Largimi nga gënjeshtra (në Ramazan)

 

– Largimi nga gënjeshtra.
Njeriu gjatë agjërimit duhet t’i largohet gënjeshtrës. Gënjeshtra (الكذب- el kedhib) është të treguarit (njoftuarit) për diçka në kundërshtim me realitetin. E gënjeshtra më e madhe është ajo ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, p.sh.: t’u atribuohet diçka që nuk e kanë thënë, si: të thuhet se Allahu e ka bërë të ndaluar këtë e atë gjë, duke qenë se e kundërta është e vërteta (d.m.th. se nuk e ka ndaluar). Allahu thotë: “mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: “Kjo është e lejueshme e kjo e ndaluar”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë. Ata do të kenë kënaqësi të shkurtër (në këtë jetë), por i pret një dënim i dhembshëm (në jetën tjetër).” Nahl 116-117. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush gënjen për mua qëllimisht[1], le t’ia përgatisë vetes një ulëse në zjarr të xhehenemit!” Buhariu dhe Muslimi. Edhe në mënyrë të përgjithshme Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka paralajmëruar dhe ndaluar të gënjejmë. Ka thënë: “Kini kujdes ndaj gënjeshtrës (mos gënjeni), ngase ajo e dërgon njeriun në prishje, e prishja e dërgon në zjarr. Njeriu nëse vazhdon të gënjejë, tek Allahu shkruhet sikur gënjeshtar i madh (كَذَّاباً – kedh-dheeb).” Buhariu dhe Muslimi. A ka më keq për njeriun sesa të cilësohet tek Allahu si i tillë?!

[1] Gënjen (shpif) për një hadith se e ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, e që në realitet nuk e ka thënë.

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit