Krahasimi i palmës së hurmës me besimtarin

 

Krahasimi i palmës së hurmës me besimtarin

 

Allahu thotë: “Vallë,  a nuk e sheh se si  Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.” Ibrahim 24-25. Palma është pema më e mirë, më e vlefshme, më e dobishme. Me të, Allahu e krahason besimtarin. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet është një pemë prej pemëve, të cilës kurrë nuk i bien gjethet. Ajo është si shembulli i besimtarit.” Pas kësaj kërkon nga sahabët: “Më tregoni se cila është ajo!” Kjo në mënyrë që kur të marrin përgjigjen prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, ajo të vendoset mirë në mendjet dhe zemrat e tyre. Pastaj ka thënë: “Ajo është pema e hurmës.” Në një hadith tjetër ka thënë: “Shembulli i besimtarit është sikur shembulli i palmës së hurmës. Çdo gjë që merr prej saj ke dobi.” Dhe në një tjetër hadith ka thënë: “Shembulli i fjalës së mirë është…(dhe ka përmendur ajetin e mësipërm).”

 

Palma e hurmës ka vlerë e pozitë të lartë, virtytet e së cilës janë të shumëllojshme. Prej tyre: rrënjët e saj janë thellë në tokë, degët ngrihen lartë në qiell, vazhdimisht jep prej frutave të saj. Ajo është pemë e bereqetshme, çdo gjë që merr prej saj është e dobishme, jo vetëm frutat. Është pemë e veçantë. Dhe i bindet besimtarit të bindur ndaj Allahut, tek zemra e të cilit është vendosur fjala e besimit dhe ka lëshuar rrënjë të thella.

 

Aspektet e ngjashmërisë mes palmës dhe besimtarit:

 

  1. Palma për t’u llogaritur e shëndoshë dhe e mirë, duhet të ketë rrënjë, trup, degë dhe fruta. Njëjtë është dhe me besimin, për t’u pranuar tek Allahu, patjetër duhet të ketë rrënjë (bazë), degë dhe fruta. Rrënjët e besimit janë gjashtë shtyllat e besimit (1. besimi në Allahun, 2. në engjëjt e Tij, 3. në Librat e Tij, 4. në Pejgamberët e Tij, 5. në Ditën e Gjykimit dhe 6. në kaderin e Tij, për të mirë e për të keq). Ky besim për t’u llogaritur tek Allahu duhet të ketë dhe degët e tij, që janë: veprat e mira, adhurimet, bindjet, e shumëllojshme, me të cilat afrohet besimtari tek Allahu. Ndërsa, frutat janë çdo e mirë që e arrin besimtari këtë jetë dhe çdo lumturi që e vjel prej këtij besimi në të dy botët.

 

  1. Palma e hurmës për të mbetur gjallë duhet të ujitet me ujë. Nëse i pakësohet uji, fillon të venitet e nëse ia ndërpret do të thahet. Njëjtë është dhe me besimin. Për të jetuar besimi në zemër, duhet të “ujitet” me shpalljen e Allahut- Kurani dhe suneti. Allahu thotë: “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve…” Enam 122. Ai që ka dritën e besimit në zemër, në gjuhë dhe në vepra, ai e ka ndriçuar rrugën e tij, di se ku të vendosë hapat e tij në rrugëtimin drejt Allahut. Pema e besimit është në zemrën e besimtarit. Nëse nuk i kushton kujdes duke e ujitur me dije nga Kurani e suneti dhe me vepra të mira, vazhdimisht, atëherë shumë shpejt kjo pemë do të thahet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet besimi vjetrohet në brendësinë tuaj, sikur që vjetrohet rroba, andaj luteni Allahun t’ua ripërtërijë besimin në zemrat tuaja!” Pra duhet lutur Allahun dhe duhet vepruar shkaqet për ripërtëritjen e besimit.

 

  1. Palma e hurmës ka rrënjë të forta, stabile. Njëjtë është dhe me besimin, kur ai kalitet në zemrën e besimtarit, shkon duke u rritur e duke u shtuar derisa bëhet i paluhatshëm, pa mundur as epshet e as dyshimet ta luhatin atë. Qëndron fort sikur kodrat. Ezaiu rahimehullah është pyetur: “A shtohet besimi?’ -“Po, derisa të bëhet si kodra.” -“A pakësohet besimi?” -“Po, shkon duke u pakësuar derisa të mos mbetet asgjë prej tij.”

 

  1. Palma e hurmës nuk mbinë në çdo tokë, por vetëm në tokën me dhe të mirë, e në disa toka madje fare nuk mbinë, në disa mbinë por nuk jep fruta, në disa jep fruta por i jep të dobëta. Njëjtë është dhe me besimin, nuk forcohet dhe nuk vendoset në çdo zemër, përveç asaj zemre të cilën Allahu ka shkruar që ta pranojë udhëzimin e Tij. Zemrat janë sikurse enët. Disa janë më të thella e disa më të cekëta. Sa më e thellë zemra, aq më shumë pranon prej udhëzimit të Allahut. Sa më e cekët të jetë, nuk pranon prej udhëzimit të Tij. E ato që janë të mbyllura nuk e pranojnë fare udhëzimin e Tij.

 

  1. Palma është një pemë e mirë. Kjo mirësi me të cilën përshkruhet ajo, nuk është në formën, frutat, shijen e aromën e saj të mirë, por është mirësi në gjithëpërfshirëse. Njëjtë është dhe me besimtarin, cilësia më madhore e të cilit është të qenit i mirë, nga brenda (në zemër) dhe nga jashtë (në vepra), në publik dhe fshehtas njerëzve. Allahu thotë: “Kur t’i afrohen atij, dyert e tij do të hapen e rojtarët e tij do t’u thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!” Zumer 73. Për të arritur këtë shpërblim, duhet të jesh i mirë, nga brenda e nga jashtë.

 

  1. Çdo gjë që merr nga palma e hurmës është e dobishme. Njëjtë është dhe me besimtarin. Ai kështu duhet të jetë sa i përket vëllezërve të tij dhe me ata që ulet e ka raporte e kontakt. Çdo gjë që rrjedhë prej tij karshi të tjerëve duhet të jetë e mirë dhe e dobishme. Ata prej tij duhet të shohin vetëm morale të mira, fjalë të mira, edukatë të lartë dhe këshilla. Provë e dashurisë për hir të Allahut ndaj dikujt, është këshillimi ndaj tij. Nuk duhet që të tjerët të përjetojnë dëme dhe lëndime prej besimtarit, e as gjëra të padobishme ndaj tyre.

 

  1. Brendësia e palmës së hurmës është më e mira dhe më e ëmbla. Njëjtë duhet të jetë dhe zemra e besimtarit. Ajo duhet të jetë më e mira e më e ëmbla, nuk duhet të përmbajë diçka tjetër veçse mirësi. Nuk duhet të fshihet në të diçka përveçse devotshmërisë, adhurimeve, veprave të mira, përqendrimit në rrugën e Allahut dhe të shpëtuarit e të tjerëve prej zilisë, urrejtjes, dashakeqësisë etj.

 

  1. Frutat e palmës së hurmës janë fruta të dobishme, madje nuk ka frut më të ëmbël e më të dobishëm sesa hurma. Njëjtë është dhe besimi. Besimi gjendet në zemrën e çdokujt prej besimtarëve, mirëpo të paktë janë ata që arrijnë ëmbëlsinë e besimit (të gjitha pemët kanë fruta porse frutat e palmës janë më të mirat). Atë e shijon vetëm ai që ka besim të saktë ashtu siç kërkon Allahu dhe i Dërguari i Tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që i posedon tri gjëra arrin të shijojë ëmbëlsinë e besimit: të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashur tek ai sesa çdo kush tjetër, ta dojë dikë veçse për hir të Allahut dhe të urrejë të kthehet në mohim ashtu siç urren të hidhet në zjarr.”

 

  1. Mes palmave ka dallime, nuk janë në një nivel të gjitha. Njëjtë dhe me besimtarët, tek të cilët besimi dallon nga njëri-tjetri, dikush ka besim më të lartë e dikush më të ulët. Allahu thotë: “Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur (nga ndjekësit e Muhamedit). Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), disa janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat), ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve), kjo është dhuntia e madhe.” Fatir 32.

 

  1. Palma e hurmës sa më shumë që jeton, aq më shumë zgjatet e mira e saj dhe aq më kualitative janë frutat e saj. Njëjtë është dhe me besimtarin, sa më shumë që ai jeton aq më shumë shtohet hajri i tij dhe aq më të mira do të jenë veprat e tij. Besimtari duhet të ecë më tutje duke shtuar veprat e mira dhe duke i përmirësuar ato. Veprat kanë nevojë për përmirësim, si në aspektin e nijetit ashtu dhe në aspektin e formës së kryerjes së tyre. Sa më shumë që jeton, kështu do të ketë një shans më shumë për përmirësim të tyre. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Cili është njeriu më i mirë?” Është përgjigjur: “Ai që jeton gjatë dhe vepron vepra të mira.” Qëllimi me vepra të mira është: vepra të mira me nijetin për hir të Allahut dhe sipas sunetit (dy kushte).

 

Kur besimtari mediton rreth këtyre përngjasimeve, patjetër që zemra e tij do të ngjallet, besimi i tij do të shtohet dhe bindja e tij do të rritet, dhe si rrjedhojë gjithashtu do ta lavdërojë dhe falënderojë Allahun edhe më shumë. Besimi është një pemë e bereqetshme, me dobi të shumta e të shumëllojshme, në të dy botët.

 

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Katër parimet për tregtarin musliman

 

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë katër tipare që nëse të janë dhënë, atëherë nuk të dëmton ajo pjesë e dunjasë e cila të ikë: morali i mirë, ushqimi i dëlirë, fjalët e vërteta dhe ruajtja e amanetit.” Ahmedi në Musned.

 

Do të ndalemi te shpjegimi i këtyre katër cilësive apo tipareve që duhet t’i posedojë çdokush i cili përballet me fitime, tregti, marrëveshje për pasuri të ndryshme. Besimtari duhet të jetë i kujdesshëm në ruajtjen e këtyre tipareve (të mos lëshojë pe në to) dhe gjithmonë t’i përmbahet atyre. Më e mirë është mbetja e këtyre parimeve tek ai, edhe nëse sheh se duke iu përmbajtur atyre nuk fiton, se Allahu do t’ia zëvendësojë dhe do t’i japë atë që është më e mira, në Dorën e Tij është furnizmi, mirësia dhe begatia.

 

  1. Morali i mirë.

Kur të kesh punë me të tjerët, gjithmonë të sillesh me morale të mira. Ai që bën tregti me të tjerët do të ndeshet me morale të ndryshme të njerëzve dhe do të shohë se ka prej tyre që kanë morale të këqija, të cilat ka mundësi t’i ndikojnë negativisht tek ai. Andaj besimtari duhet ta ruajë këtë tipar. Pavarësisht që ke kontakte me të tjerët dhe që ke raporte të përditshme me ta, mos lejo që sjelljet  e tyre të këqija të të ndikojnë, duke bërë kjo që sjellja jote të mos jetë në nivelin e duhur apo që të prishet morali. Këtu dhe fillon konflikti mes njeriut dhe shpirtit të tij, ngase vazhdimisht është në kuftë dhe përpjekje për ta ruajtur moralin e tij, në mënyrë që të mos lejojë që së bashku me tregtinë ta shesë dhe sjelljen e tij e të marrë/fitojë sjellje të këqija. Disa njerëz për shkak të kontakteve të shumta me njerëz të ndryshëm, pas një kohe fillon edhe ai të shajë, ofendojë, të përdorë fjalë të ulëta e të ndryra. Andaj, sado që të jesh i angazhuar me biznis e tregti me të tjerët, nuk duhet që kjo të bëhet shkak për humbjen e sjelljes së tij të mirë. Çfarë të duhet fitimi i madh ndërkohë që humbet moralin e mirë dhe hyn në grupin e atyre që kanë moral të keq?!

 

  1. Ushqimi i dëlirë, i pastër.

Të jesh i kujdesshëm në ushqimin që fiton, të jetë i lejuar, dhe të largosh prej gjërave të ndaluara dhe të dyshimta. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet, e lejuara është e qartë dhe  e ndaluara është e qartë, por në mes tyre ka gjëra të dyshimta që shumica e njerëzve nuk i dinë (s’kanë njohuri). Kush ruhet prej këtyre gjërave të dyshimta e ka pastruar fenë e tij dhe nderin e tij. Kush bie në to, veçse ka rënë në ndalesa.” Besimtari nuk duhet t’iu afrohet gjërave të dyshimta ngase ato e dërgojnë te ndalesat. Ai duhet t’i kushtojë kujdes fitimit të tij gjatë punës që kryen, se a është i lejuar apo i ndaluar, a është i pastër ushqimi që e hanë apo i dyshimtë. Ushqimi i pastër është ai që është blerë me fitim që nuk ka pasur ndalesa në të e as gjëra të dyshimta (se a është i ndaluar apo jo), nuk ka njolla të ndalesave. Nëse në tregtinë tënde ka kamatë, apo mashtrim, apo ndalesa në marrëveshje (sheriat), atëherë kjo hynë në këtë hadith, pra ke marrë një ushqim apo fitim që nuk është i lejuar, i pastër, i dëlirë. Secili duhet të ketë kujdes që të largohet prej marrëveshjeve e kontratave përmes të cilave merr fitim të palejuar apo të dyshimtë. Nuk lejohet të jesh neglizhentë në këtë apo të lëshosh pe në këtë duke bërë që disa fitime që merr të jenë të palejuara. Në këtë çështje duhet të jesh i paluhatshëm. Ushqimi i pastër është një bazë për besimtarin. Ai kur punon për të fituar, duhet të që mos e dëmtojë këtë bazë. Shumë njerëz kur ju hynë bizniseve dhe mejdanit të fitimeve, nuk u kushtojnë rëndësi shumë çështje së fitimeve dhe ushqimit. Selefi duke u bazuar në hadith kanë thënë: “Përmirësoje ushqimin tënd (të jetë i lejuar), Allahu i përgjigjet lutjeve tua!” Nëse e ushqen veten dhe familjen me fitim të ndaluar, kjo është një shkak të që lutjet e tua të mos pranohen tek Allahu. E mos pranimi i lutjeve është shkatërrim. Lutja është çelësi i çdo mirësie dhe suksesi.

 

  1. Fjalët e vërteta.

Të mos gënjesh, por t’i kushtosh rëndësi të madhe vërtetësisë. Kur të flasësh me njerëz gjatë shitblerjeve, gjithmonë t’i përmbahesh vërtetësisë, e të mos thuash “është produkt i mirë” e që realisht nuk është, apo “tash e kam sjell në treg” e që realisht nuk është ashtu. Gjithmonë besimtari fuhrt t’ia kujtojë vetes: “Çfarë më duhet ndonjë fitim përderisa e humbas këtë tipar, vertetësinë, përderisa shkruhem gënjeshtar tek Allahu?!” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos gënjeni! Gënjeshtra shtyn në mëkate të mëdha. Kurse mëkatet e mëdha çojnë në zjarr.” Besimtari nuk gënjen ngase beson bindshëm se Allahu është furnizuesi – Err Rrezak, Ai që e ka në dorë furnizimin tënd, andaj nuk lejohet mashtrimi e gënjeshtra në tregti e biznisin që bën me qëllim që të fitojë, edhe nëse është fjala për një fitim të madh. Vërtetësia dhe sinqeriteti duhet të jetë parim i paluhatshëm tek ai, princim i pashkelur. Nuk duhet të jetë paraja parimi i tij, nëse janë shkak për humbjen e vërtetësisë. Disa njerëz kur i hynë tregtive e punëve, fillojnë të prishin moralin e tyre, sprovohen me fitime e kontrata dhe anojnë kah gënjeshtra, fillojnë edhe të betohen rrejshëm, në mënyrë që të fitojnë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë tri kategori njerëzish të cilët Allahu as nuk do t’i shikojë në Ditën e Kiametit e as nuk do t’i pastrojë dhe do të kenë një dënim të dhimbshëm…”, prej tyre: “ai që e shet mallin e tij duke u betuar rrejshëm.”

 

  1. Ruajtja e amanetit.

Besimtari duhet të jetë besnik në raport me të tjerët, të mos mashtrojë, të mos bëjë kurthe, të jetë besnik në ruajtjen e të drejtave të tyre gjithashtu, t’ua kthejë pasurinë që u takon. Amaneti është një gjë te besimtari të cilën e ruan me xhelozi dhe që nuk lejon ta thyejë. Njeriu ndodh që kur t’i hyjë ndonjë punë a tregtie të sprovohet në ruajtjen e amanetit, apo mosruajtjen e tij me qëllim që të fitojë apo që të arrijë prej të mirave të kësaj jete. E disa bien në këtë provim dhe e humbasin amanetin- shkelin besën dhe fjalën e tyre, me qëllim që të fitojnë apo të arrijnë diç. E disa të tjerë e përdorin amanetin në kufinj të ngushtë, plr interesa të caktuara; kështu, janë besnik veç ndaj atyre që janë besnikë me të, e me ata që e tradhtojnë edhe ai tradhton. Besimtari duhet të jetë besnik në çdo gjendje dhe rrethanë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka treguar në një hadith sahih: “Dëegoje amanetin në vend! Mos tradhto atë që të tradhton.” Përmbushja e besës kërkohet në çdo kohë dhe çdo vend. Mbajtja e besës është një vepër që e do Allahu dhe i lavdëron ata që janë besnikë e që i përmbahen amanetit. Kurse tradhtia është një gjë e nënçmuar, e shëmtuar, në çdo gjendje dhe rrethanë, atë nuk e do Allahu dhe i Dërguari i Tij.

 

 

 

Ky hadith është madhështor, përmban urtësi të mëdha, dhe të cilin duhet ta ketë para syve secili që i hyn një biznisi, tregtie apo kontrate. Atë duhet mësuar përmendësh dhe duhet mësuar domethëniet e tij. Gjithashtu duhet të përmbahet tek ata që janë të angazhuar me biznise e kontrata (parash), ngase kështu përhapet e mira dhe të mësohen se këto gjëra që kanë ardhur në hadith janë parime e baza të paluhatshme për besimtarin në të cilat nuk lejohet të lëshojë pe apo t’i shkelë ato.

 

Mos të mashtrohesh nga ajo se si të tjerët fituan duke gënjyer, mashtruar etj., kurse ti nuk fitove ngaqë iu përmbajte këtyre parimeve. Mos bëj këto krahasime.

 

Nëse të ka ikur diçka duke ruajtur këto tipare, nuk dëmtohesh asgjë. Edhe nëse nuk fiton duke iu përmbajtur këtyre parimeve, nuk dëmtohesh asgjë. Përfundimi dhe fundi i lumtur do të jetë për ty, në të dy botët, nëse tregohesh i durueshëm dhe i përmbahesh këtyre këshillave.

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit