Krahasimi i shpenzimeve të atyre që nuk besojnë me erën e breshërit

Shkëputur nga libri: “El Emthalu fil Kur’ani”

“S’ka dyshim se atyre që nuk besuan, nuk do t’u bëjnë dobi ndaj (dënimit të) Allahut as pasuria e as fëmijët e tyre. Ata janë banues të zjarrit dhe aty janë përgjithmonë. Shembulli i asaj që ata e shpenzojnë në këtë jetë, është si një erë me breshër, që godet dhe shkatërron të mbjellat e një populli që i ka bërë dëm vetes. Allahu nuk u bëri zullum atyre, por ata ishin që i bënë të padrejtë vetes së vet” (Ali Imran/116-117).

Me këtë shembull, Allahu i krahason ata nuk i shpenzojnë pasuritë e tyre në rrugën e Tij. Pasuritë e këtyre, të cilët nuk i shpenzojnë për hir të Allahut por për t’u krenuar dhe lavdëruar, si dhe për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut dhe nga pasimi i pejgamberëve, Allahu i krahason me të mbjellat e një njeriu, i cili shpreson të ketë dobi prej tyre, por ato i godet një erë me breshër, që i shkatërron dhe i thanë të gjitha.

Ndërsa fjala e Allahut: “godet dhe shkatërron të mbjellat e një populli që i ka bërë dëm vetes” tërheq vëmendjen se shkaku i goditjes ndaj të mbjellave të tyre është dëmi dhe padrejtësia e tyre, sepse kjo padrejtësi ua sjell erën e përmendur. Pra kjo padrejtësi është era e cila ua shkatërron veprat dhe ua çon dëm shpenzimet e tyre.

Përktheu: J.B.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit