Kuptimi i Emrave Err-Rrahman, Err-Rrahim

Err-rrahman Err-Rrahim [1]

Shejh AbduRrezak bin AbdulMuhsin El Bedr

Këta janë dy emra madhështorë të cilët janë përmendur shumë herë në Kuranin Fisnik. Allahu i Lartësuar thotë: “Err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi) mbi Fron u ngrit” (Ta Ha, 5). “E pastaj u ngrit mbi Fron. Ai është Err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi).” (El Furkan, 59). “O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga Err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi)” (Merjem, 45). “Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, Err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi)” (En Nebe’, 37). “Err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi). Ua ka mësuar Kuranin (robërve të Tij).” (Err-Rrahman, 1-2).

Ndërsa, emri Err-Rrahim në shumicën e rasteve vjen ose i kushtëzuar, siç e gjejmë në Fjalët e Allahut: “Ai është Err-Rrahim (Mëshirues, Mëshirëplotë) ndaj besimtarëve” (El Ahzab, 43), ose i shoqëruar me emrin Err-Rrahman, siç e gjejmë në suren El Fatiha dhe në besmele (bismil-lahirrrrahmanirr-rrahim), apo me ndonjë emër tjetër: “El Aziz Err-Rrahim” (i Plotëfuqishmi, Mëshirëploti), “El Gafur Err-Rrahim” (Shumëfalësi, Mëshirëploti), “El Berr Err-Rrahim” (Bamirësi, Mëshirëploti), “Et-Teuab, Err-Rrahim” (Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti).

Këta dy emra kanë rëndësi/domethënie të madhe dhe pozitë madhështore. Me këta dy emra Allahu e hapi Ummul-Kuranin (Nënën e Kuranit-El Fatiha), i bëri titull të asaj që e zbriti prej udhëzimit dhe sqarimit, ua bashkëngjiti fjalën të cilës shejtani nuk i bën dot ballë, me to Pejgamberi i Allahut (Sulejmani) e filloi letrën dërguar Belkisës, dhe Xhibrili (alejhis-selam) vazhdimisht i zbriste ato te Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në hapjen e çdo sureje të Kuranit.

Këta dy emra përmenden të shoqëruar njëri me tjetrin në disa vende në Kuran, dhe secili prej tyre tregon se rahmeti (mëshira) pohohet si cilësi e Allahut të Madhërishëm. Kurse, si të bashkuar këta dy emra tregojnë për vërtetimin e kësaj cilësie, por njëkohësisht edhe për ndodhjen e efektit të saj dhe lidhjen e saj me rezultatet e saj. Pra, Err-Rrahman është Ai i cili mëshira është cilësi e Tij, kurse Err-Rrahim është Ai që i mëshiron robërit e Tij. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është Err-Rrahim (Mëshirues, Mëshirëplotë) ndaj besimtarëve” (El Ahzab, 43), dhe: “Vërtetë, Ai është Rauf (i Butë) dhe Rahim (i Mëshirshëm) me ta (besimtarët)” (Et-Teube, 117), por nuk është thënë Rahman ndaj robërve të Tij, dhe as Rahman ndaj besimtarëve.

Err-Rrahman ka ardhur sipas peshores morfologjike fa’lan, që tregon për cilësinë e mëshirës, e cila është cilësi e pohuar, e pandashme dhe e përsosur e Allahut. Kurse, Err-Rrahim tregon për kalimin e kësaj mëshire tek i mëshiruari, domethënë Ai i Cili mëshiron me veprën e Tij.

Vërtetë, këta dy emra aludojnë në përsosurinë dhe gjerësinë e mëshirës si cilësi e Allahut. Të gjitha gjërat e dobishme, të dashura, të gëzueshme, të mira, që ndodhin në botën e lartë (banorët e qiellit) dhe atë ulët (banorët e tokës) janë prej gjurmëve të mëshirës së Tij. Po ashtu, prej gjurmëve të saj është largimi (prej tyre) i gjërave të urryera, ndëshkimeve, frikësimeve, rreziqeve dhe dëmeve. Sepse, askush nuk i sjell të mirat përveç Tij, si dhe askush nuk i largon të këqijat përveç Tij, prandaj Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve.

Mëshira e Tij e ka tejkaluar dhe mposhtur zemërimin e Tij, dhe është shfaqur te krijesat e Tij në atë formë sa që askush nuk mund ta mohojë. Ajo i ka mbushur qiejt dhe tokën, dhe me të janë mbushur zemrat e krijesave. Përmes kësaj mëshire të cilën Ai e ka shpërndarë mes tyre dhe e ka vendosur në zemrat e tyre, ata e mëshirojnë njëri-tjetrin, sa që edhe kafshët të cilat nuk shpresojnë ndonjë dobi, përfundim të mirë dhe shpërblim (te Allahu), tregojnë mëshirë për të vegjlit e tyre. Butësia dhe dhembshuria e madhe që është parë ndaj të vegjëlve të tyre dëshmon për kujdesin e Krijuesit të tyre dhe mëshirën e Tij të gjerë. Po ashtu mëshira e Tij është shfaqur në Urdhrin dhe Ligjin e Tij, me shfaqje të cilën e provojnë gjykimet dhe shikimet, dhe të cilën e miratojnë të mençurit. Ligji i Tij është dritë, mëshirë dhe udhëzim. Atë e ligjësoi duke qenë përfshirës i mëshirës dhe udhëheqës për te më e madhja mëshirë, nderim, lumturi dhe shpëtim.

Ligjësimi i lehtësimeve dhe thjeshtësive (në ligjet e Tij), si dhe largimi i vështirësive dhe rëndimeve (nga to) është treguesi kryesor për gjerësinë e mëshirës, bujarisë dhe fisnikërisë së Tij. Ndalesat e Tij në tërësi janë mëshirë, sepse ato i ligjësoi për ta ruajtur fenë, mendjen, nderin, trupin (shëndetin), moralin dhe pasurinë e njerëzve nga të këqijat dhe dëmet .[2]

Kurse, në ditën e Kiametit, Allahu i Patëmeta do t’i veçojë me mëshirë, epërsi, dhe mirësi ata të cilët besuan në Të dhe në Pejgamberët e Tij. Do t’i nderojë me falje, ndjesë dhe mbulim/shlyerje (të mëkateve), aq sa gjuha nuk mund ta thotë (përshkruajë) dhe as mendja ta imagjinojë. Në hadith thuhet: “Vërtetë, Allahu i ka njëqind mëshira; njërën prej tyre e ka zbritur mes xhinëve, njerëzve, kafshëve dhe shtazëve. Përmes saj ata tregojnë dhembshuri dhe mëshirë për njëri-tjetrin, sa që edhe egërsira tregon dhembshuri për të voglin e saj. Kurse, i ka mbajtur nëntëdhjetë e nëntë mëshira, me të cilat do t’i mëshirojë robërit e Tij në ditën e Kiametit.” [3]

Pra, kjo është një mëshirë të cilën gjuha nuk mund ta përshkruajë, të cilën e dhuron më i Mëshirshmi i mëshiruesve, dhe me të cilën, Ai mëshira e të Cilit ka përfshirë çdo gjë, i favorizon robërit e Tij besimtarë. Allahu i Lartësuar thotë: “Mëshira Ime përfshin çdo gjë. Atë do t’ua jap atyre që ruhen nga gjynahet e japin zeqatin, atyre që u besojnë shpalljeve Tona.” (El A’raf, 156).

Sa më shumë që robi e shton bindjen/adhurimin, si dhe veprat e mira që e afrojnë te Zoti i Tij, aq më shumë shtohet hisja e tij në të merituarit e kësaj mëshire. Allahu i Lartësuar thotë: “Ky Libër që kemi shpallur, është i bekuar, prandaj ndiqeni dhe druajuni kundërshtimit, në mënyrë që të mëshiroheni.” (El En’am, 155). “Vërtetë, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.” (El A’raf, 56).

Allahu i Madhërishëm është më i mëshirshëm për robërit e Tij, se mëshira dhe të mëshiruarit që ata tregojnë për njeri-tjetrin, sa do e lartë qoftë shkalla/përmasat e saj. Në dy Sahihat nga Umer bin El Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet të ketë thënë: “U sollën para të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) disa robër lufte, kur ja në mesin e tyre ishte një grua që kërkonte (dikë). Kur e gjeti një fëmijë, sakaq e mori, e përqafoi dhe e vuri t’i japë gji. Atëbotë, Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) na tha neve: “A mund ta imagjinoni që kjo grua mund ta hedhë fëmijën e saj në zjarr?” Ne u përgjigjëm: Jo, për Allahun! Ajo nuk mund ta përballojë një gjë të këtillë. Atëherë, ai tha: “Allahu është më i mëshirshëm për robërit e Tij se kjo grua për fëmijën e saj.” [4]

Nëse dikush nga njerëzit është më i mëshirshmi për të tjerët, atëherë kjo është nëna për fëmijën e saj. Asnjë mëshirë tjetër nga njerëzit nuk mund të barazohet me të. Megjithëkëtë, Allahu është më i mëshirshëm për robërit e Tij se që mund të jetë nëna për fëmijën e saj. Madje, sikur të mblidhej e gjithë mëshira e mëshiruesve, ajo do të ishte një hiç krahas mëshirës së më të Mëshirshmit prej tyre (Allahut).

Duhet të dihet se mëshira që i atribuohet Allahut është dy llojesh: 1. Mëshirë gjithëpërfshirëse, e kjo është që ka ardhur e shoqëruar me dijen në Fjalët e Tij: “O Zoti ynë, Ti ke përfshirë çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde” (Gafir, 7). Pra, çdo gjë që e ka arritur/përfshirë dija e Tij, e padyshim që ajo ka përfshirë çdo gjë, atë e ka arritur edhe mëshira e Tij. Sepse, Allahu e shoqëroi këtë lloj të mëshirës me dijen e Tij, e kjo është mëshira e cila i përfshin të gjitha krijesat, madje edhe jobesimtarët. Kjo mëshirë ka të bëjë me trupin, fizikun/materien dhe jetën e kësaj bote, duke iu dhënë ushqim, pije, rroba, shtëpi për të banuar, dhe gjëra të këtij lloji; 2. Mëshirë e veçantë, me të cilën Allahu i ka veçuar robërit e Tij besimtarë. Kjo mëshirë ka të bëjë me besimin, fenë, jetën e kësaj bote dhe atë të ahiretit (ardhmen), duke ua mundësuar bindjen/adhurimin (ndaj Tij), lehtësimin e rrugës drejt çdo të mire, përforcimin në besim, udhëzimin në rrugën e drejtë, dhe (si përfundim) nderimin me hyrjen në xhenet dhe shpëtimin nga zjarri i xhehenemit.

Lus Allahun që të na fus me mëshirën e Tij në mesin e robërve të mirë të Tij, dhe të na dhurojë nga mëshira e Tij të cilën e ka shkruar për miqtë e Tij besimtarë! Vërtetë, Ai është Bujar dhe Fisnik, si dhe më i Mëshirshmi i mëshiruesve.

Përktheu: Lulzim Perçuku

——————————————————————————————-

[1] Kjo temë është shkëputur nga libri “Fikh el esmai el husna” (Kuptimi i emrave të bukur të Allahut) i shejhut AbduRrezak bin AbdulMuhsin El Bedr

[2] Shiko “Fet’h Err-Rrahim El Melik El Al-lam” të Ibën Si’dit, faqe: 29 – 30.

[3] Sahihu i Buhariut, nr. 6104, dhe Sahihu i Muslimit, nr. 2752. Teksti i hadithit është i këtij të fundit, të cilin e transmeton nga Ebu Hurajra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

[4] Sahihu i Buhariut, nr. 5999, dhe Sahihu i Muslimit, nr. 2754. Teksti i hadithit është i këtij të fundit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit