Islami, kjo fe nxitë për martesë

Allahu i nxitë njerëzit për martesë. Do të përmendim disa argumente. Allahu thotë: “Vërtet, edhe para teje Ne kemi sjellë të dërguar, të cilëve u kemi dhënë gra dhe pasardhës.” Rad 38. Kjo është praktika e të gjithë Pejgamberëve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë katër gjëra të cilat janë nga praktika e Pejgamberëve: turpi, parfumosja,[1] miswaku dhe martesa (nikahu).” Allahu thotë: “Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat…” Nahl 72. Dhe thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” Rum 21. Dhe thotë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja[2] që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” Nur 32. Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu ka marrë për obligim të ndihmojë tre persona…”, prej tyre përmend: “….dhe ai që martohet për ta ruajtur nderin e tij.” Allahu thotë: “Në të vërtetë, shumë priftërinj dhe murgj përlajnë pasurinë e njerëzve pa të drejtë dhe i largojnë ata nga rruga e Allahut. Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm.” Teube 34. Sahabët ishin në një udhëtim me Pjegamberin salAllahu alejhi ue selem dhe biseduan se ky ajet ka zbritur për arin dhe argjendin dhe thanë: “Sikur ta dinim se çfarë pasurie tjetër ka e të cilën mund ta arrijë (fitojë) njeriu!” Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem iu thotë: “(Pasuria më e madhe që ka njeriu është) Një gjuhë e cila e përmend Allahun vazhdimisht, një zemër falënderuese (ndaj të mirave të Allahut) dhe një grua besimtare që e ndihmon burrin në besimin e tij.” Dhe një hadith tjetër përmenden llojet e lëmoshës, e prej tyre përmend se edhe në marrëdhëniet intime mes bashkëshortëve ka lëmoshë. Sahabët e pyesin se si ka lëmoshë në këtë rast dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem me shembull praktik iu thotë: “Nëse do ta shfrynte epshin në ndalesë a ka mëkat? Njashtu, kur e shfryen epshin në lejesë (në martesë) ka shpërblim.” Në një hadith tjetër tregohet se një i ri vjen te i Dërguari salAllahu alejhi ue selem dhe i kërkon t’ia lejojë imoralitetin. Atëherë i thotë: “A do doje të bënte dikush imoralitet me nënën tënde, me hallën tënde, me motrën tënde, me vajzën tënde?” Që të gjitha nuk i pranon (thotë “jo”). Shejkh Abdurrezak el Bedr komenton: “Të bëjmë krahasim mes këtij djali të kohës së të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem dhe kohës së sotshme. Atëherë nuk ka pasur as internet, as TV etj., e megjithatë ka rënë në sprovën (joshjen) e imoralitetit. Po të rinjtë e sotshëm ku janë? Nëse nuk kemi mëshirë  e kujdes duke i ruajtur fëmijët tonë, vëllezërit tonë e të afërmit tonë nga kjo sprovë, vAllahi kjo është sprovë e madhe dhe sot është mundësia e rreziku më i madh që të bien në të sesa në atë kohë.” Ka ajete e hadithe të shumta që flasin për këtë temë.

[1] Pejgamberët janë kujdesur në parfumosje gjithherë e të kenë aromë të mirë dhe janë ruajtur nga aromat e këqija e të pakëndshme, nga të cilat largohen engjëjt dhe njerëzit.

[2] Jo vetëm të lirët, por edhe këtë shtresë e njerëzve që ka pasur liri të kufizuar, Allahu i ka nxitur të martohen.

 

Hoxhë Bajram Sefedini – Derset për martesën – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit