Kategoritë e njerëzve në agjërim (1)

Kategoritë e njerëzve në agjërim

Sa i përket agjërimit të Ramazanit, njerëzit ndahen në dhjetë kategori:

  1. Muslimani moshë rritur, i mençur, vendas (jo udhëtar), i aftë dhe i fuqishëm për agjërim dhe i lirë prej pengesave.[1]

Për këtë person agjërimi i Ramazanit është obligim dhe nuk i lejohet ta prishë për ta bërë kaza (kompensuar) më vonë. Për të kanë ardhur tekstet prej Kuranit, sunetit dhe konsensusit të dijetarëve (që i kemi përmendur në ndejën e tretë). Prej tyre: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” Bekare 185. Çdo musliman që ka këto cilësi, të cilat i përmendëm më lartë, e ka obligim ta agjërojë muajin Ramazan. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur ta shihni hënën e re agjëroni.” Siç themi përmendur dhe më herët, të gjithë muslimanët kanë pajtueshmëri (konsensus) se është obligim agjërimi i Ramazanit për atë i cili ka këto cilësi të lartpërmendura.

Jobesimtari nuk e ka obligim agjërimin. Edhe nëse agjëron, nuk i pranohet tek Allahu, sepse nuk prej është prej atyre të cilëve u pranohet adhurimi tek Allahu ngase ai ende nuk ka hyr në Islam. Nëse jobesimtari hyn në Islam gjatë Ramazanit, duke qenë se në fillim të muajit nuk ka qenë musliman, pastaj nga mesi i muajit e ka pranuar Islamin, ky nuk e ka obligim ta bëjë kaza pjesën e parë të muajit që i ka ikur pa agjëruar, ngase Allahu thotë: “Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara…” Enfal 38.  Pra, i falet dhe nuk ka nevojë ta bëjë kaza atë pjesë të Ramazanit në të cilën ka qenë jobesimtar.

E nëse jobesimtari hyn në Islam gjatë ditës së Ramazanit, atëherë ka për obligim të mos hajë dhe pijë e as të bëjë marrëdhënie me bashkëshorten, deri në përfundim të ditës (në iftar), ngase pasi është bërë musliman ka hyrë në kategorinë e atyre të cilët e kanë obligim agjërimin e Ramazanit. Megjithëkëtë, ai nuk e ka obligim ta bëjë kaza këtë ditë sepse në fillim të ditës nuk ka qenë prej atyre të cilët e kanë pasur obligim agjërimin e Ramazanit; atëherë kur ka qenë obligim ta bëjë nijetin[2] në syfyr dhe të ndalojë nga ngrënia, pirja dhe marrëdhënia me gruan e tij, ai nuk ka qenë musliman, andaj nuk e ka obligim ta bëjë kaza këtë ditë.

[1] Këto pengesa do të përmendën më poshtë, si: cikli menstrual, lehonia, sëmundja nga e cila shpresohet shërimi etj.

[2] Nijeti është çështje e zemrës, për të gjitha adhurimet. Allahu e di qëllimin e personit. Ku është qëllimi? Qëllimi/nijeti është në zemër. Para se njeriu ta shprehë me gjuhë qëllimin, atë e ka në zemër.  Andaj, nuk është e nevojshme ta shprehë me gjuhë/fjalë. Kjo është teprim në fenë e Allahut. Për më tepër, është bidat/risi në fe. Kur të hyjë nata e parë e Ramazanit, është obligim të bëhet nijeti me zemër për agjërimin e të gjithë këtij muaji. Pastaj, për çdo natë të Ramazanit nuk është obligim ripërtërija e këtij nijeti, por është gjë veç e preferuar (kurse disa dijetarë e obligojnë nijetin e ri për çdo natë të Ramazanit). Ngritja në syfyr veçse është bërje e nijetit. Mirëpo, është një rast që duhet të ripërtërihet nijeti për agjërimin e Ramazanit, shembull: personi që udhëton i lejohet ta prishë agjërimin, ngase është udhëtar, e kur të kthehet në vendin e tij, në natën e parë e ripërtërinë nijetin se do të vazhdojë të agjërojë pjesën e mbetur të Ramazanit; apo rasti i dikujt që ka agjëruar disa ditë e pastaj është sëmurë dhe e ka prishur, pasi është shëruar, e ripërtërinë nijetin për agjërimin e pjesës së mbetur.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Ndejat e Ramazanit – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit