Kush ka qenë AbdulUehabi?

 

Së pari, emri i këtij dijetari nuk është AbdulUehab, por është Muhamed ibn AbdulUehab. Babai i tij e ka pasur emrin AbdulUehab. Këtu shohim se ata që e kanë etiketuar me këtë emër (AbdulUehab), kanë pasur për qëllim njollosjen e tij, ose njollosjen e atyre që e pasojnë rrugën e drejtë, sepse siç thonë “këta janë vehabista”.

Uehab është Emër i Allahut: Dhurues. AbdulUehab d.m.th.: robi i Dhuruesit. Kështu që realisht nuk lejohet t’i thuhet ndokujt “Ti je vehabi!” sepse ai është Emër i Allahut, kjo ndalohet sipas fesë Islame.

Andaj ata që e kanë shpikur këtë emër janë prej jomuslimanëve, me qëllim që t’i largojnë muslimanët dhe besimtarët prej dijes që ky dijetar e ka shpërndarë. Ky dijetar nuk ka ardhur me asgjë të re që të cilën nuk e kanë thënë dijetarët para tij. Thjesht ai ka jetuar në një periudhë në të cilën njerëzit kanë bërë shumë shirk, në shumë vende, dhe ka pasur bidate të mëdha në fenë e Allahut. Kështu ai i ka thirrur në pastrimin e fesë prej shirkut e bidateve, i ka thirrur në kthimin tek feja në të cilën ka qenë Muhamedi salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij. Mirëpo, njerëzit nuk e kanë pranuar dhe kanë filluar ta etiketojnë me emra të tillë. Kur jomuslimanët e kanë parë se ai po i thirrë njerëzit në rrugën e Allahut dhe në kthimin tek feja e vërtetë të cilën Allahu e ka zbritur tek i Dërguari i Tij, atëherë e kanë shpikur këtë etiketim ndaj tij dhe kanë thënë se kushdo që e ndjek atë rrugë është vehabist.

Të njëjtat fjalë që i ka thënë ky dijetar, i ka thënë para tij imam Ahmedi, Ibn Tejmije, Ibn Kajjim, Allahu i mëshiroftë. Andaj ai ka qenë vazhdimësi e dijetarëve të cilët thërrasin në përtërirjen apo pastrimin e fesë prej shirkut, bidateve etj.

Kushdo që e quan atë “vehabist” apo i quan pasuesit e sunetit “vehabista”, ai ose është i padijshëm dhe ka rënë nën ndikimin e kësaj propagande kundër pasuesve të sunetit, ose është njeri që ka qëllime të këqija i cili është pasues i ndonjë sekti dhe ka për qëllim largimin e njerëzve nga e vërteta përmes etiketimeve.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit