Hytbe: “Rreziku i gjynaheve”

Hytbe: “Rreziku i gjynaheve”

Hoxhë Petrit Perçuku

Jeta e vërtetë, jeta reale, është jeta e zemrës. Besimtari jeton dhe meriton të quhet “i gjallë” vetëm për shkak të besimit të tij. Kurse në anën tjetër, jobesimtari është i vdekur për shkak të kundërshtimit të tij ndaj argumenteve të Allahut, ashtu siç na tregon Allahu në Kuran në lidhje me ta: “Ata janë të vdekur pa jetë…”[1]

Gjallëria e njeriut nuk është asgjë në qoftë se nuk ka jetuar për hir të Allahut dhe si besimtar. Në të vërtetë, nuk ka jetë reale nëse njeriu nuk jeton për hir të Allahut. Njeriu kur fillon të largohet nga Allahu duke u marrë me mëkate, humbasin nga ai ditët e jetës dhe të gjallërisë së tij reale, mungesën e së cilës do ta ndiejë kur në Ditën e Gjykimit të thotë: “O i  mjeri unë sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!”[2]

Ajo çka humbet prej të mirave të kësaj dhe botës tjetër për shkak të veprimit të gjynaheve, është shumëfish më e madhe se ajo çka robi ndjen për një moment të shkurtër kur i vepron ato. Pastaj dhimbja dhe dënimi është për atë i cili e hidhëron Allahun, duke e ndyrë shpirtin e tij me mëkate e vepra të liga.

Vërtetë mëkatet janë rrezik si për zemrat ashtu dhe për trupat tanë. Gjurmët e tyre shfaqen shumë qartë, si në individë ashtu dhe në shoqërinë në të cilën jetojmë. Gjynahet janë ato që sjellin çdo të keqe dhe çdo katastrofë. E duke i vepruar ato, largohen begatitë dhe vjen hakmarrja e Allahut. Për shkak të tyre ndodhin sprova të njëpasnjëshme.

Gjynahet janë ato që ia vështirësojnë çdo punë vepruesit të tyre, i cili nuk synon ndonjë çështje veçse e gjen të pamundur apo gjen vështirësi në realizimin e saj. Gjithashtu gjynahet e privojnë njeriun nga furnizimi dhe ia largojnë bereqetin e jetës. Ato, njeriun e lavdëruar e të ngritur, e kthejnë në njeri të nënçmuar e të poshtëruar.

Me të vërtetë, bindja ndaj Allahut është mburoja dhe kështjella më e madhe, në të cilën kush hyn, do jetë prej të sigurtëve. Ndërsa kush nuk i bindet Allahut, vendstrehimi i tij kthehet në trishtim, e pushton pasiguria dhe e kaplon zemrën e tij. E gjithë krenaria është në bindjen ndaj Allahut: Thotë Allahu: “Kush dëshiron krenari, le ta dijë se e gjithë krenaria i takon Allahut…”

Shpirtrat fisnikërohen dhe bëhen më madhështorë me bindje ndaj Allahut, ndërsa përulen duke i bërë gjynah Atij. Gjynahqari është gjithmonë kokulur, i nënçmuar, nënçmimi është përherë me të edhe pse ai shfaq krenari dhe kryelartësi.Thotë Allahu i Madhërishëm: “Vërtetë ata që kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, janë në shkallën më të ulët.”[3] Thotë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Është i poshtëruar dhe nënçmuar ai i cili më kundërshton mua.” Thotë Hasan el Basriu rahimehullah: “Allahu gjithsesi do ta poshtërojë atë i cili i bën gjynah dhe e kundërshton Atë.”

Vërtetë gjynahet janë si sëmundjet të cilat kur ta pushtojnë trupin, e vrasin atë. Gjynahet e njëpasnjëshme janë shkaku kryesor i largimit të sigurisë dhe qetësisë nga individi dhe shoqëria. Thotë Ibën Mesuudi radijAllahu anhu: “Kur të shfaqet imoraliteti dhe kamata në një vend, atëherë Allahu jep leje për shkatërrimin e tij.”

Nuk ka asnjë të keqe dhe sëmundje në këtë botë veçse për shkak të gjynaheve dhe kundërshtimit të Allahut.Thotë Allahu i Madhërishëm: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë, por Ai falë shumë.”[4]

Shumë njerëz e shohin si të vogël çështjen e gjynahut, duke mos e parë ndikimin e tij të menjëhershëm. Ndoshta ndikimi i tij vërtetë vonohet, derisa gjynahqari edhe kur e përjeton atë ndikim, harron që ka qenë për shkak të gjynahut, mirëpo ai mashtrohet me këtë sepse nuk e di se dënimi i mëkatit zbret edhe pas një kohe të gjatë. Thotë Allahu i Madhërishëm: “Kushdo që bën një të keqe, do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës, as mbështetës tjetër në vend të Allahut.”[5]

Andaj, mos e shih si të vogël çështjen e gjynaheve sepse Iblisi është mallkuar dhe zbritur nga pozita e krenarisë në të cilën ka qenë, për shkak se nuk e bëri një sexhde të vetme kur u urdhërua. Ndërsa Ademi është nxjerr nga xheneti për shkak të një kafshate. Gjithashtu një grua është futur në zjarr për shkak të një maceje të cilën e burgosi dhe nuk i dha për të ngrënë. Një njeri gjersa ishte duke ngrehur zvarrë rrobën e tij me mendjemadhësi, e përpiu toka dhe është duke u dënuar në brendësinë e saj deri në Ditën e Gjykimit.

Andaj, frikësoju gjynahut dhe mos u siguro nga të papriturat e tij, sepse në atë moment që gjynahu të duket i vogël në sytë e tu, kjo është shenja e shkatërrimit tënd e sa herë që ai anashkalohet në sytë e njeriut , tek Allahu rritet.

Kij kujdes nga gjynahet të cilave nuk ua vë vëmendjen, sepse ato kur të bashkohen tek njeriu, e shkatërrojnë.

Ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Keni kujdes nga gjynahet të cilat janë të vogla në sytë tuaj…”

Enesi radijAllahu anhu thotë: “Vërtetë se ju po bëni vepra të cilat në sytë e juaj janë më të holla (të vogla) sesa qimja e flokut, mirëpo ne në kohën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i konsideronim prej gjynaheve shkatërrimtare.”

Kur i erdhi vdekja dijetarit Muhamed ibën Munkedirit, qau dhe tha: “UAllahu nuk po qaj për shkak të ndonjë gjynahu të cilin e di që e kam bërë, por po frikohem se mos e kam bërë ndonjë gjynah duke e konsideruar të vogël e të lehtë, ndërsa tek Allahu është shumë i madh.”

Kur mëkati kryhet fshehurazi, nuk dëmton përveçse vepruesin e tij, mirëpo kur kryhet haptas dhe shfaqet e nuk ndryshohet, atëherë e dëmton të gjithë shoqërinë. Gjithashtu, rreziku i mëkatit shtohet kur gjynahqari gëzohet me veprimin e tij, apo mashtrohet me mbulesën e Allahut që ia bën atij.

Ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “I tërë ummeti im do të falen përveç atyre që kryejnë gjynahe haptas.”

Thotë Ibën Kajjim rahimehullah: “Ky lloj i njerëzve (të cilët kryejnë gjynahe haptas) nuk falen dhe u mbyllet rruga e pendimit dhe dyert e tij.”

Thotë Ibën Haxheri rahimehullah: “Dënimi i Allahut i përfshin të gjithë kur të këqijat dhe veprat e liga të shfaqen haptazi.”

Duhet të dihet se gjynahu nuk përkufizohet vetëm me veprimin e asaj që e kemi të ndaluar, mirëpo edhe me moskryerjen e obligimeve. Dhe kush nuk ecë përpara me punë të mira, kthehet mbrapsht me punë të këqija.

Thotë Allahu i Madhëruar: “Për ata nga ju që dëshirojnë të ecin përpara ose të kthehen mbrapsht.”[6]

Dhe ai që nuk ec përpara, veçse ka ngecur pas.

Dënimi i Allahut është shumë i dhimbshëm dhe i ashpër.

Allahu i Madhërishëm thotë: “Sa e sa vendbanime, banorët e të cilëve kanë qenë mohues, i kemi shkatërruar; e pas tyre kemi ngritur popuj të tjerë!”[7]

Dhe thotë: “I tillë është dënimi i Zotit, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.”[8]

Gjurmët e gjynahut arrijnë edhe kafshët edhe pemët. Thotë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Vërtetë kur të vdes njeriu i keq, janë rehat prej tij njerëzit, vendbanimet, pemët dhe kafshët.”

Thotë Allahu i Madhëruar: “E do tu japim atyre afat, me të vërtetë kurthi Im është i fortë.”[9]

Dhe thotë: “Largohuni nga gjynahet e hapura dhe të fshehta, sepse ata që kanë bërë gjynahe, patjetër që do të ndëshkohen për atë që kanë vepruar.”[10]

Pa dyshim se prej mashtrimeve më të mëdha është fundosja në mëkate duke shpresuar në falje, mirëpo pa u penduar sinqerisht dhe gjithashtu shpresa për të qenë afër me Allahun, mirëpo pa vepra të mirë, duke pritur kështu frutat e xhenetit, mirëpo farën e kemi nga zjarri i xhehenemit. Shumë njerëz janë mashtruar me faljen e Allahut duke harruar se Ai ndëshkon rreptë.

Njeriu para se të bëjë gjynah, duhet të kujtojë se durimi ndaj epshit është gjë shumë më e lehtë sesa durimi ndaj asaj që e obligon mëkati. Vërtetë se mëkati ose obligon dhimbjen dhe ndëshkimin, ose e ndërpret ndonjë kënaqësi më të madhe se ai, ose e largon ndonjë begati, e cila është më e mirë për njeriun sesa shfryrja e epshit.

Prandaj, largohuni nga fitnet dhe mbrohuni me Librin e Allahut dhe sunetin e të Dërguarit dhe shoqërohuni me njerëz të mirë.

Ki kujdes nga shoqërimi i gjynahqarëve dhe nga shpresat e kota e të padobishme!

Bëhu i vëmendshëm ndaj kurtheve të shejtanit dhe ruaju cytjeve të tij!

Mos e humb shpresën nga përmirësimi i shoqërisë tënde në të cilën jeton, edhe nëse shtohen mëkatet e tyre!

Duroni dhe nxiteni njëri-tjetrin në durim gjatë thirrjes ndaj të tjerëve dhe përmirësimit të tyre!

Thotë Allahu i Madhërishëm: “Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte qytetet padrejtësisht, nëse banorët e tyre do të ishin që përmirësojnë.”[11]

[1] Surja Nahl, ajeti 21.

[2] Surja Fexhr, ajeti 24.

[3] Surja Muxhadile, ajeti 20.

[4] Surja Shura, ajeti 30.

[5] Surja Nisa, ajeti 123.

[6] Surja Muddeththir, ajeti 37.

[7] Surja Enbija, ajeti 11.

[8] Surja Hud, ajeti 102.

[9] Surja Kalem, ajeti 45.

[10] Surja Enam, ajeti 120.

[11] Surja Hud, ajeti 117.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit