“Kushdo që shpikë në çështjen (fenë) tonë diçka që s’është prej saj, ajo vepër nuk do t’i pranohet”

Shejh: Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

Nga nëna e besimtarëve, Aisha (radijAllahu anha) përcillet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kushdo që shpikë në çështjen (fenë) tonë diçka që s’është prej saj, ajo vepër nuk do t’i pranohet”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ndërsa në versionin e Muslimit qëndron: “Kush vepron diçka që s’është në përputhje me çështjen (fenë) tonë, ajo vepër nuk do t’i pranohet”.

Shejh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) shpjegon:

‘Dijetarët për këtë hadith thanë se është peshore e veprave të dukshme, ndërkohë që hadithi i Umerit para tij: “Vërtet, veprat vlerësohen sipas qëllimeve (nijeteve)…” është peshore e veprave të brendshme, ngaqë vepra ka nijet (qëllim) dhe formë (pamje). Kështu, forma e veprës është pamja e dukshme e saj, ndërsa nijeti është brendësia e saj.

Nga ky hadith përfitojmë se, kushdo që shpikë në Islam diçka që s’është prej tij, ajo vepër nuk do t’i pranohet, edhe në qoftë se e ka pasur nijetin (qëllimin) e mirë. Mbi këtë dobi (të hadithit) ngrihet rregulli i cili thotë se, njeriut nuk i pranohet asnjë nga bidatet që i ka vepruar, edhe nëse i ka bërë me nijet (qëllim) të mirë.

Prej dobive të këtij hadithi është se, kushdo që bën ndonjë vepër, e cila edhe pse në thelb është e ligjshme, mirëpo e bën ndryshe nga mënyra me të cilën është urdhëruar, atëherë, duke u bazuar në versionin e Muslimit, ajo vepër nuk i pranohet.

Duke u mbështetur në këtë themi se, kushdo që gjatë shitblerjes përdorë mënyrë të palejuar, atëherë shitblerja e tij është e pavlefshme; kushdo që, pa ndonjë arsye, fal namaz të vullnetshëm në kohën kur ai (namazi) ndalohet, atëherë namazi i tij është i pavlefshëm, dhe kushdo që agjëron ditën e Bajramit, atëherë agjërimi i tij është i pavlefshëm, e kështu radhazi. Kjo ngaqë Allahu dhe i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk urdhëruan që këto adhurime të kryhen në këtë mënyrë, dhe për këtë arsye ato janë të pavlefshme dhe të refuzuara.’

Shkëputur nga shpjegimi i dyzet haditheve të imam Neveviut

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit