Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Kuptimi i emrave El Meliku, El Melijku

(الملك, المليك)

 

Emri El Meliku është përmendur në Kuranin Fisnik në pesë vende. Prej tyre janë Fjalët e të Lartësuarit: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër që meriton adhurimin. Ai është El Meliku (Sunduesi), i Shenjti (i pastër nga çdo e metë)” (El Hashr, 23). “I lartësuar është Allahu, Sundimtari, i Vërteti!” (El Mu’minun, 116).

Kurse, emri El Melijk është përmendur vetëm njëherë në Fjalët e të Lartësuarit: “Vërtet, besimtarët e devotshëm do të jenë në kopshtet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj. Në kuvendin e së vërtetës (në Xhenet), tek një Melijk (Sundues) i Plotfuqishëm.” (El Kamer, 54 – 55).

Këta dy emra tregojnë se Allahu i Patëmeta është poseduesi i sundimit, domethënë Sunduesi/Zotëruesi i të gjitha gjërave, Ai i Cili vepron me to si të dëshirojë, pa pasur mundësi dikush ta kundërshtojë dhe t’i rezistojë dëshirës së Tij.

Sundimi i referohet tri çështjeve (kuptimeve):

1) Pohimit se Allahut i përkasin cilësitë e sundimit të cilat përbëjnë të gjitha cilësitë e Tij madhështore. Siç janë: përsosuria e forcës, lavdia, plotfuqishmëria, dija gjithëpërfshirëse, urtësia absolute, realizimi i vullnetit të Tij, përsosuria e administrimit/drejtimit (të kozmosit), përsosuria e butësisë dhe mëshirës, ekzekutimi i vendimeve gjithëpërfshirëse për banorët e botës qiellore dhe asaj tokësore, si dhe vendimeve gjithëpërfshirëse të kësaj jete dhe jetës e ardhme. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe (vetëm) Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Al’ Imran, 189). “Atë ditë pushteti i vërtetë do t’i përkasë vetëm të Gjithëmëshirshmit.” (El-Furkan, 26). “Kujt i përket pushteti i kësaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!” (Gafir, 16).

2) Faktit se të gjitha krijesat janë robër dhe skllevër të Tij, nevojtarë dhe të shtrënguar për Të në të gjitha çështjet, askush nuk mund të dalë nga sundimi/mbretëria e Tij, dhe asnjë krijesë nuk është e vetëmjaftueshme/sovrane ndaj krijimit dhe furnizimit të Tij, dobisë dhe mbrojtjes së Tij, si dhe ndaj bujarisë dhe bamirësisë së Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Qoftë i lartësuar në lavdi Ai, të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe gjithçka që gjendet mes tyre. Vetëm Ai ka dijeni mbi Orën (e Kiametit) dhe tek Ai do të ktheheni!” (Ez-Zuhruf, 85). “O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd. Nëse do, Ai ju zhduk dhe sjell krijesa të reja. Kjo gjë nuk është e vështirë për Allahun.” (Fatir, 15-17). “Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve! Ai dëgjon dhe di gjithçka.” (El-Ankebut, 60).

3) Faktit se vetëm Atij i përket realizimi/ekzekutimi i drejtimit/administrimit (të kozmosit); gjykon dhe vendos sipas dëshirës dhe vullnetit të Tij, askush nuk mund t’i kundërvihet gjykimit të Tij apo ta përmbysë vendimin e Tij. Vetëm Atij i takon i gjithë vendimi, si paracaktim, ligjësim dhe shpërblim/kompensim.

i. Vetëm Atij i takojnë vendimet e paracaktuara (të kaderit); pasi që të gjitha çështjet e paracaktuara, ekzistenca (e tyre), përgatitja e shkaqeve (për ekzistimin e tyre), dhënia e jetës dhe vdekjes, etj, ndodhin sipas vendimit dhe paracaktimit të pakontestueshëm të Tij.

ii. Vetëm Atij i takojnë vendimet sheriatike (të ligjshme); pasi që Ai i dërgoi të Dërguarit, i zbriti Librat, i ligjësoi dispozitat/ligjet, i krijoi njerëzit (dhe xhinët) për hir të tyre (ligjeve), dhe i urdhëroi të ecin sipas ligjeve të Tij në çështjet e besimit, moralet (sjelljet), fjalët, veprat, brendësinë (zemrat) dhe të jashtmen (gjymtyrët) e tyre. Po ashtu i ndaloi t’i tejkalojnë ligjet e Tij sheriatike.

iii. Vetëm Atij i takojnë vendimet për shpërblim, dhe ato (vendime) janë shpërblimi për veprat e robërve, të mirat dhe të këqijat, në këtë botë dhe në botën e ardhme, kompensimi i të bindurve dhe ndëshkimi i të pabindurve.

Të gjitha këto vendime shkojnë sipas (e ndjekin) Drejtësisë dhe Urtësisë e Tij, dhe të gjitha janë prej kuptimeve të sundimit.

Gjithashtu, prej kuptimeve të sundimit të Tij është edhe zbritja e Librave të tij, dërgimi i të Dërguarve të Tij, udhëzimi i botëve, orientimi i të humburve, ngritja e argumenteve dhe arsyetimeve kundër jobesimtarëve kryeneçë e kokëfortë, vendosja e shpërblimit dhe ndëshkimit në vendin e tyre, për më tepër vendosja e të gjitha çështjeve në pozitën e tyre (që u takon), dhe gjëra tjera që janë prej natyrës së drejtimit dhe administrimit në sundimin/mbretërinë e Tij dhe sipas vullnetit të Tij, qoftë i Lartësuar Allahu!

Ibnul-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: ‘Vërtetë, realiteti i sundimit plotësohet vetëm përmes dhënies dhe privimit, nderimit dhe nënçmimit, shpërblimit dhe ndëshkimit, zemërimit dhe kënaqësisë, emërimit (në një pozitë) dhe çemërimit, lartësimit të atij që e meriton lartësimin dhe poshtërimit të atij që e meriton poshtërimin. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mire është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë. Ti bën që nata të hyjë tek dita dhe që dita të hyjë tek nata. Ti e nxjerr të gjallën prej së vdekurës dhe të vdekurën e nxjerr prej së gjallës. Ti i jep kujt të duash pa kufij.”(Al’ Imran, 26-27). “Atij i lutet gjithkush që ndodhet në qiej dhe në Tokë e në çdo kohë Ai ushtron fuqinë e gjithëmbarshme.” (Err-Rrahman, 29); falë një mëkat, lehtëson/çliron një vështirësi, largon një ankth/shqetësim, ndihmon një të shtypur, ndëshkon një zullumqar (të padrejtë), liron një rob, pasuron një të varfër, përmirëson një të thyer (shpirtërisht), shëron një të sëmurë, ndjen një shkarje (mëkat), mbulon një të metë, lartëson një të nënçmuar, poshtëron një të lartësuar, i përgjigjet/jep një lutësi, shkatërron një shtet, sjellë një tjetër (në vend të tij), ditët (e fitores dhe humbjes) i ndërron midis njerëzve, i ngrit disa popuj ndërsa i përulë disa të tjerë, i sjellë/vendosë çështjet (kaderet), të cilat i ka caktuar pesëdhjetëmijë vite para se t’i krijojë qiejt dhe tokën, në kohën e ndodhjes së tyre, prandaj nuk ka mundësi që diçka të ndodhë para apo prapa kohës (së caktuar), për më tepër Ai i ka përfshirë ato me dijen e Tij në mënyrë precize, siç edhe i ka përfshirë Libri i Tij (në mënyrë precize); të gjitha janë shkruar nga pena/lapsi e Tij, si dhe për të gjitha e ka realizuar vendimin e Tij dhe i ka paraprirë me dijen e Tij. Pra, Ai është i Vetmi që e drejton të gjithë mbretërinë/sundimin e Tij, me drejtimin një Mbreti/Sunduesi të Plotfuqishëm, Ngadhënjimtar, të Drejtë, Mëshirëplotë dhe me sundim absolut; askush nuk mund t’i kundërvihet apo ta kundërshtojë në mbretërinë e Tij. Drejtimi i kësaj mbretërie nga ana e Tij vërtitet mes drejtësisë, bamirësisë, urtësisë, dobisë dhe mëshirës; drejtimi i Tij nuk mund të dalë nga këto gjëra.”[1]

Së këtejmi, në Kuranin Fisnik përsëritet shpesh sqarimi se të veçuarit e Allahut me sundim, i Cili nuk ka ortak në këtë, është provë e qartë për obligueshmërinë e veçimit të Tij, të Vetmit, me adhurim. Allahu i Lartësuar thotë: “Ky është Allahu – Zoti juaj; Atij i përket i tërë pushteti; nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si është e mundur që largoheni prej Tij?!” (Ez-Zumer, 6). “I lartësuar është Allahu, Sundimtari i Vërtetë! S’ka të adhuruar tjetër të vërtetë, përveç Atij, Zotit të Fronit Madhështor!” (El-Mu’minun, 116).

Po ashtu, aty theksohet qartë se adhurimi i dikujt/diçkaje tjetër përveç Tij, prej gjërave që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as që të ringjallin – është humbja më e madhe dhe gjëja më e kotë. Në Kuran kanë ardhur ajete të shumta të cilat e vërtetojnë këtë realitet dhe e qartësojnë këtë çështje.

Allahu i Lartësuar thotë: “E megjithatë ata adhurojnë në vend të Tij të adhuruar të tjerë, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as që të ringjallin.” (El-Furkan, 3).

“Ai e bën natën të kalojë në ditë dhe ditën të kalojë në natë. Ai i ka nënshtruar Diellin dhe Hënën, kështu që secili lëviz për një kohë të caktuar. Ky është Allahu, Zoti juaj. Pushteti është i Tij! Kurse ata që ju i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as sa cipa e bërthamës së hurmës. Nëse ju u luteni atyre, ata nuk e dëgjojnë lutjen tuaj, por edhe sikur ta dëgjonin, nuk do t’ju përgjigjeshin. Në Ditën e Kiametit, ata do ta mohojnë adhurimin që u bënit atyre. Askush nuk mund të të njoftojë ty (o Muhamed) ashtu si Ai që është i Mirinformuar.” (Fatir, 13 – 14).

“Thuaju (o Muhamed): “Si mundet vallë, që ju adhuroni në vend të Allahut, atë që nuk është në gjendje t’ju sjellë as dëm e as dobi, ndërkohë që Allahu dëgjon dhe di çdo gjë?!” (El-Maide, 76).

“Thuaj: “Thirrini ata që ju i pretendoni (hyjnizoni) përveç Tij! Ata nuk mund t’jua largojnë të keqen e as nuk mund ta hedhin atë tjetërkund.” (El-Isra, 56).

“Thuaju (o Muhamed): “Thirrini ata që i pretendoni (hyjnizoni) krahas Allahut! Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej apo në Tokë; për ata nuk ka pjesë as në qiej, as në Tokë dhe Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre.” (Sebe’, 22), domethënë; ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije as nga aspekti i pavarësisë (nga Allahu) dhe as nga aspekti i ortakërisë (me Të). Po ashtu, edhe njeriu në këtë jetë nuk zotëron asgjë përveç se atëherë kur Allahu i jep zotërim (të diçkaje). Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (Al’ Imran, 26). Kështu që, nuk lejohet që atij i cili në këtë kozmos nuk ka pushtet as sa pesha e një thërrmije, t’i kushtohet/drejtohet diç nga adhurimi, ngase adhurimi është e drejtë që i takon Sundimtarit Madhështor, Krijuesit Dinjitoz, dhe Zotit/Kujdestarit i Cili është drejtues/rregullues i këtij kozmosi dhe i Cili nuk ka ortak në këtë gjë; qoftë e lavdëruar Pozita e Tij, qoftë i madhëruar Pushteti i Tij, qoftë e lartësuar Madhëria e Tij, nuk të adhuruar me të drejtë përveç Tij!

Kjo temë është shkëputur nga libri “Fikh el-esma el-husna” (Kuptimi i emrave të bukur të Allahut), i shejh Abdurrezak bin Abdulmuhsin El-Bedr.

Përktheu: Lulzim Perçuku

________________________________________

[1] “Tarikul-hixhratejn”, (115 – 116).

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva