Kategoritë e njerëzve në agjërim (8)

  1. Gruaja me menstruacione.

Në këtë rast, ajo e ka të ndaluar (haram) të agjërojë. Nëse agjëron, nuk i pranohet agjërimi. Përveç që nuk i pranohet, ajo i ka bërë mëkat Allahut. Andaj, duhet t’u tregohet kjo dispozitë grave, e sidomos vajzave të reja që hyjnë në moshën madhore e ju vjen cikli menstrual, të cilat nga turpi të tregojnë për këtë agjërojnë duke qenë në këtë gjendje. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për gratë: “Nuk ka dikush me mendje dhe fe të mangët, që ia humb mendjen një burri të vendosur, më shumë sesa ju.” Buhariu dhe Muslimi. Ky hadith nuk duhet të keqkuptohet e të thuhet se femrat kanë mendje më të mangët sesa meshkujt, përkundrazi, ka femra që janë më të mençura sesa meshkujt. Pastaj gratë e kanë pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “Çfarë është kuptimi se mendja dhe feja jonë është e mangët?” Ka thënë: “A nuk është dëshmia e femrës sa gjysma e dëshmisë së burrit?!” Dijetarët shpjegojnë se për shkak të angazhimeve të shumta të përditshme që ka gruaja, lidhur me punët e shtëpisë, me fëmijët etj., harron më shumë, pra e harron dëshminë dhe për këtë arsye në vend të një mashkulli duhet të jenë dy femra që dëshmojnë, për t’ia konfirmuar njëra-tjetrës dëshminë. Pastaj ato kanë thënë: “Po, është e vërtetë.” Ai thotë: “Kjo është mangësia e mendjes së tyre.” Pastaj vazhdon të thotë: “A nuk është e vërtetë se femra, kur i vijnë menstruacionet, nuk fal namaz e as nuk agjëron?” Thanë: “Po.” Ai thotë: “Kjo është prej mangësisë së fesë së saj.” Gjatë të përmuajshmeve nuk mund të falë namazin, andaj nuk është njëjtë sikurse mashkulli që falet vazhdimisht. Në këtë aspekt e ka fenë e mangët.

ﺍلحيض – el hajdh – që përmendet këtu, është gjaku i natyrshëm, që vjen në ditë të caktuara dhe kohë të caktuar, te femrat. Kur agjërueses i vjen gjaku i menstruacioneve (e sheh atë) i prishet agjërimi, edhe nëse kjo ndodh pak çaste para perëndimit të diellit[1]. Kjo ditë nuk i pranohet tek Allahu dhe ajo ka për obligim ta bëjë kaza atë. Nëse është duke agjëruar nafile (agjërim vullnetar) nuk e ka obligim ta bëjë kaza atë ditë.

Nëse femra i mbaron menstruacionet gjatë ditës së agjërimit dhe vazhdon me agjërim në pjesën e mbetur të saj, themi se agjërimi i saj nuk është i saktë, kjo sepse ekziston një arsye që nuk e lejon pranimin e agjërimit të saj në këtë rast, e ajo është se nuk e ka filluar ditën agjërueshëm, siç thamë për të sëmurin dhe udhëtarin. Se a e ka për obligim të përmbahet nga gjërat që i ndalohen agjëruesit deri në fund të ditës, është i njëjti mospajtim mes dijetarëve sikurse që përmendëm për udhëtarin dhe të sëmurin.

Nëse femra i mbaron menstruacionet gjatë natës të Ramazanit, edhe nëse kjo ndodh pak çaste para se të fillojë hyrja (zbardhja) e agimit[2], themi se ajo ka për obligim ta agjërojë atë ditë, sepse nuk ka më pengesë që e pengon të agjërojë apo që ia lejon prishjen e agjërimit. Në këtë rast i pranohet agjërimi edhe nëse ende nuk është pastruar (me gusël)[3] veçse pasi të lindë agimi. Nëse pastrohet me ujë (merr gusël) pasi të lindë agimi, agjërimi i saj është i saktë. Njëjtë është dhe me xhunubin[4]. Ai që është bërë xhunub dhe ka filluar ditën e agjërimit, mirëpo është pastruar (ka marrë gusël) pasi ka lindë agimi, agjërimi i tij është i saktë. Aisha radijAllahu anha ka thënë: “(Ndodhte që) Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem e zinte sabahu duke qenë xhunub,[5] (megjithëkëtë) ai e agjëronte Ramazanin.” Buhariu dhe Muslimi. Është pastruar pasi ka lind agimi (duke qenë agjërueshëm).

Ajo që nuk ka mundur të agjërojë shkaku i ardhjes së menstruacioneve, ka për obligim t’i bëjë kaza ato ditë të pa agjëruara. Atë e përfshin Fjala e Allahut: “…(le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” Bekare 185. Kur është pyetur Aisha radijAllahu anha se si është puna me gruan e cila ka qenë me menstruacione, mirëpo e ka obligim ta bëjë kaza agjërimin kurse namazin jo, ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem (sa ka qenë gjallë) na ka ndodhur kjo gjë. Dhe jemi urdhëruar (prej tij) që ta bëjmë kaza agjërimin, ndërsa namazin jo.” Muslimi dhe të tjerë. Ky është ligj i Allahut dhe nuk pyetet se pse kjo e ajo gjë obligohet dhe se pse kjo e ajo gjë nuk obligohet.

-Lehona

Sa i përket dispozitave të përmendura më lartë, gruaja lehonë është e njëjtë me gruan me menstruacione. Nuk ka dallim mes tyre, të gjitha dispozitat që vlejnë për njërën vlejnë edhe për tjetrën.

_______

[1] Nëse femrës i vijnë menstruacionet 5-6 minuta para perëndimit të diellit, e jo sipas kohës që shënon takwimi, atëherë i prishet agjërimi. Ka ndonjë të cilës i kanë ardhur menstruacionet 5-6 minuta para kohës që shënon në takwim, dhe kështu atë ditë e llogarit sikur të humbur, e realisht nuk e ka të humbur sepse dielli perëndon më herët se koha që shënon në takwim. Andaj duhet llogaritur me perëndimin e diellit. Ndërsa, nëse i vijnë menstruacionet gjatë ditës në Ramazan, i lejohet të hajë dhe pijë (por jo haptazi, në publik). Ajo ka shpërblim për aq sa ka agjëruar, pastaj duhet kompensuar ajo ditë. Nëse gruaja i përfundon menstruacionet pak para se të hyjë koha e sabahut (duke qenë ende syfyr) dhe nuk ka kohë të marrë gusël, ajo e bën nijetin (me zemër) dhe e agjëron atë ditë. Pastaj, për ta falë namaz të sabahut merr gusël. (Marrë nga ligjëratat që mbahen drejtpërsëdrejti nga hoxhë Lulzim Perçuku, në Prishtinë).

[2] Për qëllim është agimi i vërtetë i cili dallon prej atij të rremë me tri gjëra: a) Shfaqet ngjitur me horizontin, b) Shfaqet në vijë horizontale, c) Drita e tij vazhdon të shtohet dhe përpahet deri sa të lindë dielli. Kurse, agimi i rremë i ka tri cilësi të kundërta me këto.

[3] Ndodh që disa gra të përziejnë mes pastrimit kuptimor, d.m.th. pastrimit nga menstruacionet, dhe pastrimit me ujë, d.m.th. larjes me ujë (duke marrë gusël). Ka dallim mes tyre. Gusël është larja e gjithë trupit me ujë të pastër (këtu hyn edhe futja e ujit në gojë dhe hundë) në formë të caktuar dhe me nijet të adhurimit. Shkaqet e guslit janë: xhunubllëku, ndërprerja e rrjedhjes së gjakut të menstruacioneve apo të lehonisë dhe vdekja (përveç atij që bie shehid).

[4] Personi bëhet Xhunub atëherë kur ejakulon spermë, apo bënë marrëdhënie intime (edhe nëse nuk ka ejakulim të spermës).

[5] Për shkak të marrëdhënies me bashkëshorten, e jo në gjumë nga ëndrrat “e lagështa”. Ai kurrë nuk është bërë xhunub për shkak të ëndrrave.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Ndejat e Ramazanit – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit