Këshilla rreth disa mëkateve të mëdha

Këshilla rreth disa mëkateve të mëdha

(Përgojimi, bartja e fjalëve, zilia dhe zullumi)

Shejkh AbdulAziz ibn baz rahimehullah

  • Myslimani ta ruajë gjuhën nga të folurit në përgjithësi, përveç atij të foluri dobia e të cilit shfaqet haptas. Ka mundësi që të folurit e lejuar të kthehet në të palejuar apo të urryer.

 

  • Përgojimi është përmendja e gjërave të vëllait që nëse atij i tregohen nuk i vjen mirë, qoftë ajo e metë:

-në trupin e tij,

-apo në prejardhjen e tij,

-apo në moralin e tij,

-apo në veprën e tij,

-apo në të folurin e tij,

-apo në fenë dhe dynjanë e tij,

-apo në rrobat e tij,

-apo në shtëpinë e tij,

-apo në kafshën e tij.

  • Përgojimi është i ndaluar për çfarëdo shkaku, qoftë nëse bëhet:

-për shkak të shuarjes së urrejtjes (brenda vetes),

-për lajkatim ndaj të pranishmëve dhe ndihmesën ndaj tyre në të folur,

-për t’ua bërë qejfin,

-për shkak të zilisë, lojës apo talljes si kalim kohe duke bërë të qeshin të pranishmit me përmendjen e të metave të të tjerëve.

  • Bartja e fjalëve. Nga gjërat prej të cilave duhet të largohemi dhe t’ua tërheqim vërejtjen të tjerëve është dhe bartja e fjalëve nga një person te tjetri, apo nga një grup njerëzish te grupi tjetër, apo nga një fis tek tjetri, me qëllim të prishjes dhe ndezjes së armiqësisë mes tyre. Bartja e fjalëve është përhapja (zbulimi) i diçkaje, përhapja e së cilës urrehet, qoftë nëse e urren ai për të cilin është përhapur, apo ai të cilit i përcillet, apo një person i tjetër. Është njësojë sikur të përhapet me fjalë, me shkrim, me shenjë, apo me lëvizje. Njeriu e ka obligim të heshtë ndaj çdo gjëje që e sheh prej gjendjeve të njerëzve, përveç nëse në përhapjen e tyre ka dobi myslimani apo largohet ndonjë sherr prej tij.

 

  • Nxitës i bartjes së fjalëve është:

-ose qëllimi i keq ndaj atij për të cilin flitet,

-ose shfaqja (kinse) e dashurisë ndaj atij të cilit i përcillet,

-ose të kënaqurit me bisedën apo thellimin në gjëra neveritëse e të kota.

E tërë kjo është e ndaluar/haram.

  • Ai të cilit i barten fjalë me çfarëdo mënyre të bartjes:

-duhet të mos i marrë si të vërteta ato,

-e ka obligim ta ndalojë bartësin nga bartja e fjalëve, ta këshillojë atë, sepse Allahu thotë: “urdhëroje të mirën dhe pengoje të keqen”, Lukman 17,

-duhet që assesi të mos mendojë keq për vëllanë e tij të përfolur, por të ketë mendim të mirë për të,

-nuk duhet të hulumtojë e spiunojë të përfolurin në mënyrë që mos të bjerë në shkallë të njëjtë me bartësin e fjalëve, duke përhapur fjalët të cilat i kanë arritur.

  • Përgojimi dhe bartja e fjalëve janë ndaluar sepse:

-në to ka nxitje për prishje mes njerëzve,

-janë shkak për lindjen e përçarjes, anarkisë, ndezjen e zjarrit të armiqësisë, urrejtjes, zilisë dhe hipokrizisë,

-janë shkak për largimin e çdo miqësie të ngushtë dhe për vdekjen e çdo dashurie, përmes futjes së përçarjes, armiqësisë dhe neverisë midis vëllezërve që janë të bashkuar,

-në to ka gënjeshtra, pabesi, tradhti, dredhi dhe akuza të panumërta kuturimthi ndaj të pafajshmëve dhe lëshim të frenave të sharjes, ofendimit dhe përmendjes së shëmtive.

-janë shenja të paburrërisë, poshtërsisë dhe dobësisë.

  • Zilia është që njeriu të dëshirojë largimin e begatisë nga vëllai i tij mysliman, qoftë ajo begati në fe apo dunja. Kjo është kundërshtim ndaj asaj që Allahu e ka caktuar dhe ndarë mes robërve të Tij. Gjithashtu është zullum i ziliqarit ndaj vetvetes sepse besimi i tij pakësohet për shkak të zilisë dhe i sjell telashe vetes përmes të cilave e shkatërron atë (vetveten) me një shkatërrim të shpejtë.

 

  • Zullumi është padrejtësia dhe vendosja e gjërave jo në vendin e tyre që u takon sipas fesë. Zullumi më i madh është shirku ndaj Allahut dhe të sfiduarit e Tij me kundërshtim e gjynahe. Gjithashtu zullum është marrja e pasurisë së dikujt pa të drejtë, apo uzurpimi i ndonjë pjesë të tokës së tij, apo sulmimi ndaj tij. Zullumi është prej mëkateve të mëdha, është rrjedhojë e errësirës së zemrës sepse sikur zemra e zullumqarit të ndriçohej me dritën e udhëzimit, do t’i pranonte këshillat.

Marrë nga “Meusua’tu fetaua el lexhneti uel imamejn”

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit