast pritet që bagëtia e tij të futet aty. Vërtet, çdo mbret ka tokën e vet të ruajtur dhe vendi i ruajtur i Allahut janë ndalesat e Tij. Vërtet se në trupin e njeriut është një copë mishi, e cila nëse është e shëndoshë, edhe trupi tërësisht do të jetë i shëndoshë. E, nëse prishet, edhe trupi tërësisht do të prishet. Ajo (copë mishi) është zemra.” (Buhariu dhe Muslimi).

Shejh Uthjemini (Allahu e mëshiroftë) komenton:

“Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në këtë hadith i ndau gjërat në tri pjesë:
– Një pjesë që janë hallall i qartë, dhe
– Pjesa tjetër që janë haram i qartë.

Pra, këto dy grupe janë të qarta (s’ka në to vend për dyshime e ngatërresa). Kështu, ajo që është hallall lejohet dhe njeriu nuk mëkaton nëse e bën atë. Ndërkaq ajo që është haram është e palejueshme, dhe njeriu mëkaton me veprimin e saj.
Shembulli i të parit: lejimi i ngrënies së mishit të bagëtive, dhe shembulli i të dytit: ndalimi i pijeve dehëse.

– Sa i përket pjesës së tretë, në të hyjnë gjërat e paqarta. Domethënë: vendimi për to se, a janë të lejueshme (hallall) apo të ndaluara (haram) është i paqartë dhe i panjohur për shumicën e njerëzve. Edhe pse për disa është i ditur.

Për këtë grup, i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha se, prej drojës së mirëfilltë është që njeriu t’i braktisë dhe të mos hyj në to. Ai tha: “Andaj kush ruhet nga gjërat e dyshimta e ka ruajtur fenë dhe nderin e vet”. Domethënë: sa i përket (raportit) mes tij dhe Allahut, ai e ka ruajtur fenë e vet, ndërsa sa i përket (raportit) mes tij dhe njerëzve të tjerë, ai e ka ruajtur nderin e vetë, ashtu që ata të mos thonë: “Filani ka rënë në haram”, duke qenë se e dinë se ai është duke bërë një vepër të dyshimtë (paqartë). Më tutje Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) si shembull për këtë e solli çobanin, i cili e kullot bagëtinë e tij përreth tokës së ruajtur (të dikujt tjetër). Domethënë: përreth tokës së ruajtur, në të cilën nuk kullosin bagëtitë. Për këtë shkak ajo është e gjelbër (plotë bar) dhe vazhdimisht i tërheqë (josh) ato, derisa të futen e të kullosin brenda saj. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “(Kjo është) ngjashëm me çobanin që e kullot bagëtinë përreth tokës së ruajtur (të dikujt tjetër); nga çasti në çast pritet që bagëtia e tij të futet aty.”

Pastaj tha: “Vërtet, çdo mbret ka tokën e vet të ruajtur” që do të thotë se, është shprehi në mesin e njerëzve të rrethojnë (ruajnë) ndonjë pjesë të kopshteve, në të cilat ka barë dhe të lashta të shumta.

“…dhe vendi i ruajtur i Allahut janë ndalesat e Tij” domethënë: vendi i ruajtur i Allahut janë gjërat që nuk ua lejoi robërve të Tij, ngaqë i ndaloi të futën në të. Më tej, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) sqaroi se në trupin e njeriut është një mudga: copë mishi, aq sa ai e përtyp gjatë ngrënies, e cila nëse është e shëndoshë, edhe trupi (i tij) do të jetë tërësisht i shëndoshë. Pastaj bëri me dije se kush është ajo copë mishi me fjalët e tij: “Ajo është zemra”. Nga kjo fjalë jepet shenjë se, njeriu e ka për të detyrë të kujdeset për epshin brenda zemrës së tij, i cili vazhdimisht e godet në mënyrë që ta fus në haram dhe në gjëra të dyshimta.

Nga ky hadith përfitojmë:

– Në fenë islame, hallalli dhe harami janë të qartë, ndërsa ato gjëra që janë të paqarta (dyshimta) i dinë (vetëm) disa njerëz.

– Kur njeriu e ka të paqartë ndonjë gjë se: a është hallall apo haram, ai duhet të shmanget prej saj, derisa t’i qartësohet se është e lejuar.

– Kur njeriu të futet në gjëra të dyshimta, atëherë i bëhet fare e lehtë futja në gjëra të qarta (që dihen se janë të ndaluara). Dhe kur vazhdimisht bën vepra të dyshimta, shpirti i tij e thërret në kryerjen e haramit të qartë, dhe atëherë shkatërrohet.

– Lejohet sjellja e shembullit në mënyrë që të sqarohet diçka abstrakte (kuptimore) përmes sjelljes së diçkaje konkrete. Domethënë: ngjasimi midis të kuptueshmes dhe të prekshmes, në mënyrë që të afrohet (lehtësohet) njohja e saj.

– Mësimdhënia e mirë e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), dhe kjo përmes sjelljes së shembujve nga ana tij, pastaj sqarimit të tyre.

– Vërtitja e përmirësimit dhe e prishjes së njeriut është tek zemra. Mbi këtë dobi ngrihet fakti se, njeriu e ka për detyrë që vazhdimisht dhe në mënyrë të paprerë të kujdeset për zemrën e tij, derisa të drejtohet ashtu si duhet të jetë.

– Prishja e anës së jashtme është dëshmi për prishjen e anës së brendshme, për shkak të pasazhit: “e cila nëse është e shëndoshë, edhe trupi tërësisht do të jetë i shëndoshë. E, nëse prishet, edhe trupi tërësisht do të prishet.” Pra, prishja e anës së jashtme të njeriut është shenjë për prishjen e brendësisë së tij.”

Shejh: Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)
Shkëputur nga shpjegimi i dyzet haditheve të imam Neveviut

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit