Kategoritë e njerëzve në agjërim (5)

5. I paafti (në vazhdimësi) për agjërim.

Është ai për të cilin nuk ka shpresë se do t’i kalojë paaftësia (pamundësia) për agjërim, e ka të vazhdueshme. Këtu përfshihet:

– plaku (jo ai që u përmend më lartë), i cili e ka mendjen, porse për shkak të pleqërisë nuk mund të agjërojë, është i dobët.

-i sëmuri me sëmundje kronike, që nuk ka shpresë për shërimin e saj, p.sh.: të sprovuarit me lloje të ndryshme të kancerëve apo sëmundje të kësaj natyre që janë të rënda.

Këta nuk e kanë obligim agjërimin për shkak të pamundësisë për të agjëruar. Allahu thotë: “…frikësojuni Allahut sa të mundeni…” Tegabun 16. E agjërimi nuk është nën mundësinë e tyre. Dhe: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka (njeriu)…” Bekare, 286. Porse i tilli ka për obligim, si zëvendësim për agjërimin, ushqimin e një të varfri për çdo ditë të Ramazanit që nuk e agjërojnë[1]. Allahu e ka bërë të barasvlershëm të ushqyerit me agjërimin (në këtë rast). Kemi përmendur se në fillim të Islamit njeriu ka qenë i lirë: ose të agjërojë ose të ushqejë një të varfër, e pastaj është bërë obligim agjërimi. Dijetarët thonë se dhënia ushqim është ekuivalente me agjërimin. Andaj, ai që nuk ka mundësinë të agjërojë për shkak të pamundësisë (paaftësisë) e cila nuk ka shpresë se i kalon, atëherë për çdo ditë të Ramazanit ushqen një të varfër.

Sa i përket ushqyerjes së të varfërve, njeriu është mes dy zgjedhjeve: jep ushqim të papërgatitur (grurë, oriz, miell etj.[2]), ose jep ushqim të përgatitur.

Sa i përket sasisë se sa grurë i jepet një të varfri për një ditë të pa agjëruar, dijetarët kanë mospajtime. Mirëpo, mendimi më i sigurt është që për një ditë jepet rreth 1.5 kg prej miellit të mirë (1510 g), përafërsisht është sa një gjysmë sa’a.[3] Dijetarët thonë se një sa’a është diku 3 kg, ndërsa gjysma e saj është diku 1. 5 kg. Pra, 1.5 kg (gjysmë sa’a) jepet ushqim për një të varfër për çdo ditë të pa agjëruar për shkak të paaftësisë (pamundësisë). Nëse Ramazani ka 30 ditë, atëherë i bie t’ia japë 45 kg miell një të varfri dhe e kryen obligimin.

Buhariu rahimehullah thotë: “Sa i përket plakut që nuk ka fuqi për të agjëruar, është transmetuar se Enesi radijAllahu anhu pasi ishte shtyrë në moshë, një apo dy vite para vdekjes ai nuk agjëronte dhe për çdo ditë ushqente nga një të varfër duke i dhënë bukë e mish.”

Po ashtu ibn Abbasi radijAllahu anhu ka thënë: “Plaku e plaka, duke mos pasur mundësi të agjërojnë, për çdo ditë e ushqejnë nga një të varfër.” Buhariu.

Ligji të cilin na ka zbritur Allahu ka urtësi. Ai ka ligjësuar ligje e dispozita me urtësinë e Tij, në to ka mëshirë prej Tij për robërit e Tij. Ky sheriat është i ndërtuar mbi lehtësimin, mëshirën, urtësinë dhe përsosmërinë e Allahut. Allahu, çdo kujt prej – el mukel-lifiin-ëve (المكلَّفين – atyre të cilëve ua ka bërë obligim kryerjen e urdhrave dhe largimin prej ndalesave), ua ka bërë obligim ato gjëra që janë të përshtatshme për gjendjen e tyre, në mënyrë që secili të mund t’i kryejë ato me zemër të hapur, me prehje në shpirt, duke u përpjekur ta kënaqë Allahun, duke qenë i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin salAllahu alejhi ue selem si i Dërguar i Tij. Duhet ta falënderojmë Allahun që na ka udhëzuar në këtë fe të drejtë, që na ka begatuar dhe na ka bërë prej atyre që ndjekin udhëzimin e Tij. Duhet ta lusim që të na forcojë në këtë fe, deri në vdekje.

[1] Me të ushqyerit e të varfrit për çdo ditë është për qëllim dhënia iftar, e jo t’i jepet ushqim e pije brenda ditës së agjërimit, përveç nëse atij të varfri i lejohet mosagjërimi për ndonjë arsye të pranuar sheriatikisht.

[2] Jep prej ushqimeve kryesore të vendit. Në vendin tonë, zakonisht i tillë është mielli apo orizi.

[3] Enë me të cilën kanë matur në kohën e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Ndejat e Ramazanit – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit