Lutja për myslimanët

Lutja për myslimanët

Prej çështjeve të rëndësishme që myslimani duhet t’iu kushtojë rëndësi dhe të kujdeset për to, është lutja për myslimanët. Madje, disa dijetarë këtë e kanë llogaritur edhe prej rregullave ose prej edukatës së lutjes, pra që besimtari t’i përfshijë edhe vëllezërit e tij myslimanë në lutjet e tij drejtuar Allahut, për t’iu dhënë sukses, t’i falë, t’i mëshirojë, t’i ndihmojë në punë të mira etj. Kjo sepse të gjithë besimtarët janë bashkëpjesëmarrës në nevojën për këto gjëra, të gjithë kanë nevojë që Allahu t’u ndihmojë, t’i falë, t’i mëshirojë etj.

 

Nuk ka dyshim që secili prej nesh dëshiron dhe gëzohet kur e di se të tjerët prej myslimanëve luten për të, secili prej nesh e dëshiron një gjë të tillë dhe i gëzohet kësaj, madje shpreson që ata sa më shumë të luten për të, që Allahu t’i japë sukses, ta mëshirojë, ta falë etj. Edhe myslimani e do për vëllain e tij atë që e do edhe për veten e tij. Ato të mira që ia do vetes ti duhet t’i duash, siç na ka mësuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selam, edhe për vëllain tënd. Prandaj ashtu siç dëshiron mirësi për veten tënde dhe lutesh, duhet të lutesh edhe për besimtarët. Myslimani duhet t’i kushtojë rëndësi kësaj çështjeje në raport me vëllezërit e tij myslimanë, t’ua dojë atyre të mirën, të lutet për ta, të kërkojë falje për ta etj. E ai që vepron në këtë mënyrë, me këtë raport ndaj muslimanëve, atëherë Allahu patjetër do ta caktojë dikë prej muslimanëve që të lutet për të. Nëse ai lutet për ta, atëherë edhe Allahu do ta caktojë dikë prej myslimanëve kudo në botë që do të luten për të e do të kërkojnë falje. E siç e dimë, myslimani, qoftë i gjallë apo i vdekur, përfiton prej lutjes së vëllait të tij. Nëse dikush lutet për ty, sa je i gjallë apo pasi që të vdesësh, me pajtueshmërinë e gjithë dijetarëve lutja e vëllait tënd mysliman të bën dobi.

 

Nëse shikojmë gjendjen e myslimanëve, vëllezërve tanë myslimanë në përgjithësi në botë, shohim se gjendja e tyre dallon, secili prej tyre ka nevojë që myslimanët e tjerë në botë të luten për të, p.sh.: kemi raste prej myslimanëve që janë të sëmurë, ballafaqohen me sëmundje, vuajtje, ofshama, dhimbje, ka mundësi që sëmundja e tyre zgjatë me javë e muaj të tërë, për shkak të dhimbjeve të shumta dhe vuajtjeve ai nuk fut gjumë në syrin e tij me ditë të tëra apo kurrë nuk rehatohet e nuk qetësohet, vazhdimisht është në të tilla vuajtje e dhimbje. Kështu që, ky ka nevojë që vëllezërit e tij myslimanë të luten për të, që Allahu ta shërojë prej kësaj sëmundje, t’ia largojë këto vështirësi e brenga, t’ia lehtësojë, ta lirojë nga kjo gjendje e vështirë dhe ta ‘veshë’ me rrobën e shëndetit dhe shpëtimit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që e viziton një të sëmurë, të cilin Allahu nuk e ka caktuar të vdesë nga ajo sëmundje, dhe e lut Allahun shtatë herë: “E lus Allahun Madhështor, Zotin e Arshit të madh, që të të shërojë!”, Allahu gjithsesi do ta shërojë nga ajo sëmundje.” Tirmidhiu dhe Ebu Daudi. (Lutja arabisht: أَسْأَلُ اللَّهَ الْعَظيمَ رَبَّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ أَنْ يَشْفِيَكَ).

 

Siç e dimë, ka prej myslimanëve të cilët kanë vdekur, janë të burgosur në varret e tyre dhe janë peng i punëve e veprave që i kanë bërë gjatë jetës së tyre. Prandaj, ata kanë nevojë që vëllezërit e tij myslimanë të luten për ta, që Allahu t’ua fshijë mëkatet, që t’ua falë të metat e gabimet e bëra. Allahu në suren Hashr na mëson se si duhet të jetë edukata apo raporti i myslimanit karshi vëllezërve të tij myslimanë: Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” Dijetari i njohur, AbduRrahman es Sidi kur e komenton këtë ajet, thotë: “Ky ajet i përfshin të gjithë besimtarët, ata përfitojnë prej njëri-tjetrit kur luten për njëri-tjetrin, për arsye se ata të gjithë janë bashkëpjesëmarrës në besim, i cili e kërkon ose e sjellë medoemos lidhjen e fortë vëllazërore mes besimtarëve. Prej degëve që janë rezultat i këtij besimi, është që ata duhet të luten për njëri-tjetrin dhe ta duan njëri-tjetrin. Për këtë arsye, Allahu në këtë ajet e ka mohuar gil-le, duke e lutur Allahun që të mos lejojë të jetë në zemrat tona (gil-le përfshin armiqësinë, urrejtjen, mllefin, zilinë etj.). E ka përmend gil-le në trajtë të pashquar që i përfshin të shumtën dhe të paktën (që të mos ketë fare gil në zemrat tona për vëllezërit tanë myslimanë). Kur kjo nuk ekziston në zemër, atëherë patjetër që në vend të tij do të vijë e kundërta, e që është dashuria mes besimtarëve, miqësia e këshilla (të qenit i sinqertë në raport me ta) dhe kuptime tjera që janë të ngjashme me to, që janë prej të drejtave që besimtarët duhet t’i plotësojnë ndaj njëri-tjetrit.”

 

Ka prej myslimanëve që në vendet e tyre kanë sprova, fitne te shumta, luftëra që i kanë shkatërruar ato vende, fatkeqësi te shumta, është derdhur gjak i shumtë, kanë humbur jetë të shumta, shumë gra kanë mbetur vejusha, fëmijë që kanë mbetur jetim, është shkatërruar pasuria etj. Prandaj, ata kanë nevojë që ne të lutemi për ta, që Allahu t’ua lehtësojë këto vështirësi, që t’i çlirojë nga këto brenga e ngushti të jetës së tyre, që Ai  të vendosë siguri dhe paqe në vendet e tyre. Dhe kjo ka qenë edhe prej udhëzimit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selam, i cili madje ka bërë edhe lutjen e kunutit kur kanë ndodhur të tilla sprova te myslimanët. Ai e ka lutur Allahun që Ai t’u japë triumf, ndihmë, t’i shpëtojë besimtarët e t’i shkatërrojë armiqtë e tyre etj.

 

Prej myslimanëve ka vende e popuj që i ka robëruar varfëria, i ka paralizuar skamja e madhe. Prandaj ka prej tyre që nuk gjen as rroba për të veshur, ka prej tyre që nuk ka as shtëpi, strehë ku mund të strehohet, një kulm mbi kokë, ka prej tyre që nuk ka ushqim me të cilin mund ta ngopë barkun e tij, madje nuk kanë as ujë të pijshëm, me të cilin mund të freskohen. E ka prej tyre që u ka arritur vdekja për shkak të krizës, e urisë së madhe që i ka kapluar vendet e tyre, ose kanë pasur thatësi të madhe. Andaj, kanë nevojë për lutje, për lutje të sinqerta prej neve që Allahu t’i pasurojë pas varfërisë, që Allahu t’ua largojë këtë varfëri, t’i ngopë barqet e tyre, t’i mbulojë pjesët e turpshme te tyre me rroba dhe trupat e tyre, që Allahu t’ua plotësojë nevojat e tyre, t’ua largojë vështirësitë, skamjen etj. Ne duhet t’ua duam mirësinë besimtarëve, të lutemi për ta (sidomos në këtë muaj të Ramazanit, që lutja pranohet, në namaz të natës, në sexhde, gjatë ditës kur jemi agjërueshëm). Ta lusim Allahun për vëllezërit tanë myslimanë kudo në botë. E gjitha kjo si pikënisje e ka lidhjen e besimin, që është lidhja vëllazërore, e cila na bashkon neve, na unifikon si vëllezër myslimanë dhe besimtarë në të gjithë botën. Allahu thotë në suren el Huxhurat, ajeti 11: “Vërtetë, besimtarët janë vëllezër mes tyre.” Po ashtu në suren Teube, ajeti 71: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq të njëri-tjetrit.”

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shembulli i besimtarëve, në dashuri e mëshirë mes tyre, është sikur shembulli i një trupi të vetëm. Nëse një pjesë e trupit ankon me dhimbje, e gjithë pjesa tjetër e trupit ndjen ethe ose temperaturë dhe nuk mund të flejë.” Buhariu dhe Muslimi. Dhe ka thënë: “Myslimanët janë sikur një person. Nëse dikujt i dhemb syri i tij, i gjithë trupi pastaj ndjen dhimbje, ose nëse i dhemb koka, i gjithë trupi nuk është i qetë.” Muslimi. Dhe ka thënë: “Besimtari për besimtarin është sikur ndërtesa, pjesët të së cilës e mbajnë njëra-tjetrën.” Buhariu dhe Muslimi. Dhe ka thënë: “Nuk do të besoni (nuk do të keni besim të plotë) derisa të jeni të mëshirshëm me njëri-tjetrin.” Thanë: “O i Dërguari i Allahut, secili prej nesh është i mëshirshëm.” Secili prej nesh është i mëshirshëm me dikë prej njerëzve, ose me shokun e tij, ose me prindin e tij, ose me vëllain e tij etj. Mirëpo çfarë ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem? Ka thënë: “Unë nuk po flas për mëshirën që keni për shokun tuaj, të afërmin e juaj, mirëpo për mëshirën që duhet ta keni për të gjithë njerëzit e besimtarët.” Taberaniu.

 

Andaj, hadithet që flasin në këtë temë janë të shumta, të gjitha na tregojnë se besimtari e ka detyrë dhe duhet që t’u kushtojë rëndësi të drejtave (hakut) të vëllezërve të tij mysliman. E prej të drejtave është se ai duhet t’ua dojë atyre mirësinë, ashtu siç e dëshiron për veten e tij duhet ta dojë edhe për ta, duhet të jetë i mëshirshëm ndaj tyre, i butë, të lutet për ta që Allahu t’u japë sukses, që t’ua mundësojë të bëjnë vepra të mira, të korrin sukses, mirësi e shpëtim në këtë botë dhe në botën tjetër, që Allahu t’i forcojë në fenë e tyre, e kështu me radhë prej lutjeve që nuk kanë fund në kuptimin që secili prej nesh i bën për veten e tij, mirëpo gjithashtu duhet t’i bëjë edhe për vëllezërit e tij myslimanë. Dhe sa më shumë që ti ke besim, aq më shumë i do vëllezërit mysliman dhe aq më shumë do të lutesh për ta, padyshim.

 

Ligjëratë e transkriptuar.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit