Këshilla për gratë mbi vlerën e Islamit- Hoxhë Ahmet Hoxha (ligjëratë e transkriptuar)

Këshilla për gratë mbi vlerën e Islamit

Hoxhë Ahmet Hoxha

Motër e nderuar, Allahu na ka nderuar me Islam dhe ti duhet të jesh e nderuar dhe krenare me fenë Islame. Allahu thotë në Kuran: Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami.” Ali imran 19. Dhe thotë: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” Ali Imran 85. Dhe thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” Maide 3.

 

Kjo është feja jonë përmes së cilës Allahu na ka përmirësuar besimin dhe moralin tonë, dynjanë dhe ahiretin tonë, e zbukuron pamjen e jashtme dhe të brendshme të njeriut. Kush kapet pas Islamit, atë Allahu e largon nga të këqijat, nga e kota, nga imoraliteti e nga gjërat që janë humbje. E gjithë e mira është në këtë fe.

 

Motër e nderuar, dije se…

Ti motër myslimane, duhet të dish ato gjëra prej të cilave përfiton në fenë tënde, që janë:

 

  • Rregullat/gjykimet e Islamit janë më të mirat dhe më të plotat, janë rregulla të Zotit tonë i Cili është Krijuesi i qiejve dhe i çdo gjëje. Ai thotë: “E kush është gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?” Maide 50. Thotë: “A nuk është Allahu Gjykatësi më i drejtë?!” Tin, 8. Muslimanja e cila e kupton se Allahu ka rregullat më të mira e më të vlefshme, nuk mendon dy herë në pranimin e rregullave të Tij.

 

  • Krenaria dhe lumturia jote është e lidhur gjithmonë me këtë fe dhe me bindjen ndaj Allahut. Dije se aq sa i përmbahesh fesë së Tij, aq do të kesh krenari dhe lumturi në të dy botët. Allahu thotë: “Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar.” Nisa 31. Ky vend është xheneti. Dhe thotë: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” Shems 9-10.

 

  • Ti në këtë botë ke armiq të shumtë të cilët mundohen të të largojnë nga kjo fe dhe nga ky nderim me të cilin të ka nderuar Allahu. E armiku më i madh është shejtani, ai është armiku i Allahut, i kësaj feje dhe i robërve të Tij. Allahu thotë: “Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur.” Fatir 6. Prandaj, secili duhet të ruhet prej shejtanit sepse qëllimi i tij është largimi nga feja, nga morali i mirë, nga shkaqet e shpëtimit në këtë dunja dhe ahiret.

 

  • Ti o myslimane, duhet të dish se çdo e mirë dhe çdo e keqe është në Dorën e Allahut. Në Dorën e Tij janë “litarët” e çdo pune, në Dorën e Tij janë toka dhe qiejt. Atë që Ai e nderon, ai është i nderuar. Atë që Ai e poshtëron, ai është i ulur. Allahu thotë: “E atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta bëjë të nderuar.” Haxhh 18.

 

  • Duhet ta praktikosh sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Prej thënieve më të mira të tij, që ti mund ta thuash, është:

اللَّهُمَّ أَصْلِحْ لِي دِينِي الَّذِي هُوَ عِصْمَةُ أَمْرِي، وَأَصْلِحْ لِي دُنْيَايَ الَّتِي فِيهَا مَعَاشِي، وَأَصْلِحْ لِي آخِرَتِي الَّتِي فِيهَا مَعَادِي، وَاجْعَلِ الْحَيَاةَ زِيَادَةً لِي فِي كُلِّ خَيْرٍ، وَاجْعَلِ الْمَوْتَ

“O Allah, ma përmirëso fenë time e cila është gjëja kryesore për mua, ma përmirëso dynjanë në të cilën kam jetën time, ma përmirëso ahiretin tim tek i cili është kthimi im, jetën time bëje shtim të çdo të mire dhe vdekjen bëje rehati nga çdo e keqe!” Andaj, myslimani/ja duhet ta përsërisë këtë lutje profetike.

 

  • Kujdesi yt kryesor në këtë dunja le të jetë arritja e kënaqësisë së Allahut. Ai thotë: “Pikërisht ata do të jenë të nderuar në kopshtet e Xhenetit.” Mearixh 35. Pra, kush i bindet Allahut, ai ia ka frikën Atij. Ky është nderimi dhe krenaria kryesore. Dhe thotë: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” Huxhurat 13. Transmetohet në një hadith sahih se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Kush është njeriu më i nderuar?” dhe ka thënë: “Më i nderuari është ai i cili më së shumti i frikësohet Allahut.” Kush e kërkon krenarinë në diçka tjetër përveç Islamit dhe bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nuk ka kërkuar diçka tjetër veçse ka shkuar pas gjërave të cilat nuk kanë bazë.

 

  • Rregullat e Islamit ndaj femrës janë të plota dhe të urta, janë të përsosura, pa mangësi, pa padrejtësi e pa të këqija. E si të mos jenë të përsosura kur ato janë prej Allahut, i Cili është Gjykatësi më i mirë, Zoti i çdogjëje, i Urtë në vendimet e Tij, i Dijshëm për vlerën e urdhrave të Tij dhe për atë se ku është krenaria, mirësia e shpëtimi i robërve të Tij në dunja dhe ahiret. Prandaj, prej padrejtësisë dhe mëkatit më të madh është të thuhet për një rregull islam që ka të bëjë me femrën apo rregull tjetër, se në të ka padrejtësi, apo ka mosdhënie të së drejtës ndaj femrës, apo se në të ka shmangie nga e vërteta për femrën. Kush thotë kështu nuk ia ka dhënë hakun Allahut. Allahu kërkon që ne të jemi të respektueshëm, të përulur dhe të bindur ndaj Tij, ngase Ai na ka dhënë neve rregullat më të mira, dhe kush i bindet Atij e rregullave të Tij, Ai thotë për të: “…kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” Haxhxh 32. Duhet të dimë se çdo gjë që është e mirë ka ardhur nga Allahu dhe i Dërguari i tij.

 

Allahu thotë: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” Hashr, 7. Andaj, duhet ndaluar prej asaj që na ka ndaluar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe duhet zbatuar ajo me të cilën na ka urdhëruar. Po ashtu thotë: “Mbani në mendje ato që lexohen në shtëpitë tuaja prej Shpalljes së Allahut dhe Urtësisë (profetike)!” Ahzab 34. Urtësia është suneti i Muhamedit salAllahu alejhi ue selem. Abdullah ibn Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Allahu i ka mallkuar ato që bëjnë tatuazh dhe ato të cilat kërkojnë t’u bëhet tatuazh. Allahu i ka mallkuar ato që i ndukin vetullat e tyre dhe ato të cilat i prishin dhëmbët (hapin hapësirë mes tyre) për t’u zbukuruar dhe ndryshuar krijimin e Allahut!” Një grua i ka thënë: “Kam dëgjuar se ti po i mallkon ato gra që veprojnë kështu. Kam lexuar Librin e Allahut prej fillimit deri në fund dhe nuk e kam gjetur askund këtë fjalë të cilin e thua ti.” Ai i ka thënë: “Nëse e ke lexuar Librin e Allahut, do ta gjeje. A nuk ka thënë Allahu: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” Hashr, 7. E çfarë na urdhëron Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, është sikurse na ka urdhëruar Allahu. Dhe çfarë na ndalon ai, është sikurse na ka ndaluar Allahu, ngase ai salAllahu alejhi ue selem nuk ka thënë asgjë përveçse çfarë i ka thënë Allahu.

 

  • Allahu e nderoi femrën me këtë fe. Shembuj për këtë kemi gratë e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Gratë e tij ishin mësueset e myslimanëve. Mësuesja më e madhe ka qenë Aisha radijAllahu anha, nëna e të gjithë besimtarëve, e cila ka qenë e re kur ka vdekur ai salAllahu alejhi ue selem, mirëpo ka përfituar shumë prej tij. Ajo i ka praktikuar të gjitha urdhrat e tij. Ajo ka qenë e njohur si edukuese e sahabëve. Burrat e mëdhenj, prej shokëve të Pejgamberit, e kanë pyetur atë për fenë e Allahut. Allahu qoftë i kënaqur me të! Ajo është prej shtatë transmetuesve të haditheve. Ka transmetuar më shumë se 1000 hadithe. I është bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij deri në vdekje.

 

Ajo ka treguar se në shtëpinë e të Dërguarit kanë kaluar tre muaj dhe kurrë në të nuk është ndezë zjarri, për përgatitjen e ushqimit. E kanë pyetur: “Po çfarë keni ngrënë?” Ka thënë: “Kemi pirë ujë dhe kemi ngrënë hurma.” Kanë jetuar në varfëri të madhe.

 

Gjithashtu, ajo tregon se kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është falur natën, ajo ka qenë e shtrirë para tij siç shtrihet xhenazja para atyre që ia falin namazin e xhenazes. Kur ai binte në sexhde, ia prekte këmbët në mënyrë që ajo t’i palosë ato që ai salAllahu alejhi ue selem të mund të binte në sexhde.

 

A po e paramendoni se çfarë jete ka pas Aisha radijAllahu anha?! Kishte një dhomë të vogël, që nuk mund të paramendohet në jetën tonë një shtëpi aq e vogël. Ushqimi i saj si ka qenë? Deri në tre muaj nuk kanë ngrënë asgjë përveç hurma dhe ujë. Ajo tregon në një hadith të vërtetë se nuk kanë pasur banjo në shtëpitë e tyre, ato kanë qenë rreth 500-600 m larg shtëpive të tyre (5-6 min), ku janë sot varrezat Baki, dhe kanë dalë vetëm natën në banjo. Pse? Sepse ushqimi që e kanë ngrënë ka qenë i paktë dhe vetëm një herë në ditë kanë pasur nevojë për banjo.

 

Kështu, shtëpi të vogël, kushte minimale, ushqim të paktë, dhe përkundër kësaj, ajo ka qenë e bindur ndaj Allahut dhe ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe ka përfituar në dituri saqë edhe sot, dhe deri në ditën e Gjykimit, myslimanët do të përfitojnë prej diturisë së saj dhe grave të tjera të tij salAllahu alejhi ue selem. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem bashkë me familjen e tij, e kanë vënë Allahun para çdo gjëje tjetër dhe i kanë braktisur kënaqësitë e kësaj bote.

 

Prandaj, askush nga ne nuk ka të drejtë të ankohet dhe mërzitet për këtë dunja nëse i merr për shembull në pasim Muhamedin salAllahu alejhi ue selem dhe gratë e tij, i cili është shembulli më i mirë, deri në Ditën e Gjykimit. Ankesë kryesore e jona duhet të jetë: bindja ndaj Allahut dhe praktikimi i Urdhrave të Tij, ngase humbja dhe fitorja jonë varet nga kjo gjë.

 

  • Namazi i femrës në xhami është i vlefshëm, mirëpo nuk është i vlefshëm sikur të falet në shtëpinë e saj. Një sahabije i thotë të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut! Unë kam dëshirë të falem pas teje, në xhaminë tënde (në Medine).” Ai i ka thënë: “E di se ke dëshirë të falësh me mua (dmth pas tij si imam). Mirëpo, namazi yt i falur në shtëpinë tënde është më i mirë sesa namazi yt i falur në vendin tënd më të gjerë të shtëpisë tënde. Namazi yt i falur në oborrin tënd është më i mirë sesa namazi yt i falur në xhaminë që është afër teje. E namazi yt i falur në xhaminë afër teje, është më i mirë sesa namazi yt i falur në xhaminë time.”

 

Namazi në xhaminë e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, siç ka thënë ai, është më i vlefshëm sesa 1000  namaze, në krahasim me xhamitë e tjera. Dhe ty motër e nderuar, ta ka mundësuar Allahu që nëse falësh në dhomën tënde, ke shpërblim më të madh sesa të falesh në xhaminë e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se gratë nuk lejohet të falen në xhami. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë në një hadith të vërtetë: “Mos ua ndaloni robëreshave të Allahut xhamitë e Allahut, e shtëpitë e tyre janë më të mira për to sesa xhamitë.”

 

Gratë e përmendura në Kuran

Merjemja, nëna e Isës alejhi ue selem- Ajo është shquar nga Allahu për bindjen që ka pasur ndaj Tij. Atë e ka “pastruar” Allahu nga shpifja që ia kanë bërë jahuditë dhe e ka ngritur në pozitat më të larta te besimtarët. Kur Allahu e ka nderuar me lindjen e Isës, jahuditë kanë shpifur në nderin e saj dhe Allahu e pastroi nga kjo.

 

Asia, gruaja e Faraonit- Ajo e ka besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Musën alejhi ue selem. Faraoni i cili ka pretenduar se është vetë Zoti më i lartë, e ka dënuar Asian me dënim të keq, mirëpo Allahu e ka ngritur atë në shkallët më të larta të xhenetit.

 

Një rast i një sahabije në bindjen ndaj Allahut

Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Abbasi radijAllahu anhu, se i ka thënë Ata ibn Rabahit (tabiin): “A do të të tregoj për një grua e cila është nga banorët e xhenetit?” Ai i ka thënë: “Gjithsesi.” Ibn Abbasi i thotë: “Kjo gruaja e zezë. Ajo i ka thënë të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut, unë kam epilepsi dhe kur më godet, shtrihem në rrugë dhe mund të zbulohem. Lute Allahun për mua.” Ai salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Nëse do, bëj durim dhe për këtë durim do ta kesh xhenetin. Nëse do, e lus Allahun të të shërojë.” Ajo i thotë: “Do të bëj durim. Mirëpo, lute Allahun të mos zbulohem (të mos i duket ndonjë gjë nga trupi kur e godet sëmundja).”

 

Brenga e saj ishte zbulimi para njerëzve dhe se ata do të shohin pjesët e trupit të saj, që i ndalohen të duken para të tjerëve (që nuk janë nga familja apo të afërmit e saj që u lejohet t’i shohin). Ajo nuk e kishte problem të bëjë durim për sëmundjen. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i thotë të bëjë durim dhe ajo ka bërë durim. Andaj dhe është prej banoreve të xhenetit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit