Kuptimi i emrit Err-Rrabb

Emri Err-Rrabb[1]

Ky është një emër madhështor i Allahut të Lartësuar. Përmendja e tij në Kuran është përsëritur, në pozita të ndryshme dhe kontekste të shumëllojta, më shumë se pesëqind herë. Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo lavdërim/falënderim i përket vetëm Allahut, Rabb-it (Zotit) të botëve.” (El Fatiha, 1). “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Rabb-it (Zotit) të botëve.” (El En’am, 162), “Thuaj: “A mos vallë do të kërkoj unë tjetër rabb, kurse Ai është Rabb-i (Zoti) i gjithçkaje?” (El En’am, 164). “Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Rabb-it (Zotit) të botëve!” (Et-Tekuir, 29). “Paqe!” do të jetë fjala prej një Rabb-i (Zoti) Mëshirëplotë.” (Ja Sin, 58).

Domethënia e Rabb-it është: Zotëruesi i rububijes mbi të gjitha krijesat e Tij, domethënë i krijon dhe i sundon ato, si dhe i drejton/udhëheqë dhe i rregullon/sistematizon çështjet e tyre. Pra, ky është prej emrave që aludojnë në një tërësi domethëniesh, dhe jo vetëm në njërën prej tyre.

Ibën Xherir Et-Taberiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Err-Rrabb në gjuhën arabe lakohet në disa domethënie. Tek ata, zotëria të cilit i binden të tjerët quhet rabb. Njeriu që përmirëson diçka quhet rabb. Zotëruesi i diçkaje quhet rabb. Gjithashtu, lakohet edhe në forma/kuptime tjera, mirëpo të gjitha kthehen tek njëra prej këtyre tri kuptimeve. Pra, Rabbi (Zoti) ynë i Madhërishëm, është Zotëria të Cilit askush nuk i shëmbëllen dhe ngjason në zotërimin e Tij. Është Ai që i përmirëson çështjet e krijesave të Tij përmes dhuntive të cilat ua jep atyre në formën e plotë dhe të përsosur. Dhe është Sunduesi/Zotëruesi të Cilit i përket i gjithë krijimi dhe urdhri.”[2]

Ibnul-Ethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Gjuhësisht, Err-Rrabb përdoret për Sunduesin, Zotërinë, sistematizuesin, kujdestarin/edukuesin, udhëheqësin, dhe Ai që jep prej dhuntive të Tij. Dhe, nuk lejohet të përdoret duke mos i bashkëngjitur diçka përveçse për Allahun. Nëse përdoret për dikë përveç Tij, atëherë duhet t’i bashkëngjitet diç, për shembull të thuhet: zoti i filan gjëje[3].”[4]

Madje, nëse ky emër vjen i vetëm, i përfshin me aludimet e tij të gjithë emrat tjerë të bukur të Allahut dhe cilësitë e Tij të Larta. Në lidhje me këtë, dijetari i madh Ibnul-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Vërtetë, Err-Rrabb është i Gjithëfuqishmi, Krijuesi, Zanafillësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë, i Gjalli/Përjetshmi, Mbajtësi i gjithçkaje, i Gjithëdijshmi, Ai i cili dëgjon dhe sheh çdo gjë, Bamirësi, Ai i cili jep prej dhuntive të Tij, Bujari, Dhënësi-Ndaluesi, Dëmprurësi-Dobiprurësi, Privilegjuesi-Privuesi5, i Cili e lë në humbje atë që dëshiron dhe e udhëzon atë që dëshiron, e lumturon atë që do dhe e lë në fatkeqësi atë që do, e lartëson kë të dojë dhe e poshtëron kë të dojë, dhe të tjera prej domethënieve të rububijes së Tij, të cilat i përkasin Atij dhe prej të cilave e meriton të emërtohet me emrat e tjerë të bukur.”[6]

Vërtetë, kush thellohet në shqyrtimin/njohjen e këtij emri dhe mediton rreth aludimeve të tij, vëren “Një Kajjum që mbahet Vetë dhe mbanë çdo gjë tjetër, pra Ai është që udhëheqë/rregullon të mirat dhe të këqijat e çdo shpirti të gjallë. Është lartësuar/ngritur mbi Arshin (Fronin) e Tij, dhe veçohet me sistematizimin e mbretërisë së Tij. I gjithë sistematizimi është në dy Duart e Tij, dhe përfundimi i të gjitha çështjeve është tek Ai. Dekretet/urdhrat për sistematizim zbresin prej Tij përmes duarve të engjëjve me dhënie apo ndalim, ulje apo ngritje, dhënie apo marrje jete, pranim të pendimit apo largim (nga mëshira e Tij), zgjerim/shtim të furnizimit apo shtrëngim të tij, largim të brengave, ndihmë për të shqetësuarit dhe përgjigje për nevojtarët: “Atij i lutet gjithkush që ndodhet në qiej dhe në Tokë e në çdo kohë është i angazhuar me çështje.” (Err-Rrahman, 29). Askush nuk mund ta pengojë atë që dhuron Allahu, dhe nga ana tjetër, askush nuk mund ta japë atë që e jep Allahu. Askush s’mund t’i kundërvihet vendimin të Tij, askush s’mund ta zmbrapsë urdhrin e Tij dhe, askush s’mund t’i ndërrojë fjalët e Tij. Tek Ai ngjiten engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) dhe Atij i paraqiten veprat, në fillim të ditës dhe në mbarim të saj. Ai vendos caktimet dhe u përcakton kohën. Ai bën të mundur që caktimet/vendimet të ndodhin në kohët e përcaktuara. Të gjitha këto i administron, i ruan ato dhe interesat/dobitë e tyre.”[7]

Rububija e Allahut ndaj botëve e përfshin gjithë universin. Është Ai i Cili kujdeset për të gjitha krijesat me mirësitë e Tij, i krijoi me vullnetin dhe forcën e Tij, dhe iu ndihmoi (i furnizoi) me çdo që kanë nevojë. Çdo gjëje ia dha krijimin që i përshtatet/përgjigjet, pastaj çdo krijesë e udhëzoi/orientoi për atë qëllim që është krijuar. Iu dha robërve të Tij dhunti/mirësi me bollëk, i rriti, ushqeu, dhe u kujdes për ta në formën më përsosur.

Terbija (kujdesi) dhe rububija (zotërimi) e Allahut të Patëmeta është dy llojesh:

1. Rububija e përgjithshme që i përfshinë të gjitha krijesat, të devotshmin dhe të shthururin, besimtarin dhe jobesimtarin, të lumturin dhe fatkeqin, të udhëzuarin dhe të devijuarin. Kjo rububije është kujdesi (terbija) që Ai ua kushton të gjithë atyre, me krijim, furnizim, sistematizim, dhurim (të dhuntive), dhënie apo ndalim, ulje apo ngritje, jetë apo vdekje, afrim/miqësim apo largim/dëbim, shtim të furnizimit apo shtrëngim të tij, largim të brengave, ndihmë për të shqetësuarit dhe përgjigje për nevojtarët: “Atij i lutet gjithkush që ndodhet në qiej dhe në Tokë e në çdo kohë është i angazhuar me çështje.” (Err-Rrahman, 29).

2. Terbija e veçantë për miqtë e Tij, për të cilët u kujdes duke u dhënë sukses në besimin dhe adhurimin ndaj Tij. I ushqeu me njohjen e Tij dhe kthimin tek Ai, dhe i nxjerri nga errësirat në dritë. Ua lehtësoi rrugën drejtë të lehtës (shpëtimit) dhe i largoi nga e vështira (dënimi). Ua lehtësoi rrugën drejt çdo të mire dhe i ruajti nga çdo e keqe.

Për këtë, lutjet e të mençurve dhe të përzgjedhurve të cilat përmenden në Kuran, janë përmes këtij emri, si përkujtim i këtij synimi dhe si kërkesë për këtë kujdes të veçantë. Prandaj, e gjejmë se të gjitha synimet/kërkesat e tyre janë të këtij lloji. Përkujtimi i kësaj domethënieje gjatë lutjeve, i bën dobi të madhe njeriut.

Pastaj, besimi në Allahun si Rabb (Zot), kërkon detyrimisht kushtimin e gjithë adhurimit të pastër vetëm Atij, dhe nënshtrimin e plotë para Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Unë jam Rabb-i (Zoti) juaj, prandaj më adhuroni vetëm Mua.” (El Enbija, 92). “O njerëz! Adhuroni Rabb-in (Zotin) tuaj” (El Bekare, 21). Pra, fakti se Ai është Zoti i botëve kërkon domosdoshmërish që mos t’i lejë njerëzit pa përgjegjshmëri dhe kot së koti (pa qëllim të caktuar dhe pa mbikëqyrje), duke mos i urdhëruar dhe ndaluar. Përkundrazi Ai i krijoi dhe iu dha ekzistencë që t’i binden dhe ta adhurojnë Atë. Prandaj, i lumtur prej tyre është ai që iu bind Atij dhe e adhuroi Atë, kurse fatkeq është ai që e kundërshtoi Atë dhe i pasoi tekat/qejfet e veta. Kush beson në rububijen e Allahut dhe është i kënaqur me të si Rabb (Zot), patjetër që do të jetë i kënaqur me atë që Ai e urdhëron dhe e ndalon, me atë që e ndanë dhe e bën kader (paracakton) për të, dhe me atë që ia jep apo ia ndalon. Ndërsa, sa herë që nuk është i kënaqur me këtë, atëherë nuk është i kënaqur me Allahun si Rabb (Zot) nga të gjitha aspektet. Në hadith është thënë: “E ka shijuar ëmbëlsinë e besimit, ai që është i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si Fe, dhe me Muhamedin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) si të Dërguar/Pejgamber.”[8]

Kur njeriu dëshmon (me zemrën e tij) se Rabb-i (Zoti), qoftë i Bekuar dhe Lartësuar, veçohet me krijim dhe vendim, se çfarë dëshiron Ai bëhet dhe çfarë nuk dëshiron nuk ka mundësi të bëhet, se pa lejen e Tij nuk mund të lëviz as grimca më e vogël, se të gjitha krijesat janë të mundura/mposhtura nën Grushtin e Tij, se çdo zemër është mes dy Gishtave (prej Gishtave) të Tij (nëse vullneti i Tij është që ta drejtojë e drejton atë, e nëse vullneti i Tij është që ta devijojë e devijon atë), atëherë ai arrin ta realizojë, me dijen dhe gjendjen e tij, pozitën e: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe prej Teje ndihmë kërkojmë.” (El Fatiha, 5). Kështu këmbët e njeriut forcohen në teuhidin e rububijes (njësimin e Allahut në zotërim), pastaj vazhdon të ngjitet përpjetë në teuhidin e uluhijes (njësimin e Allahut në adhurim). Sepse, nëse ai është i bindur në atë që u tha më lartë, atëherë nuk ka mundësi që të marrë për Ilah dhe të adhuruar dikë/diçka tjetër përveç Allahut të Patëmeta. Pra, së pari zemra lidhet me teuhidin e rububijes, pastaj gradualisht ngjitet në teuhidin e uluhijes, siç i fton Allahu i Lartësuar robërit e Tij në Kuran, me këtë lloj të teuhidit (rububijes) për te lloji tjetër (ai i uluhijes), argumenton me të kundër (shirkut të) tyre, ua bën me dije se ata e pranojnë/njohin atë, pastaj i njofton se ata e asgjësojnë atë duke i shoqëruar të tjerë në adhurimin ndaj Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse i pyet ata se kush i ka krijuar, me siguri që ata do të thonë: “Allahu!” Atëherë, si largohen prej Tij?!” (Ez-Zuhruf, 87). Domethënë si largohen prej deklarimit se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut (la ilahe il-lAll-llah) dhe prej adhurimit të Tij të Vetmit, duke qenë se dëshmojnë se nuk ka Rabb (Zot) dhe Krijues tjetër përveç Tij?! Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “E kujt është Toka dhe gjithçka që gjendet në të, nëse e dini?” Ata do të thonë: “Të Allahut!” E ti thuaju: “Vallë, a nuk po reflektoni?” (El Mu’minun, 84-85), dhe ta dini se nëse Allahu është i Vetmi Zotërues, Krijues, Zot, dhe Sundues i Tokës dhe gjithçkaje që gjendet në të, atëherë Ai gjithashtu është edhe i Vetmi Ilah dhe i Adhuruar i tyre. Ashtu siç nuk kanë ata Rabb (Zot) tjetër përveç Tij, po ashtu nuk duhet të kenë (të marrin) të Adhuruar tjetër përveç Tij. Në këtë ka argumentim kundër tyre (paganëve) se Ai i cili veproi me ta në këtë mënyrë është (Zot) i Vetëm, prandaj është edhe i Adhuruari i tyre i Vetëm. Kështu që, nëse ka zot tjetër së bashku me Të, që vepron me ju në këtë mënyrë, atëherë duhet ta adhuroni edhe atë, mirëpo përderisa nuk ka zot tjetër krahas Tij, atëherë si merrni të adhuruar tjerë së bashku me Të?![9]

Kjo është prej argumenteve më të qarta që tregojnë për prishjen/korruptimin e shirkut dhe për mendjelehtësinë/budallallëkun dhe devijimin në të cilin ndodhen ithtarët e tij. I Pastër/Lartë është Allahu nga ajo që ata i shoqërojnë.

Përktheu: Lulzim Perçuku

———————————————————-

[1] Kjo temë është shkëputur nga libri “Fikhu el-esmai el-husna” (Kuptimi i emrave të bukur të Allahut) të Shejh AbduRrezak bin AbdulMuhsin El Bedr.

[2] Tefsiri i tij (1/142 – 143), shkurtimisht.

[3] Tek populli ynë është e njohur thënia: zoti i shtëpisë, sh.p.

[4] “En-nihaje fi garibil-hadith” (1/179).

[5] Tre emrat e fundit janë prej emrave që duhet të përmenden gjithmonë çift (së bashku), të cilët nuk lejohen të përdorën për Allahun përveçse të shoqëruar me njëri-tjetrin, sh.p.

[6] “Bedaiul-feuaid” (2/212).

[7] “Kitabus-salati” i Ibnul-Kajimit, faqe: 173.

[8] Transmeton Muslimi në Sahih-un e tij, hadithi me nr. 34, nëpërmjet Abasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

[9] Shiko “Medarixhus-salikin” të Ibnul-Kajimit (1/410-412).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit