Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Këshillë drejtuar të gjithë myslimanëve-1

Shejh: Abdul-Aziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

Marrë nga revista “El-Minhel”- për muajin Dhul-Ki’detu dhe Dhul-Hixh-xhetu, më 1371 H (1952), pjesa 12, faqe 411- 416 (islamspirit.com-Meusu’atu fetaua el-lexhneti uel-imamejn)

Nga Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz drejtuar çdokujt që e sheh prej myslimanëve! Allahu më bëftë mua dhe ata prej pasuesve të rrugës së besimtarëve dhe na ruajt nga rruga e atyre që kanë shkaktuar Zemërimin e Tij dhe e atyre që janë të humbur! Amin!

Selamun alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu.

Më pastaj:

Ajo që më shtyu për këtë (porosi) është këshilla dhe përkujtimi, duke i vënë në vepër Fjalët e Allahut të Lartësuar:

“Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve” (Surja Edh-Dharijat-55).

“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër” (Surja El-Maidetu-2).

“Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën e këshillojnë njëri-tjetrin për durim” (Surja El-Asr 1-3).

Dhe fjalën e Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Feja është këshillë” Iu tha: “Për kënd, o i Dërguar i Allahut?” Tha: “Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për prijësit e myslimanëve dhe për masën e gjerë të tyre” (Muslimi).

Në këto vargje të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë të Kuranit si dhe në hadithin fisnik, ka argument të dukshëm për ligjësinë e përkujtimit, të këshillimit dhe të porosisë së ndërsjellë për të vërtetën dhe për thirrjen e të tjerëve drejt saj.

E kjo për shkak se rezultojnë në dobi për besimtarët, për mësimin e injorantit, për udhëzimin e të humburit, për zgjimin e shpërfillësit, për përkujtimin e harrestarit dhe për nxitjen e dijetarit që të veprojë me atë që di, si dhe dobi tjera të shumta.

Allahu i Patëmeta i krijoi krijesat që ta adhurojnë Atë dhe t’i binden Atij. (Pastaj) i dërgoi profetët si përkujtues për këtë (qëllim), si përgëzues e paralajmërues, ashtu siç thotë:

“Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë Mua” (Surja Edh-Dharijat- 56).

“Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit! Nëse ju i ktheni shpinën të Dërguarit Tonë, dijeni se ai ka për detyrë vetëm që t’jua shpjegojë qartë” (Et-Tegabun-12).

“(Këta janë) të Dërguar që kanë sjellë lajme të mira e kanë paralajmëruar, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut pas ardhjes së të Dërguarve…” (Surja En-Nisa-165).

“Prandaj, këshilloji (njerëzit o Muhamed), se ti je vetëm këshillues” (Surja El- Gashijetu-21).

Është obligim për çdo kënd që ka dije të përkujtojë (të tjerët) për këtë, të këshillojë për hir të Allahut, të thërret për tek Ai, duke e zbatuar kështu detyrën e kumtimit dhe të thirrjes (da’ues), dhe duke i marrë si shembull profetët e ndershëm (alejhimus-salatu ues-selam), si dhe duke u ruajtur nga gjynahu i fshehjes (së dijes), për të cilin ka kërcënuar Allahu në Kuran, ku thotë:

“Me të vërtetë, ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër, do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata që janë ngarkuar të mallkojnë” (Surja El-Bekaretu-159).

Dhe është saktësuar nga Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sl-lem) se ka thënë:

“Kush udhëzon në të mirën, ka shpërblimin e njëjtë me atë që e vepron”.

Dhe thotë:

“Kush thërret në udhëzim, ka shpërblimin e njëjtë me të atyre që e pasojnë, duke mos u pakësuar asgjë nga shpërblimi i tyre. E, kush thërret në devijim, ka mbi vete gjynahet e njëjta me të atyre që e pasojnë, duke mos u pakësuar asgjë nga gjynahet e tyre” (I transmeton Muslimi në Sahihun e vet).

Nëse u kuptua kjo që u cek më lart, atëherë ajo me të cilën ju porosis ju dhe veten time është frika ndaj Allahut, kur jemi vetëm dhe me të tjerët, gjatë vështirësisë dhe mirëqenies, sepse ajo është porosia e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij, ashtu siç thotë Allahu:

“Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: “Frikësojuni Allahut!” (Surja En-Nisa- 131).

Ndërsa Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), gjatë hutbeve të tij, thoshte:

“U porosis me frikë ndaj Allahut, me dëgjueshmëri dhe me bindje”.

“Et-takua” është fjalë përmbledhëse, e cila përmbledhë në vete hajrin në tërësi, realiteti i së cilës është kryerja e obligimeve të Allahut dhe largimi nga ndalimet e Tij me sinqeritet, me dashuri dhe me lakmi për shpërblimin e Allahut, si dhe me frikë (kujdesin) nga ndëshkimi i Tij. Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar robërit e Vet për frikë ndaj Tij dhe u ka premtuar (atyre që i frikohen Atij) lehtësim të çështjeve e të rriskut, largim të vështirësive, falje të gjynaheve dhe triumf me Xhenete.

Allahu thotë:

“O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit) vërtet është një ngjarje e madhe!” (Surja El-Haxhxh-1).

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdonjëri le të shikojë se çka ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që ju bëni!” (Surja El-Hashr -18).

“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret” (Surja Et-Talak 2-3).

“Për ata që ruhen (nga gjynahet) do të ketë kopshte të kënaqësive te Allahu” (Surja El- Kalem -34).

“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia rrisë shpërblimin” (Surja Et-Talak- 5).

Vargjet të cilat flasin rreth kësaj tematike janë të shumta.

Prandaj, o ju myslimanë, dijeni se jeni nën Mbikëqyrjen e Allahut të Patëmeta…

Vijon….

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva