Këshilla të Ebu Dardasë radijAllahu anhu (Hytbe)

Këshilla të Ebu Dardasë radijAllahu anhu

Hoxhë Petrit Perçuku

Kijeni frikë Allahun, sepse frika ndaj Tij është mirësia më e madhe që e përgatitni për Ditën kur do ta takoni Allahun. Kini kujdes nga hidhërimi i Tij dhe largohuni nga të gjitha gjynahet. Thotë Allahu: “O ju që keni besuar, kijeni frikë Allahun dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahe. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (El-Ahzab 70-71).

Ta dini – Allahu ju mëshiroftë juve dhe mua – se prej gjërave që i zbusin moralet dhe anët shpirtërore, që veshët me ëndje i dëgjojnë dhe kënaqen me to, që i bëjnë zemrat të ndalen e të marrin mësim e këshillë, që e thërrasin poseduesin e tyre në pasim e jo në devijim, janë: këshillat e selefit (gjeneratave të para), këshillat më madhështore, më përmbledhëse  dhe më të çmuara. Na mjafton prej tyre ato na i lartësojnë ambiciet, që janë këshillat dhe porositë e të urtit dhe të mençurit të këtij ummeti, i cili ishte gjykatësi i parë në Sham dhe u printe të gjithë dijetarëve të saj. Më e mirë për të se të gjitha këto vlera, është shoqërimi që ia bëri njeriut më të mirë, Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ky njeri i urtë e i mençur është Amir el-Ensarij, me llagapin U’wejmir, njëri ndër prijatarët e fisit Hazrexh, i njohur me nofkën e tij Ebu Derda’  radijallahu anhu.

Këto janë disa prej këshillave, porosive e urtësive të tij, përmes të cilave ai që merr mësim prej tyre, i përmirësohen të gjitha çështjet e tij, si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër.

Robër të Allahut besimtarë!

Kush prej jush dëshiron udhëheqjen në fe, atëherë le të vishet me petkun e durimit dhe bindjes. Rezultati i durimit është kënaqësia ndaj dispozitave e vendimeve të fesë, ndërsa rezultati i bindjes është sinqeriteti së bashku me nënshtrimin e plotë.

Ka thënë Ebu Derdai radijallahu anhu: “Kulmi i besimit është durimi ndaj dispozitave e vendimeve, kënaqësia me caktimin e Allahut, sinqeriteti në mbështetje dhe nënshtrimi i plotë ndaj Allahut.”

Kush privohet nga pasimi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem  në veprat e tij, epshi do ta udhëheqë drejt çdo të keqe, për këtë arsye thotë Ebu Derdai radijallahu anhu:“Kur njeriu zgjohet në mëngjes, bashkohen tek ai epshi dhe vepra e tij. E nëse vepra e tij ecë pas epshit, dita e tij do të jetë ditë e keqe. Nëse epshi ecë pas veprës së tij, dita e tij do të jetë ditë e mirë.”

Nuk ka rob që është sprovuar me pasimin e epshit, veçse do ta urrejë Allahu. Thotë Ibën Ebi Lejla: “Dërgoi Ebu Derdai një letër tek Meslemeh bin Muhal-led El-Ensarij në të cilën shkruante: Selamun alejke! Vërtetë, kur robi bën gjynahe, e urren Allahu e kur ta urrejë Allahu, e bën të urryer edhe te robërit e Tij.”

Pse? Sepse mes robërve dhe Allahut nuk ka lidhje e as afërsi, përveç veprave të tyre të mira që i kanë punuar. Esa lidhje e mirë dhe fortë janë ato! Ashtu siç thotë Xhubejr bin Nufejr: “Pasi që myslimanët e morën Qipron, plaçka e luftës kaloi para Ebu Derdait, ndërsa ai qau. I thashë: “Po qanë në këtë ditë, në të cilën Allahu e ka lartësuar Islamin dhe pasuesit e tij?!” Atëherë ai tha: “O Xhubejr! Derisa ky popull ishte plotë fuqi e fitimtarë, i bënë gjynah Allahut dhe u erdhi kjo që po e sheh. Sa të pavlerë janë për Allahun robërit e Tij kur janë të pabindur ndaj Tij!”

Vëllezër myslimanë!

Porosia dhe këshilla më e mirë për të parët dhe të fundit është që të kemi frikë ndaj Allahut, Zotit të botëve. Dhe nuk ka shteg drejt frikës ndaj Allahut, veçse me të kuptuarit e fesë. Ndaj, nxito që të jesh prej atyre që mësojnë, sepse nxënësi është pjesëmarrës në shpërblimin e dijetarëve që veprojnë.

Për këtë arsye thotë Ebu Derdai: “Përse po shoh dijetarët e juaj duke shkuar, ndërsa injorantët në mesin tuaj prapë nuk mësojnë. Mësoni sepse nxënësi dhe dijetari janë pjesëmarrës në shpërblim.”

Ndërsa ai të cilit i ka dhënë Allahu dije, le të nxitojë në të vepruarit sipas saj, sepse kjo është prej shenjave të dobisë. Thotë Ebu Derdai: “Kurrë nuk do bëhesh dijetarë nëse nuk je nxënës dhe nuk mund të jesh nxënës nëse nuk vepron me atë që di. Më së shumti frikohem kur të ndalem për llogari para Allahut dhe të më thuhet: “Çfarë ke vepruar me atë që ke ditur?”

Braktisja e të vepruarit sipas dispozitave të fesë nga ana e atij që di, është më keq sesa ai që nuk vepron për shkak të injorancës, ashtu siç thotë edhe Ebu Derdai: “Mjerë për atë që nuk di një herë dhe shtatë herë mjerë për atë që di dhe nuk vepron!” Kjo për arsye se ai që është në dijeni për obligimet e fesë, qofshin ato urdhëruese apo kërcënuese, do të merret në pyetje patjetër. Thotë Ebu Derdai:   “Më së shumti frikohem që të më thuhet Ditën e Kiametit: “A ke ditur, apo nuk ke ditur?” E nëse them: “Kam ditur”, nuk ka varg të Kuranit qoftë urdhërues apo kërcënues, veçse do të merrem në pyetje, për urdhëruesin se a e kam zbatuar, ndërsa për atë kërcënuesin se a jam këshilluar me të dhe a jam ndaluar nga e keqja. Ndaj, kërkoj mbrojtje tek Allahu nga dija e padobishme, nga shpirti i cili nuk ngopet dhe nga lutja e cila nuk dëgjohet!”

Për këtë arsye përgjegjësia e dijetarëve që veprojnë është madhore dhe përgjegjësia e umetit ndaj tyre duhet të jetë po ashtu. Andaj, nuk i do dijetarët, veçse ata që kanë zemra të shëndosha, dhe nuk i urren e akuzon, veçse ata që posedojnë zemra të sëmura. Lidhur me këtë thotë Ebu Derdai:  “Kërkojeni dijen, e nëse nuk mundeni, atëherë dojini poseduesit e saj e nëse nuk mund t’i doni, mos i urreni.”

Vëllezër mysliman!

A e ka pyetur ndonjëri prej nesh veten se çfarë është ajo që ia bën të dashur qëndrimin e gjatë në këtë botë? Dëgjoje këtë fjalë të Ebu Derdait i cili thotë: “Sikur mos të ishin tri gjëra, nuk do ta dëshiroja qëndrimin në këtë botë: çasti i etjes së madhe (gjatë agjërimit), i sexhdes gjatë natës dhe shoqërimi i njerëzve të cilët i zgjedhin fjalët më të mira, ashtu siç zgjidhen frytet e shijshme të hurmave.” Në këtë thënie ka përmendur se prej gjërave që ia bëjnë të dashur qëndrimin në këtë botë, është edhe shoqërimi i njerëzve të mirë dhe të devotshëm, të cilët nuk të bëjnë pjesëmarrës në gjynahun e përgojimit dhe bartjes së fjalëve dhe nuk bëhen shkak për humbjen e shpërblimit të veprave të tua. Në të kundërtën e atyre që nëse largohesh nga shoqërimi me ta, përdhosin dhe fyejnë nderin tënd, për këtë arsye thotë Ebu Derdai:  “Kam takuar njerëz që ishin si gjethja pa thera, pastaj u shndërruan në thera pa gjethe, (këta janë që), nëse flet kundër tyre, edhe ata flasin kundër teje e të fyejnë e nëse nuk merresh me ta, prapë nuk të lejnë rehat dhe flasin kundër teje.” I thanë atij: “E si të veprojmë?” Tha: “Jepja hua nderin tënd për Ditën e varfërisë sate (Ditën e Gjykimit).”

Kush sprovohet me njerëz të tillë, nuk ka rrugëdalje tjetër veçse të shfaqë sjellje të mirë ndaj tyre nëpër mexhlise e ndeja, edhe pse zemra e tij është e mbushur me urrejtje ndaj veprave dhe fjalëve të tyre të liga, siç ka thënë Ebu Dardai: “Vërtetë se ne i zbardhim dhëmbët në fytyrat e disa njerëzve, edhe pse zemrat tona i mallkojnë.”

 

Falënderoje Allahun për gjendjen tënde të mirë dhe mos fyej askënd prej myslimanëve. E, nëse e bën një gjë të tillë, atëherë mos u siguro nga mundësia që Allahu ta largojë prej tij atë gjendje dhe të të sprovoj ty me të, edhe pas një kohe të gjatë. Thotë Ebu Kilabeh: “Kaloi Ebu Derdai pranë një njeriu i cili kishte bërë gjynah, dhe njerëzit po e fyenin, atëherë ai u tha:  “Sikur ta gjenit këtë njeri në fund të pusit, a nuk do ta nxirrnit që andej?” Thanë: “Gjithsesi.” Ai u tha: “Mos e fyeni vëllanë tuaj, por falënderojeni Allahun i cili u ka ruajtur nga gjynahu i tij.” Ata thanë: “A ta urrejmë?” Tha: “Unë urrejë vetëm veprën e tij, e kur ai ta braktisë atë, ai është vëllai im.”

 

Vëllezër mysliman!

Vërtetë se shpirti i njeriut është i prirë ta dojë pasurinë. I lumtur është ai, pasuria e të cilit e angazhon në punë të mira, ndërsa i mjerë është ai, pasuria e të cilit e angazhon në punë të këqija. Thotë Ebu Derdai: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga shpërndarja e zemrës!” Thanë: “E ç’është shpërndarja e zemrës?” Tha: “Që pasuria ime të përhapet në çdo vend.

Shpeshtimi i pasurisë është shkak për përçarjen e zemrave dhe obligon llogarinë e vështirë para Allahut. Dhe pasuria nuk është gjë tjetër,veçse ushqim dhe pije, rroba dhe mjet udhëtimi. Thotë Ebu Derdai:

“Të pasurit hanë e edhe ne po ashtu, pinë e po ashtu edhe ne, vishen e edhe ne vishemi, hipin mbi mjete udhëtimi e edhe ne po ashtu, kanë pasuri që ju tepron të cilën e shikojnë, e edhe ne shikojmë së bashku me ta, mirëpo ata do të llogariten për të, kurse ne jemi larg një gjëje të tillë.”

E, çfarë të bën dobi pasuria e shumtë nëse je që veç mbledh e i paqëndrueshëm. Kur të kërkohet prej teje lëmoshë je koprrac e dorështrënguar. Thotë Ebu Derdai: “Mjerë për atë vetëm mbledh (pasuri), i cili hap gojën sikur të ishte budalla, shikon në atë që është te njerëzit, e jo në atë që është tek Allahu. Sikur të mundte, do ta lidhte natën me ditën. Mjerë për të nga llogaria e ashpër dhe dënimi i rëndë!”

A ka menduar ndonjëri prej jush se ku shkuan baballarët dhe gjyshërit tanë? A e ka paramenduar vdekjen para vetes së tij, dhe a është përgatitur për Ditën kur do të kthehemi te Allahu? Thotë Rashid ibn Sa’d:

“Erdhi një njeri te Ebu Derdai dhe i tha: “Më këshillo!” Tha: “Kujtoje Allahun, kur je në mirëqenie, të kujton Ai ty të fatkeqësi. Kur t’i kujtosh të vdekurit, bëje veten njërin prej tyre. Dhe kur dëshiron diçka nga kjo botë, atëherë ndalu dhe shikoji pasojat e saj.”

Prej çështjeve që të ndihmojnë në lehtësimin e vështirësive me të cilat do të përballesh, qoftë në këtë apo në botën tjetër është: ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh. Thotë Ebu Derdai: “Adhuroje Allahun sikur ta shohësh dhe numëroje veten se je prej të vdekurve. Ki kujdes nga lutja e atij që i ke bërë padrejtësi. Dhe dije se e pakta që të mjafton, është më mirë sesa e shumta që të shkujdesë, dhe se vepra e mirë nuk zhduket dhe se gjynahu nuk harrohet.”

Kujto se kalimi i ditëve dhe muajve tregon për pakësimin e jetës sate. Thotë Ebu Derdai:  “O bir i Ademit! Shkele Tokën sa të duash me këmbët tua, se së shpejti ajo do të jetë varri yt. O bir i Ademit, vërtetë se ti je ditë. Dhe sa herë që shkon një ditë, shkon edhe një pjesë e jotja. O bir i Ademit, jeta jote vazhdimisht pakësohet, prej se të ka lindur nëna.”

Merr mësim nga ata që u kanë dalë shpirtrat nga trupi, dhe ji prezent në varrimet që bëhen mëngjes e mbrëmje. Thotë Shurahbili: “ Ebu Derdai kur shihte ndonjë xhenaze thoshte:  “Shkoni në mëngjes se ne do t’ju bashkohemi në mbrëmje, shkoni në mbrëmje se ne do t’ju bashkohemi në mëngjes. Këshillë e përkryer dhe shkujdesje e menjëhershme. Mjafton vdekja si paralajmërues. Shkojnë njerëzit njëri pas tjetrit dhe mbetet i fundit pa u ndikuar nga kjo.”

Kush përkujton vazhdimisht vdekjen dhe botën tjetër, nuk mashtrohet dhe gëzohet me veprat e shumta dhe nuk mban në zemrën e tij zili për askënd për shkak të mirave që u ka dhënë Allahu. Thotë Ebu Derdai:  “Kush e shpeshton përkujtimin e vdekjes, pakësohet gëzimi dhe zilia e tij.”

Këto ishin disa këshilla dhe porosi të transmetuara nga shokët e Pejgamberit , të cilat përmbledhin çdo të mirë dhe të cilat e vërtetojnë fjalën e Pejagmberit salAllahu alejhi ue selem: “Njerëzit më të mirë…”

Allahu e mëshiroftë njeriun i cili merr mësim dhe këshillohet me këto thënie e porosi dhe pendohet e kthehet te Zoti i tij me kërkim falje!

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit