Kategoritë e njerëzve në agjërim (7)

 

  1. I sëmuri i cili shpreson shërimin.

I tilli ka tri gjendje:

  1. Sëmundja nuk e dëmton dhe as nuk ia vështirëson agjërimin. Ky ka për obligim të agjërojë. Nuk ka arsye që ia lejon prishjen e agjërimit.
  2. Sëmundja nuk e dëmton, porse ia vështirëson agjërimin. Këtij i lejohet ta prishë agjërimin dhe duhet ta prishë atë. Allahu thotë: “Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” Bekare 185. Disa dijetarë thonë se është e papëlqyer të vazhdojë të agjërojë duke qenë se gjen vështirësi të mëdha në agjërim për shkak të sëmundjes; ata thonë se kjo gjë është e papëlqyer sepse ai nuk e ka marrë lehtësimin e Allahut (prishjen e agjërimit) dhe njëkohësisht po e ndëshkon veten e tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtetë Allahu do që njerëzit të marrin lehtësimet e Allahut, ashtu siç urren dhe nuk e pëlqen që t’i bëjnë mëkat Atij.” Imam Ahmedi. Është e pëlqyeshme që njeriu të marrë lehtësimet e Allahut (t’i praktikojë) dhe është e papëlqyer (mekruh) të mos i marrë lehtësimet e Tij.
  3. Agjërimi e dëmton shëndetin e të sëmurit. Ky ka për obligim prishjen e agjërimit dhe nuk i lejohet të agjërojë. Allahu thotë: “mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju.” Nisa 29. Dhe: “mos e çoni veten tuaj në shkatërrim” Bekare 195. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtetë vetja jote ka të drejta mbi ty.” E prej të drejtës që Allahu ia ka vendosur vetes tënde mbi ty, është mosdëmtimi i saj kur Allahu ka bërë lehtësim. Gjithashtu Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Nuk ka dëm e as të dëmtuar.” Ibn Maxheh dhe Hakimi. Pra, nuk bën ta dëmtosh veten e as tjetër kënd. Kjo është e ndaluar në Islam.

Nëse njeriu sëmuret gjatë Ramazanit, duke qenë agjërueshëm, dhe i vjen rëndë të plotësojë agjërimin e tërë  muajit, i themi se i lejohet ta prishë përderisa ekziston ky shkak që e lejon prishjen e agjërimit.

Nëse njeriu shërohet gjatë ditës së Ramazanit (nuk ka qenë agjërueshëm për shkak të sëmundjes, mirëpo i ka kaluar gjatë ditës), i themi se këtë ditë edhe nëse vazhdon ta agjërojë nuk është e saktë dhe nuk pranohet, siç kemi përmendur për udhëtarin pasi kthehet në vendin e tij (ditën e Ramazanit), pra ai nuk e ka filluar ditën agjërueshëm, dhe nuk është i saktë agjërimi përveç nëse fillohet prej kur hyn agimi deri në aksham. Porse, pasi që është shëruar, i tilli a e ka obligim të agjërojë pjesën e mbetur të ditës? Për këtë është i njëjti mospajtim mes dijetarëve që përmendëm më lartë për udhëtarin.

Nëse një mjek i besueshëm, duke u bazuar në dijen që ka, vërteton se agjërimi i sjellë personit sëmundje, apo ia shton, apo ia vonon shërimin, atëherë lejohet për të që ta prishë agjërimin, ngase muslimani e ka për obligim të kujdeset për shëndetin e tij dhe të ruhet prej sëmundjes. E nëse shpresohet se ky rrezik kalon, atëherë duhet të presë (të mos agjërojë) derisa t’i kalojë sëmundja që ia rrezikon shëndetin, e pastaj i bën kaza ato ditë. Porse, nëse nuk shpresohet se shërohet prej sëmundjes (ka sëmundje kronike), atëherë përfshihet te kategoria e pestë, që kemi përmendur; ky e prishë agjërimin dhe ushqen për çdo ditë nga një të varfër.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Ndejat e Ramazanit – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit