Aisheh bint Ebi Bekër radijAllahu anha

Martesa e Aishes radijAllahu anha

 

Aisheh radijAllahu anha ishte bija e Es-Sidikut (më i sinqerti), Ebu Bekër Abdullah radijAllahu anhu, bin Ebi Kuhafeh Uthman bin Amir bin Amër bin Ka’b bin Sa’d bin Tejm bin Murrah. Ajo ishte nga degët më bujare e fisnike të fisit Kurajsh, duke u takuar me Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në origjinë tek stërgjyshi i shtatë: Murrah bin Ka’b. Ajo është gruaja më e dijshme e këtij Umeti, pa përjashtim. Nëna e saj ishte Umm Ruman bint Amir bin Uvejmir, nga fisi Kinaneh.

Aisheh radijAllahu anha lindi në Islam. Ajo ka thënë: “Unë kurrë nuk i kam parë prindërit e mi ndryshe, veçse duke e praktikuar fenë (Islame).” Ajo ka qenë diku tetë vite më e re se Fatimeja radijAllahu anha.

Kontrata e saj e martesës u bë ndërmjet Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe babait të saj, diku rreth tri vite para Hixhretit. Ai ishte viti i njëjtë në të cilin ai sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e martoi Seuden. Ajo migroi me prindërit e saj në Medineh dhe Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e konsumoi martesën me të menjëherë pas betejës së Bedrit, gjatë muajit Sheual. Atëherë ka qenë rreth nëntë vjeçe.[1] Ata qëndruan bashkë nëntë vite (deri sa vdiq Profeti sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Aishah radijAllahu anha ka treguar:

“I Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem më ka martuar (e ka bërë nikahun) pas vdekjes së Hadixhes, kur unë kam qenë gjashtë vjeçare. Jam sjellë te ai (për të jetuar me të) kur kam qenë nëntë vjeçare. Disa gra erdhën tek unë përderisa po luaja në një luhatëse, flokët e mia ishin të gjata deri te supet. Ato më stolisën, më zbukuruan dhe më dërguan te ai.”[2]

 

Esma bint Jezid bin Sakan[3] ka treguar se ajo e kishte stolisur Aishen për Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe pastaj e kishte ftuar për ta parë. Ai erdhi dhe u ul afër saj dhe iu dha një gotë e madhe me qumësht. Ai piu ca, e pastaj ia dha asaj. Aisha e uli kokën me turp dhe Esma ia hoqi veshin duke i thënë: “Mos e refuzo ofertën e të Dërguarit të Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.” Aisha e mori gotën dhe piu ca. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem pastaj i tha: Jepja shoqes tënde. Esma tha: “O i Dërguar i Allahut! Merre së pari dhe pi nga ajo, e pastaj ma jep me dorën tënde.” Ai e mori, piu nga ajo, e pastaj ia dha asaj. Ajo u ul, e vendosi mbi gjunjë dhe e rrokullisi gotën aty ku piu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, duke pirë në vendin ku ai i vendosi buzët.[4] Pastaj ai bëri me shenjë nga disa gra tjera që ishin me të dhe i tha: “Jepja shoqeve tua.” Ato thanë: “Nuk kemi dëshirë.” Ai u tha: Mos e bashkoni urinë me gënjeshtër.”[5]

 

Rinia e Aishes radijAllahu anha

 

I Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e pa anën fëmijërore të natyrës së Aishes gjatë viteve të para me të dhe me të u soll në mënyrë të kuptueshme. Ajo tregon:

“Unë luaja me kukulla dhe disa nga shoqet e mia të reja vinin për të luajtur me mua. Kur i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem vinte në shtëpi, ato fshiheshin dhe kur ai shkonte, ato vinin prapë. Dhe ai i dërgonte ato për të luajtur me mua.”[6]

 

Ajo gjithashtu ka treguar se kur i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u kthye nga beteja e Tebukut (ose Hajberit), ajo e kishte një kamare të mbuluar me perde. Era e fryu perden dhe i zbuloi disa kukulla. Ai pyeti: “Çfarë është kjo, o Aisheh?” Ajo u përgjigj: “Këto janë kukullat e mia.” Ai pa në mesin e tyre një kalë me krahë të lëkurës dhe pyeti: Çfarë është kjo që po shoh në mesin e tyre?” Ajo tha: “Një kalë.” Ai pyeti: “Dhe çfarë është ajo gjë në të?” Ajo u përgjigj: “Dy krahë.” Ai thirri: “Kalë me dy krahë?!” Ajo tha: “A nuk ke dëgjuar se Sulejmani ka pasur kalë me krahë?” Ai buzëqeshi derisa mund t’ia shihte dhëmbët.[7]

 

Aisheh radijAllahu anha ka treguar se njëherë kur ishte shumë e re, shkoi me Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në një udhëtim. Në një vend, u tha shokëve të tij: Lëvizni (largohuni) para nesh!” Pastaj i tha asaj: Eja, dua të garoj me ty.” Ata garuan dhe ajo e fitoi garën. Disa vite më pas, pasi u bë më e rëndë, ajo shkoi me Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në një udhëtim tjetër. Ai u tha shokëve të tij Lëvizni (largohuni) para nesh!” Pastaj i tha asaj: Eja, dua të garoj me ty.” Ata garuan dhe ai e fitoi garën dhe i tha asaj: Kjo fitore është për atë (të mëhershmen).[8]

Aisheh radijAllahu anha gjithashtu ka treguar se njëherë disa abisinianë, erdhën si delegacion te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Gjatë Bajramit, ata luajtën brenda xhamisë me shtizat e tyre. Umeri radijAllahu anhu deshi t’i ndalte ata, por Pejgamberi sal-lAll-llahualejhi ue sel-lem i tha: “Lëri!”[9] Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem qëndroi te dera që dërgonte prej dhomës së Aishes për në xhami dhe e ftoi atë të rrinte pas tij dhe t’i shikonte lojërat e tyre. Ajo tregoi:

“Ata luajtën brenda xhamisë. I Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e përdori rrobën e tij të sipërme për të më mbuluar përderisa shikoja. Unë qëndrova pas tij, me mjekrën time në supin e tij dhe me fytyrën time pas tij. Ai priti me durim deri sa e kënaqa kureshtjen time dhe dëshirova të largohesha.”[10]

 

E vetmja e virgjër

 

Aisheh radijAllahu anha u bë një grua e bukur. Kjo është arsyeja pse atë e quajtën Humejra– e bardha e vogël. [11] Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk ka martuar tjetër të virgjër përveç Aishes radijAllahu anha; ajo mburrej me këtë gjë tek ai. Njëherë e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, sikur të ndaleshe për pushim në një luginë në të cilin sheh drunj në të cilët është kullotur dhe një dru në të cilin nuk ka kullotur askush, në cilin dru do ta leje devenë tënde për të kullotur?” Ai u përgjigj: Në drurin në të cilin nuk ka kullotur askush.” Ajo i tha: “Unë jam ai dru.”[12]

 

Gruaja më e dashur

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e donte Aishen radijAllahu anha më shumë se të gjitha gratë e tjera të tij. Amër bin El-Asi radijAllahu anhu ka treguar si ai e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “O i Dërguar i Allahut! Kush është më i dashuri tek ti nga njerëzit?” Ai u përgjigj: “ Aisheh.” Ai pyeti: “Dhe nga burrat?” Ai u përgjigj: “Babai i saj (Ebu Bekri).” [13]

Dashuria e jashtëzakonshme e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për Aishen radijAllahu anha, ishte një gjë e njohur në mesin e myslimanëve. Ai sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk donte përveçse gjërat e mira. Kështu, ai zgjodhi dy njerëzit më të mirë të umetit për të qenë të dashurit e tij. Kur një njeri i do ata, kjo do tregonte dashurinë e tij për Allahun dhe të Dërguarin e tij sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe kur një person i urren ata, ai nuk do ishte meritor për dashurinë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

 

Vlera e saj mbi gratë e tjera

 

Aisheh radijAllahu anha u shqua mbi të gjitha gratë tjera përmes cilësive të cilat e bënë Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem të thoshte:

Vlera e Aishes mbi gratë tjera, është sikur vlera e theridit mbi llojet e tjera të ushqimeve.”[14]

Kjo vlerë duhet të bazohet në një urdhër hyjnor, i cili e bëri Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ta donte atë më tepër se gratë tjera të tij. Siç do të shihet në kapitullin tjetër, Aisheh radijAllahu anha ka qenë e vetmja prej Nënave të Besimtarëve që Xhibrili alejhis selam erdhi me shpallje te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, përderisa ai ishte nën mbulojën e njëjtë me të. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha asaj: O Aisheh, Xhibrili është këtu dhe po të jep selam.”[15]

 

Shpifja e madhe

 

Duke e vërejtur pozitën e madhe të Aishes radijAllahu anha në zemrën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, hipokritët u munduan që përmes saj ta sulmonin atë në nder. Në vitin 5 H, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po kthehej në Medineh prej betejës së Murajsi’-it. Aisheh radijAllahu anha ishte me të, atëherë dymbëdhjetë vjeçare. Nga fundi i udhëtimit, ushtria u ndalën për pushim.

Pak para nisjes së tyre të natës, Aisheh vërejti se qaforja e saj po i mungonte dhe shkoi për ta kërkuar. U kthye dhe gjeti se ushtria ishte nisur. E mbështolli veten në rroba dhe u ul për të pritur që dikush prej njerëzve të kthehej për të. Pas pak, atë e zuri gjumi.

Safuan bin el Mu’tel radijAllahu anhu po ngiste pas ushtrisë, duke u munduar ta zinte atë. Ai e arriti vendin e Aishes në mëngjes, e vërejti figurën e saj të mbyllët dhe e kuptoi se kush ishte. Zbriti nga deveja e tij dhe e priti Aishen që ajo ta ngiste atë, e pastaj eci para saj, duke e udhëhequr devenë, deri sa e arriti ushtrinë, e cila ishte ndalur prapë për pushim afër mbrëmjes.

Kjo ishte një mundësi e artë për kokën e hipokritëve Abdullah bin Ebi Selul dhe përkrahësit e tij, për të shpifur për Aishen, bashkëshortin e saj sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe tërë Umetin, duke e akuzuar atë se kishte bërë zina (amoralitet) me Safuanin.

Kjo e mërziti Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe myslimanët, për një muaj, deri sa Allahu zbriti dhjetë ajetet që e deklaruan pafajësinë e saj dhe që i kundërshtuan të gjithë ata që u bashkuan në shpifjen ndaj saj.[16] Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem pastaj i tha asaj: Vërtet, pasha Allahun, Allahu e ka deklaruar pafajësinë tënde!” [17]

 

Xhelozia e Aishes radijAllahu anha

 

Me gjithë dashurinë e madhe që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ia shfaqi Aishes radijAllahu anha, ajo ishte tejet xheloze në të. Disa ngjarje që e demonstrojnë këtë, janë të përmendura në kapitullin e radhës. Është interesant të theksohet, siç e pamë më herët, që xhelozia e saj e arriti edhe Hadixhen radijAllahu anha, e cila vdiq tri vite para martesës së saj. Ajo tha:

“Kurrë nuk kam qenë xheloze në ndonjë grua aq sa kam qenë xheloze në Hadixhen, për shkak të përmendjes së saj të shpeshtë nga Pejgamberi i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.”[18]

Enesi dhe Umm Selemeh radijAllahu anhume, kanë treguar se njëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ishte në shtëpinë e Aishes me disa nga shokët e tij, Umm Selemeh ia dërgoi atij një pjatë me ushqim. Kur Aisheh radijAllahu anha e pa atë, e mori një gur me madhësinë e dorës dhe e goditi pjatën, duke e thyer në dy pjesë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i mblodhi copat e pjatës dhe u tha shokëve të tij:

“Hani! Nëna juaj ishte e pushtuar nga xhelozia. Hani! Nëna juaj ishte e pushtuar nga xhelozia.”

Ata hëngrën. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem pastaj e mbajti pjatën e thyer në shtëpinë e Aishes, ndërsa një pjatë të mirë të saj ia dërgoi Umm Selemes, dhe tha:

Një pjatë për pjatën (e dëmtuar) dhe ushqim për ushqimin (e dëmtuar).” [19]

Aisheh radijAllahu anha ka treguar se një natë ajo nuk e gjeti Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem afër saj. Pastaj, e gjeti duke u falur. I kaloi gishtat e saj nëpër flokët e tij për të parë nëse ai ishte larë (duke dyshuar se ai në mënyrë sekrete mund ta kishte vizituar ndonjërën nga gratë e tjera të tij). Ai (më vonë) i tha:

Shejtani yt vërtet të ka ardhur.” Ajo pyeti: “O i Dërguar i Allahut! A nuk ke ti shejtan?” Ai u përgjigj:Po vërtet, por Allahu më ka ndihmuar kundër tij, kështu që ai e ka pranuar Islamin.”[20]

Aisheh radijAllahu anha ka treguar se një natë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem mungoi dhe mendoi se kishte shkuar te ndonjëra nga gratë e tij. Ajo filloi të shikonte për të dhe e gjeti duke u falur, në ruku ose suxhud, duke thënë:

“Subhaneke ue bihamdik, la ilahe il-la ent – I pastër nga të metat je Ti dhe lavdërimi qoftë mbi Ty, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje.”

Ajo pastaj tha: “T’u bëfshin kurban nëna dhe babai im! Vërtet, ti je i angazhuar në një çështje (adhurim) dhe unë në një çështje tjetër (xhelozi).” [21]

Aisheh radijAllahu anha ka treguar se një natë kur ishte radha e saj me të Dërguarin e Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ai u largua nga shtrati, hoqi rrobën e tij të sipërme, i hoqi këpucët dhe i vendosi afër shputave. Pastaj e zgjati skajin e rrobës së tij të poshtme (izar) dhe u shtri. Priti deri sa mendoi se ajo kishte fjetur, pastaj me qetësi u ngrit dhe e mori rrobën e tij të sipërme, mbathi këpucët, e hapi derën dhe doli jashtë, duke e mbyllur me qetësi. Aisheh shpejt e vuri veshjen e saj, veshi mbulesën e kokës, e mbështolli rreth vetes izarin e saj dhe vrapoi pas tij.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem shkoi deri në El-Beki’, [22] qëndroi për një kohë të gjatë dhe i ngriti duart tri herë. Pastaj u kthye, edhe Aisheh u kthye, ai eci shpejtë dhe ajo eci shpejt, ai vrapoi dhe ajo vrapoi, deri sa të dy i arritën shtëpitë. Ajo u ngut para tij dhe hyri në shtëpi. Sapo u shtri, Profeti sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem hyri dhe thirri: Çfarë ka, o Aish?[23] Po gulçon dhe gjoksi yt po ngrihet dhe po bie?” Ai u përgjigj: “Asgjë, o i Dërguar i Allahut.” Ai tha: “Ose më trego, ose më i Gjithëdijshmi, i Mirinformuari (Allahu), do të më tregojë.” Kështu, ajo tha: “T’u bëfshin kurban nëna dhe babi im, o i Dërguar i Allahut!” dhe i tregoi se çfarë ka ndodhur. Ai pyeti: “Pra, ti paske qenë gjëja e zezë që e pashë para meje?” Ajo u përgjigj: “Po.” Ai e shtyri atë në gjoks sikur në lojë dhe i tha: “A mendove se Allahu dhe i Dërguari i Tij do ishin të padrejtë ndaj teje (duke ia dhënë kohën tënde ndonjë gruaje tjetër)!?” Ajo tha: “Çfarëdo që fshehin njerëzit, Allahu e di.” Ai tha:

“Po. Vërtet, Xhibrili më erdhi atëherë kur më ke parë mua. Ai më thirri duke mos lejuar ty të dëgjosh dhe unë iu përgjigja atij duke mos të të treguar. Ai nuk do të futej në shtëpinë tënde pasi që i ke hequr rrobat. Mendova se ti kishe fjetur dhe urreva të të zgjoja, duke pasur frikë se do ndiheshe e vetmuar (sikur ta dije që po shkoja). Xhibrili më tha: “Zoti yt po të urdhëron të shkosh tek njerëzit (të vdekurit) e El-Beki’ dhe të kërkosh falje për ta.”

Aisheh radijAllahu anha pyeti: “Çfarë duhet të them për ta, o i Dërguar i Allahut?” Ai sal-lAll-llahu alejhi ue-selem tha:

“Selami qoftë mbi banorët e këtyre varrezave, prej besimtarëve dhe myslimanëve! Allahu i mëshiroftë të parët dhe të fundit nga ne! Edhe ne me vullnetin e Allahut (kur të vijë vendimi i Tij) me ju do të radhitemi.” [24]

 

Beteja e Xhemelit

 

Me tetëmbëdhjetë Dhul Hixheh, të vitit 35 H, Uthmani radijAllahu anhu u vra përmes një komploti nga Abdullah bin Sebe’ dhe armiq tjerë të Islamit. Disa ditë pas kësaj, Aliu radijAllahu anhu u emërua si halifeja i ri. Aliu, Aisheh dhe disa sahabë tjerë, kishin për qëllim zgjidhjen e problemeve që e pasuan vrasjen e Uthmanit radijAllahu anhu. Më e rëndësishmja ishte që t’i gjenin dhe ndëshkonin vrasësit, e ta rikthenin autoritetin e halifes.

Megjithatë, Ibën Sebe’ dhe pasuesit e tij vazhduan me komplotet e tyre dhe patën sukses në tërheqjen e sahabëve në një luftë kundër njëri-tjetrit, me Aishen, Talhan dhe Zubejrin në një anë, dhe Aliun, Amarin dhe shokët tjerë në anën tjetër. Ajo u quajt beteja e Xhemelit (devesë), sepse u përqendrua rreth devesë, e cila e barti ulësen e Aishes.

Beteja zuri vend në mesin e Xhumadel Ahirah të vitit 36 H. Aliu radijAllahu anhu e fitoi betejën, por pas vrasjes së më shumë se dhjetë mijë myslimanëve, duke përfshirë edhe Talhan dhe Zubejrin.

Pas fitimit të betejës, Aliu e trajtoi Aishen me respekt dhe e dërgoi në siguri në shtëpinë e saj. Amar bin Jasiri radijAllahu anhu në fjalimin e tij para luftimit, tha: “Vërtet, ne e dimë se ajo është gruaja e Pejgamberit tonë sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem përherë (në këtë botë dhe botën tjetër).” [25]

Pjesëmarrja e Aishes dhe përkrahësve të saj në atë luftë, u bazua në ixhtihad dhe ishte për kënaqësinë e Allahut. Por, më vonë ata e kuptuan se pozicioni i tyre ishte i gabuar. Aisheh radijAllahu anha u pendua thellësisht për këtë deri në ditët e saj të fundit.

 

Vdekja e saj

 

Aisheh radijAllahu anha transmetoi dije të madhe nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe prej një numri të shokëve të tij, duke përfshirë Ebu Bekrin dhe Umerin, radijAllahu anhume. Transmetimet e saj janë më shumë se dy mijë, treqind prej të cilave janë transmetuar nga Buhariu, Muslimi ose nga të dy. Aisheh radijAllahu anha vdiq në vitin 58 H, në Medineh, u varros në el-Beki’.


[1] Një vajzë nëntë vjeçare mund të jetë ende për disa vite shumë e re për martesë në shumicën e kulturave të sotme. Megjithatë, normat rreth moshës për martesë, kanë qenë shumë ndryshe në kulturat e mëhershme. Ka shumë raste të dokumentuara të vajzave që janë martuar në vitet e tyre të hershme, e që pastaj kanë jetuar jetën më normale të mundur, duke lindur shumë fëmijë të shëndoshë. Kjo është shumë më e mirë sesa veprimi i lirë i amoralitetit në mesin e shumicës së të ashtuquajturave vajza të reja ‘të civilizuara’ të kohës sonë, gjë që ka dërguar në shumë raste në shtatzëni të hershme, fëmijë pa baballarë, sëmundje mjekësore, varësi nga droga, e kështu me radhë. Madje, në vende me klimë tropikale dhe të nxehtë, është shumë e zakonshme që vajzat të hyjnë në pubertet në mosha shumë të reja, siç ka qenë rasti me Aishen, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, siç është e dukshme nga shumë vepra dhe ngjarje që tregohen për të gjatë viteve të saj të rinisë me të Dërguarin e Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Përfundimisht, nuk ka dyshim se Allahu subhanehu ue teala e ka zgjedhur Aishen, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, dhe e ka përgatitur atë prej viteve të saj të hershme për të qenë bartëse e denjë e një pjese të madhe të dijes së pejgamberisë.

[2] Transmetuar nga Ebu Davudi. I verifikuar si i saktë nga Shuajb Arnauti në “Sijeru A’lami En-Nubela” 2:228.

[3] Ajo ishte kushërira e Muadh Bin Xhebelit: një nga gratë ensarije e cila ia dha betimin (besën) për bindje Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjatë Bej’atu Riduan. Ajo jetoi deri në kohën e Jezid Bin Muavijes.

[4] Kërkimi i bekimit nga prekja e të Dërguarit të Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

[5] Transmetuar nga Ahmedi. I verifikuar si hasen nga shejh Albani (Adabu Ez-Zifaf 92).

[6] Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[7] Transmetuar nga Ebu Davudi, Nesaiu dhe të tjerë. I saktë nga shejh Albani (Sahih Ebi Davud nr. 4123).

[8] Transmetuar nga Nesaiu, Ibën Maxhe dhe të tjerë. I saktë nga shejh Albani (Sahihul Xhami nr. 7007)

[9] Pjesa për Umerin radijAllahu anhu transmetohet nga Muslimi dhe Nesaiu prej Ebu Hurajras radijAllahu anhu.

[10] Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[11] Në fakt, Hamra do të thotë “e kuqe” dhe humejra do të thotë “e vogla e kuqe” (të dyja në gjininë femërore). Por, arabët e hershëm shpesh herë e aplikonin përshkrimin “i kuq” për gjëra të bardha, duke e ruajtur përshkrimin “e bardhë” për “pastërti” dhe kuptime të përafërta (Lisanul-Arab).

[12] Transmetuar nga Buhariu prej Aishes radijAllahu anha.

[13] Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi.

[14] Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë nga Enesi radijAllahu anhu. Një formulim i ngjashëm është cituar më herët nga hadithi i Ebu Musës.

[15] Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[16] “Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh. Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin dhe të thoshin: “Kjo është shpifje e qartë”?! Pse nuk sollën për këtë katër dëshmitarë? Meqë nuk sollën dëshmitarë, ata janë gënjeshtarë para Allahut. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, në këtë botë dhe në tjetrën, me siguri do t’ju godiste dënim i madh për atë që bëtë. Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe. Përse kur e dëgjuat përgojimin, nuk thatë: “Nuk ka hije për ne të flasim për këtë. Ti qofsh lavdëruar (o Zot)! Kjo është shpifje e madhe!” Allahu ju paralajmëron, që të mos përsëritni kurrë më diçka të ngjashme, nëse jeni besimtarë. Allahu ju shpjegon shpalljet; se Allahu është i Urtë, i Gjithëdijshëm. Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini. Sikur të mos ishin mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, si dhe fakti se Ai është i Butë e Mëshirues (dënimi i Tij do të shpejtonte)!” Surja En-Nur, ajetet 11-20.

[17] Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë nga Aisheja radijAllahu anha.

[18] Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[19] Transmetuar nga Nesaiu, Ibën Maxheh dhe të tjerë. I saktë nga shejh Albani në “Iruaul Galil” nr. 1523.

[20] Transmetuar nga Nesaiu. I saktë nga shejh Albani në “Sahihu Sunen En-Nesai” nr. 3696.

[21] Transmetuar nga Muslimi, Nesaiu dhe të tjerë.

[22] Një varrezë në veri të xhamisë së Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, në të cilën janë varrosur shumë sahabë dhe Nëna të Besimtarëve.

[23] Është një nofkë me të cilën Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nganjëherë e thërriste Aishen radijAllahu anha.

[24] Transmetuar nga Muslimi, Ahmedi dhe të tjerë.

[25] Transmetuar nga Buhariu dhe Tirmidhiu.

 

Shkëputur nga libri “Familja muslimane”, i cili së shpejti do dalë në botim in shaa Allah. Kontrolloi: Lulzim Percuku

Shpërndaje:

Print Friendly and PDF
W3Schools

Mbyll Menyn