Kush janë dijetarët? – 3

Shkëputur nga libri “Et-Tekfîr ue dauâbituhû” fq. 38-44

Autor: Dr. Muhamed bin Umer Bâzmûl, profesor në Universitetin Ummul-Kurâ në Mekë

Ndër cilësitë e dijetarëve është besimi i tyre se e vërteta dhe udhëzimi qëndrojnë tek ndjekja e asaj që Allahu i Lartësuar ka zbritur.

Allahu i Bekuar dhe i Lartësuar thotë: Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat. (El-En’âm, 153).

Pra, dijetarët nuk e pasojnë dhe nuk e marrin si pikënisje mendimin.

Ata që veprojnë asisoj janë pikërisht injorantët, të cilët i kishte për qëllim i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), siç përcillet nga Abdullah bin Amër bin El-As të ketë thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Vërtet, Allahu nuk e largon dijen duke e hequr atë nga mesi i njerëzve, por e largon duke ua marr shpirtin dijetarëve. E, kur të mos e lë asnjë dijetar, atëbotë njerëzit u referohen kokave injorante, të cilët kur të pyeten, japin përgjigje pa pasur dije. Dhe kështu e humbin vetën dhe të tjerët.”[1]

Pra, ky hadith na tërheq vërejtjen që të mos u kthehemi atyre për t’i pyetur e për të marr fetva dhe vendime rreth gjendjeve të rënda që e godasin ummetin.

Prej formave të pasimit të mendimit është marrja me analiza gazetareske dhe ndjekja e lajmeve nëpër revista, pastaj bërja e tyre si bazë në këshillimin dhe udhëzimin e masës së rëndomtë të myslimanëve.

Prej pasimit të mendimit është edhe: përkushtimi i disave që të jenë prezent gjatë ngjarjeve që ndodhin, me ndonjë koment, apo hytbe, apo ligjëratë. E kjo, s’është gjë tjetër, veçse një opinion. Ndërkohë që ata, që u është dhënë dijenia, e dinë se ajo, që Allahu ka zbritur, është e vërteta, e cila të udhëzon në rrugën e të Plotfuqishmit dhe të Denjit për çdo lavd.

Kështu, prej cilësive të dijetarëve është lënia e taklîd-it (pasimit të verbër), ngaqë mukal-lidi (ai që pason verbërisht) e merr fjalën e tjetërkujt pa kurrfarë argumenti dhe nuk është pasues. Sepse, pasimi nënkupton t’ia marrësh fjalën atij që argumenti ta bën për detyrë një gjë të tillë (marrjen e fjalës së tij). Dija është ajo që është bërë e qartë dhe është vërtetuar, ndërsa, mukal-lidi nuk e di argumentin, andaj dhe nuk ka dije.

E nëse thuhet: “A do të thotë kjo që mukal-lidi nuk është dijetar?”

Përgjigjja: “Po, mukal-lidi nuk është dijetar, dhe disa dijetarë kanë përcjellë konsensus rreth kësaj çështje.”

Ndërmjet cilësive të dijetarëve është se ata i kuptojnë shembujt që Allahu i sjellë në Kuranin fisnik.

Allahu i Bekuar e i Lartësuar thotë: “Këta shembuj Ne ua paraqesim njerëzve, por ata nuk i kupton kush, përveç dijetarëve.” (El-‘Ankebût, 43).

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku


[1] Buhariu (100) dhe Muslimi (2673).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit