Merr shtruar, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!

Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut të vetëm, dhe dëshmoj se Muhamedi (salallahu alejhi ve selem) është rob dhe i dërguar i Tij.

Vëllezër të ndershëm, do të ndalemi pak duke medituar në fjalën e Allahut: “Merr shtruar, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!” (El A’raf: 199). Siq thonë dijetarët, ky ajet fisnik përmbledhë moralet dhe drejton edukatën, andaj atij që i ka dhënë Allahu sukses ta meditojë këtë ajet, ta kuptoj dhe të veprojë sipas tij, atëherë ky do të ketë sukses në moral dhe edukatë, me të cilat duhet të sillet muslimani me njerëzit. Pjesë e hijeshisë dhe bukurisë së sheriatit tonë është udhëzimi i besimtarëve për në moral dhe edukatë të lartë, kurse ky ajet i përfshinë të gjitha këto; ku disa dijetarë thonë se ky është ajeti më përfshirës i moralit dhe edukatës. Ky ajet përmban tri porosi lidhur me sjelljen me njerëzit:

Porosia e parë: fjala e Allahut “Merr shtruar”, e cila sqaron se morali dhe natyra e njerëzve nuk është e njëjtë; por ata ndryshojnë: disa janë të qetë, tolerant, të moralshëm, të butë, disa janë të ashpër të vrazhdtë, disa të tjerë veprojnë gjëra që janë plotësisht të pamoralshme, pra njerëzit nuk janë njësoj. Andaj nga muslimani kërkohet ta pregadis vehten kur të takohet me njerëzit dhe me llolloj moralesh, sepse ata nuk janë të njëjtë, dhe për këtë është cekur ky udhëzim i bekuar: “Merr shtruar” dmth sillu ashtu si e lejon morali dhe natyra e njerëzve dhe mos prit që çdonjëri të jetë shembull në moral, sepse njerëzit ndryshojnë shumë në këtë. Prandaj nëse e pregadit veten që ta marrësh shtruar, të sillesh si e lejon morali i njerëzve dhe të marrësh atë që e kanë më të lehtë për të dhënë, atëherë do të jesh i lumtur në këtë botë. Ndërsa, nëse pret që çdonjëri të jetë shembull në moral të mirë, atëherë nuk do të gjesh ashtu; sepse njerëzit kanë natyra të ndryshme: disa zemërohen shpejt, disa janë temperament, disa janë të qetë, disa të vrazhdë…, pra duhet ta pregaditësh veten për t’u përballur me këto lloje të ndryshme moralesh dhe të sillesh ashtu si e lejojnë ato.

Porosia e dytë: “urdhëro vepra të mira”, dmth nëse sillesh sipas asaj që ta lejon morali i njerëzve, gjithashtu duhet të bësh davet, të sillesh butësisht, të këshillosh të udhëzosh për në çdo punë të mirë. Pra sillu mirë dhe në të njëjtën kohë urdhëro për punë të mira.

Udhëzimi për punë të mira duhet të behët butësisht dhe të buroj nga një zemër që përpiqet dhe është e sinqertë për udhëzimin e njerëzve. Njerëzit duhet t’i takosh duke qenë i duruar ndaj sjelljeve të tyre dhe në njëjtën kohë t’i udhëzosh ata për në punë të mira; sepse ai që nuk duron ndaj sjelljeve të të tjerëve nuk është i aftë të bëj davet, sepse daveti kërkon durim ndaj sjelljeve të ndryshme të njerëzve, për këtë Allahu thotë: “Merr shtruar, urdhëro vepra të mira” pra njerëzit i pret me butësi dhe tolerancë, dhe në të njëjtën kohë edhe i udhëzon për punë të mira. Për shembull, nëse një personi të vrazhdë i jep Allahu sukses të takohet me një person që ka një çikë durim ndaj vrazhdësisë së tij, dhe në të njëjtën kohë din se si ta udhëzoj me butësi për në punë të mira, atëherë me lejen e Allahut do vinë edhe rezultatet. Ndërsa, nëse ai është një person që nuk mund t’i duroj njerëzit, nuk din se si të sillet me butësi dhe se si t’i udhëzoj, atëherë ai nuk është i aftë për davet. Sepse Allahu i thotë pejgamberit të Tij: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.” (Ali Imran: 159).

Porosia e tretë: “dhe shmangu nga të paditurit”, edhe kjo gjithashtu është shumë e rëndësishme në çështjen e moralit dhe edukatës së lartë, dmth mos u ndal në shprehjet dhe sjelljet e këqia të injorantëve, mos u ndal në këto sjellje dhe as mos qaj kokën për to, por shmangu nga injoranca e të paditurve dhe mësohu me ta. Sepse nëse njeriu ndalet në sjelljet e këqia të injorantëve, atëherë do të lodhet dhe do të vuaj shumë në këtë botë, e bile edhe mund të bëhët i tillë sikurse ata duke u sillur me të njëjtat sjellje.

Pra të shmangurit nga njerëzit e paditur dhe mos preokupimi me paditurinë, fjalët dhe shprehjet e tyre të këqija e pushojnë njeriun nga shumë vuajtje në këtë botë. Ngase përndryshe, në takimet e tua me njerëzit do të hasësh ndër ata që sjellen keq me ty, ndër ata që e ngrisin zërin dhe sillen vrazhdë, dhe nëse dëshiron që të preokupohesh me çdonjërin nga këta dhe t’ia vësh veshin çdo fjale të tyre, atëherë do ta lodhësh veten dhe kjo do shkaktoj brenga dhe pikëllim në zemrën tënde. Përndryshe, nëse shmangesh nga injoranti dhe thua me vete: ky njeri është sprovuar me ijnorancë, kurse mua më ka shpëtuar Allahu nga ajo dhe ta falënderosh Allahun për këtë, dhe vazhdo të ecësh në jetën tënde, sepse me këtë do të jesh i lumtur dhe në të njëjtën kohë do t’i ndihmosh atij injoranti që ta shikojë veten, sepse nëse shmangesh nga fjalët dhe sjelljet e tija të këqija, do t’i ndihmosh që ai ta shikojë veten. Prandaj, sa shumë injorantë kanë ndryshuar për shkak të këtyre sjelljeve, dhe ai që është sjellur mirë me ta sikur të sjellej me injorancë atëherë do të keqësohej gjendja.

Lidhur me këtë, ka qenë traditë e Pejgamberit tonë (salallahu alejhi ve selem) që të thotë: “O Allah, kërkoj të më mbrosh që të mos e devijoj dikë e as të më devijoj dikush, të mos e poshtëroj dikë e as të poshtërohem nga dikush, të mos i bëjë padrejtësi dikuj e as të më bëj padrejtësi dikush, të mos e injoroj dikë e as të injorohem nga dikush”. Kjo është një dua madhështore me të cilën lutej Pejgamberi (salallahu alejhi ve elem) është e përshtashtme që ta thotë çdo njëri kur del nga shtëpia e tij, dhe për këtë ka nevojë çdo njëri që del nga shtëpia, sepse do të përballet me morale dhe sjellje të ndryshme të njerëzve, prandaj ka nevojë që t’i drejtohet Allahut duke i kërkuar mbrojtje nga të gjitha ato, dhe më pas ai do të vazhdojë me sjelljet e tij ndaj njerëzve sipas udhëzimeve të këtij ajeti madhështor, si dhe ajeteve e hadithe tjera, të cilat thërrasin për plotësim moralesh dhe edukatash të larta.

O Allah, udhëzona në moralin më të mirë, sepse vetëm Ti di të udhëzosh në të, dhe na largo nga morali i keq, sepse vetëm Ti di të na largosh nga ai!

Allahu e di më së miri, salavatet dhe selamet qofshin mbi pehgamberin tonë, mbi familjen dhe të gjithë sahabët!

Përktheu: Jeton Bozhlani

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit