Kurani- mrekullia që Allahu ia ka dhënë Muhamedit salAllahu alejhi ue selem


Kurani- mrekullia që Allahu ia ka dhënë Muhamedit salAllahu alejhi ue selem

Prej argumenteve më të qarta se feja e vërtetë është Islami, është Kurani. Allahu e përmend Kuranin si mrekullia e vetme që ia ka dhënë Muhamedit salAllahu alejhi ue selem. Të Dërguarve të mëhershëm, Allahu u ka dhënë mrekulli të ndryshme për ta vërtetuar pejgamberinë apo profetësinë e tyre, p.sh.: Musa ka pasur shkopin me të cilin ka bërë çudira, si: e ka ndarë detin për gjysmë, e ka goditur gurin dhe ai ka buruar ujë, Isa i ka shëruar të verbrit, të sëmurit me lebrozë, i ka ngjallë të vdekurit (me lejen e Allahut kuptohet), të gjith këto kanë qenë mrekulli që Allahu ua ka dhënë atyre për të vërtetuar pejgamberinë e tyre.

Kurse Muhamedit salAllahu alejhi ue selem, Allahu nuk i ka dhënë mrekulli të tilla, por i ka thënë në Kuran se mrekullia që ta kam dhënë është Kurani. Prandaj, para Kuranit janë dorëzuar të gjithë, edhe ata që e mohojnë apo nuk e pranojnë, duke e pranuar se ai vërtetë është mrekulli.

Allahu i ka sfiduar njerëzit prej kur e ka zbritur Kuranin e deri në Ditën e Gjykimit. Edhe sot vlen kjo sfidë, që është: sjellja e një kaptine të ngjashme me kaptinat e Kuranit. Njerëzit deri tash kanë qenë të paaftë, nuk kanë pasur mundësi ta veprojnë këtë. Ne e dimë se arabët e kohës kur ka zbritur Kurani kanë qenë njerëzit më elokuentë, më të dijshmit rreth gjuhës arabe duke ditur se si të përpilohet një poezi apo prozë etj. Kur ka ardhur ky sfidim ata janë dorëzuar dhe e kanë pranuar se nuk ka mundësi që dikush ta sjellë qoftë dhe një sure/kaptinë të ngjashme me kaptinat e Kuranit, sa do e vogël që është, siç është surja Keuther që ka tri ajete, porse të gjithë njerëzit e xhindët të bëhen bashkë nuk mund të sjellin një të ngjashme me të. Kjo tregon se Kurani vërtetë është Fjalë e Allahut, e Krijuesit të botrave, i cili e ka zbritur tek Muhamedi salAllahu alejhi ue selem.

Po ashtu, askush nuk ka mundësi të gjejë qoftë dhe një gabim më të vogël në Kuran. Idhujtarët e Mekës edhe pse kanë qenë në kulmin e dijes për gjuhën kur ka zbritur Kurani, nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë një gabim edhe pse kanë tentuar disa herë. Janë dorëzuar para kësaj.

Kush dëshiron të kuptojë të vërtetën duhet t’i referohet Kuranit. Ligjet e zbritura në të janë të përkryera. Edhe shumë prej vetë jobesimtarëve kanë pranuar se njerëzimi nuk mund të kthehet në moralet e duhura përveç nëse i pranon dispozitat që janë në Kuran.

Nga çdo aspekt nëse e mediton dhe studion Kuranin sheh se ai është i përkryer. Po ashtu në të kemi argumente e prova shkencore që tregojnë se janë prej Allahut. Thotë Allahu: “Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta.” Surja Fusilet 53.

Shkenca sot është zhvilluar shumë për dallim nga më herët. Atëherë nga ky aspekt shkencor, patjetër se në Kuran do të ketë prova që tregojnë se ai është Fjalë e Allahut, është i vërtetë, e që përmenden në Kuran (edhe pse Kurani nuk është libër shkencor), si:

➡ Valët e brendshme që ndodhen në thellësi të mëdha në dete, gjë e cila është zbuluar kur njeriu i ka shpikur nëndetëset, me të cilat kanë shkuar thellë dhe e kanë kuptuar se aty ka valë që i kanë luhatë nëndetëset. Thotë Allahu: “(Ata që nuk besojnë) Ose janë si errësirat në detin e thellë, të cilat mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë…” Nur 40. Muhamedi salAllahu alejhi ue selem nuk ka hipur kurrë në anije, e të mos flasim të ketë udhëtuar në dete e oqeane për të nxjerrë këtë përfundim. Shembuj të tillë ka shumë në Kuran që tregojnë se Muhamedi salAllahu alejhi ue selem nuk e ka sjellur këtë Kuran prej vetes, porse ai është Fjalë e Allahut që e ka krijuar detin e oqeanin dhe e di çfarë ka në to.

➡ Krijimi i fetusit me fazat nëpër të cilat kalon; gjak i ngjizur, pastaj si mish i përtypur, pastaj Allahu i krijon eshtrat, pastaj i mbulon me mish, e me radhë. Thotë Allahu: “…pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin).” Muminun 14. Dhe shembuj të tillë ka plotë.

Hoxhë Lulzim Perçuku. Derset live.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit