Kategoritë e njerëzve në agjërim (6)

  1. Udhëtari.

Është për qëllim me udhëtarin i cili nuk udhëton duke pasur për qëllim që t’i lejohet prishja e agjërimit (kjo është të bësh hile në dispozitat e Allahut). Nëse vepron kështu, ai e ka të ndaluar prishjen e agjërimit dhe e ka obligim të agjërojë edhe pse është në udhëtim. Ndërsa, nëse udhëton duke mos pasur për qëllim këtë hile, atëherë është i lirë të zgjedhë: të agjërojë ose ta prishë atë, qoftë nëse koha e udhëtimit është e gjatë apo e shkurtë, qoftë nëse ka qenë udhëtim i rastit për ndonjë qëllim, apo i vazhdueshëm siç është rasti me pilotët, shoferët e taksive; të gjithë këta i përfshin Fjala e Allahut: “Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” Bekare 185.

Enesi radijAllahu anhu ka thënë: “Ne shpeshherë udhëtonim me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem. Njerëzit disa ishin agjërueshëm e disa jo. Ata që ishin agërueshëm nuk i qortonin ata që e prishnin agjërimin dhe anasjelltas.” Ebu Seid el Hudriu radijAllahu anhu tregon: “ Sahabët kanë pasur mendimin se ai i cili gjen forcë për të agjëruar në udhëtim, kjo është e mirë për të. Gjithashtu kanë pasur mendimin se ai që dobësohet gjatë udhëtimit dhe nuk ka mundësi të vazhdojë agjërimin dhe e prishë, edhe kjo është e mirë.” Muslimi. Hamze ibn Amër el Eslemi radijAllahu anhu ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, unë kam një kafshë (kali a deve) të cilën e përdori, udhëtoj vetë ose e jap me qira. Nganjëherë gjatë udhëtimit ndodh të jem agjërueshëm në Ramazan. Dhe unë kam forcë, jam i ri dhe shoh se agjërimi (në udhëtim) për mua është shumë më i lehtë sesa prishja e pastaj ta bëj kaza pas Ramazanit. A kam shpërblim më të madh të agjëroj gjatë udhëtimit apo ta prishi atë?” Dhe i ka thënë: “Cilën të duash veproje, o Hamza!” Ebu Daudi. Edhe pse zinxhiri i këtij hadithi është i dobët, ka hadithe të tjera që dëshmojnë për saktësinë e tij. Origjina e këtij hadithi është në Sahihun e Muslimit i cili transmeton nga Hamza se e ka pyetur të Dërguarin salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut, unë gjej forcë dhe kam mundësi të agjëroj në udhëtim, a kam gjynah?” I Dërguari salAllahu alejhi ue selem i thotë: “Prishja e agjërimit në udhëtim është lehtësim prej Allahut. Kush e merr këtë lehtësim, kjo është punë e mirë e kush do të agjërojë, nuk ka gjynah tek Allahu.”

Nëse personi është shofer taksie (e ka këtë profesion, punë) dhe i bie të udhëtojë larg për të dërguar pasagjerë, në Ramazan, dhe e ka të vështirë agjërimin për shkak të udhëtimit a nxehtësisë etj., i lejohet ta prishë agjërimin dhe e bën kaza kur e ka më lehtë, si: kur të freskohet koha, apo kur të shkurtohet dita.

Në origjinë, udhëtari zgjedhë atë që është më e lehtë për të. Nëse e ka më të lehtë agjërimin, agjëron e nëse e ka më të lehtë ta prishë, e prishë atë. Nëse këto dy gjëra janë të barabarta tek ai, atëherë më e vlefshme dhe më e mirë është të agjërojë, ngase në këtë mënyrë largohet nga përgjegjësia e agjërimit (me të cilën e ka ngarkuar Allahu) në mënyrë më të shpejtë, duke mos e lënë për më vonë. Këtë e ka vepruar dhe vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem siç transmeton Ebu Derda radijAllahu anhu: “Kemi udhëtuar një ditë me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe ka qenë i nxehtë i madh. Aq nxehtë i madh ka qenë saqë ndonjëri prej nesh është detyruar ta vendosë dorën mbi kokë për t’u mbrojtur nga nxehtësia e diellit. Në mesin tonë nuk ka qenë agjërueshëm askush (e kanë prishur) përveç Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe Abdullah ibn Rawaahah.” Buhariu dhe Muslimi. Mirëpo, në një rast tjetër, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka prishur agjërimin e tij duke treguar mëshirë dhe kujdes për shokët e tij, për t’ua lehtësuar atyre, kur kanë qenë me një udhëtim së bashku dhe iu është vështirësuar agjërimi. Xhabiri radijAllahu anhu thotë: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka shkuar në Meke në vitin e çlirimit të saj (në Ramazan) dhe ka agjëruar derisa ka arritur te një mal i caktuar i quajtur “kuraa el gamiim”. Njerëzit kanë vazhduar agjërimin së bashku me të porse dikush i tha: “Njerëzve u është vështirësuar shumë agjërimi dhe ata po presin se çfarë po vepron ti (a po e prish, a po e vazhdon deri në iftar).” Atëherë ai salAllahu alejhi ue selem ka kërkuar t’ia sjellin një enë me ujë. Pas namazit të ikindisë ka pirë ujë (në prezencën e të gjithëve) dhe njerëzit e kanë parë duke e prishur agjërimin.” Imam Ahmedi. Nëse udhëtarit i vështirësohet shumë agjërimi, atëherë ai e prishë atë, nuk agjëron duke qenë në udhëtim. Ky është sunet. Pastaj vazhdon hadithi i Xhabirit radijAllahu anhu: “Pastaj i kanë thënë të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem: “Edhe pse ti e prishe agjërimin, disa njerëz vazhduan të agjërojnë.” Atëherë ai tha: “Ata janë mëkatarë, ata janë mëkatarë!” Këtë shtojcë e transmetojnë Muslimi dhe Tirmidhiu. Pra, nëse udhëtarit i vështirësohet shumë agjërimi, është mirë që ta prishë atë, duke mos vazhduar të agjërojë, siç ka vepruar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Po ashtu Xhabiri radijAllahu anhu thotë: “Një ditë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë në udhëtim dhe ka parë një grumbull njerëzish rreth një personit të cilit i bënin hije.” Ai tha: “Çfarë është puna e tij?” I thonë: “Ka qenë agjërueshëm.” Ai tha: “Nuk është prej devotshmërisë (mirësisë) të agjërohet në udhëtim.” Nëse agjërimi në udhëtim ta vështirëson gjendjen saqë të bie të fikët apo të rrezikohet shëndeti, atëherë nuk është prej mirësisë të agjërosh.

Nëse udhëtari agjërues e nisë udhëtimin pasi e fillon ditën agjërueshëm[1]  dhe pastaj i vështirësohet agjërimi, i lejohet ta prishë atë. Mirëpo, agjërimin e prishë pasi del prej vendit të tij (pasi e kalon vendbanimin, qytetin, fshatin), ngase siç thamë, në hadithin më lartë pamë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka filluar ditën agjërueshëm në një udhëtim dhe njerëzit kanë agjëruar së bashku me të derisa  kanë mbërritur te “kura el gamiim”, dhe kur e njoftuan se njerëzve u është vështirësuar agjërimi, atëherë ai e prishi atë, e po ashtu së bashku me të e prishin edhe shokët e tij.

  • Kur udhëtari kthehet në vendin e tij në ditën e Ramazanit

Nëse personi ka qenë udhëtar dhe nuk ka qenë agjërueshëm në udhëtim, pastaj kthehet në vendin e tij në ditën e Ramazanit (pa hyrë akshami), në këtë rast nëse vazhdon pjesën tjetër me agjërim nuk i pranohet tek Allahu sepse në fillim të ditës ai nuk ka qenë agjërueshëm, e agjërimi i cili është obligativ dhe që është i saktë është ai i cili fillohet para se të hyjë agimi. Porse, ky a e ka obligim të ndalet nga gjërat që e prishin agjërimin? Në këtë pikë ka mospajtime mes dijetarëve. Disa kanë thënë se e ka obligim të agjërojë pjesën tjetër të mbetur të ditës në mënyrë që ta respektojë kohën e Ramazanit, si dhe e ka obligim ta bëjë kaza atë ditë. Ky është mendim i njohur që e ka thënë imam Ahmedi rahimehullah. Ndërsa, mendimi tjetër është se ai nuk e ka obligim të agjërojë pjesën tjetër të mbetur të ditës sepse nuk përfiton asgjë nga kjo, ngase e ka obligim ta bëjë kaza këtë ditë, kurse shenjtëria e kohës së Ramazanit nuk vlen për të, kur ai e ka prishur agjërimin për një arsye të lejuar sheriatike në fillim të ditës më nuk i ka mbetur kësaj dite shenjtëri për të, as në aspektin e brendshëm e as të jashtëm. Abdullah ibn Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Ai që ha në fillim të ditës (për arsye të ligjshme sheriatike), le të hajë edhe në fund të ditës.” Këtë mendim ka imam Maliku dhe imam Shafiu, gjithashtu është mendim që transmetohet edhe prej imam Ahmedit.

Mirëpo, personi i tillë nuk lejohet të hajë e të pijë në prezencë të të tjerëve, ngase arsyeja e çeljes së agjërimit prej tij është e fshehtë duke mos e ditur të tjerët, andaj nuk duhet të hajë e pijë në publik, dhe të tjerët pastaj ta paragjykojnë atë (se ai po e ha Ramazanin), apo ta ndjekin duke menduar se u lejohet të mos agjërojnë.

[1] E jo gjatë natës.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Ndejat e Ramazanit – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit